Kulturë
Besim Xhelili: Piktorët shqiptarë Ben Kamili dhe Artan Shabani me ekspozitë të përbashkët në Vjenë
E shtune, 30.04.2022, 05:49 PM
Ben Kamili (majtas), Ambasadori Roland Bimo (në mes) dhe Artan Shabani (djathtas)
PIKTORËT SHQIPTARË BEN KAMILI DHE ARTAN SHABANI ME EKSPOZITË TË PËRBASHKËT NË VJENË
Nga
Besim Xhelili
Në praninë e një numri të madh dashamirësh të artit pamor, në Galerinë „Desiderio“ në qendër të Vjenës, të premten, me datë 22 prill 2022, u hap ekspozita e përbashkët e dy artistëve shqiptarë Ben Kamili nga Tetova dhe Artan Shabani nga Vlora. Me një fjalim shumë të thellë e domethënës me rastin e hapjes, u paraqit historiani i artit, gjermani Dr. Wilhelm Ziehr, i cili i vlerësoi lart veprat e piktorëve që ishin të shfaqura në muret e galerisë, por edhe ato që autorët i kanë në thesaret dhe atelietë e tyre.
Benin
dhe Artanin nuk i lidh vetëm viti i njejtë i lindjes, por edhe e bukura, e
pathëna me fjalë, e pikturuara, e fshehta, harmonia e ngjyrës, thellësia e
imagjinatës, muza etj. Prandaj ekspozita mban emrin „Fuqia e ngjyrës“, dmth. në
veprat e tyre vërehet një shpërthim ngjyrash, zhvillimi i tyre i brendshëm
shpërfaq tërheqshëm ndjenjat dhe idetë e autorëve, gjersa motivi është i
ndryshëm dhe na sjell pamje nga përditshmëria, impresionizmi, abstraksioni,
erotizmi, peizazhi etj. Në disa piktura paraqiten mjedise të ndryshme
shqiptare, brigje e lumenj, por edhe pamje nga vende të ndryshme të botës, ku
autorët e kanë gjetur frymëzimin e tyre. Prania e femrës është gjithashtu një
element përmbajtësor i veprave, ku ajo shfaqet në akte të ndryshme, e bukur, me
stil dhe veçori romantike e artistike. Njashtu edhe gjelbërimi, lulet e bota
bimore, objektet e jetesës, kasollet etj. janë në një përputhje të mahnitshme.
Veprat flasin për një shije estetike dhe një cilësi të ngritur krijuese të dy
piktorëve.
Aki
Nuredini (majtas), Ben Kamili (në mes) dhe Besim Xhelili (djathtas)
Historiani
i artit, Dr. Wilhelm Ziehr pasi tregoi disa të dhëna mbi personalitetin e
piktorëve, Benit dhe Artanit, teksa lexoi sukseset e tyre me ekspozitat
individuale dhe kolektive në shumë vende të botës, paraqiti para të pranishmëve
mbresat e tij nga veprat figurative të ekspozuara këtu në Vjenë, duke gjetur
fjalët e veçanta, duke analizuar mprehtësinë krijuese dhe frymëzimin e
artistëve.
Endrit
Mema, Jozef F. Pjetri dhe Besim Xhelili
Besim
Xhelili dhe Artan Shabani
Të
pranishëm në ekspozitë ishin një numër i madh bashkatdhetarësh shqiptarë nga
Vjena, si: shkrimtari Besim Xhelili, kompozitori Jozef F. Pjetri, piktori
Endrit Mema, afaristët Aki Nuredini dhe Argtim Hani etj., gjersa ambasadori i
Shqipërisë në Vjenë, z. Roland Bimo pasi i përshëndeti autorët dhe të
pranishmit, i përgëzoi piktorët Kamili dhe Shabani, duke u treguar i befasuar
nga arti i tyre dhe njëkohësisht i gëzuar me arritjet e tyre.
Ekspozita
do jetë e hapur një muaj dhe mundet të vizitohet në Galerinë “ Desiderio”, në
adresën: Johannesgasse 17, 1010 Vjenë.
Besim
Xhelili,
Vjenë, 24 prill 2022