Kulturë
Demë Jashari: Frymëzimet poetike të një veprimtari
E diele, 03.04.2022, 01:31 PM
FRYMËZIMET POETIKE TË NJË VEPRIMTARI
Meditim
rreth librit me poezi «TË NDRITURIT» të autorit Sami R. Dërmaku, Prishtinë
2021.
Nga
Prof. Demë JASHARI
Sami Dërmakun e kam takuar në Zvicër në gusht 1989 edhe pse
për të, veçmas për veprimtarinë e vendosmërinë, qëndresën dhe pathyeshmërinë e
tij përballë strukturave të UDB-së kisha ndëgjuar edhe më heret. Nga ky moment,
për një kohë të gjatë, me Samiun kemi bashkvepruar në organizime të ndryshme të
veprimit për Kosovën dhe kemi mbetur në miqësi të pa cënuar.
E njihja Samiun si ish i burgosur për ideale kombëtare, e
njihja poashtu edhe për grevat e urisë nëpër burgjet serbojugosllave, e njihja
edhe për guximin dhe vendosmërinë e veprimit, për vrullin dhe energjinë e
pashterrshme vepruese; kështu pra e njihja edhe si autor e hartues të shumë
komunikatave, elaborimeve programore, artikujve e shumë shkrimeve të angazhuara
kombtarisht…
Në gusht 1989, me rekomandim të veprimtarit kombëtar
Sabri Novosella, në kuadër të «Grupi Patriotik Revolucionar»
fillova të bashkëpunoj më ngjeshur dhe shumë intensivisht me Samiun, i cili,
deri me kyçjen time në grup, ishte redaktor dhe përgjegjës për komunikim me
publikun – përgjegjësi të cilën pastaj ma kaloi mua. Ky angazhim, pos tjerash,
na mundësoi që të bashkpunonim e të bashkvepronim edhe më ngusht. Materialet
për botimin e tre numrave të organit të grupit i kishim të gatshme, të
redaktuara e të përgatitura për publikim.
Në vjeshtë të po atij viti, nga personalitete të
angazhuara në Kosovë dhe në mërgatë, morëm udhëzimet që të angazhoheshim dhe
përkrahnim me gjithë fuqinë tonë nismën e re dhe forcën e re të qëndresës dhe
përpjekjeve për liri që po bëhej gati të dilte hapur në Kosovë.
Kështu edhe vepruam duke bërë që grupi ynë, me Sami
Dërmakun, Hafiz Gagicën (i cili nga Gjermania për të marrë pjesë në takimet
vinte gjithnjë i shoqëruar me Rifat Jasharin), Shaip Latifin, Nazmi Pecin,
Elmaz Ademin, Imer Berishën, Januz Mustafën, Demë Mustafën, poashtu edhe një
shok i Demë Mustafës – me sa di quhej Hasan Mula, (por emri i të cilit nuk jam
i sigurt se po më kujtohet) dhe unë Demë Jashari e mëpastaj edhe Naim Maloku me
disa veprimtarë të shoqatës «MIGJENI» të Lubjanës, si Fadil Demiri e Shefqet
Cakiqi, të jemi bërthama e parë fillestare për nismën e themelimit të LDK-së në
Zvicër e Gjermani dhe shërbyem edhe si model i formës organizative dhe vepruese
edhe në shtetet tjera të Europës Perëndimore e më gjërë.
FRYMËZIMET POETIKE TË SAMI DËRMAKUT
Samiu ka shkruar poezi edhe më heret por, mua më ka
rastisur të lexoj ndonjë strofë apo poezi të tij vetëm nga koha e njohjes
fizike me të. Tash më ra në dorë përmbledhja e tij poetike «TË NDRITURIT» me
redaktor Kadri Rexhën dhe recenzentë Sylejman Dërmakun e Shefqet
Dibranin.
Për mua ishte një befasi shumë e këndshme sepse kisha në
dorë një përmbledhje të mikut e bashkëveprimtarit. Përjetova gëzim të madh edhe
për faktin se Sami Dërmaku paska sendërtuar dëshirën dhe ëndrrën e vet jetësore
për të shpalosur e përmbledhur në letër ndjenjat dhe frymëzimet e bartura me
vite e dekada, thurje e vrulle poetike për shokët e veprimtarisë kombëtare, për
shokët e burgjeve dhe heronjt e Kosovës.
