E enjte, 24.07.2025, 10:34 PM (GMT+1)

Editorial

Alesia Shkoza: Dukuria e synimit të maturantëve për të studiuar jashtë Shqipërisë

E marte, 08.02.2022, 08:55 PM


Dukuria  e synimit të maturantëve për të studiuar jashtë Shqipërisë

Nga Alesia Shkoza, Psikologe

Prirja e maturanteve shqiptarë për të synuar studimet në vende jashtë Shqipërisë duket se është çdo vit më e dukshme. Aktualisht, të dhënat e Ministrisë së Arsimit për vitin akademik 2020-2021 konfirmojne se afërsisht 11400 nxënës, gjatë plotësimit të formularit A1/A1Z kanë zgjedhur opsionin e mundësisë për të aplikuar për studime jashtë vendit. Në këndvështrimin e një psikologeje kuptimi për këtë shifër është më tepër se sa thjesht ai statistikor. Të diturit se 1/3 e maturantëve kërkojne të largohen nxit kuriozitetin për të hulumtuar mënyrën e të menduarit të këtyre nxënësve në përpjekje për të gjetur shpjegime të mundshme për këtë zgjedhje të tyren.

“Pashpresshmëria”, është një koncept familjar për specialistët e fushës së psikologjisë dhe përfshin ndjesinë apo pritshmëninë se individi nuk do të përjetojë emocione pozitive apo përmirësim të gjendjes së tij në të ardhmen. Mungesa e pritmënive apo mendimeve pozitive për të ardhmen ka një efekt më të madh në mënyrën se si ne ndihemi, se sa vetë prania e mendimeve negative. Tek maturantët në Shqipëri kjo ndjesi reflektohet në mungesën e besimit se sistemi arsimor universitar është mjaftueshëm i aftë të sigurojë kushte optimale studimi dhe në mungesën e shpresës se pas diplomimit tregu i punës do të jetë i hapur për t´i punësuar e për t´i vlerësuar ata në mënyrë të drejtë. Kjo mungesë optimizmi lidhur me krijimin e një të ardhmeje në Shqiperi nxit mendimet për tu larguar duke e parë këtë si zgjidhja e vetme për të krijuar një të ardhme të suksesshme. Nga ana tjetër, shtytja dhe presioni për tu larguar për studime nga ana e familjes apo shoqërisë që gjithashtu nuk shohin mundësi të mira në vend, është një ndikim i konsiderueshëm mbi një të sapo-diplomuar.

Përvojat pozitive apo historitë e suksesit të studentëve apo bashkëmoshatarëve të tyre jashtë vendit, nga ana tjetër, mund të shërbejnë si një tjetër nxitje drejt kësaj zgjedhje. Kushtet më të mira të studimit, suporti financiar nga institucionet arsimore për rezultatet e larta, mundësitë e zhvillimit të praktikave mësimore dhe internship-eve si dhe shanset më të larta të punësimit janë elementë joshës për çdo maturant i cili beson se Shqipëria nuk mund t’i ofrojë kaq shumë. Për më tepër, të diturit se këto mundësi janë të arritshme nga nxënës të thjeshtë Shqiptarë, i bën ata të mendojnë se një realitet i tillë nuk është shumë i largët.

Ndërkohë, interneti dhe media sociale ka transformuar mënyrën se si njerëzit mendojnë duke zgjeruar informacionin mbi mundësitë që një individi mund ti ofrohen. Me aksesin në internet një maturant mund të informohet deri në detaje mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet arsimore në çdo vend të botës. Pavarësisht se materialet në internet mbi këto subjekte kanë prirjen të përlavdërojnë jetën studentore jashtë Shqipërisë, duke lënë në hije sfidat që mund të hasin studentët e huaj, ato përsëri janë frymëzuese dhe nxisin shumë maturantë të duan të krijojnë një të ardhme të atillë edhe për veten e tyre.

Dinamikat që përcaktojnë zgjedhjet personale të çdo maturanti janë të vështira për t’u përcaktuar me saktësi, mirëpo elementët e lartëpërmendur, në gjykimin tim përmbledhin motivet kryesore të kësaj problematike.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx