Speciale
Xhemaledin Salihu: Presheva në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim
E marte, 16.11.2021, 01:25 PM
PRESHEVA NË LËVIZJEN KOMBËTARE PËR ÇLIRIM DHE BASHKIM(LKpÇB) DHE KËRKESAT PËR BASHKIM ME SHQIPËRINË ETNIKE
Shkruan: Xhemaledin
SALIHU, profesor
Themelimi i Organizatës Studentore
Shqiptare “Besa” në Beograd
Presheva, asnjëherë nuk u nda nga ngjarjet dhe ndodhitë
në etnikumin shqiptar, por gjithmonë ishte pjesë e këtij etnikumi si dhe pjesë
e Lëvizjes Mbarëkombëtare. Ajo mori pjesë në të gjitha proceset e Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare.
Presheva pati emra të njohur, personalitete të shquara,
veprimtarë të dalluar të Rezistencës dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke
filluar që nga Mbretëria Dardane e deri në Luftën e UÇPMB-së.
Shqiptarët e Preshevës nën sundimin e Mbretërisë
Serbo-Kroate-Sllovene nuk i gëzuan të drejtat politike elementare qytetare dhe
kolektive. Ata nuk e patën të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, përdorimin
e gjuhës, flamurit si dhe kultivimin e kulturës kombëtare. Bile, edhepse
Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene nënshkroi Marrëveshjen e Sen Zhermenit, më 10
shtator 1919, për të drejtat qytetare dhe politike të pakicave kombëtare, ajo
më vonë kërkoi anulimin e kësaj Marrëveshjeje, sepse nuk i përmbushi obligimet
që dalin nga Marrëveshja.
Kështu, Shqiptarët e Preshevës qenë të detyruat të
vazhdojnë luftën për të drejtat kombëtare edhe pas viteve të 30-ta të shekullit
XX. Pra, në të gjitha trojet shqiptare filloi një lëvizje kombëtare, gjegjësisht
e inicuar nga studentët shqiptarë që studionin në Univesitetin e Beogradit.
Pra, në mars të vitit 1935, në Beograd,
u themelua Organizata Studentore Shqiptare “BESA”.
Këtë organizatë në fillim të vitit 1935, e ndihmoi
Sekretari i Parë i Legatës Shqiptare në Beograd, Shermet Xherxhuli. Me ndihmën
e tij, filloi së vepruari kjo organizatë nacionaliste me seli në Beograd. Ky
diplomat shqiptar në fillim arriti të anëtarësoj 12 studentë nga Kosova dhe
Shqipëria Lindore. Ky diplomat shqiptar organizatën “Besa” e organizoi
pastër në baza kombëtare. Kjo organizatë politike, kishte për detyrë ngritjen e
vetëdijes kombëtare te popullata shqiptare, në luftë kundër regjimit të egër
jugosllav.
Nismëtarët e themelimit të kësaj organizate ishin: Tahir
Ismaili, Jahja Osmani nga Kumanova, Shaip Mustafa nga Presheva, Abdulla Saqipi
nga Presheva, Sokol Dobroshi nga Gjakova, Xhevdet Pallaska nga Gjakova, Shaip
Kamberi nga Tetova, Esat Berisha nga Gjilani, Qazim Bllaca nga Bllaca e
Malishevës, Ibrahim Lutfiu nga Prizreni etj., që të gjithë studentë në
Universitetin e Beogradit.
Parimet kryesore të Organizatës Studentore Shqiptare
“BESA” ishin:
“1. Veprimtaria themelore në zgjimin e vetëdijes
kombëtare te shqiptarët.
2. Bashkëpunimi politik me popujt tjerë të robëruar apo
të pakënaqur nga regjimi i atëhershëm jugosllav.
3. Fshehtësia e domosdoshme dhe veprimtaria gojore.
4.Betimi i detyrueshëm dhe asnjë dokument i shkruar për
veprimtarinë e organizatës.”
Veprimtaria e Organizatës Studentore “Besa”, së shpejti
shtrihet në disa qendra të mëdha shqiptare, posaçërisht në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Preshevë, Gjilan, ku
kontribut të çmueshëm për këtë do të japin përfaqësuesit e konsullatës
shqiptare në Shkup: Rexhep Stablea dhe Sylejman Ashkiu.
Takimet, zakonisht mbaheshin në kafenenë “Bojali Han” në
Shkup, të pronarit Hasan Shukriu. Ky lokal, më vonë do të shndërrohet në qendër të rezistencës
shqiptare, për të drejtat e Shqiptarëve, kundër politikës hegjemoniste serbe.
Programi themelor i kësaj organizate ishte, çlirimi i trojeve
shqiptare me Kosovë, Preshevë, Shkup deri në Veles dhe bashkimi i tyre me
shtetin amë. Anëtarët e organizatës “Besa”, kanë pasur për detyrë, sipas
programit të tyre kombëtar që në kontaktet me qytetarë të përhapin idenë për
bashkimin e trojeve shqiptare të aneksuara me dhunë nga pushteti Jugosllav
dhe t’i bashkëngjiten Shqipërisë.
Programi politik i organizatës “Besa”, të Beogradit :
“1. Përhapja e propagandës midis myslimanëve, se ata
kurrsesi nuk mund të jenë turq, por janë shqiptarë.
2. Çdo anëtar e kishte për detyrë që të përhapte idenë
për Shqipërinë Etnike dhe të luftonte për bashkimin e shqiptarëve; në Kosovë,
Preshevë, Bujanovc dhe luginën e Vardarit.
3. Ti jepet rëndësi mësimit të gjuhës shqipe, historisë
dhe kulturës shqiptare.
4. Kërkohej një regjistrim i plotë i popullatës
shqiptare, që struktura e saj të jetë më bindëse para diplomacisë evropiane.
5. Kërkohej që turqit të deklaroheshin shqiptarë dhe të
mësonin shkrim dhe lexim në gjuhën shqipe.”
Organizata Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd brenda
udhëheqjes së saj kishte dy rryma, dy drejtime: drejtimi djathtist, e cili synonte dhe angazhohej që
trojet shqiptare t’i bashkangjiten Shqipërisë Etnike, ishte më radikal dhe nuk pranonte bashkëpunim me studentët serbë.
