Editorial
Fran Gjoka: Krimi si tregues sintetik i kriz?s morale t? shoq?ris?
E hene, 07.02.2022, 08:58 PM
KRIMI SI TREGUES SINTETIK I KRIZËS MORALE TË SHOQËRISË SHQIPTARE
Nga Fran
Gjoka
Vitet e fundit, ngjarjet kriminale n?
shoq?rin? ton?, kan? q?n? t? shumta. Ne duhet të
jemi të ndërgjegjshëm që shenjat në jetën tonë shoqërore janë të tilla, që
tregojnë se në shumë aspekte shëndeti i shoqërisë është dëmtuar nga sasia dhe
intensiteti në rritje i krimit. Madje ai po shfaq patologji të reja sociale,
pikërisht nga ndikimi negativ dhe theksimi i nuancave të forta të krimit,
intolerancës, dobësimit të solidaritetit social dhe komunikimit human. Kjo nga
që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, krimi po dëmton keq
“mekanizmat” socialitetit human, aftësinë për të jetuar në mënyrë normale me
tjetrin në çdo situatë, dhe për pasojë ka pësuar rupture evidente edhe
sociabiliteti, si kërkesë e njeriut të qytetëruar, për të qënë i integruar në
mënyrë normale në jetën shoqërore. Krimi është duke u bërë një e keqe sociale
shumë e madhe, që ka përfshirë të gjithë llojet e konflikteve personale e
interpersonale në “luftën” për hapësira jetike e pronësi, që vijnë nga kolapsi
urban apo varfëria, depresioni social në zgjerim. Bashkë me to është zgjeruar
konfliktualiteti i politikës, mungesa e diskutimeve të qeta dhe dialogut
konstruktiv, që rrit tensionet dhe shfaqjet militanteske të shpërthimit alogjik
të një lloj neurotizmi social, i cili gjithashtu shpesh herë është kthyer në
faktor që gjeneron krime me natyrë politike apo elektorale. Padyshim, shumë nga
fatkeqësitë e tjera që kemi kaluar në të kaluarën, i kemi shpjeguar herë në
mënyrë thelbësore e herë në mënyrë të sipërfaqshme dhe justifikuese, kryesisht
me ekzistencën e sistemit totalitar. Por si shpjegohet që në shoqërinë tonë,
vazhdojnë çuditërisht shumë efekte sociale, edhe pse shkaku i tyre është
larguar nga jeta jonë e përditshme. Paradoksalisht fjala vjen, krimi në
shoqërinë shqiptare në vend që të “zbutej”, për fat të keq kohët e fundit
përkundrazi po zgjerohet dhe agravohet. Ai gati ka marrë përmasat e një
çmenduarie sociale, është shtuar jo vetëm në sasi, por është bërë akoma më i
sofistikuar, barabar edhe si “cilësi”.
Për pasojë, jemi në momente sociale, kur jeta urbane
është turbulluar pikërisht nga shfaqja e krimit si patologji e zgjeruar e
jetës. Situata kriminale në shoqërinë tonë është një realitet imediat, i
prekshëm, gati i përditshëm, që po e bën jetën e shqiptarëve të vështirë, të
parehatshme për ta jetuar atë si duhet. Krimi është kthyer në një “teh” të
mprehtë, i fortë dhe kërcënues për jetën urbane. E keqja më e madhe është se
sasia në rritje e tij, po shoqërohet me shfaqjen gjërësisht të ndjenjës së
pesimizmit social, që ushqehet nga ideja disfatiste, se kjo e keqe e madhe
sociale po bëhet e papërballueshme. Midis shumë arsyeve me natyrë objektive dhe
të kuptueshme, krimi në shoqërinë tonë po zgjerohet, nga një tendencë negative e
deformimit dhe reduktimit të mënyrave të komunikimit social, qytetar dhe të
qytetëruar. Për fat të keq jemi në një situatë kur përditë shtohen dhe
zgjerohen format e krimit, duke kapur formatin e trajtave më të përbindshme. Po
qe se vlerësojmë shtrirjen, gjërësinë dhe intensitetin e krimit në shoqërinë
tonë, besoj se treguesit sasiorë janë në nivel maksimal dhe të patolerueshëm.
