Editorial
Jusuf Buxhovi: Shteti i Kosovës - E arritura më e madhe e shqiptarizmit në këtë shekull
E merkure, 16.02.2022, 10:18 PM
SHTETI I KOSOVËS – E ARRITURA MË E MADHE E SHQIPTARIZMIT NË KËTË SHEKULL
-Rrugëtimi
historik i shtetit më të ri në Kontinentin e vjetër, kaloi nëpër fazat e
shkëputjes (çlirimit) nga Serbia, të krijimit të shtetit paralel dhe të
protektoratit ndërkombëtar. Ekzistenca e tij sot është kthyer në një formulë
politike, që mban stabilitetin në rajon, ndërsa çështjes shqiptare, në kuadër të
sferave perëndimore të interesit, ia jep dimensionin e faktorit të
pakapërcyeshëm gjeostrategjik
Nga
Jusuf Buxhovi
Rrugëtimi
historik i shtetit të Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i konfirmuar në
vitin 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës në përputhje me të
drejtën ndërkombëtare, si proces i
pandalshëm, kaloi nëpër disa faza.
Fillimisht me atë të shkëputjes nga ripushtimi
serb, që Kosovës iu bë me rrënimin e dhunshëm të autonomisë nga ana e
Beogradit, më 23 mars 1989. Pastaj, me Referendumin për Pavarësi të shtatorit
1991, që për pasojë pati krijimin e shtetit paralel, që për tetë vite udhëheqi
rezistencën insitutcionale deri te ajo e armatosur si dhe kohën e protektoratit ndërkombëtar, të vendos në
përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së më 10 qershor 1990.
Nuk
duhet harruar se këtyre fazave u parapriu shfaqja e kërkesës për Republikën e
Kosovës, në demonstratat e nëntorit të
vitit 1968, e ngritur nga elita intelektuale dhe politike e kohës, e cila
rrëzimin e Rankoviqit dhe ndryshimet që solli klima e re politike, e pa si një
mundësi të madhe për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në drejtim të
subjektit federativ, me çka lirohej nga tutela e Serbisë.
Kjo
kërkesë dhe zhvillimet tjera nëpër të cilat po kalonte federata jugosllave
drejt federalizmit, bëri që me
amendamentet kushtetuese të atij viti si dhe ndryshimet kushtetuese të vitit
1974, Kosova si krahinë, të fitojë
statusin e njësisë federative, por jo edhe të republikës, ngaqë Tito nuk ishte
i gatshëm për një konfrontim të mëtutjeshëm me Serbinë. Kërkesa për Republikën
e Kosovës u rikthyer fuqishëm në vitin 1981, meqë Jugosllavia pas vdekjes së
Titos në maj të vitit 1980, po hynte në një fazë të ndryshimeve, që
paralajmëronin kthimin e saj nën mbikëqyrjen e Serbisë, që mund të fillonte
pikërisht me rrënimin e pozitës së Kosovës në federatë.
Këto faza gjithsesi ngërthejnë ngjarjet dhe vendimet e rëndësishme, që mundësuan
njëra-tjetrën, në përputhje me zhvillimet që rrumbullakuan këtë proces
historik, ku shpërbërja e federatës jugosllave e pranuar në konferencën e Hagës
të gushtit 1991, ishte si pikënisje e saj, paçka se e gjitha kaloi nëpër një
luftë dhe gjakderdhje me shumë tragjedi, e imponuar nga hegjemonizmi serb nën
udhëheqjen politike të Millosheviqit.
Kështu,
faza e shkëputjes nga Serbia, që nga
aspekti formal-juridik mund të përcaktohet “çlirim nga ripushtimi serb” në
rrugë demokratike, paraqet themelet e këtij zhvillimi. Deklarata e Pavarësisë e
2 korrikut 1990, ishte guri i parë i
saj, meqë Kosovën e shpalli njësi të pavarur në kuadër
të federatës jugosllave. Me këtë akt legjitim të delegatëve të
Kuvendit të Kosovës iu dha përgjigjja
e duhur dhe e drejtë ripushtimit
serb, që ndodhi me rastin e rrënimit me dhunë të autonomisë më 23 mars 1989.
Ky
vendim, gjithsesi duhej të përcillej
edhe me aktin tjetër, po ashtu, të një rëndësie historike - shpalljen e Kosovës
Republikë. Kjo u bë më 7 shtator 1990 në
Kaçanik nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi miratoi
aktin më të lartë të saj – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që u
quajt edhe Kushtetuta e Kaçanikut. Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e pavarur
e federatës jugosllave në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, me çka i
mundësohej statusi i pavarur dhe i barabartë
në federatë deri të e drejta për shkëputje, siç e kishin edhe njësitë
tjera federative.
Procesi
demokratik i shtetësisë së Kosovës i filluar me këto dy akte, kërkonte edhe
referendumin për pavarësi, me çka përmbyllej legjitimiteti i tij. Kjo ndodhi
me 24 shtator 1991, me ç’rast, qytetarët
e Kosovës (kryesisht shqiptarët, po edhe pakicat tjera: turqit, romët dhe
boshnjakët) i dhanë përkrahje plebishitare (me 99,3%) shpalljes së pavarësisë.
Referendumi
për Pavarësi krijoi rrethanat demokratike
dhe juridike për ndërtimin institucional të shtetit të Kosovës në
përputhje me aktet themelore – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të shpallur
në Kuvendin e Kosovës në Kaçanik. Kushtetuta e Kaçanikut e shpallte Kosovën
republikë parlamentare – shtet të shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë në të,
me gjuhën shqipe – gjuhë zyrtare. Kushtetua e Kaçanikut përcaktoi edhe
hierarkinë institucionale të shtetit nga
presidenti, qeveria dhe institucionet tjera të pavarura.
Meqë
Kosova ishte e okupuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ndërkohë që
pavarësia e shpallur me aktet kushtetuese me mjete demokratike, nuk njiheshin
ndërkombëtarisht, konstituimi institucional i shtetit të Kosovës duhej t’u
nënshtrohej rrethanave, me ç’rast shteti paralel shfaqej si forma më e
përshtatshme e rezistencës institucionale, me të cilën demonstrohej kultura
shtetformuese, si një deponim i paparë në praktikën ndërkombëtare, në shërbim
të ndërkombëtarizimit të saj.
Në
kontekstin historik, i ashtuquajturi
“shtete paralel”, që me pa të drejtë ose qëllimisht, që t’i mohoheshin
atributet e shtetësisë , u quajt edhe “lëvizje paqësore”, “gandizëm” e të
ngjashme, strumbullar kishte Qeverinë e
Republikë së Kosovës. Ajo u themelua në fund të vitit 1991. Një pjesë e së
saj do të vendoset në Shqipëri.
Ndërsa disa ministri (dy në Zvicër) dhe
të tjerat në Gjermani, që edhe pa
njohje zyrtare, puna e saj u
tolerua nga shteti gjerman. Në këso
rrethanash, veprimtaria e gjithëmbarshme e Qeverisë së Kosovës në ekzil, bosht
të “shtetit paralel” kishte fondit e trepërqindëshit, bazë materiale kjo
prej nga, me improvizime dhe pa to, u
drejtua jeta ekonomike, arsimore, kulturore si dhe veprimtaria shëndetësore
deri në qershor të vitit 1999.
Ndonëse me vështirësi dhe probleme të shumta që mund
ta përcjellin një punë të tillë, ngaqë në njërën anë, ajo zhvillohej në rrethanat e pushtimit policor dhe ushtarak serb si dhe të
terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj çfarëdo forme të organizimit
institucional, ndërsa në tjetrën anë i
mungonte njohja ndërkombëtare (edhe pse heshtas nga shumë anë i pranohej de
fakto roli i një lëvizjeje
paqësore-autentike, që luftonte pushtimin serb në një formë tepër të veçantë,
të paparë deri më atëherë), megjithatë,
Qeveria e Republikës së Kosovës, formalisht kishte vu nën mbikëqyrje sektorët
kryesor të jetës, duke përfshirë edhe mbrojtjen dhe sigurinë. Kështu, në fillim
të vitit 1992 formoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit, pra atë të
policisë. Në të parën u përfshinë forcat ushtarake nga radhët e Mbrojtjes
Territoriale të Kosovës (ushtarakë dhe
oficerë të lartë që kishin shërbyer në Armatën Jugosllave). Ndërsa në të dytën,
do të përfshihen forcat policore dhe ato të organeve të sigurisë, nga radhët e policisë së Kosovës dhe atyre të
sigurisë, të cilat, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, nëpërmes organizimit
sindikal, kishin kaluar në radhët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Këto
dy ministri, do t’i nënshtrohen represionit të vazhdueshëm shtetëror serb, gjë
që nga fundi i vitit 1993, pjesa më e madhe e pjesëtarëve të tyre (policë, ushtarakë dhe specialistë të
tjerë të sigurisë) do të burgosen. Kjo ndikoi që Qeveria e Kosovës të pushojë
përkohësisht veprimtarinë ushtarake dhe
policore në Kosovës, duke u orientuar te organizimi i tyre “i përkohshëm”
jashtë, me arsyetimin që kur të krijohen
rrethanat, pra çastin që rezistenca institucionale të dinamizohet me
rezistencën e armatosur si pjesë e strategjisë që politika të vazhdohet
edhe me mjetet e luftës, të veprojnë edhe në Kosovë. Kjo, megjithatë,
nuk pengoi, që nën sloganin e “mbrojtjes
së shtëpisë”, të ruhet fryma e
kundërvënies me anën e grupeve të
shkapërderdhura, si guerilë vendore në Dukagjin, Drenicë, Llap dhe gjetiu, të
cilat vepruan nga viti 1991 e këndej, prej nga, në vitin 1997 u shfaq Ushtria
Çlirimtare e Kosovës, si një faktor i cili në planin politik ndikoi që lufta e
deriatëhershme diplomatike (veçmas pas Dejtonit) të zëvendësohet me diplomacinë
e luftës (pas marrëveshjeve të Rambujesë).
Ndërsa në planin gjeostrategjik - Kosovën dhe krizën e saj, që deri më
atëherë konsiderohej “çështje e brendshme e Beogradit” - ta kthejë në agjendën
e faktorit ndërkombëtar të vendosjes çoftë si çështje humanitare, meqë Millosheviqi,
pasi kishte refuzuar marrëveshjen e Rambujesë, kishte filluar ofensivën
ushtarake për t’iu dhënë një zgjidhje me anën e luftës, ku planifikohej edhe
një gjenocid i përmasave të mëdha. Kjo legjitimoi edhe ultima ration
ndërkombëtare, e pasqyruar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga ajri ndaj forcave policore dhe ushtarake
jugosllave në Kosovë dhe caqet tjera ushtarake në Serbi, nga 23 marsi deri më
10 qershor 1999, që solli çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe për pasojë
pati vendosjen e saj nën administrimin ndërkombëtar të përcaktuar me rezolutën e KS të OKB-së 1244 të 10
qershorit 1999.
Pra,
rezistenca e armatosur, nën emblemën e UÇK-së, përkundër ndasive të brendshme,
përçarjeve dhe problemeve të shumta
midis rrymave institucionale dhe
jashtë institucionale, që atë e lanë pa një qendër drejtuese, paraqet
rezistencën e parë të armatosur të shqiptarëve kundër soldateskës
jugosllave në formën e një kryengritjeje popullore, me çka iu
hapën rrugët ndërhyrjes së armatosur të NATO-s. Kështu që, shfaqja e UÇK-së,
shënoi kthesën historike, që i dha epilogun e duhur politik lëvizjes
shtetformuese.
Vendosja
e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt
2008, me ç’rast përgjegjësinë për krijimin e institucioneve demokratike të
vendosura mbi katër shtyllat e sistemit juridik-parlamentar e mori përsipër UNMIK-u, ndërsa sigurinë
NATO-ja, krijuan rrethanat për
shtetësinë e Kosovës. Shpallja e saj më 17 shkurt 2008 nga Parlamenti i
Kosovës, në të vërtetë, është një konfirmim ndërkombëtar i vendimeve që ishin
marrë në verën e vitit 1990 (me
Deklaratën e 2 korrikut dhe Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator) dhe vjeshtën e
vitit 1991(me mbajtjen e Referendumit për Pavarësi).
Shpallja
e shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, megjithatë la të hapur
procesin e përmbylljes dhe të konsolidimit të tij në planin e brendshëm dhe, veçmas atë të jashtëm, përderisa Kosova
të njihet ndërkombëtarisht nga Organizata Botërore, me çka ajo fiton edhe vendin e vet në të gjitha
mekanizmat dhe organizatat botërore për të qenë e barabartë me të tjerët.
Ndonëse Kosova, si shtet është njohur nga mbi njëqind vende (nga SHBA-ja dhe
vendet kryesore të NATO-s dhe ato kryesore të BE-së), megjithatë ajo ka mbetur
jashtë strukturave Veriatlantike dhe të
BE-së. Ngecjen këtu duhet kërkuar më shumë te shkaktarët e brendshëm, te
faktori politik shqiptar dhe prirja që interesat e pushtetit të vihen mbi ato
të konsolidimit të shtetit. Korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e
institucioneve nga brenda me anën e nepotizmit dhe strukturave kriminale, e mbi të gjitha mungesa e shtetit ligjor,
Kosovës i kanë dhënë atributet e “shtetit të dështuar nga brenda”!
