Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Mësimet e Ibrahim Rugovës
E premte, 21.01.2022, 08:40 PM
Mësimet e Ibrahim Rugovës
Nga
Ndue Ukaj
Ibrahim
Rugova besonte te e mira - ishte i palëkundur në këtë besim - nuk e ndiqte
dhunën me dhunë, as dhëmb për dhëmb, por me opsionin e mirësisë. Ai ishte njeri
i artit e kulturës, kishte formim kulturor e artistik dhe në fillimet e
rrugëtimit politik e përmend Edmond Burken që thoshte se gjëja e vetme që
nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë,
mendim ky përshkon në thellësi gjithë
qytetërimin perëndimor, me të cilin ai e lidhte historinë dhe kulturën e
popullit të tij.
Ky
ishte besim sublim dhe një qasje e pazakontë në Ballkanin e trazuar; ishte
mendësi krejt origjinale dhe mahniti botën e përparuar.
E
duke shkruar rreth figurës së Rugovës, shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail
Kadare te parathënie a librit i Rugovës “Çështja e Kosovës” shkruan: “Mjafton
të lexosh këtë rrëfim të gjatë të Rugovës, për të kuptuar mirë personazhin e
vetë si dhe idetë dhe platformën e tij e të shqiptarëve. Por ajo që kapet edhe
më qartë prej këtij libri është se sa larg dhe sa lart qëndron ky lider
shqiptar në krahasim me gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin
në log të tërbimit e të zisë.”
Prandaj,
sot Kosova e dërmuar dhe e ligështuar ka nevojë për mësimet politike e
kulturore të Rugovës, siç ka nevojë njeriu për ajër e ujë të pastër, sepse
vepra e tij është një burim i pashterur kulturor e politik, ku mund të shuajmë
etjen, ku mund të freskohemi e ushqehemi dhe njëkoësisht të frymëzohemi për
vepra të mira dhe dobiprurëse.
Kosova
sot është tejet e ligështuar dhe e dërmuar, sepse e ka bjerrë rrugën e Rugovës,
rrugë kjo që na solli liri, dinjitet ndërkombëtar dhe shtet.
Kosova
sot është pa autoritete morale e politike dhe me disa demagogë të rrezikshëm me
mendësi ekstremiste që i vërtiten si profetë të rremë, prandaj njerëzit e saj duhet të kthehen prapa- jo
shumë larg - te mësimet e Rugovës që janë të freskëta dhe të frymëzohen nga
figura shembullore e tij për t’i tejkaluar sfidat e mëdha që kanë përpara.
Rruga
e Rugovës është rrugë e paqes dhe dinjitetit.
Ai
e ka shkruar ungjillin politik të shqiptarëve - testamentin e dashurisë
politike, për njeriun shqiptar, historinë, kulturën dhe identitetin e tij.
Këtë
testament bashkëkombësit e tij duhet ta kenë shujtë të përditshme në tryezën e
tyre: të frymëzohen prej tij dhe të besojnë në të, në mënyrë që të
fisnikërohen, t’i mposhtin paudhësitë, prapështitë dhe dokrrat që e
karakterizojnë kohën pas tij.
Rugova
është krijuesi dhe ndërtuesi i shtetit të Kosovës. Politikani më ditur dhe më
normal që ka dalë nga raca shqiptare. Njeriu që i përtëriu dhe i kultivoi si
askush aleancat organike me perëndimin dhe që vendosi Kosovën në hartën
politike të botës.
Rugova
qe politikan i njerëzishëm, aspak megaloman, siç janë soji i tij ndër
shqiptarë.
Ai
e donte njeriun dhe kujdesej që atë ta mëkonte me ndjenja dashurie, respekti,
njerëzie dhe solidariteti. Ai nuk e urrente askë. Sepse ai ishte i vërtetë dhe
i njerëzishëm.
Ai
nuk fliste përçartë dhe me urrejtje për kundërshtarin, por kujdesej dhe e
fisnikëroi gjuhën politike me ndjenja të njerëzishme për njeriun, autoktonen
dhe vlerat e fisme universale, kah ecte i palëkundur dhe kah e orientonte
popullin e vet i pa tunduar.
Rugova
e deshi autoktonen, por e vlerësoi edhe universalen, ato vlerat e fisme të
qytetërimit të lirisë dhe të dashurisë perëndimore, për të cilat punoi i
palëkundur dhe me tërë qenien.
Ai
ishte i ndikuar prej Bogdanit dhe autorët oskdentalë dhe nuk tundohej, nuk
lëkundej dhe as nuk joshej prej ideve negative.
Në
saje të kësaj filozofie, ai e bëri krejt botën e përparuar që ta përqafonte
kauzën tonë dhe të ishte me ne. Dhe kështu, sakrifica dhe lufta jonë u
shpërblye me lirinë dhe pavarësinë që kemi.
Rugova
punoi me pasion për oksidentalizimin e shoqërisë sonë, proces ky që është
shëmtuar pas shkuarjes së tij në amshim. Ai këtë e kishte ideal dhe mision.
Prandaj, nuk zgjohej si europian, që pastaj ditën ta kalonte si oriental dhe të
binte në shtrat si kozmopolit. Ai ishte i vërtetë: Një oksidental shqiptar i
thekur në mendime dhe veprime, që gjunjëzohej para Gjergj Kastriotit dhe e
kishte udhëheqës shpirtëror Bogdanin dhe kjo e bëri atë të madh dhe të
papërsëritshëm.
Prandaj,
mallëngjehem sa herë e kujtoj hapin e matur të tij dhe shoh hapat e çorientuar
të shumë politikanëve të sotëm zuzarë.
Mallëngjehem
sa herë i dëgjoj fjalimet e intervistat e tij ose i lexoj veprat e idetë e tij
të fisme kulturore politike, dhe pastaj
trishtohem kur shoh marrëzitë, dokrrat dhe kukurisjet e politikës shqiptare, të
çorientuar dhe pa kurrfarë ide e ideali.
Prandaj
mësimet e Rugovës sot e përgjithmonë na duhen për shumë arsye dhe ato duhet të
shërbejnë si dekalog se si bëhet shteti e si bashkohen njerëzit rreth të mirave
të përbashkëta dhe qëllimeve sublime.
-Së
pari, për t’i pastruar mendjet e ndotura që kukurisjet i thashethemet i quajnë
politikë dhe intrigat e mashtrimet i kanë ngritë në nivelin e vlerave më të
larta. Kjo është rruga për të forcuar shpirtin e tolerancës dhe për të krijuar
një ambient të pastër e demokratik e koheziv.
-
Së dyti, për t’u thelluar në punë të
dijes, të kulturës dhe për t’iu blatuar dashurisë për vendin pa kushte, para se
gjithash duke e dashtë njeriun, historinë dhe autoktonin.
-Së
treti, vepra e tij e pasur na ndihmon që t’i mposhtim mendjet me tru trumcaku
që i janë vërsulë pamëshirshëm jetës politike e kultutore duke e zvogëluar
politikën e kulturën deri në një rrafsh banal.
-
Së katërti, për të mësuar vërtet si
mposhtet kundërshtari, armiku, pa përdorë kurrë ofendime, gjuhë linçuese, të
tërbuar dhe intriga dhe njëkohësisht si krijohen raporte të ngushta mirëbesimi
me miq dhe aleatë, të cilët në ditë të trishta të qëndrojnë afër.
Rugova
përgjatë krejt rrugëtimin kulturor dhe politik ishte i vërtetë, aspak i stisur
e mendje fiju - fiju. Ai jetoi për një ideal, u mishërua me të dhe si Moisiu
biblik, e nxori popullin e vet nga robëria e letargjia, por në breg të paqes
vdiq pa e shkelë Tokën e Premtuar, pa e përjetuar Pavarësinë e Kosovës, së
cilës ia kushtoi tërë jetën dhe në themelet e së cilës është guri themeltar.