E marte, 04.10.2022, 03:43 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Një libër i rëndësishëm shkencor për historinë më të re të Kosovës

E premte, 11.02.2022, 10:32 PM


NJË LIBËR I RËNDËSISHËM SHKENCOR PËR HISTORINË MË TË RE TË KOSOVËS

Memli Sh. Krasniqi, “Kosova (1981-1989), Fillimi i shpërbërjes së RSF të Jugosllavisë”, botoi Instituti Albanologjik, 2021, Prishtinë

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Recensionin për librin e Memli Shaip Krasniqit do e filloja me një thënie të Georg Orvellit ku thotë se “Mënyra më efektive e tyre për të shkatërruar një komb, është të mohosh dhe të zhdukësh historinë e tyre”, andaj i jemi mirënjohës Memlit që hulumtoi dhe grumbulloi me qindra dokumente për të dëshmua një të vërtet historike, për ta nxjerr nga kthetrat e mashtrimit dhe të hutisë që dominon tek gjeneratat e ardhshme, që me droje po e themi më pak e njohin historinë e viteve të paraluftës së fundit 1981-1989.

Duhet thënë se historia e një kombi nuk mund të shkruhet dhe të njihet pa hulumtimin e dokumenteve dhe materialeve që lidhën me kohën të cilën e përjetuam, andaj vazhdimisht duhet ta rikthejmë kujtesën tonë    periudhat e robërisë, të okupimit klasik dhe të luftës që kaloi vendi ynë. Ky rikthim prapa, na jep kurajë e na nxit për angazhime edhe më të mëdha që kurrë mos të harrojmë të kaluarën se pastaj jemi të detyruar ta përjetojmë thotë filozofi Santajana.

Ditë më parë, kur Memli Sh. Krasniqi, më dha dorëshkrimin “Kosova (1981-1989), Fillimi i shpërbërjes së RSF të Jugosllavisë”. Dhe, duhet shtuar se autori Memli Sh. Krasniqi, për historiografinë shqiptare nuk është emër i panjohur. Gjer më tani ka botuar shumë studime të rëndësishme nga historiografia e vjetër dhe më e re e Kosovës. Çdoherë veprat e këtij studiuesi te komuniteti i shkencëtarëve – historianë, kanë zgjuar kureshtjen shkencore dhe janë pranuar e janë vlerësuar lart nga ta.

Duke marrë parasysh faktin se, një monografi e këtillë apo e ngjashme ka munguar deri më tani, botimi i kësaj monografie u mirëprit, duke e vlerësuar lart këtë projekt dhe njëkohësisht duke shpresuar se i njëjti, në të ardhmen do të bëhet pjesë përbërëse e realizimit të projekteve  të cilat do të trajtojnë historinë më të re të Kosovës.

Por, për dallim nga të tjerët,  duhet thënë se Memli Sh. Krasniqi, me guximin prej shkencëtari, librin që na i ofron me të dhëna të bollshme e dokumente të shumta, na i ofron ashtu siç kanë qenë, pa censurë,  pa dorëza, hapur dhe pa politike, të cilën duhet çmuar dhe respektuar.

Vetëm kur të lexohet dhe të studiohet vepra e Prof. Dr. Memli Sh. Krasniqit dhe kur të vlerësohet shkencërisht, atëherë do të bindemi se me sa përkushtim është punuar e është trajtuar situata politike në Kosovë. Ai, me një durim prej shkencëtari të mirëfilltë, mblodhi, grumbulloi dhe sistemoi edhe të dhënat më të vogla që flasin dhe dëshmojnë për Kosovën dhe padrejtësitë e shumta historike që iu bënë asaj nga shteti i quajtur Jugosllavi.

