Kulturë
Resmi Osmani: Me sytë e fëmijës (7)
E enjte, 31.03.2022, 07:38 PM
Resmi Osmani
Roman-vazhdimi
ME SYTË E FËMIJËS
Shtatë
Nëna më tha se kisha mbushur
gjashtë vjeç dhe shkelur në shtatë. E besova. E kush mund ta dinte më mirë se
ajo që më kishte lindur? Një vit më i madh! Nuk kisha pse të gëzohesha. Asgjë
për mirë. Kaloi pa u ndjerë, ato kohë
nuk festoheshin ditlindjet. Po rritesha, kuptoja më shumë. Kisha hedhur shtat
dhe rrobat më vinin të vogla e të ngushta, më dukeshin kërcinjtë. Hall më vete
edhe të rriturit!
Tok me ditët që iknin, vinin
dhe iknin edhe ngjarjet.
Na dhanë tokë!
Ata ishin tre vetë, dhe një
polic me pushkë. Të tre në mesmoshë,ca
ndryshe nga të tjerët në veshje, në pamje dhe në sjellje.Fytyra bronzi të
pjekura nga dielli. Me pantallona të shkurtëra, sandale dhe këmishë doku blu me supore dhe dy xhepa të mëdhenj me
lapsa: të kuq, blu, të zi dhe blloqe të vegjël. Ishin të të pajisur me harta e
defterë, që I mbanin në një çantë lëkure, kambalec dërrase dymetrosh, litarë
dhe metër shirit metalik. Me ca dërrasa
ngjyer kuq e bardhë, që u thoshin Zhalona dhe një dylbi që vendosej në një mbajtëse me tri këmbë, i
thoshin teodolit. Të heshtur e
fjalëpakë, mbase nga lodhja dhe vapa e gushtit. Kësaj që po bënin i thoshin
reformë agrare. “Toka i takon atij që e punon” kështu thoshin, dhe kjo ishte
thënia e ditës. I shoqëronte kryetari i këshillit dhe ca të tjerë djem nga
fshati. Matën, shënuan dhe vunë sinorë,
në gjithë arat e fshatit që ishin çiflig
i Tafil beut.
Ne fëmijët , një grumbull
gazmor e i zhurmshëm, si një tufë harabelash, u shkonim pas. Sehir i madh! Nuk
na zbuan. U jepnim edhe një dorë ndihmë. Na dukej vetja pjesëmarrës dhe të
dobishëm. Unë u mbushja paguret me ujë të freskët te pusi në shesholl dhe ua
sillja me vrap që të mos ngrohej.
Familjes tonë i dhanë një
truall katër dynym, matanë udhe, por afër kasolles. Nga të katër anët ishte i
rrethuar me një brez dru marinash dhe
një hendek. Livadh, arë që i thoshin fang.
Kur mbaruan punë, në
shesholl, u mblodh gjithë fshati, me kuç e me maç!. Aty mora veh sesa shumë
njerëz kishte fshati që dukej i vogël. Ngazëllim i madh. Duke hapur vend me
brryla hyra mes gjindjes. Me drrasa
kishin sajuar një vend të ngritur.Ku u ngjitën të deleguarit që kishin
ardhur nga Fieri. Njerit prej tyre i
veshur ushtarak me kapele me yll të kuq i thoshin komisar. U mbajtën fjalime. E
drejta, s’mora vesh gjë e nuk kuptova se ç’farë thoshin, por nga lëvizjet e
vrullshme, të duarve , trupit dhe shprehja e vendosur e fytyrës, dora e djathtë
e mbledhur grusht dhe e ngritur lart, dukej që thoshin gjëra me rëndësi. Në
fund urimi:“Ta gëzoni dhe trashëgoni
tokën”. Këtë po, që e kuptova mirë. Dikush brohoriti sa i hante gurmazi:”Rroftë
komandanti ynë” Njerëzia duartrokisnin. Ca më shumë edhe ne të vegjëlit, sa na
dhëmbën pëllëmbët.Si i thonë asaj fjalës:Haha krushqit haha nusja! Pastaj
thirrën emrat dhe ndanë ca letra me stemë dhe vula, që u thoshin tapi. U
çudita. Kishte nga ata, si Llazi çalamani, që kur i merrnin tapitë, e puthnin,
qanin nga gëzimi dhe thoshin”Martë nga ditët tona komandanti ynë”, por ca të
tjerë ishin të drojtur dhe si të trembur e mosbesues. U dukej se hija e beut
sillej akoma nëpër fshat dhe u bënte roje tokave të tij.Ishte përhapur një
fjalë se qehajai i beut paskësh
thënë:”Kush trimërohet dhe merr token e beut,ka lënë peng kokën!”
Nga Baltëza,një fshat me
bujq arixhinj, matanë Dërmënasit, kishin ardhur sazet, Zeqo gërneta, i pakët
nga trupi, me kapele republikë dhe syze të errëta, me të bijtë. Ja morën një
valleje të shtruar.Një grup valltarësh hoqën atë vallen myzeqare, që I thonë
“rrethçe”pastaj një grup tjetër, ja thirrën këngës: “Rrofsh o komandanti ynë/
doli fjala që na dhe!” Duhet të ishte
këngë e re se nuk e kisha dëgjuar tjetër herë.
Kushërinjve tanë as u dhanë
as u morën, iu lanë atë tokë që u kishte dhënë mbreti Zog.
***
Ngjarja e dytë:
Në fshat, konakët e beut, që
ishin bosh e të pazot u kthyen në qëndër shëndetësore. Atje erdhi, për të punuar dhe jetuar
Infermier Demiri, burrë i bëshëm, me syze dhe kapele republikë, që i pëlqente
ta quanin doktor,me gruan e bukur qytetare, Dafinën dhe dy fëmijë binjakë,
djalë e vajzë,Astriti dhe Drita, të veshur hijshëm,që u ndrinte fytyra nga
shëndeti e pastërtia dhe, që ishin mbase një vit më të mëdhenj se unë. Më dukej
, sikur ata vinin nga një botë tjetër, e panjohur për mua.
Zonja Dafinë iu lut nënës ta
ndihmonte për të pastruar dhe ormisur shtëpinë, që do të ishte ambulance dhe banesë. Unë shkova me ‘të. Më
gostitën me karmele. Mora një, por zonj Dafina (kështu na tha ta quanim) më dha
edhe një tjetër. Karamelet kishin ngjyrë të gjelbër dhe formën e peshkut, ishin
të erëndshme dhe ta ftohnin gojën duke lënë shije freskuese.Hëngra duke e
mbajtur gjatë në gojë, vetëm njerën, tjetrën e ruajta për Sanon. Teksa nëna iu
përvesh punës, iu afrova moshatarëve të mi. Ishin veshur bukur. Astriti me
rroba marinare, blu e me shirita të bardhë, Drita me fustan lulushan. Sandale
të reja dhe çorape të bardha që, u vinin deri te gjunjët. Dukeshin të llastuar.
Ngjanin si dy pika uji i dallonte veshja dhe flokët e gjata të Dritës.
“Ma kishte
qejfi të luaja me ‘ta, por ata më qëndruan larg. Me rrobat e mia varfanjake, të sajuara dhe të arnuara si
leckaman, me këmbët e zbathura e të pluhurosura, kërcinjtë me dregëza, siç
duket iu duka i pistë e i palarë. E kuptova. Dukej sheshit, nuk më donin për
shok. Më erdhi inat, më hëngri dora që tu jepje nga një shuplakë, por,
tekefundit s’mu bë vonë për ata spitullaqë që u kishte hyrë vetja në qejf
dhe ika. I shalova kalit tim, që ishte
një shkop i gjatë hardalli, e graha me shufër dhe i thirra “ Hyja kalo” dhe
fryva mes sheshollit, duke lënë prapa një vazhdë pluhuri, për te shtëpia e
gjitonit tonë Dule Bacit, ku më priste Hajdari që ishte një vit më i madh e që
luanim bashkë me kaçole e gogla , me cingla
apo doçe, me një top të sajuar me lecka dhe plot lodra të tjera.”
***
Ngjarja e tretë, ishte ardhja
e mësueses nga Tirana. Po afronte shtatori dhe niste shkolla. Këshilli i
fshatit e çoi për banim mësuesen te shtëpia e teze Selimesë, ngaqë kishte vënd,
por edhe dy vajza të rritura që t’i bënin shoqëri.
Lam në kasolle të dy motrat
dhe , nëna pasi më lau e pastroi, më mori për dore dhe zum udhën për në kodër
te tezja, që ta shihnim dhe t’i uronim mirseardhjen mësueses nga Tirana. E
gjetëm ulur në verandë teksa po lexonte një libër. Ajo u ngrit dhe u
përshëndosh me nënën. Ishte shtathedhur e hollake. Vinte e zeshkët, flokët,
ngjyrë gruri, prerë shkurt me vijë të drejtë mbi supe, teksa mbi ballë një tufë
cullufe si të çupëlinave . Me syze të trasha, mbi hundën me samar, dhe një push
mbi buzën e sipërme. Fustani i gjatë deri nën gju. Të them të drejtën nuk më
pëlqeu,mu duk si një burrë i veshur grarisht. E prisja të ishte ndryshe, të
bukur si ato zanat e përrallave. Ama ishte e sjellshme dhe kishte një zë
kumbues , të shtruar që dukej se këngëzonte. Pashë që tezja i sillej me shumë
nderim dhe e quante zonjushe Hedie. Kur mbetën vetëm, tezja I tha nënës: -“Eh,
moj Ervehe,ta dish ti se nga ç’shtëpi e fisme është kjo, do të çuditesh që e
kanë dërguar këtu në vrimën e bufit, që të mësojë fëmijët tanë. Ka mbaruar shkollën e“Nanës Mbretëreshë”, në një bango me
gruan e komandantit, që e ka patur shoqe!
S’kisha se ç’bëja në
shoqërinë e grave, e pashë ç’kisha për të parë, i shalova kalit-shkop hardalli-
dhe zura vrapin zdrënkthi mes oborrit dhe prapa shtëpisë. Më shkau këmba dhe u
gremisa. Aty qëlloi një cep guri dhe më çau në gju. Më plasi gjaku. Kur pashë
gjakun ja dhashë të qarit dhe thërrisja: o lele gjaku! Nëna dhe tezja më
ngritën, por unë s’pushoja së qari. Tezja, ma pstroi me raki, më vuri mbi
vëndin e vrarë një shtrat merimange dhe një fletë duhan-këto ishin ilaçet- dhe
ma lidhi me një copë pëlhurë. Gjaku pushoi, por jo të qarët e mi. Atëhere tezja
se ku gjeti një flutur të ngordhur, me krahë të mëdhenj me pika të bardha e të
zeza, e një push sit ë argjendtë, që ishte me të vërtet e bukur.
-Na, merre fluturën, gropose
në kopsht dhe hajde nesër. Kur ta zbulosh, ke për të parë se do ta gjesh të
mbushur me rruaza qelqi me lloj e lloj ngjyra!
E mora fluturën dhe bëra si
më tha tezja.Vura dhe një shenjë që ta gjeja kollaj kur të kthehesha. Unë u
besoj të rriturve.
Kur u ktheva, po pinin
kafet.Mua më dhanë një rriskë bukë të lyer me gjalpë. E llupa si I babëzitur.Më
kishte marrë uria. Isha qetësuar, po
gjuri më dhimbte ende.
-Sa vjeç është djali_-Pyeti
mësuesja.
- I mbushi gjashtë, ka hyrë
për shtatë.
- Trup ka hedhur mirë për
moshën që ka. Si thua, ta marrim në shkollë, në klasë time?
- Është i vogël akoma.- I
tha nëna.- Pastaj s’jemi gati, i duhen veshje të tjera. S’kemi as para për
libra.