Përfaqsuesit më të denjë ishin: Tahir Ismaili, Abdulla Saqipi-Presheva, Sokol
Dobroshi, etjerë dhe orientimi majtist, me ideologji komuniste jugosllave,
anëtarët e të cilit drejtim anonin dhe angazhoheshin për bashkëpunim më të
ngushtë dhe të domosdoshën me studentët serbë. Në këtë drejtim vepronin edhe
disa studentë shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit: si Ali
Shukriu, Meto Bajraktari, Zejnel Ajdini, Hivzi dhe Azis Sylejmani, Shaip
Mustafa, Selim Selimi. Të gjitha takimet e Organizatës “Besa” mbaheshin në klubin
“Kosova” në Beograd.
Sipas studiuesit Qerim Litës: “Synimi kryesor i
Organizatës “Besa” ishte: “Ribashkimi i Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore(dhe
të gjitha viseve të tjera të banuara me shqiptarë) me Shqipërinë…”
Në këtë kohë, pandamë Organizatës Studentore Shqiptare
“Besa” në Beograd u themelua edhe Shoqata e Studentëve, Serbë, Malazezë,
Shqiptarë e quajtur “Kosmet”. Ajo ishte
Shoqatë e Studentëve të Kosovës dhe Metohisë, si e quanin atëherë Republikën e
Kosovës, e cila kishte për qëllim t’i ndihmojë Komitetit Krahinor të LKJ, në
luftën për Vëllazërim dhe Bashkim të Shqiptarëve, Serbëve, Malazezëve dhe të
tjerëve.
Në këtë Shoqatë bënin pjesë edhe disa studentë shqiptarë:
Ali Aliu, Zejnel Hajdini e të tjerë. Mirëpo, kjo Shoqatë nuk pati aq ndikim te
shumica e studentëve shqiptarë në Beograd, të cilët u përcaktuan për idetë
përparimtare të Organizatës Studentore “Besa”. Pra, ishte një luftë e
pakompromis për përfitimin e studentëve shqiptarë nga ana e këtyre dy
organizatave. Mirëpo, propagimi i Organizatës “Besa” ishte më i fuqishëm dhe
nuk lejuan që në atë kohë studentët shqiptarë të bijnë pre e ideologjisë
komuniste, pos disa prej komunistëve shqiptarë që u përcaktuan për organizatën
“Kosmet”
Shaip
Mustafa (1912-1964)
Shaip Mustafa lindi
më 12 qershor 1912, në fshatin Bukurocë të Preshevës, nga babai Ibrahim-Mulla
Hima dhe nëna Hatixhe. Mësimin fillor e kreu në Preshevë, në gjuhën serbe, të
mesmen në Medresenë “Isa Beg” në Shkup, ndërsa Fakultetin e Drejtësisë në
Beograd, më 1940. Ishte anëtar i organizatës “Besa” nga viti 1935, kurse gjatë
viteve 1938-1941, ishte sekretar i organizatës së PKJ-së të Preshevës.
Në vitin 1941 organizon demonstratat e njohura të
Shqiptarëve në Shkup, të cilat karakterizohen me kërkesën që Shkupi, Kumanova,
Presheva, Gjilani, Kaçaniku dhe viset tjera shqiptare të okupuara nga Bullgaria
të bashkohen me Shqipërinë. Por, organet e pushtetit bullgar e arrestojnë dhe e
internojnë në Bullgari, pastaj e burgosin dhe më pastaj e çojnë në një burg
shtëpiak, ku qëndron 6 muaj. Por organizata shqiptare “Besa” në krye me
Abdullah Saqipin-Presheva, më vonë
avokat në Shkup, mblodhi një shumë parash dhe e shpëtuan nga burgu
bullgar.
Pas lirimit nga burgu, Shaipi bashkë me Jahja Osmanin,
kthehen në vendlindje dhe pastaj shkojnë
në Tiranë ku u pritën nga
kryetari i Qeverisë së Shqipërisë së asaj kohe, z. Mustafa Kruja.
Në vitin 1943 erdhi në konflikt me Svetozar Vukmanoviq -
Tempon për shkak të statusit të ardhshëm të Kosovës e viseve tjera shqiptare.
Pas lufte u zgjodh kryetar i Qarkut të Prishtinës, ku qëndron deri në nëntor të
vitit 1947.
Më 15 qershor të vitit 1948, pushteti i ri jugosllav,
ngrit aktpadinë kundër tij në Gjyqin e Rrethit në Prishtinë dhe në gusht të
vitit 1948 ia shqiptojnë dënimin me vdekje, pastaj merr burgim të përjetshëm.
Pas ankesës që e bënë Shaipi, dënimin ia zbresin në 20 vjet dhe atë e vuan në
burgun e Nishit, plot 14,5 vjet.
Nga burgu lirohet në prill të vitit 1962 dhe jeton në
Preshevë te motra Xhevaire, te nipi Sadri Ymeri – mësuesi, deri në vdekje, më
12 maj 1964.
Abdullah Saqipi-Presheva
U lind në Golemidoll të Preshevës. Kreu shkollën fillore,
ate të mesme dhe fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Beogradit.
Koordinator i parë i Lëvizjejes djathtiste në Organizatën
“Besa”ka qenë studenti i drejtësisë në Universitetin e Beogradit, Abdulla
Saqipi nga Presheva. Ky në fillim të lëvizjes njihet edhe si Kryetar i
Këshillit Iniciativë, të kësaj organizate studentore, para mbajtjes të
Kuvendit. Aktiviteti i Abdullah Saqipit, në këtë vijë është ndër të parët
nismëtar dhe organizator i organizatës “Besa”, njëherit edhe kundërshtar i
përbetuar i regjimit serb. Sipas dëshmive që na ofrojnë dëshmitarët e
organizatës “Besa”, Abdulla Saqipi-Presheva ka qenë një ndër studentët e
parë shqiptar në Beograd.
Në Kuvendin themelues, Abdullah Saqipi-Presheva u zgjodh
kryetar i Organizatës Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd. Atij iu ngarkua
detyra e propagandës dhe punoi shumë për përhapjen e idesë për bashkim
kombëtar. Ky punoi me të madhe kundër nacional-shovinizmit serb në mbrojtje të
çështjes kombëtare. “Abdullahu para se të themelohej organizata “Besa”,
ka pasur marrëdhënie të mira me konsullin shqiptar në Beograd. Ka qenë kryesori
që ka mbrojtur fuqishëm rrymën djathtiste në organizatën “Besa”. Ky kërkonte
me çdo kusht që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë, pa marrë parasysh se çfarë
regjimi shoqëror ka Shqipëria e Ahmet Zogut. Po ashtu ishte kundër
bashkëpunimit të studentëve shqiptarë me komunistët, qofshin ata edhe
shqiptarë, në veçanti me organizatën studentore “Kosmet”, ku bënin pjesë
edhe disa shqipfolës si; Meto Bajraktari, Ali Shukriu e disa të tjerë”.(Vebi
Xhemaili, Organizata “Besa” simbol i luftës për Shqipërinë Etnike, Rrugëtimi i
Organizatës Studentore “Besa” drejt bashkimit kombëtar(1935-1944), Zemra
shqiptare, 18.04.2010)
Abdullah Saqipi-Presheva pas Luftës së Dytë Botërore, në
Jugosllavinë socialiste devijoi nga qëndrimet e mëparshme politike e atdhetare
dhe thuhet se si avokat i njohur në Shkup u angazhua drejtpërdrejtë në
shpërnguljen e Shqiptarëve dhe familjeve shqiptare për në Turqi, duke u
siguruar “visika” pasaporta për Turqi.
Themelimi i Lëvizjes Kombëtare për
Çlirim dhe Bashkim/LKpÇB/ në Shkup
Gjermania fashiste më 6 prill 1941 sulmoi Jugosllavinë
Mbretërore, e cila kapituloi dhe nuk rrezistoi kundër kësaj force të madhe. Me
pushtimin e Mbretërisë Jugosllave përfitoi edhe Bullgaria fashiste, e cila
ishte aleate e Gjermanisë. Kështu i përvetësoi shumicën e tokave shqiptare,
duke thënë se ato toka ishin bullgare.Me këtë edhe fillon dhuna e paparë e
ushtrisë bullgare kundër popullatës të pa mbrojtur shqiptare.Ajo nën pretekstin
e kërkimit të armëve bënte terror të paparë, duke vrarë, rrahur, plaçkitur
shqiptarët nëpër të gjitha tokat shqiptare. Në tokat shqiptare dhe në
popullatën shqiptare u bë një gjenocid i pa parë deri atëherë dhe fushatë e
egër. Thuhet se popullata maqedonase, ushtrinë bullgare e priti me lule, sepse
e pa shpëtimin nga ajo, ndërsa trajtimi i Shqiptarëve ishte shumë i ashpër.
Kështu okupatori bullgar ndaj sllavëve pati politikë tjetër fare, më të butë,
ndërsa ndaj shqiptarëve shumë të egër.
Patriotët preshevarë: Abdullah Haxhi Veliu, Hafëz Lutfi
Ahmeti, dhe Abdullah Saqipi-Presheva, të indinjuar nga gjendja e vështirë e
popullatës shqiptare në Preshevë e rrethinë vendosën të shkojnë në Kumanovë,
për ta takuar dhe biseduar këtë situatë me Shaban Efendinë.
Më 15-16 prill të vitit 1941 Shaban Efendia kthehet nga
Nishi. Pas dy ditësh e thërrasin në
shtëpi për të shkuar në kafenenë e Sali Abdullahut në Kumanovë, Abdullah Veliu,
Hafëz Lutfi Ahmetin nga Presheva, Abdullah Saqipin-Presheva nga Golemidolli i
Preshevës dhe Jahja Osmani nga Kumanova, ku bisedohet për luftën dhe vendosjen
e bullgarëve në trojet shqiptare : Kumanovë e Preshevë, e gjetiu si dhe
sjelljet e tyre ndaj shqiptarëve. Më pas është shkuar në Shkup, në Bojali Han,
ku u mbajt Konferenca e LKpÇB.
Katërshi në anën e djathtë, nga e majta : i pari i pa njohur, Shaban Efendia, Hafëz Lutfi Ahmeti dhe Shaban Haziri i Bugarinëve
Qëllimi për
shkuarjen e tyre në Shkup ishte që të informoheshin se ardhja e bullgarëve
ishte e vërtetë apo jo, sipas Shaban Efendisë. Mirëpo, qëndrimi i tij dhe
qëndrimi i shokëve gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje ishte mundësia dhe
qëllimi kryesor i tyre që viset ku jetonte shumica e popullatës shqiptare t’i
bashkëngjiteshin Shqipërisë, e cila ishte nën sundimin e Italisë fashiste.
Grupi i përmendur posa arritën në Shkup u vendosën në
dhomat e sipërme të “Bojali Hanit”, sepse poshtë në restorant kishin drojë se
vëreheshin nga ana e okupatorit bullgar.
Kështu, më 19 prill 1941, në lokalet e Bojali Hanit në
Shkup, u mbajt Konferenca e drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe
Bashkim /LKpÇB/, ku morën pjesë: Shaban Jashari, Aqif Tetova nga Gjilani, Shaip
Mustafa nga Presheva, Jahja Osmani nga Kumanova, Abdullah Veliu nga Presheva,
Hafëz Lutfi Ahmeti nga Presheva, Abdullah Saqipi nga Presheva, me vendbanim në
Shkup dhe Idriz Ymer-Cërcëri nga Tetova.
Në Konferencë është diskutuar për tri pika të rendit të
ditës:
1.Informatë nga të pranishmit për gjendjen në
territoret shqiptare, pas vendosjes së
ushtrisë bullgare,
2.Themelimi i Lëvizjes për Bashkimin e Tokave Shqiptare
me Shqipërinë dhe
3. Formimi i një delegacioni, i cili menjëherë do të
udhëtojë për Tetovë, Gostivar, Dibër, Tiranë dhe qendra të tjera shqiptare me
qëllim të informimit reciprok për situatën e përgjithshme shqiptare.
Konferenca për shkaqe sigurie zgjati dy ditë. Në fund të
saj pjesëmarrësit sollën vendimet si më
poshtë:
1.U themelua LKpÇB, e cila në të ardhmen do të angazhohet
që krahinat shqiptare të pushtuara nga okupatori bullgar, siç ishin Shkupi,
Kumanova, Gjilani dhe Presheva, të bashkohen me Shqipërinë Etnike,
2.Me qëllim të informimit sa më të gjerë, nga
pjesëmarrësit e kësaj Konference u formua delegacioni, i cili do të udhëtonte
për Tetovë, Gostivar, Dibër dhe Tiranë, ku do të bisedonte me autoritetet e
atjeshme shqiptare, përfshirë këtu edhe me krerët e qeverisë së Shqipërisë. Delegacionin
e udhëheq Shaban Jashari, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Abdullah Saqipi-Presheva
dhe Aqif Tetova.