Duhet thënë se libri i Memli Sh. Krasniqit, ndahet në trembëdhjetë pjesë, të cilat veç e veç trajtojnë, analizojnë dhe japin vlerësime shkencore për periudhën në fjalë. Duke lexuar librin dhe duke parë se sa me përkushtim dhe analizë shkencore autori e ka shkruar atë, duhet lavdëruar ai, ngase ka bërë një punë të rëndësishme për historinë më të re të Kosovës që nga viti 1945, për të ardhur deri tek viti 1989. Në libër, autori  me një guxim të madh prej shkencëtari përfshinë e trajton këto tema, si: Rënien e Aleksandër Rankoviqit-humbja e rrymës centraliste dhe forcimi institucional i njësive federale; Statusi i Kosovës sipas kushtetutës së vitit 1974; Përpjekjet e RS të Serbisë, RS të Maqedonisë dhe RS të Malit të Zi  për të penguar thellimin e bashkëpunimit kulturor dhe ekonomik të KSA të Kosovës me RPS të Shqipërisë (1974-1980); Parashikimet amerikane mbi ardhmërinë e Jugosllavisë    pas Titos (1972-1980); Kosova në kushtet e ndryshuara ekonomike-sociale dhe raportet e saj me njësitë e tjera të federatës jugosllave (1980-1981); Arsimi, shkenca dhe kultura në Kosovë(1974-1981); Dy konceptet politike në Kosovë (1974-1980): Lidhja e Komunistëve të Kosovës - Përpjekje për sa më pak varësi institucionale nga RS e Serbisë dhe veprimtaria e organizatave ilegale shqiptare për statusin e republikës; Demonstratat e studentëve në Prishtinë më 1981 dhe fillimi i krizës politike në Kosovë dhe në RSFJ; Argumentet për dhe kundër avancimit të statusit të Kosovës në republikë të shtatë të RSFJ-së; Shtypi amerikan për ngjarjet në Kosovë më 1981-1982; Kosova në udhëkryqin ndërmjet ruajtjes së autonomisë dhe tendencave unitariste serbe (1982-1986); Historia e përsëritur e argumenteve të njëjta kundër shqiptarëve dhe Kosovës: dëmtimi  dhe shitblerja e pronës së serbëve dhe “sulmet” kundër kishës ortodokse serbe; Kosova (1985-1989): Rritja e tensioneve etnike, burgosjet dhe vrasjet e ushtarëve shqiptarë në APJ si dhe ndryshimet kushtetuese Dhe krejt në fund të librit vijën: Përfundimi i librit, Harta dhe Dokumente, Indeksi i  emrave  dhe Bibliografia.

Veç Parathënies, që e jep autori, ai dendur paraqet të dhëna të bollshme rreth shkaqeve zhvillimeve dhe kërkesave të popullit shqiptarë që nga viti 1945. Në mënyrë të detajuar përshkruan terrorin antishqiptar dhe periudhën e Rankoviqit, aksionin e mbledhjes së armëve, shpërnguljen për në Turqi etj...etj... Dihet se pas shpërthimit të demonstratave në Kosovë më 1968, shteti kishte ndërmarrë masa të mëdha ndëshkimi ndaj pjesëmarrësve të demonstratave. Autori i librit, me një gjuhë të rrjedhshme dhe me një guxim prej intelektuali të mirëfilltë, na i paraqet proceset gjyqësore dhe dënimet që u shqiptoheshin demonstruesve. Gjenocidin antishqiptar, dënimet ndaj atdhetarëve na i prezanton në një pjesë të veçantë të librit.

Në Kosovë e viset tjera shqiptare në Jugosllavi, nga fundi i viteve tetëdhjeta dhe fillimi i viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, problemet politike, ekonomiko-shoqërore e kulturore, qenë rritur në përmasa serioze, si rezultat i kontradiktave të papajtueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Detyrat dhe përgjegjësitë në lidhje me to konsideroheshin më delikate. Në këtë drejtim, dy rrugë kishte: Ose të punosh në suaza të sistemit dhe të qëndrosh deri sa mundësh me qëndrua ose të veprosh në ilegalitet e të krijosh një organizim ilegal. Për të kalua në opsionin e dytë kushtet ishin ende larg së mundshmes, andaj  në mënyra të ndryshme organizoheshin e vepronin shqiptarët.

Pastaj, demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 nuk ishin rastësi në historikun tonë. Ato kishin një vazhdimësi qysh nga orët e para të Lëvizjes sonë për liri dhe pavarësi kombëtare. Dhe, ato do të paraqesin edhe një hallkë të rëndësishme në përpjekjet për çlirim të popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi.

Më 11 dhe 26 mars të vitit 1981, shpërthyen demonstratat studentore të Universitetit të Kosovës. Ishte kjo një revoltë e akumuluar ndër breza, shekuj me radhë, duke kaluar nga veprimtaria  e organizatave dhe e grupeve  ilegale, që ishin sakrifikuar, në kërkesa të hapura dhe legale.

Studentët e atij brezi u gjakosën, dolën përballë policisë dhe armatës jugosllave vetëm  me forcën e shpirtit shqiptar. Rezistenca e tyre u parapriu të gjitha çështjeve të pazgjidhura etnike, për të cilat u njoh bota në vitet që pasuan. Rinia shqiptare në ish-Jugosllavi zbuloi jo vetëm gjendjen kritike të popullit të vet, por edhe konfliktin që ekzistonte i mbuluar në shkallë universale, historike, njerëzore dhe kombëtare në Ballkan.