-Pa merak, librat, fletoret,
lapsat dhe penën, do t’ia jap unë pa lek.Sa për i vogël, s’ka gjë është mosha më e mirë për të filluar që të
mësojë dhe fiton edhe një vit.
Më pa me dashuri dhe sytë i
qeshën me ngrohtësi prapa xhamave të syzeve.Aty për aty ndërrova mëndje:
zonjushe Hedija mu duk e dashur dhe e bukur!
- Si thua, do vish në shkollë të mësojmë bashkë?
Ngrita supet pa ditur ç’ti
përgjigjem.Sido që një vit parakohe, qejfi ma kishte.
***
Gushtit po i mblidhej
lëmshi.Po ikte bashkë me vapën, për t’i lënë vendin shtatorit. Dhe shtatori në
ditën e parë të tij, i hapte derën diturisë. Dit’ e parë e shkollave.
Shkolla me dy klasë, ishte
në konakët e kishës së Shënmarisë, në katin e dytë, ku të ngjitnin shkallët e drunjta
me parmakë. Kisha shkuar shumë herë atje me Hajdarin. Pas një rrokullime, Ishte
një portik me qemer e mbi të një kryq. Pasi hyje, rruga ishte e shtruar me
kalldrëm. Ngjitur me oborrin ishte varreza, ku varroseshin kristianët e dy
fshatrave. Thoshin se aty natën dëgjoheshin rënkime dhe fjalë fëshfritëse dhe
murmurima që shpirtërat i flisnin njëri-tjetrit por që nga të gjallët
s’merreshin vesh, dhe se herë - herë dilnin ca flakë të kaltëreme që ndizeshin
e shuheshin deri ndaj të gdhirë kur shpirtërat ktheheshin në varret e tyre.
Kështu thoshin, disa që i kishin dëgjuar e parë! E frikshme, por ne shkonim
vetëm ditën, e kujt ja mbante të shkonte natën? Të shumtët varre të vjetër, të rrënuar e shembur, me
kryqe që ishin pjerrësuar e gati në të rënë. Kishte edhe disa varre me qivur e
kryqe mermeri, ndër ta i Ndoni Mandros. Për të kujdesej, e veja Gjena, e veshur
e gjitha me të zeza, që vinte kaluar me kale shale dhe ndizte qirinjtë, sillte
vezë të kuqe për pashkë, apo grurë të zier për ditën e të vdekurve, që
mbeteshin aty.Të vdekurit nuk i hanin ose mbase nuk i pëlqenin. Një rast na
gjeti kur ne kishim mbledhur bishtat e qirinjve dhe i kishim ndezur. Na shau
nga nënat, ashtu siç shajnë meshkujt. Ne i tham :”Me se do na i bësh nënat moj
Gjenë? –“Me kallam” na tha. Ne qeshnim e gaxhiteshim pastaj frynim tatëpjetë.
Kisha ishte majë kodrës, mes
pyllit, e rrethuar me dafina, thana, lojfata , lisa e drurë e shkurre të tjera.
Hajati ishte i gjatë dhe me shtylla që mbanin strehën. Në të dy anët e derës së
ronitur të hyrjes ishin vizatuar në mur,një kalorës me shtizën ngulur në gojën e shqyer të
dragoit, Ishte Shëngjergj luftëtari.Në anën tjetër, Shënmaria, me ca sy të
pikëlluar që mbante në pëqi të birin. Në kambanaren që lartësohej në qëndër,
ishin dy kambana që binin kumbueshëm për ditët e mira dhe thërrisnin besimtarët
për tu falur. Për kishën dhe kambanat
kujdesej kishari, Kroni, një plak i sosur. Prifti vinte vetëm për të kremtet. Atij vendi të shurdhër
e të frikshëm, mes pyllit,me shënjtorë të vdekur dhe fantazma, i jepte gjallëri
vetëm shkolla.
Dita e parë e shkollës.