Nganjëherë të duket sikur kjo kohë na ka vënë në një situatë paradoksale, të
vështirë për ta kuptuar ontologjinë e saj. Padyshim, statistikat në rritje të
krimit në shoqërinë shqiptare, janë pasqyrë e një lloji krize të “moralit
publik”. Sepse demokracia që solli lirinë për të gjithë, duket se solli edhe
“çlirimin” e krimit dhe praninë e zgjeruar të njerëzve asocialë e kriminelë. Kjo
ka bërë që shpesh herë të bëhet evaziv kufiri i ndarjes, midis sjelljes normale
sociale dhe humane nga ajo patologjike, irracionale e kriminale. Sipas gjykimit
tim, lufta me krimin nuk është betejë e lehtë, as e thjeshtë. Jo vetëm në
aspektin e dominimit, si veprim fizik kriminal por mbi të gjitha në kuptimin
metafizik e konceptual, si anomali me pasoja të zgjeruara sociale dhe efekte
përkeqësuese të cilësisë në jetën tonë të përditshme. Madje ky “rrezik
metafizik” i krimit në shoqëri është më ndikues dhe thelbësor, sepse përpjekja
e errët, strategjia okulte e tij, synon ta kthejë dhunën, krimin dhe vrasjen në
një “normë sociale”, që duhet konsideruar si “gjëndje normale” në jetën e
shoqërisë tone. Kjo përpjekje retrograde e destruktive është ajo që unë mendoj
se duhet kundërshtuar e para, radikalisht, në mënyrë të vendosur dhe
vazhdimisht nga e gjithë shoqëria jonë. Sepse sulmet me natyrë konceptuale kanë
“prapavijë morale”, dhe në një farë mënyre janë pjesë e strategjisë diabolike
dhe me pasoja të rënda, afatshkurtra dhe afatgjata.
Padyshim në këto momente krimi, dhuna dhe shumë të këqija
sociale, jo vetëm që ekzistojnë (ekzistojnë edhe në shoqëri të tjera), por tek
ne krimi dhe e keqja sociale është masivizuar dhe banalizuar. Ndaj duhet të
heqim dorë nga semplifikimi i sfondit social dhe peshës fizike e metafizike të
shumë të këqijave sociale, sidomos të atyre që janë të lidhura dhe burojnë prej
krimit. Sepse e vërteta është që kohët e fundit, krimi po bëhet një nga
“karakteristikat e tmerrshme” të kohës sonë. Madje, në jetën e përditëshme po
shfaqen shenja të thella të mungesës së stabilitetit social, pikërisht nga
determinimi destabilizues i krimit, dhe për pasojë edhe nga shtimi njerëzve, që
me sjelljen asociale e kriminale, tregojnë qartë se janë në pozitat e veprimit
pa busullën personale të orientimit human. Një pjesë e njerëzve me prirje e
sjellje kriminale, e përdorin krimin si mënyrë për të shfaqur “trimëri”, por
gjithnjë e në çdo rast kjo “trimëri” përdoret vetëm për arsye të liga individuale.
Prania e tyre në shoqëri është një ndër arsyet e shumta, që midis nesh janë
shtuar “objektet e konflikteve”, subjektet e krimit që gjërat konfliktuale
preferojnë t’i zgjidhin në rrugë kriminale, duke ngushtuar në këtë mënyrë
hapësirat dhe rrugët e mundshme të zgjidhjes së tyre me dialog, mirëkuptim
qytetar, nëpërmjet rrugës “paqësore” dhe përdorimit të “instrumenteve” të
bashkëekzistencës dialoguese. Është dukuri tejet shqetësuese, fakti që në
shoqërinë tonë është duke lulëzuar një kundërkulturë sociale, që determinon
shfaqjet e intolerancës, mungesën e “hapësirave dialoguese” të mirëkuptimit në
raportet njerëzore interpersonale. Në të gjitha rastet, sjellja kriminale është
rezultat I konfliktit të paarsyeshëm, në konfliktin e krijuar me “palën tjetër”.
Krimi është rezultat edhe i faktit që janë zgjeruar disa difekte sociale në
sjelljen e njerëzve tanë, sikurse janë shfaqjet e forta të egoizmit, shenjat
evidente të “kokëfortësisë ballkanike”, të cilat në përgjithësi nxitin
“kulturën e dhunës”, shfaqjen evidente të karakterit destruktiv të sjelljes
njerëzore. Kultura e dhunës dhe agresiviteti janë shfaqjet nga më të shëmtuara,
që pengon përpjekjen sociale që krimi në shoqëri të mund të frenohet. Të gjitha
këto dukuri kanë marrë përmasa shqetësuese, pikërisht gjatë procesit tranzitiv
të kalimit nga totalitarizmi në situatat sociale të një lloji “liberalizmi
eksentrik”.