Në mënyrë ciklike studentët dhe populli, në forma të ndryshme, nëpër dekada  shprehën  e manifestuan pakënaqësinë e tyre. Dhe, mbeti i vetmi popull që më së shumti u ballafaqua me kërkesën legjitime për liri dhe pavarësi, si një çështje e drejtë historike, e krijuar në ciklin kohor të padrejtësive historike. Ata, dy dekada para përfundimit të mileniumit, që e kemi lënë pas, do të kërkonin vetëm atë që u takonte - të drejtën e tyre, kërkonin që kjo pjesë e robëruar të fitonte lirinë e merituar. Kjo kërkesë shteteve të botës do t’u trokasë në ndërgjegje si një vonesë historike. Vetëm pesë ditë pas, më 1 e më 2 prill, me kërkesat e demonstruesve u solidarizua i gjithë populli. Sipas të dhënave zyrtare të asaj kohe, gjatë këtyre demonstratave pati 9 të vrarë dhe 15 të plagosur, ndërsa forcat e policisë serbe patën 2 të vrarë dhe 17 të plagosur.

Demonstratat e vitit 1981 do të konsiderohen se ishin demonstratat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore. Në to në forma të ndryshme mori pjesë i gjithë populli shqiptar.

Në kërkesat e demonstruesve të rinisë në pranverën e vitit ’81 dominuan parullat për “Kosovën –Republikë”. Këtë e argumentojnë edhe parullat  e tjera, siç ishin: “Kosova kosovarëve”, “Duam Republikë”, “Republikë kushtetutë, ja me hatër. ja me luftë”, “E duam flamurin kombëtar”, “Duam bashkimin e trojeve shqiptare” e të tjera. Këtyre kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar udhëheqja jugosllave iu përgjigj me zjarr e me hekur. Ngjarjet e sipër theksuara qenë një paralajmërim që shënuan kthesë në historinë e ideologjisë komuniste dhe, në fund, përmbysjen e saj.

Më 2 prill 1981 Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vende publike. Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe në universitet. Mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera të Kosovës. Megjithëkëtë, më 2 prill 1981, në Prishtinë tërë ditën kishin vazhduar demonstratat masive të shqiptarëve. Po atë ditë, demonstratat u organizuan edhe në Podujevë, në Gjilan, në Vushtrri dhe në Mitrovicë. Më 30 prill vazhduan në Ferizaj, në Viti, përsëri vazhduan në Vushtrri dhe në Mitrovicë.  Më 30 prill u organizuan demonstrata në Deçan dhe në Istog. Me demonstrata e me protesta u vazhdua përsëri në Prishtinë edhe me 18 maj 1981. Në to më tepër se 1000 studentë dolën në oborrin e Qendrës së Studentëve dhe protestuan më shumë se një orë e gjysmë. Pas kësaj proteste, organet e pushtetit dhjetë ditë para afatit urdhëruan përfundimin e ligjëratave në Universitet. U ndërpre qarkullimi i postës dhe të gjitha lidhjet telefonike. Patrullat e policisë dhe ato ushtarake kontrollonin të gjithë kalimtarët dhe automjetet në komunikacion. Kështu, Kosovën e izoluan nga pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë, duke bërë përpjekje që të shkëputnin çdo lidhje të saj me botën.

Ndonëse opinioni ndërkombëtar këto demonstrata i cilësoi paqësore,  ndonëse këto demonstrata kishin karakter demokratik, kombëtar e paqësor, në Kosovë nga çdo republikë jugosllave vërshuan njësi të shumta policësh dhe ushtarakësh. Kundër demonstruesve  duarthatë u përdorën: bomba me gaz lotsjellës, shkopinj gome e kërbaçë, gazra helmuese kimike, armë zjarri, tanke, helikopterë, autoblinda, aeroplanë luftarakë, bile-bile edhe të tipit MIG-21”. Në marshin protestues pati të vrarë dhe të plagosur, të arrestuar dhe të arratisur jashtë atdheut, madje vetëm në shtetet perëndimore, atje ku shpresohej në demokraci dhe assesi në shtetet lindore dhe komuniste. Gati një brez i tërë në forma  të ndryshme  gjenocidi u flijua në altarin e shenjtë të atdheut - për Kosovën-Republikë.

Ndonëse kërkesat që u shtruan në demonstrata ishin të drejta, të ligjshme dhe nuk dilnin jashtë kornizave të Kushtetutës së RSFJ-së, megjithatë ato u cilësuan si “kundërrevolucionare”,  ndërsa studentët dhe pjesëmarrësit u cilësuan “armiq”, “kundërrevolucionarë” dhe “irredentistë shqiptarë. Këto epitetet shërbenin  si kategori themelore me të cilat përcaktoheshin, karakterizoheshin dhe dënoheshin demonstratat dhe demonstruesit. Këto epitetet u përdorën vetëm e vetëm që të legjitimoheshin dhe të justifikoheshin masat e mjetet e dhunës që i zbatonin në këto ngjarje. Ndaj “armiqve të popullit”, okupuesi përdori masat më drastike: i rrahu, i keqtrajtoi, i torturoi, i arrestoi dhe i dënoi me burg të rëndë deri në 15 vjet, ndërsa ndaj familjeve të tyre u aplikua edhe masa  e izolimit etj.

