Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Mësimet e Rugovës
E enjte, 02.12.2021, 10:04 PM
Mësimet e Rugovës
Nga
Ndue Ukaj
Kur
vdiq filozofi dhe mendimtari i madh, Volteri, shkrimtari francez Viktor Hygo,
në një tekst plot admirim dhe mallëngjim, shkruante: "Ai ishte më shumë se
njeri, ai ishte një epokë."
Në
historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve, pakkujt mund t’i atribuohet një epitet
i tillë, por nëse ekziston një që përsëdytë personalitete të mëdha, Rugova e
meriton atë. Sepse ai e shënjoi një
kohë, i dha kuptim e përmbajtje, kurse koha ekzistencës së tij u kthye në
epokën e tij, të dominuar nga mendimi politik dhe kulturor i tij.
Ndaj,
mësimet politike të Rugovës, duhet të lexohen, përvetësohen dhe jetësohen,
sepse ai kishte një shpirt të madh tolerant dhe kudo fliste për vlerat e
tolerancës e të demokracisë dhe në këtë drejtim fliste si shqiptar europian i
palëkundur.
Ai
e njihte historinë në thellësi dhe nga ajo mësonte si nxënës shembullor. Dhe
kudo e kurdoherë transmetonte urtësi, butësi dhe ndjenja solidare, tipare këto të
një udhëheqësi me vlera të nalta dhe fisnike. Në funksion të këtij ideali të
lartë kulturor e politik, ai e citon Edmond Burken “se gjëja e vetme që
nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë
asgjë.”
Rugova
s’donte të ishte i tillë, prandaj donte të vepronte me mirësi dhe dashuri.
Ai
gëzohej me sukseset e vendit, i konsideronte ngjarje formimin e institucioneve
dhe fliste tërë kohën për filozofinë e ndërtimit dhe jo të rrënimit.
Ai
e afirmonte të bukurën dhe kështu e godiste të shëmtuarën mes nesh e në ne.
Në
planin universal, ai ishte i palëkundur në orientimin e tij të qartë politik
dhe busulla e tij çonte kah vlerat oksidentale, duke i njohur e pranuar si
vlera autentike, prej të cilave ishim ndarë një kohë padrejtësisht, por kurrë
s’ishim shkëputur.
Kjo
qe gjeostrategja e tij politik që formoi mendimin e tij kulturor dhe civilizues. E në këtë
drejtim ai ishte krejt i qartë dhe pa kurrfarë dyzimi politik, siç janë shpesh
politikanët tanë që ndërrojnë mendimet sa herë ndërrojnë stinët.
Pra,
postulati politik dhe kulturor i Rugovës ishte i panegociueshëm dhe ky qe
çelësi që Kosovës ia çeli dyert te aleatë e Kosovës:
"Duke
qenë gjithmonë popull i proviniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me
kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët
dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces të afrimit dhe të
bashkëpunimit në Evropë, me të drejta për vetëvendosje." (I. Rugova, Gusht
1991)
Kështu,
ai i përtëriu raportet e shqiptarëve me perëndimin dhe Kosovën e vendosi në
hartë e vendeve të lira si një çështje që kërkonte zgjedhje. Dhe, në saje të
filozofisë së tij të mençur, të sinqertë, të urtë, dhe orientimit të palëkundur
politik, bota e përqafoi kauzën tonë për liri, pavarësi, demokraci dhe sot jemi
të lirë e të pavarur. Pra misioni i tij
është realizuar.
Rugova
sa qe gjallë, me jetën dhe veprën e tij të madhe kulturore e politike ka
treguar se veprat e mëdha janë vepra dashurie dhe jo urrejtje e dhune. Ndaj, ai
asnjëherë nuk pranoi t’i drejtonte shigjetat e helmatisura kundër
kundërshtarëve të shumtë, madje as kur ata tentonin ta zhbënin. Sepse, ai
besonte te vlerat e lirisë dhe kishte një ide të madhe, që ato vlera t’i bënte
vlera të përbashkëta të gjithë shqiptarëve në Europën Juglindore dhe t’i
kthente në vlera etike të shtetit të Kosovës, të cilin e udhëhoqi deri në
vdekje.
Ai
hyri në politikë për t’i dhënë politikës vlerat intelektuale dhe morale që i
kishte sublimuar me libra e studime, dhe kështu u bë prijës i madh, dhe i tillë
u vlerësua kudo në botë ku respektohen vlerat e njëmenda të lirisë.
Ai
ishte i madh sepse kishte një ide të madhe, një ide të qartë, një qëllim të
naltë dhe një traditë të fortë ku e mbështeste filozofinë e tij politike dhe
kombëtare. Dhe, në sajë të kësaj platforme, ne i fituam të gjitha ato që i
synuam: lirinë, demokracinë dhe pavarësinë.
Ai
s’ishte politikan dosido, që fliste përçartë, siç ndodh të flasin shpeshherë
politikanët e këtij rajoni problematik, të cilët ose gulçojnë ose flasin
përçartë për tema e projekte utopike, për të cilat s’janë të bindur as vetë.
Intelektuali
dhe politikani që kujdesej për kujtesën historike dhe besonte te forca e
lirisë, ruante autoktoninë, lexonte Bogdanin, të cilin e kishte model, dhe
refuzonte estetkisht. Me këto tipare, ai u bë politikani më virtuoz që ka dalë
nga raca shqiptare dhe një nga mendjet më të shquara të politikës në rrafsh
europian.
Rugova
ishte intelektual i madh dhe kjo e bëri politikan të madh. Ai hyri në politikë
me bindje të formuara kulturore dhe ato i kthej në bindje politike.
Ai
refuzoi në letërsi, para se të refuzonte ne politikë.
Dhe
në saje të këtyre vlerave, simbolikisht mund të thuhet se Rugova është njëlloj
Skënderbeu i dytë i shqiptarëve, që arriti t’i ripërtërinte, siç thoshte vetë, aleancat
natyrale me aleatët e Kastriotit, dhe pas shumë shekujve shqiptarët arriti t'i
bënte pjesë të hartës politike perëndimore.
Ai
thoshte se “do të bjerë edhe muri shqiptar i Berlinit” dhe besonte plotësisht
në integrimet ndërshqiptare.
Ai
punoi për të zgjeruar kulturën demokratike, shpirtin e tolerancës dhe të
mirëkuptimit midis njerëzve, grupeve politike dhe popujve dhe besonte se kjo
frymë shprehte karakterin e popullit të Kosovës
Ndaj,
që historia të mos përsëritet, Ibrahim Rugova këshillon që politika të nxjerrë
mësim nga ajo.
Ja
çka thoshte ai për komunizmin:
"Komunizmi
nuk i krijoi vend konceptit të kombit, i cili ishte ndjerë si negacion i
historisë. Ai ishte i mbështetur mbi një ide fiktive, primitive të barazisë, që
e mohon historinë. Shefat si - Tito, Mao, Hoxha, Lenini...-pastaj fabrikuan
historinë e vet. Prandaj njëri nga qëllimet e para të komunizmit ishte që të
qëllonte intelektualët."
Kosova
e ideve dhe idealeve të Rugovës sot ndodhet para sfidave serioze, prandaj, që
historia të mos përsëritet dhe të mos biem nën kthetrat e barbarisë, barazisë
utopike e dokrrave, politika duhet të nxjerrë mësim nga e kaluara.
Sidomos
duhet të mësojë se duke punuar bashkë me popujt e lirë e të përparuara, ne
kurrë s’humbim, por fitojmë.
Mjerisht,
raportet e Kosovës me botën e lirë, sot janë në pikë kritike, për shkak të
udhëheqësve të sotshëm kryeneçë, të cilët, me qeverisje bashibozuke, me dredhi
e mashtrime dhe me orientim të paqartë kulturor e politkk, kanë ndikuar që këto
raporte të marrin kahe tejet negative.
Prandaj,
nga mësimet e tij me vlerë duhet të mësojmë që sot dhe nesër të mos pësojmë.
(Fotografia: Hazir Reka)