Vargu dhe poezia e Samiut, shihet mirërëfilli se nuk janë
vargje e poezi të një pende të skalitur të këtij lloji letrar, nuk janë të
latuara e të lëmuara, ato kryekput janë shprehje përplot ndjenja kulmore,
përplot përjetime - pra janë vargje që dalin nga zemra dhe thellësia e
shpirtit. Si të këtilla, këto edhe e kanë fuqinë shprehëse krejt të natyrshme,
burimore e të pastër si loti dhe dalin si shpërthim frymëzimesh krejt të
çiltërta si vet zemra e shpirti i autorit. Në këtë mënyrë dhe formë
shprehëse vargu dhe poezia e Samiut kanë kuptim dhe mezash konkret, fuqizohen
më shumë, janë më rënkues, më luftarak, më sublim e shpërthyes njkohësisht.
ARTI POETIK DHE MOTIVET
Pa u thelluar në trajtim përcaktues teorik letrar, them
se poezia e Samiut është një lloj proze poetike, është rrëfim poetik përplot
ngjarje historike dhe personazhe të cilët i përgatitën, i krijuan dhe i
udhëhoqën këto ngjarje. Përmbledhja fillon me poezinë kushtuar Simbolit të
Qëndresës Adem Demaçit, të cilin autori e vlerëson shumë lart duke e quajtur Promete,
duke e identifikuar me qëndresën, me angazhimin dhe përkushtimin kolektiv dhe
sakrificën për liri e bashkim kombëtar. Autori vazhdon me vargjet e rrjedhëshme
për Tribunin, martirin e heroin Metush Krasniqi, vargje këto që mund të
konsiderohen si betim, jo vetëm i Samiut:
"O mësues i dashur farën e
lirisë mbolle
Dhe ne bijtë e shqipes do ta rrisim
prore
Amanetin tënd do ta çojmë në vend
Për lirinë e Kosovës deri në fitore”
Në këtë frymë është edhe poezia “Për flamur e për liri”
kushtuar mësuesit të popullit dhe të lirisë Fazli Grajçevci, i cili u vra në
burg nga torturat e UDB-së dhe që në popull identifikohet me flamurin për të
cilin e dha jetën.
“Nga dhuna në burg nuk u dorëzove
Për vdekje të kanë torturuar
Se për liri e flamur ti luftove
Okupatorin nga vatra për ta
dëbuar"
Poezia kushtuar Rexhep Malës është vijim i ciklit
përkushtues e rrëfyes për shokun dhe bashkëveprimtarin, i cili, bashkë me Nuhi
Berishën, bëri një qëndresë heroike të armatosur kundër milicisë
serbojugosllave. Të dytë ranë heroikisht në altarin e lirisë. Rexhep Malën
Samiu e krahason me yllin në errësirë i cili shkon në përjetësi.
"Kosovë trime
Yjet tu në qiell
Fanar drite në errësirë
Qirinj në festa
Ylber në të reshura"
Dhe pastaj poeti shpërthen në ndjenja personale përplot
emocione dhe pikllim :
"Vjershën e parë në jetën time
Po shkruaj për ty or vëlla or shok
Përplot mbresa e kujtime
Zemra po më grihet po më bëhet
copë"
Një ode ua thurë edhe prindërve të Rexhep Malës. Po në
këtë frymë është edhe poezia kushtuar Isa kastratit, shokut të orgnizimeve, të
rezistencës dhe vuajtjeve:
"Çka të pyes kur më s’të kemi
Të debatojmë shtruar me urtësi
Për gjuhësi, letërsi e filozofi
Për shkencë e letërsi
Për ideale për liri”
Ndër poezitë e realizuara është edhe ajo kushtuar Shaqir
Shaqirit, veprimtar dhe intelektual i shquar e titullur “Udhëtim nëpër teh
shpate”. Samiu e shprehë në vargje se Shaqa ishte i organizuar me shokë të
besës dhe të përzgjedhur si Teki Dervishin, Kadri Rexhën, Jusuf Gërvallën,
Kujtim Myftarin, familjen Dobruna, Nexhmedin Sobën, pastaj me poetë, shkenctarë
veprimtarë e atdhetarë të përkushtuar. Edhe Shaqir Shaqiri, sikur shumica e
veprimtarëve kombëtar, zbulohet dhe burgoset, torturohet e gjymtohet nga UDB-a
gjakatare.
“Nga torturat mizore Shaqa qe bërë
hija e vetvetes
I rrahur me kërbaç veshkat i lëshonin
urinë e gjak
I kërcëllonte dhëmbët lotët i
rridhnin nga dhimbja
Nga hetuesit kriminelë serbë e
shqiptarë UDB-ash”
Një kapitull tjetër i përmbledhjes është edhe “Kosovë
e përgjakur ndër shekuj” ku në mënyrë kronologjike përshkruhet robëria
shekullore dhe luftërat e parreshtura shqiptare për liri. Ndërkaq poezia “Flamur
shkabë krenaria jonë” është himn kushtuar flamurit kombëtar për të cilin u
derdh gjak e të cilin ndër shekuj e përdorëm për festa e për vdekje - por me të
në ballë shkuam në gjitha luftat çlirimtare kundër armiqve e pushtuesve.
Motiv tjetër në libër është edhe ai i dhëmbshurisë dhe
krenarisë së autorit për personalitete të qëndresës e të sakrifices, të cilët i
vizitoi nëpër spitale në fazën përmbyllëse të jetës së tyre - të gjithë të
shkatërruar fizikisht nga burgjet e rënda dhe torturat çnjerëzore. Ahmet
Haxhiu, Xheladin Rekaliu, Jashar Salihu, Xhavit Hoxha, Fadil Vata, Shabi
Hajdini dhe shumë të tjerë, janë vetëm disa prej tyre.
“Histori qëndrese” quhet poezia, e cila mund të
jetë edhe kapitull më vete, kurse poezia “Tryezë e shtruar” i kushtohet
tryezës me gjithë të mirat e të kqiat që mbanë sipër, por edhe lojërat e hilet
që bëhen në të nga hileçarët dhe ata që luajnë me fatin e popujve. Kurse
masakra në Burgun e Dubravës autorit i ka shkaktuar drithërima shpirti dhe
revoltë. Kësaj ngjarjeje Samiu ia kushton poezinë “Lugetërit e errësirës”.
“Në burgun kasaphanë të Dubravës
…………
Fantazmat bënin orgji
Shëmti e zezë policë e ushtarë
Kriminelë e paramilitarë…"
Përmbledhjen poetike, Sami Dërmaku e përmbyllë me poezinë
kushtuar vendlindjes dhe personaliteteve që dha dhe që i ka Shipashnica. “Kujtesë
për vendlindjen” është njëherit edhe shprehje e mallit dhe dashurisë së
pashuar për vendlindjen e munguar për shumë vite.
Samiu askund në libër nuk flet për veten e as në vetën e
parë. Ai rrëfen për shokët, për qëndresën e tyre, për vuajtjet dhe sakrificat e
tyre, për heroizmin flijues e vetflijues. Personazhet e Samiut nuk janë
imagjinarë. Ata janë realë, janë bashkëveprimtarë dhe bashkëvuajtës, prandaj
edhe nuk ju ipen atribute e as dimensione të mbinatyrshme.
NGJARJET DHE PERSONAZHET KANË SHTRIRJE NË KOHË DHE HAPSIRË
Kohët janë zezonat e njëpasnjëshme që e goditën dhe
katandisën Kosovën dhe shqiptarinë. Ajo e para luftës dhe gjatë Luftës së Dytë
botërore, e pas LDB dhe periudhës deri në luftën çlirimtare të UÇK-së pjestar
të cilës ishte edhe vet autori. Në fund po përmendi dy autorë të spikatur
hebrej: Baris Cirilnikun me veprën e tij “Shpejto (mund të
përkthehet edhe IK) jeta të thërret” ku përshkruan vuajtjet e
hebrenjëve në kampet shfarosëse naziste, tmerrin e të cilave e përjetoi edhe
vet si fëmijë për të vazhduar jetën me dëshmime e shkrime shumë të sukseshme
romaneske psikologjike, dhe shkrimtarin tjetër - Primo Levi me veprën e
tij kulmore “E nëse është një njeri”?! Vargjet e e tij të
skalitura në një pllakë përkujtimore në Torino të Italisë në janar 1947 në
kujtim të tmerrit që përjetoi njerëzimi gjatë Luftës së Dytë Botërore, bartin
mesazhin ndër breza, mesazh ky që do duhej të vlente përjetësisht edhe për ne:
“Gdhendni këto fjalë në zemrën tuaj.
Mbajini mend në ju, në rrugë,
Duke fjetur, duke u zgjuar
Përsëritjuani fëmijëve tuaj!..."
Lausanne 17 shkurt 2022