Në rrafshin kombëtar, ato patën një ndikim të jashtëzakonshëm për forcimin e kompaktësisë dhe të unitetit të mbarë popullit shqiptar. Demonstratat u dhanë një goditje të rëndë perdes së ngritur nga qarqet në pushtet në Jugosllavi, por edhe në Shqipëri, e cila kishte synuar t’i mbante të ndarë dhe t‘i izolonte shqiptarët që jetonin në Kosovë nga vëllezërit e tyre në Shqipëri.

Duhet thënë edhe këtë se zhvillimet politike gjatë viteve 1981-1986 u dhanë një goditje  të rëndë dhe asgjësuese iluzioneve që kishin krijuar, si rrjedhojë e propagandës së udhëheqjes jugosllave, për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi. Ato në mënyrën më të hapur zbuluan dhe dëshmuan edhe një herë agresivitetin e shovinizmit serb, synimet e tij që drejtoheshin kundër të drejtave kombëtare e qytetare të popullit shqiptar.

Ky botim, na ofron edhe materiale të tjera, në të cilat shqyrtohen situata tejet të rënduar në hapësirën gjithë shqiptare, si  ekonomike, shoqërore, politike, ushtarake dhe diplomatike, me  alternativat e qëndrimeve dhe orientimeve për rrugëzgjidhje nga ana e popullit shqiptar në luftë të armatosur.

Andaj, ky botim si pjesë kontributore shkencore e reale në historiografi, do të sjell debate të frytshme, duke u bërë shtytës hulumtimesh e gjurmimesh të reja, si element thelbësor i potencës dhe kërkimit shkencor, të cilat, pa dyshim, do të shpijnë përpara, gjykime dhe përfundime më të avancuara në  studimet historike. Në këtë rast, duke mos përdorur vetëm qasjen faktologjike, por metodat e hulumtimit bashkëkohor, përmes infiltrimit të analizës me objektivitetin shkencor dhe parimet themelore të shkrimit të historisë bashkëkohore, për të arritur në përfundime sa më afër të vërtetës historike dhe që të mund t’i qëndrojnë kohës e kritikës së mirëfilltë historiografike.

Dhe krejt në fund duke e përgëzuar autorin e librit Prof.dr. Memli Sh. Krasniqi, “Kosova (1981-1989), Fillimi i shpërbërjes së RSF të Jugosllavisë”,  i urojmë  ,që të na dhurojë edhe më tutje vepra të këtilla me vlera shkencore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Metamorfoza e ëndrrave Sabile Basha: Formimi i organizatës ilegale ‘Komiteti Nacional-Demokratik Shqiptar' në Kosovë, 1943 Sabile Basha: Lidhja e Dytë e Prizrenit, 1943 Sabile Basha: Jugosllavia përballë lëvizjeve ilegale shqiptare në Kosovë, 1945-1981 Sabile Keçmezi-Basha: Sa pak oksigjen Sabile Basha: Josif Bageri dhe karakteri kombëtar i gazetës “Shqypeja e Shqypenis” 87 Sabile Basha: Pashë dashnin tande, nanë Sabile Basha: Përpjekjet për balancë gjinor në dokumentet ndërkombëtare Sabile Basha: Qëndresa e grave të familjes Jashari Sabile Basha: Heroizmi i gruas shqiptare parë nga të huajt Sabile Basha: Terrori shtetëror jugosllav ndaj krijuesve ishte i dhunshëm dhe barbar Sabile Basha: Personaliteti i Idriz Seferit në shkrimet e Sadulla Brestovcit Sabile Basha: Çka do bëjë pritja pa mua Sabile Basha: Formimi dhe veprimtaria e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovë Ajete Zogaj: Bisedë me Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha Sabile Basha: Dokumentet që dëshmojnë diferencimin në Universitetin e Prishtinës më 1981 Sabile Basha: Dezinformatat e Beogradit kundër grupeve e individëve shqiptarë që vepronin kundër Jugosllavisë Sabile Basha: Libër-dëshmi për të burgosurit politik shqiptarë në Jugosllavi (1989) Sabile Basha: Libër i dhembjes dhe i krenarisë Sabile Basha: Dëshmi për vlerësimin e situatës politike e të sigurisë në Kosovë nga kryesia e komitetit krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora