Kulturë
Kozeta Zylo: Shën Tereza dhe Prof. Gëzim Alpion në Vatër
E diele, 01.05.2022, 07:38 PM
Shën Tereza dhe Prof. Gëzim Alpion në Vatër
Nga
Keze Kozeta Zylo
Në
selinë e Federatës Pan Shqiptare Vatra u organizua një takim mbresëlënës midis
komunitetit shqiptar dhe Prof.Gëzim Alpion.
Prof.Gezim
Alpion mbajti leksionin “Mother Teresa and the Illyrian Foundations of Western
Civilization”.
Tubimin
e hapi z.Elmi Berisha kryetar i Vatrës i cili i përshëndeti plot përzemërsi
pjesëmarrësit dhe iu uroi mirëseardhjen Prof.Gëzim Alpion. Editori i Diellit z.Sokol Paja moderoi këtë aktivitet
të rëndësishëm.
Prof.
Alpion gjatë studimit të tij shpjegon me fakte historike se Iliria i hapi dhe
ndriti rrugën qytetërimeve greke dhe romake, ashtu si vitet e formimit të Nënë
Terezës qe janë jetike për të kuptuar figurën e jashtëzakonshme fetare.
Në
leksionin e tij ai pohoi se figura e madhe e planetit Shën Tereza kërkon midis
studiuesve shqiptarë dhe te huaj një bashkëpunim për të arritur në përfundime
të sakta shkencore.
Me
një elekuencë në të folur dhe tejet bindëse ai foli për rrugëtimin dhe punën e
tij studimore për 20 vjet rreth Nënë Terezës.
E dhimbshme ishte kur solli tragjedinë që kishte pësuar Nënë Tereza kur
ishte fëmijë e cila ngeli që në moshën nëntë vjece pa baba. Babai i saj Kolë Bojaxhiu ishte nje figurë e
njohur dhe me emër në Shkup, ai e donte arsimimin shqip të fëmijëve, ishte një
burrë i ditur, dhe pikërisht atdhetarizmi i tij ishte vënë në shënjestër të
sllavëve ndaj dhe ata e helmuan derisa sa vdiq.
Aq shumë helm i kishin hedhur në trup saqë kur e varrosën, arkivolin ia
ndërtuan me alumin me qëllim që të mos infektonte të tjerë përreth. Duke e spjeguar në anën psikologjike,
sociologjike ai tha se babai i saj pati një ndikim të fuqishëm ne jetën dhe në
formimin e saj.
Ai
solli portretin shpirtëror të Nënë Terezës në Shkup ku jetoi fëmijërinë, plus
vdekjes së babait ajo ndjeu dhimbjen nga afër të gjashtë personave të
familjes. Ai argumentoi se dhimbja që
ndjeu bëri të dëgjojë thirrjen e Zotit si babai hyjnor i saj. Me krenari tha se Shën Tereza ka frymëzuar
njerëzimin se cfarë është mirësia, shpirtgjerësia, shërbimi dhe dashuria për
njeri tjetrin.
Prof.Albion
ishte i ftuar nga Universiteti “Georgetown” dhe Universiteti i Harvardit
universitete shumë të mirënjohura në botë.
Prof.Alpion
është një nga autorët më autoritare në botë dhe të besueshëm të studimit rreth
veprës së Nënë Terezës. Ai me fakte shkencore, historike, ka ditur ta sjellë
shenjtoren shqiptare dhe të gjithë botës si një nga humanistet më të mëdha dhe
më të përkushtuara në botë.
Profesor
Gëzim Alpion punon në Universitetin “Birmingham” të Anglisë, si dhe që nga viti
2002 është anëtar i Departamentit të Sociologjisë.
Nënë
Tereza është perëndeshë e frymëzimit, bamiresise, ndihmës së tejskajshme të të
braktisurve, të sëmurëve, është sinteza e një popullit të lashtë sa vetë
njerëzimi.
E
shtuna e fundit e prillit në New York u bë dhe më pranverore ngase midis nesh
ishte Shën Tereza, prof. Alpion dhe Vatra e Nolit dhe e Konicës.
30 Prill, 2022
Bronx, New York