Shaban Efendia (1900-1981)
Shaban Efendia,
lindi në vitin 1900, në Kumanovë, shkollën fillore e mbaron në gjuhën turke në
vendlindje me një sukses të lartë. Prindërit e Shabanit si arsimdashës,
menjëherë pasi e mbaron filloren, e regjistrojnë, në gjimnazin e ulët
“ruzhdie”, në Kumanovë. Edhe këtu ai tregon suksese të larta, ndërsa me ndihmën
e xhaxhait të vet, posa e kryen “ruzhdien”, regjistrohet në Medresenë private
të Kumanovës, drejtimi gjuhë arabe dhe persishte, të cilën me sukses e kryen në
vitin 1914.
Në kohën e Luftës së Parë Botërore, ku siç dihet,
Bullgaria, kishte okupuar një pjesë të madhe të trojeve shqiptare, përfshirë
këtu edhe Kumanovën, Shaban Efendiu, në pamundësi që ta vazhdojë shkollimin,
sepse okupatori bullgar nuk lejonte një gjë të tillë, ai, bashkërisht me
familjen e tij, vendoset në fshatin
Relan të Preshevës, duke u marrë me
bujqësi. Më vonë, në vitin 1916, arrestohet - respektivisht internohet, nga ana
e ushtrisë okupatore bullgare
Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe ripushtimit
të tokave shqiptare nga okupatori serbë, Shaban Efendiu, kthehet në Kumanovë
dhe menjëherë ndërmori aktivitete të ndryshme politiko-organizative, të cilat,
kryesisht u përqendruan në “vetëdijesimin e popullsisë shqiptare në regjionin e
gjerë të Kumanovës”, si edhe në “ndërprerjen e shpërnguljes” në këtë regjion,
vala e së cilës kishte marr karakter të një “pastrimi etnik”, sidomos kjo në
fshatrat shqiptare që shtriheshin mes Kumanovës dhe Kratovës. Menjëherë, posa
formohet “Xhemieti, ai jo vetëm që bëhet anëtar i kësaj partie, por madje bëhet
edhe një ndër udhëheqësit e saj në Kumanovë.
Lutfi Ahmet i(1904-1981)
Hafëz Lutfi Ahmeti u lind në Preshevë, më 1904, në një
familje arsimdashëse. Ai ka pasur arsimim fetar. Hfz Lutfi Ahmeti hoxhë i shkolluar, karrierën e mësuesit e
filloi në vitin 1946 në shkollën fillore shqipe në lokalet e Medresesë së re,
te Xhamia e Poshtme në Preshevë bashkë
me mësuesit Fejzi Ahmeti nga Lotovica, Kadrije (Qerimi) Kelmendi, Demirali
Ibrahimi, Shukri e Hilmi Qerimi dhe Mehmet Jusufi. Por, profesionin e mësuesisë
e ushtroi deri në vitin 1956, pastaj vazhdoi të ushtrojë detyrën e hoxhës.
Punën e vazhdoi si imam i Xhamisë së Vjetër, Ibrahim
Pasha, në qendër të qytetit dhe myfti në Preshevë. Me titull ishte Hafëz.
Hafëz Lutfi Ahmeti ishte njohës i mirë i rrethanave
politike, kulturore, arsimore të Preshevës e më gjerë. Sipas djalit, Sylejman
Ahmetit, Hfz Lutfi Ahmeti e filloi ta mbajë ofiqarin që nga vitit 1933 dhe të
parin e regjistroi djalin e tij, te lindur, Hfz Zihni Ahmetin. Hfz Lutfi Ahmeti
paska vërtetuar se Presheva ka marrë emrin si fushë e preshëve.Librat e
Ofiqarisë i mbajti deri pas Luftës së Dytë Botërore, gjegjësisht më 1945 i
dorëzoi në Ofiqarinë e komunës së Preshevës.
Hafëz Lutfiu ishte ndër themeluesit e LKpÇB dhe veprimtar
i denjë i kësaj Lëvizjeje atdhetare. Bënte pjesë në parinë e Preshevës dhe
gjithmonë ishte prezent sa herë që bisedohej apo vendosej për Preshevën. Në
jetë ishte me profesion hoxhë i xhamisë, por edhe dashamir i këngës, valles dhë
humorit. Me nje fjalë bohem i kohës.Vendndejat më të mira të tija me parinë e
Preshevës dhe shokët ishte Kafja e Xhavit Qorrit te lumi, pronë e Abdullah
Haxhi Velisë, rruga e Gjilanit dhe berberhania e Qani Ramadanit. Aty
mblidheshin kryesisht burrat e parisë së Preshevës, ku bisedonin për rrethanat politike dhe shoqërore të
Preshevës e më gjerë.
Sipas Sylejman Ahmetit, Në elitën preshevare bënin pjesë
: Esat Aga, më vonë djali i tij Halil Aga, Adem Kamberi, Ymer Efendiu, Hafëz
Beqiri dhe Abdullah Haxhi Veliu, te cilët shpesh rrinin në kafenë e Xhavit
Qorrit, te lumi, pron e Abdullah Haxhi Velisë, ku bisedonin për rrethanat politike
e shoqërore dhe bënin muhabet për përditshmërinë preshevare. Atyre i
bashkangjitej edhe ndonjë tjetër si Hafëz Lutfi Ahmeti e tjerë.
Jetoi dhe vdiq në Preshevë, më shtator të vitit 1981.
Abdullah Haxhi Veliu (1896-1969)
Abdullah Haxhi Veliu i
lindur më 18 shkurt 1896, para 115 vjetëvë, në Preshevë.
Abdullah Haxhi Veliu rjedh nga një familje e pasur
tregëtarësh të Preshevës. Edhepse ishte tregtar, për Abdullah Veliun, popullata
e Preshevës dhe më gjerë, sidomos Malësia e Preshevës gjithmonë foli fjalë të
mira. Abdullahu Veliu, jo vetëm që ishte humanist, ndihmonte popullatën e
varfër, ai ndihmoi edhe Lëvizjen kombëtare. Bile ishte ardhetar i devotshëm për
çështjen shqiptare.
“Abdullah Haxhi Veliu ishte themelues i Lëvizjes
Kombëtare për Çlrim dhe Bashkim të Trojeve Shqiptare, e cila u themelua më
1941, në Shkup. Abdullahu ishte një krerë nacionalist, intelektual i kohës dhe
figurë e nacionalizmës shqiptare, e cila gëzonte autoritet të madh tek
popullata shqiptare në Preshevë dhe më gjerë.”
Sipas disa informatave dhe dëshmitarëve thuhet se
Abdullah Veliu i mbante lidhjet e Komitetit të NDSH në rajonin e Preshevës me
Shaban Efendinë e Kumanovës.
Për punën e palodhshme atdhetare të Abdullah Veliut mori
vesh edhe policia bullgare. Andaj më gusht të vitit 1942, ajo e arrestoi
Abdullah Veliun me 28 qytetarë të tjerë të Preshevës, tregtarë dhe
personalitete të tjera, më me ndikim në radhët e shqiptarëve. Atëherë Nijazi
Kurbalia punonte sëbashku me Abdullah Veliun dhe kryente rolin e tregtarit, por
edhe mbante lidhjet në mes të anëtarëve të Lëvizjes Kombëtare. Me të marrë vesh
për burgosjen e Abdullah Veliut, ai shkon në shtëpinë e Shaban Efendisë, për të
intervenuar që të lirohet nga arresti Abdullahu. Shaban Efendia e merr shumë
seriozisht këtë punë, mirëpo për shkak se vet nuk mundi të shkonte në Shkup, ai
e luti Mulla Dullën e Kumanovës të shkojë deri në Shkup, për të intervenuar te
Hamit Kokollari, konsul i Ambasadës së Shqipërisë në Shkup. Më vonë, sigurisht
me intervenimin e tij u liruan të arrestuarit sipas listës së Shaban Efendisë.
“…Shaban Efendia në shtabin e Sylë Hotlës i dërgoi
njerëzit e tij më të afërt, siç ishin : Azem Hoxha, Mulla Hajdari, Adem Shiti,
Abdullah Veliu, Refik Tairi, Mulla Xhaferi etj.”
Këtu vërtetohet dhe qëndron rëndësia e atdhetarizmit të
Abdullah Veliut.
Në informatën e UDB-së së Bujanocit, gjerësisht
përshkruhet aktiviteti politik i Abdullah Veliut, veç tjerash thuhet :”Gjatë
kohës së reaksionit shqiptar nga shtatori deri në pjesën e dytë të nëntorit të
vitit 1944, ai u dallua si nacionalistë me vet faktin që ishte në reaksionin
shqiptarë. Ai nën flamurin e reaksionit shqiptarë doli mbi Preshevë, në fshatin
Buhiç, që ta presë ushtrinë shqiptare…Gjatë kohës së okupacionit ka udhëtuar
për Shkup. Qëllimi i udhëtimit nuk na është i njohur. E dimë vetëm atë se gjatë
kohës së okupacionit në këto ka ekzistuar Lëvizja e Bashkimit të këtyre viseve
me Shqipërinë.”
“Në shkurt të vitit 1945, pas LDB në Preshevë qëndronte
një atmosferë e pa durueshme, në realitet flitej e bisedohej se Presheva kujt
do t’i bashkangjitet, do të mbetet me Maqedoni apo do ta marre Serbia. Kështu
këto brenga i pati edhe Hafëz Luta me Hafëz Beqirin, të cilët shkuan në
shtëpinë e Ymer Efendiut dhe në prani të tij kërkuan nga Ali Aliu që t’i
mundësojë një takim me Abdullah Krashnicën. Pos këtyre, në këtë bisedë ishte
prezent edhe Abdullah Haxhi Velia. Në
bisedë i pari e mori fjalën Hafëz Beqiri, i cili tha se njerëzit nuk dojnë të
mbesin as me Maqedoni, po as me Serbi, por dojnë ti bashkangjiten Kosovës. Mirëpo
sipas kujtimeve të Ali Aliut, Abdullah Krashnica nuk i dha kurrfarë garance
lidhur me fatin e Preshevës. Kështu edhe mbaroi ai takim i shkurtit 1945.”
“Atëbotë, vila ishte ndërtesa më e bukur e lagjes tonë.
Kishte dhe shtëpi tjera, të larta e të ndritshme, por përtej mureve të tyre s’
kishte ndodhur asgjë që të konsiderohej
historike. Me vilën ndryshonte puna. Ajo s’ ishte “ historike”sepse
ishte e bardhë dhe dykatëshe, por sepse pronari i saj, Abdullah agë Velia, e
kishte pagëzuar me emrin e gocës së madhe, Letafetes. Kjo kishte ndodhë në
kohën e Kralit, kur Mbretëria Serbe bënte gjithçka që t’ i dëbonte
shqiptarët nga Presheva dhe aga Abdullah, si shqiptar që ishte, duhej t’i
shiste arat e të ikte në Turqi. Por ai nuk luajti nga vendi dhe atë kryeneçi
shqiptare e pagoi me lloj lloj gjobash.
Sa për fillim, të gjithë ata që kalonin atej pari, duke filluar nga bullgarët e
Car Borisit e deri te partizanët e Marshal Titos, e përdornin vilën si kuvli të
ushtarakëve të lartë. Sapo mbaroi Lufta e Dytë Botërore, vilën ”Letafet” e
konfiskuan organet e pushtetit lokal dhe banesat e saj ua dhanë arsimtarëve të
ardhur nga Vranja dhe Piroti. Më vonë, pas ikjes së këtyre të fundit, në katin
e saj të poshtëm ia behën edhe ca familje shqiptare. Në mezin e tyre ishte edhe
familja e Mark Gashit, referentit për arsim kulturë.”
Abdullah Haxhi Veliu tregtar i njohur në relacionin
Preshevë-Selanik, e ngulfasin forcat komuniste pas triumfit në LDB, i marrin, i
konfiskojnë, i nacionalizojmë shumë prona të tij.
Pas mbarimit të LDB, në Sekretariatin e Këshillit të
Frontit të Rrehit, z Abdullah Veliu nga Presheva, zgjidhet nënkryetar, edhepse
nuk ishte anëtar i Frontit, por pse gëzonte autoritet dhe popullaritetit në popullatën shqiptare.
“Abdullah Veliu ishte tregtar i madh, shiti një magazinë
të madhe në Shkup për ta ndihmuar vendin, popullatën shqiptare. Presheva është
e vogël, por ka njërëz të mëdhenj, Abdullah Veliun e tjerë. Ishte pronar i
“Villa Letafet” që e ndërtoi Abdullahu i Haxhi Velisë që më vonë luajti rolin e
shkollës së parë shqipe, ku Hilmi Qerimi (Recki), preshevarëve të vegjël ia
mësoi alfabetin e Manastirit.”
Me Abdullah Veliun në Preshevë e rrethinë lind borxhezia
e re, me te si pjesëtar i saj, borxhezia
nuk kishte për qëllim gllabërimin dhe shfrytëzimin e popullatës, por ndihmën e
saj. Për këtë humanizëm, edhepse nga mësimet teorike thuhet se borgjezia
asnjëherë nuk mendoi dhe praktikoi humanizëm ndaj popullatës, por tek Abdullah
Veliu kemi virtytet e humanistit dhe ndihmëtarit të popullatës. Për këtë flasin
shumë shembuj nga jeta e popullatës së Preshevës dhe Rrehinës. Shumë banorë të Malësisë së Preshevës
tregojnë për ndihmat që u bëri Abdullah Veliu kësaj popullate, duke i dhënë hua
në pare dhe mallra. Poashtu në bisedë më Haxhi Isa Latifin e ndjerë, mësova se
në vitin 1945 e ndihmoi me 4.ooo dinarë familjen e Ramadan dhe Qemal Begajve të
Abës Hazbije, të shkuar në Shkup, edhe ate për Ditën e Bajramit.
Për humanizmin e Abdullah Haxhi Velisë u vërtetua edhe
autori i këtyre rreshtave. Më 1977 isha drejtues i Universitetit të Punëtorëve
në Preshevë, në kuadër të cilit punonte edhe SHKA “Abdullah Krashnica”. Në
kuadër të saj ekzistonte edhe Grupi i Valltarëve, të cilit për koncerte i duhej
veshje kombëtare dhe plisat. Një ditë të vitit 1977, mora rrugën për Shkup dhe
drejt e në Bit-Pazar për të blerë plisa. Në dyqanin e parë që hyra më priti
shitësi me miredita. I tregova për blerjen e plisave dhe menjëherë ra pyetja
nga të kemi bre djalë. U përgjigja nga Presheva. Po bash nga Presheva. Po, i
thashë. Më tha : Burra të mirë ka Presheva. Nuk fola. Vazhdoi e tha, a e ke
njohur Abdullah Veliun. Ia ktheva, po. Me admirim të madh tha : Tregtar edhe i
ndershëm dhe tri herë e përsëriti. Më erdhi mirë, fjalë miradije. Pastaj pyeti
për familjen, për dy djemtë e Abdullah Veliut. Ky ishte Ibrahim Meça, djali i
Hetem Meçës, tregtar në Preshevë me Abdullah Krashnicën dhe atdhetar i njohur.
E ndihmoi Lëvizjen kombëtare, por edhe Luftën Atifashiste në Preshevë.
Udhëtimi i delegacionit të LKpÇB në
Tiranë
Në Konferencën e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe
Bashkim të Trojeve Shqiptare me Shqipërinë, në “Bojali Han” të Shkupit, më 19
prill 1941 pos tjerave u diskutua edhe për formimin e një delegacioni, i cli do
të udhëtonte për Shqipëri. Delegacioni do ta njoftonte pushtetin shqiptar me
zullumin e popullatës në trojet shqiptare nën pushtimin e Bullgarisë fashiste
dhe kërkesën Shqiptarëve tëe Trojeve Shqiptare : Shkup, Kumanovë, Preshevë dhe
Gjilan për Bashkim me Shqipërinë Etnike.
Delegacioni u formnua në përbërje të Shaban Efendisë,
Abdullah Saqipit-Presheva dhe Aqif Tetovës.
Shpenzimet e rrugës i hoqën dhe i siguruan : Abdullah
Veliu nga Presheva dha 4.ooo dinarë, Shaban Efendia dha 700 dinarë, ndërsa
Abdullah Saqipi dhe Aqif Tetova i siguruan shpenzimet e rrugës nga burimet vetanake.
Delegacioni i përmendur gjatë rrugës u ndalën në Tetovë,
tek Shuaip Kamberi, ku biseduan për situatën politike në rajon. Këtu
delegacionit iu bashkangjit edhe Udriz Ymeri nga Tetova. Më vonë, delegacionit
rrugës për Tiranë iu bashkua edhe përfaqsuesi i Gostivarit, Kadri Salihu.
Në Tiranë kishin arritur të takoshin me këta persona
zyrtarë : Fuat Dibra, këshilltar politik në qeveri, Shefqet Vërlaci, kryetar i
Qeverisë së Atëhershme, i cili, pasi
delegacioni ia elaboroi situatën, nuk u tregua shumë i entuziazmuar për
kërkesat e delegacionit, shprehu njëfarë indiference sikur edhe të tjerët
zyrtarë, Avni Gjilani, pensionist, këshilltar politik në qeveri, Memedali
Gjilani, ish nëpunës, Ramadan Kosova, ish kapiten i Ushtrisë Zogiste, Zeqir
Rexha, profesor në Gjimnazin e Tiranës, Ahmet Gashi, profesor në Normalen e
Tiranës, Maliq Bushati, ministër i punëve të brendshme të qeverisë shqiptare.
Delegacioni kishte ngelur disa ditë në Tiranë dhe pastaj
kishte marrë rrugën për Preshevë, Kumanovë e Shkup nëpërmjet Kosovës. Me ta për
Kosovë kishin ardhur edhe shumë mësues
nga Tirana.
Demonstratat e Shkupit, më 10 maj
1941
Gjatë udhëtimit për në Shkup, delegacioni njoftohet se
autoritetet ushtarako-policore bullgare janë duke kryer një terror të paparë
ndaj popullatës shqiptare, në Shkup, Kumanovë dhe në Preshevë. Një informacion
të tillë, atyre u kishte arritur, madje, edhe gjatë qëndrimit të tyre në
Prizren. Shumë qytetarë të këtyre rretheve, kishin shkuar në Prizren: "për
tu ankuar kundër terrorit bullgar. Kjo sjellje barbare e okupatorit fashist
bullgar, kishte arritur deri në atë shkallë, saqë një pjesë e madhe e familjeve
shqiptare, i kishin lëshuar shtëpitë e tyre, duke u strehuar në vende më të
sigurta. Situata e krijuar në krahinat shqiptare, nën pushtimin bullgar, e
kishin detyruar inteligjencën e atëhershme shqiptare të aktivizohet. Kjo shihet
edhe nga fakti, se një numër i konsiderueshëm i tyre, shumica ish- studentë të
universiteteve të Beogradit dhe Zagrebit, kishin ardhur në Shkup dhe me padurim
pritnin ardhjen e delegacionit të Lëvizjës për Bashkim të Trojeve
Shqiptare(LpBTSH).
Përderisa delegacioni i LpBTSH, qëndroi në Tiranë, krahas
takimeve protokollare, që patën me zyrtarët më të lartë të qeverisë shqiptare,
ata disa herë do të takohen edhe me Rexhep Stablen, një zyrtar i lartë i
konsullatës shqiptare në Shkup, i cili në këtë kohë qëndronte në Tiranë. Këto
takime me diplomatin shqiptar, nuk ishin të rastësishme, përkundrazi, mirë të
paramenduara, sepse, Shaban Efendiu, me të njihej që nga viti 1935, kur Rexhepi
ishte konsull i Shqipërisë në Shkup. Në këto takime u bisedua për situatën e
përgjithshme shqiptare, posaçërisht për territoret që ishin nën administrimin
bullgar. Duke biseduar rreth kësaj çështjeje, kishin ardhur në përfundim, se
nevojitet një aktivitet më i dendur, si nga ana e LpBTSH, po ashtu edhe nga
zyrtarët e konsullatës shqiptare në Shkup. Në kuadër të kësaj, ata gjithashtu
janë pajtuar që aktiviteti i tyre të fokusohet në dy drejtime edhe atë:
“organizimi i popullatës shqiptare si
dhe zhvillimi i një fushate propaganduese, e cila fushatë do ta demaskonte tërë
propagandën bullgare, pretendimet e së cilës nuk ishin vetëm marrja e krahinave
të Shkupit, Kumanovës dhe të Preshevës, por edhe Maqedoninë Perëndimore,
Kosovën, madje edhe disa krahina të Shqipërisë londineze.”
Delegacioni posa kthehet në Shkup, mban mbledhje në
Bojali Han, ku krahas themeluesvë të LKpÇB marrin pjesë edhe shumë intelektualë
të tjerë shqiptarë. Në këtë mbledhje vendoset që në Shkup të organizohen demonstrata
mbarëkombëtare, në të cilat do të kërkohet që Shkupi, Kumanova, Presheva dhe
Gjilani t’i bashkohen Shqipërisë Etnike.
Menjëherë prijësit e LKpÇB u shpërndanë nëpër krahinat
shqiptare për të propaguar unitet dhe vendosmëri deri në arritjen e qëllimit
kryesor, bashkimit kombëtar. Popullata shqiptare u furnizua me plisa nga
prijësit e LKpÇB. Por ky aktivitet nuk mbeti pa u hetuar nga policia bullgare,
e cila ndërmori masa për ta ndaluar këtë aktiviteët, por nuk pati sukses.
Kështu më 10 maj 1941 u organizuan Demonstratat Shqiptare
në Shkup, për të cilat deri tani thuhej se janë organizuar në mënyrë spontane
edhe atë nga Shaip Mustafa. Ato u organizuan nga LKpÇB e Tokave Shqiptare, në
krye të së cilës qëndronin: Shaip Mustafa, Shaban Efendia, Hafëz Lutfi Ahmeti,
Jahja Osmani, Abdulla Veliu, Aqif Tetova, Idriz Ymeri, Shaip kamberi, Xhafer
Sylejmani si dhe shumë intelektualë të tjerë shqiptarë.
Demonstratat në Shkup erdhën menjeherë pasi delegacioni i
LPBTSH u kthye nga Tirana.
Pra, më 10 maj 1941 u caktua data e Demonstratave, ndërsa
demonstruesit shqiptarë u nisën nga
Bojali Hani, qendra e Lëvizjes Kombëtare. Demonstruesit mbanin plisa të bardhë
dhe pankarta të shkruara: “Shkupi, Kumanova Shqiptare” Demonstruesve në
ndërkohë iu bashkangjitën edhe profesorët dhe nxënësit e Medresesë “Gazi Isa
Beu”, të cilët sëbashku nga Bojali Hani, nëpër qendrën e Shkupit, ndalen në
Urën e Gurit dhe aty e vejnë flamurin shqiptar.
Shaip Mustafa ishte vetëm njëri ndër organizatorët, por
jo edhe kryeorganizatori, sepse këtë epitet e mban Lëvizja Kombëtare për
Bashkim të Trojeve Shqiptare(LKpBTSH).
Këtë e dëshmon edhe UDB-a jugosllave, e cila kur shkruan
për Shaip Mustafën thekson : “Shaip Ibrahim Mustafa nga Presheva, gjatë kohës
së okupacionit ishte agjitator i propagandës dhe kundërzbulimit itali-shqiptar
në Shkup dhe njëri ndër organizatorët e aksionit të muajit maj 1941.”
Po të njëjtin konstatim e bënë edhe Lazar Kolishevski për
Shaip Mustafën në librin e tij.
Themelimi i NDSH në Preshevë
Nacionalistët shqiptarë assesi nuk mund ta pranonin
realitetin e krijuar, prandaj vazhduan organizimin e tyre, i cili si qëllim
kishte luftën për bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një shtet etnik
shqiptar.
Nga mesi i prillit të vitit 1945-së, celulat politike të
lëvizjes së rezistencës u shndërruan në Njësitë e Ushtrisë Popullore të
Organizatës Nacionale Demokratike Shqiptare të NDSH-së, përkatësisht të
“Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare.”
Në bazë të të dhënave të NDSH-së, veprimin e saj në
Luginë të Preshevës e kishte shtrirë nëpërmjet Komitetit të NDSH-së, në Shkup.
“Unë i përkisja organizatës së NDSH-së për Preshevë e
Bujanoc. Aktivitetet e para i kemi shtrirë këtu në bashkëpunim me Azem Maranën,
me të cilin kemi qenë nxënës në Medresenë e Isa Begut në Shkup. Në grup me mua
kanë qenë të kyçur edhe disa aktivistë nga Tërnoci i Madh. Së pari, në Shkup,
organet e sigurimit kanë burgosur një grup të madh shqiptarësh me në krye me
Azem Maranën, të cilin e dënuan me pushkatim, ndërsa më vonë u burgosëm edhe
ne. Unë u dënova me 31 muaj burg, të cilat i mbajta në Stara Gradishkë të
Kroacisë dhe në Nish të Serbisë”, - sqaron njëri prej anëtarëve të parë të
NDSH-së, në Luginë të Preshevës, Hilmi Qerimi.
Njëri prej prijësve të NDSH-së, njëherësh edhe udhëheqësi
më i njohur i kësaj organizate, ishte Gjon Sereçi (1920 –1947) vetë kishte
qëndruar në trevat e Luginës së Preshevës, më saktësisht në Tërnoc të Madh afër
Bujanocit. Qëllimi i qëndrimit ishte shtrirja e aktivitetit të NDSH-së edhe në
këto treva.