Këto sjellje e veprime anormale e kriminale, të
shoqëruara me dhunë, vrasje e sjellje sociale neurotike, janë faktorë, ndoshta
nga më kryesorët, më të rëndësishmit që e kanë cënuar dhe dëmtuar “shëndetin
social” të shoqërisë shqiptare. Ato e kanë prekur cilësinë e jetës së njerëzve,
duke tentuar ta bëjnë shoqërinë tonë një ambient social të vështirë për të
jetuar normalisht. Kjo është arsyeja pse pikërisht sasia e lartë e dhunës,
numuri në rritje i krimit dhe vrasjes e kanë bërë të ulët “çmimin e jetës” së
shqiptarëve, duke e konsideruar krimin si një gjë që mund të ndodh dhe të cilit
nuk kemi çfarë t’i bëjmë, përveçse duhet të mësohemi me këtë kundërkulturë dhe
të “mësohemi” që të bashkëjetojmë me të në mënyrë të “natyrshme”. Krimi dhe
vrasjet njeriun normal, qytetarin e arsyeshëm, individin me sjellje rracionale,
e kanë vënë përballë dilemës: A mund të jetohet normalisht në një “shoqëri të
kriminalizuar”, në të cilën krimi është bërë gati si “buka e përditshme”? Ku
duhet të jetojmë në një shoqëri që funksionon normalisht apo në një shoqëri që
vazhdon të pësojë metamorfozë e të transformohet, sikur të jetë “kopësht
zoologjik”? Pse familja është bërë kaq e dhunshme dhe me sasi të larta të
krimit brenda saj? Familje apo çmendinë? Duhet të bëjmë jetë të qetë sociale,
apo shoqëria po mbushet me të “çmendur” duke marrë trajtën dhe formën e një
spitali psikiatrik? Pse kaq shumë njerëz në shoqërinë tonë vriten, humbin jetën
për motive banale dhe gjëra pa vlerë? Këto janë pyetjet që i lindin çdo
qytetari që jeton në këtë shoqëri, përballë me dhunën dhe krimin e përhapur
kudo, në familje, shkollë, ambiente sociale e vende publike, për të gjitha llojet
e shkaqeve dhe motiveve personale apo sociale qofshin. Sasia e zgjeruar e
vrasjeve dhe krimit në familje e jashtë saj, janë kaq të zgjeruara e intensive,
saqë në mënyrë intuitive të duket sikur jemi në një shoqëri, në të cilën krimi
dhe vdekja janë bërë “nevoja natyrale” e shoqërisë, shumë pak shqetësuese, duke
harruar të vërtetën humane që në jetën e njeriut dhe shoqërisë biofile,
normale, të humanizuar “vdekja biologjike në formë natyrale është nevoja e
fundit e njeriut”. Analiza sociologjike e ontologjisë dhe fenomenologjisë së
krimit në shoqërinë tonë, sipas mendimit tim, tregon për një prirje shumë
delikate që ka lidhje me një lloj “strukturimi homogjen”, midis fenomenit
antisocial të krimit dhe veprimit të kriminelëve, të cilët kanë tendencën e thellimit
të sjelljes kriminale, duke u shfaqur si “qenie të degraduara”, të cilët nuk
kanë kurfarë sensi human, nga që kanë nxjerrë “jashtë përdorimit” dialogun,
komunikimin, humanitetin apo tolerancën. Kjo është arsyeja pse duket qartë që
në disa drejtime, shoqëria jonë ka marrë karakteristika të dhunshme, që shfaqet
shpesh si krizë sociale me difekte serioze në mënyrat e komunikimit social dhe
personal. Kjo e bashkuar me një proces të përshpejtuar të dehumanizimit dhe
desolidarizimit të lidhjeve njerëzore, janë arsye të zgjerimit të konflikteve,
dhunës, krimit. Në qëndrimin ndaj krimit dhe gjykimin e merituar ligjor të
kriminelëve, shpesh herë ndeshemi me analiza sempliste të shkaqeve, shoqëruar
me argumentime ngushëlluese e moralizuese të atyre që i kanë kryer ato, duke
zbutur fajin dhe përgjegjësinë penale të kriminelëve, nën arsyetimin
ngushëllues të “ekzistencës së përjetshme” të së keqes, krimit në shoqërinë
njerëzore, faktit që vrasjet kanë qënë pjesë përbërëse e jetës. Këto qëndrime,
qoftë edhe në trajtë latente janë tejet të rrezikshme, të papranueshme. Në se
justifikojmë krimin dhe kriminelët me argumentin banal të “ekzitencës së
përjetshme” të së keqes dhe vazhdimësisë së vrasjes në shoqëri, “…kështu vëmë
veten në rrezik; dhe rrezikojmë në rradhë të parë njerëzoren te ne, e cila në
thelb është pjesa jo kafshërore, aspekti etik i vetes”. (Z. Bauman,
“Moderniteti dhe Holokausti”, f. 314
Besoj se krimi është një nga aktet më të shëmtuara,
shoqërisht shumë i rrezikshëm. Nuk ka propagandë sado liberale qoftë që të mund
ta justifikojë ekzistencën e tij, ta trajtojë atë si “zakon të ligjshëm” apo që
veprim që mund të tolerohet. Koncepti për shoqërinë liberale, për kufirin
moral, human dhe ligjor midis asaj që lejohet dhe asaj që ndalohet, është fare
i qartë. Profesor Claudio Magris i Universitetit të Triestes sociologjikisht
mendon me të drejtë, se “Një shoqëri liberale duhet t’i lejojë një individi
thuajse çdo gjë – idetë, kënaqësitë, dëshirat, fiksimet e tij- dhe
kategorikisht t’i ndalojë ato pak gjëra që mund ta shndërrojnë atë në një
persekutues, të madh a të vogël, të individëve të tjerë; këto akte të dhunshme
duhen bërë tabu, të ndërpriten përpara se të na paraqiten si opsione konkrete”.
(C. Magris, “Panairi i Tolerancës”, f.36).