Nëna më vuri mes këmbëve dhe
ma qethi kokën tasall me një gërshërë nga ato që qethin delet. Sido që u
përpoq, dukeshin gështallat.Pastaj më lau trupin dhe kokën me baltë kreri, se
për sapun nuk bëhej fjalë dhe më fërkoi me shparcëtë leshtë. Rrobat sido të
vjetra ishin të pastra dhe binin era finjë.Hodha në sup një trastë leshi për
librat dhe tok me Hajdarin u nisëm dhe mbrritëm në shkollë. Me ne erdhi edhe
Zani, vëllai I madh I Hajdarit. Oborri gëlonte nga fëmijët. Na rreshtuan sipas
klasave. Fëmijët e tjerë i shoqëronin prindërit, të kapur për dore. Unë isha
vetëm. E ndjeva sa shumë më mungonte babai. Të tjerët të veshur mirë e bukur,
unë me të vjetra, ata me sandale e këpucë të reja, unë zere se zbathur. Ata të
gëzuar, unë imërzitur. Sa më hidhnin sytë sepse u vinte për të qeshur dhe
kthenin kokën mënjanë. Mu duk vetja si dordolec, u mërzita aq sa desha t’ja
therja vrapit e të ikja, po shkolla më pëlqente.Duhet të duroja.
Dy mësuesit dhe zonjushe
Hedije qëndruan te nisja e shkallëve.Njeri nga mësuesit, që ishte më i vjetër
në moshë na uroi mirseardhjen dhe vit të mbarë shkollor. Klasat ishin dyshe.Në
bangat e njerës anë ishim ne të klasës së parë, në anën tjetër ata të klasës tretë.në
dhomën tjetër, klasa e dytë dhe e katërt.
Zonjushe Hedija na uli dy e nga dy, një djalë e një vajzë. Mua më
uli me Sofien, që ishte pak më e madhe se mua. Ishte nisur e pispillosur dhe
flokët I kishte lidhur me një kordele të kaltër. Ende pa na u ndarë librat,
Sofia u ngrit dhe tha:
-Me leje mësuese.
-Po. Çfarë ke?
- Unë nuk rri me Idrizin në
një bango, se do më ngjitet qerja!
Ajo pa që në kokë unë kisha
ca dregëza të një plage që ishte duke u përtharë dhe më quajti qeros! Mu duk se
dyshemeja mu hap nën këmbë dhe më iku mëndja nga kjo prozvali
poshtëruese.Gjithë vështrimet ishin drejtuar mbi mua, si të isha një kafshë e
rrallë. Se desha veten.Gulçi më zuri frymën. Më hipi një pezm i mbrapshtë e
hakmarrës. U ngrita, i thashë ndyrësirë e qelbësirë, dhe e pështyva. Hapa derën
me vrull, u rrokullisa shkallëve duke
qarë dhe zura vrapin pa ditur përseku. Mësuese Hedija doli te shkallët dhe
ndjeva që po më thërriste me emër, por as u ndala as e ktheva kokën pas.Ikë të
ikim!
Kur mbrita në shtëpi, nëna u
çudit:
-Kaq shpejt mbaruat?
-Shkolla ime mbaroi për sot
e gjithë vitin. Ja plasa të qarit dhe i tregova duke gulçuar gjithë ç’më kishte
ndodhur.
Më tha të mos mërzitesha, se
nesër do të shkonim të dy. E kishte kot. I thashë se në atë shkollë nuk do të
shkelja më.
-Si e quajnë atë çupën- më
pyeti nëna.
-Sofije.
-Është këtu nga fshati?
-Po, e bija e Llazi
çalamanit.
-I ka parë Perëndia.Babai
sakat nga këmba, e bija nga mënmdja.
Pastaj nëna gjithë maraz
shfreu mllefin, sikur Sofien ta kishte para vetes:
-Ah moj vajzë, u rritsh, por
mos u gjendtë burrë për ty!
I rëndë mallkimi i nënës,
por e dija, që Sofia do të rritej, martohej e trashëgohej, por mua më humbi një
vit shkollë!
Vijon….
28 mars 2022