Kjo
gjendje ka bërë që Kosova të shikohet me mosbesim nga aleatët, që e kanë
ndihmuar krijimin e tij në përputhje me interesat e tyre gjeostrategjike, (në
radhë të parë SHBA-ja dhe vendet kryesore evropiane), ndërsa nga Serbia dhe
Rusia, që e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë me të gjitha mjetet,
të pengohet konsolidimi i tij duke e paraqitur atë “si vatër krize”, së cilës i
duhet rikthimi te “pika zero”, pra te protektoratit ndërkombëtar të përcaktuara
me rezolutën 1244 të OKB-së.
Këtij
diskursi, gjithsesi se i ka ndihmuar sjellja e papërgjegjshme e kreut politik
të Kosovës, duke përfshirë ish presidentin Thaçi dhe ndihmaçarët e tij, të
cilët, gjatë katër viteve të fundit, gjoja në emër të normalizimit të raporteve
me Serbinë dhe të “një pajtimi historik”, hapën çështjen e ndryshimit të
kufijve – veprim ky që ishte kryekëput në përputhje me konceptin e Akademisë
Serbe të Shkencave dhe Arteve për krijimin e rrethanave për një Serbi të madhe,
që për kurban do ta kishte pikërisht shtetin e Kosovës, të pranuar nga GJND-ja,
ku disa pjesë të tij (disa komuna të parëndësishme), do t’i bashkoheshin
Shqipërisë, me çka “problemet historike midis shqiptarëve dhe serbëve” do të
konsideroheshin të mbyllura e me këtë edhe rajoni nuk do të paqësohej!
Ky
sakrifikim, gjithsesi do të ishte i mangët, pa pëlqimin e shtetit shqiptar dhe
angazhimin e politikës zyrtare të Tiranës, siç ndodhi me marrëveshjet e fshehta
të Ramës me Vuçiçin që patën edhe bekimin e Thaçit dhe të klientelistëve të tij
të shumtë medialë në Tiranë dhe Prishtinë.
Ndonëse
djallëzia e Beogradit dhe ndihmaçarëve të tyre në Shqipëri dhe Kosovë ra në ujë, ngaqë nga SHBA-të dhe vendet kryesore evropiane
(Gjermania dhe Britania e Madhe), nuk u
pranua dhe u hodh poshtë si një karrem i
rrezikshëm serbo-rus, megjithatë kjo la të hapur anatemën e rrezikimit të
shtetit të Kosovës nga brenda, përderisa në Prishtinë, po edhe në Tiranë, të
kenë pushtet politik, aktorët e shantazhaur, që kanë përgjegjësi për këtë
gjendje.
Andaj,
shteti i Kosovës, katërmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, ka nevojë
për një ndryshim politik rrënjësor, që për moto duhet ta ketë
kosovocentrizmin, si një kauzë afatgjate
në shërbim të konsolidimit shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik.
Kosovocentrizmi si i tillë, i shërben edhe kumbarëve të shtetit të Kosovës
(SHBA-ve, NATO-s , Gjermanisë dhe vendeve kryesore evropiane). Siç i shërben
edhe rajonit që ta mbrojë nga ndikimi serbo-rus për ta vu nën mbikëqyrje atë po
qe se shqiptarët vetëdefaktorizohen. Por, kosovocentrizmi, mbi të gjitha i
shërben edhe çështjes shqiptare në përgjithësi, meqë dy shtete shqiptare, demokratike
dhe të lira, pengojnë rikthimin e koninkturave të vjetra, që u shkojnë për
shtati interesave hegjemoniste serbe dhe greke.
Ndaj,
është e domosdoshme, që Shqipëria, 17 shkurtin ta shpall festë zyrtare. Me këtë
veprim, hiqet dorë nga formula ideologjike
e shekullit të kaluar për bashkim kombëtar që ka përfunduar çastin që
Konferenca e Londrës njohu shtetin e përgjysmuar shqiptarë ndërsa gjysmën
tjetër të etnisë shqiptare e la nën pushtimin serbe, malazias dhe grek, por i
hapet rruga një unioni të mundshëm të dy shteteve shqiptare në përputhje me vullnetin demokratik të të dy
anëve dhe me pëlqimin e aleatëve perëndimorë.
Ky
përcaktim gjithsesi ka rëndësi historike edhe për shqiptarët në Maqedoninë Veriore, meqë midis
dy shteteve të fuqishme shqiptare, aleate të perëndimit, Maqedonia e Veriut do
të jetë e detyruar që të plotësojë kërkesat e shqiptarëve për barazi
kushtetuese, pra si popull shtetformues dhe assesi, si deri me tash, t’i
trajtojë “si shkëputje kombëtare”, pra
si ardhacakë.
(Shkëputje nga libri "Kosova - histori e
shkurtër", që doli së voni nga shtypi)