Atëherë, sekretar Komiteti i NDSH-së, për këto treva
ishte emëruar Zita Lushi, komandat batalioni, Aziz Maliqi dhe komandant
xhandarmërie, Rexhep Salihu nga Presheva, që pas vuajtjes së dënimit me burg me
vite të tëra, punoi si mësues në Preshevë dhe rrethinë.
Gjatë pranverës së vitit 1957-të, Metush Krasniqi do ta
formojë Partinë Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë.
Metush Krasniqi lindi më 19 gusht 1928-të në fshatin Dajkoc të Kamenicës.
Krasniqi njëherësh është edhe veprimtari i parë kosovar që pas LDB-së, dhe pas
dobësimit së NDSH-së, do ta shtrijë aktivitetin e organizatës së tij në trevat
e Luginës së Preshevës. Mirëpo, si me rastin e veprimit të NDSH-së, edhe Partia
Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë veprimtarinë e
saj do ta fillojë nga Shkupi. Gjatë vitit 1957-të, Metush Krasniqi me
bashkëpunëtorët e tij, Mark Gashi, nëpunës në Këshillin Komunal të Preshevës,
Sejdi Kryeziun e Qemal Kallabën mbajtën mbledhje në Shkup. Në këtë mbledhje ata
vendosën që nëpërmes propagandës e me anë të trakteve, parullave, pamfletave e
formave tjera ilegale e legale të pengojnë ikjen e shqiptarëve për Turqi. Në
këtë mbledhje u shqyrtua mundësia që të vendoseshin lidhje me përfaqësuesit e
disa konsullatave në Shkup e të ambasadave të huaja në Beograd, nga të cilat do
të kërkohej ndihma dhe përkrahja e tyre morale e politike. Kështu, Mark Gashi u
ngarkua që përmes miqëve të tij të vendoste lidhje me përfaqësuesit diplomatikë
të shteteve perëndimore në Shkup dhe në Beograd. Por, nuk kishte kaluar as një
muaj, aktiviteti i organizatës u shtri edhe në Preshevë. Takimi i dytë i
Organizatës ilegale ndodhi në Preshevë, në shtëpinë e Mark Gashit, në korrik të
vitit 1958, ku moren pjesë shumë veprimtarë të devotshëm të këtij rajoni. U
bisedua për masovizimin e kësaj organizate. Mirëpo, edhe kjo organizatë u
zbulua, veprimtarët u burgosën dhe kështu dështoi edhe një tentim i bashkimit
kombëtar.
Më 3 nëntor 1958-të u burgos Metush Krasniqi, ndërsa në
Preshevë, më 2 nëntor 1958-të u burgos Mark Gashi. Gjykimi i Metush Krasniqit
dhe i bashkëmendimtarëve të tij, filloi më 1 mars 1959 në Gjykatën e Qarkut në
Gjilan. Më 7 mars në Gjilan u shqiptua dënimi. Metush Krasniqi u dënua me 18 vite
burg të rëndë dhe 3 vite kufizim të të drejtave qytetare, Mark Gashi e Sejdi
Kryeziu u dënuan me 10 vjet burg dhe 2 vjet kufizim të të drejtave qyetare,
Mehmet Dërmakun me 2 vjet burg dhe Qemal Kallaba e Mehmet Ajeti, me nga një vit
e gjysmë burg.
Në mbarim të vitit 1947 dhe në fillim të vitit 1948 në
Rajonin e Preshevës dhe Bujanocit , nën pretekst se kanë zhvilluar aktivitet
illegal kundër pushtetit popullor jugosllav, Shërbimi sekret jugosllav arrestoi
shumë personalitete me peshë në këtë pjesë të truallit shqiptar edhe atë:
Myftiun e Preshevës Lutfi Ahmetin, tregtarin dhe atdhetarin e njohur të kësaj
ane Abdulla Veliun, Nijazi Nuhiun nga Kurbalia, Ahmed Ibraim Hajrullahun nga
Presheva, Shaip Latifin, Jusuf Shabanin, Nazmi Mustafën, Nijazi -Azi Kamberin,
etj. Sipas burimeve të UDB-së, të gjithë këta, kanë qenë anëtarë të Organizatës
Nacional Demokratike Shqiptare dhe se kanë zhvilluar propagandë antijugosllave.
Abdullah Haxhi Veliu(1896-1969)
Abdullah Haxhi Veliu i
lindur më 18 shkurt 1896, para 115 vjetëvë, në Preshevë.
Abdullah Haxhi Veliu rjedh nga një familje e pasur
tregëtarësh të Preshevës. Edhepse ishte tregtar, për Abdullah Veliun, popullata
e Preshevës dhe më gjerë, sidomos Malësia e Preshevës gjithmonë foli fjalë të
mira. Abdullahu Veliu, jo vetëm që ishte humanist, ndihmonte popullatën e
varfër, ai ndihmoi edhe Lëvizjen kombëtare. Bile ishte ardhetar i devotshëm për
çështjen shqiptare.
“Abdullah Haxhi Veliu ishte themelues i Lëvizjes
Kombëtare për Çlrim dhe Bashkim të Trojeve Shqiptare, e cila u themelua më
1941, në Shkup. Abdullahu ishte një krerë nacionalist, intelektual i kohës dhe
figurë e nacionalizmës shqiptare, e cila gëzonte autoritet të madh tek
popullata shqiptare në Preshevë dhe më gjerë.”
Sipas disa informatave dhe dëshmitarëve thuhet se
Abdullah Veliu i mbante lidhjet e Komitetit të NDSH në rajonin e Preshevës me
Shaban Efendinë e Kumanovës.
Për punën e palodhshme atdhetare të Abdullah Veliut mori
vesh edhe policia bullgare. Andaj më gusht të vitit 1942, ajo e arrestoi
Abdullah Veliun me 28 qytetarë të tjerë të Preshevës, tregtarë dhe
personalitete të tjera, më me ndikim në radhët e shqiptarëve. Atëherë Nijazi
Kurbalia punonte sëbashku me Abdullah Veliun dhe kryente rolin e tregtarit, por
edhe mbante lidhjet në mes të anëtarëve të Lëvizjes Kombëtare. Me të marrë vesh
për burgosjen e Abdullah Veliut, ai shkon në shtëpinë e Shaban Efendisë, për të
intervenuar që të lirohet nga arresti Abdullahu. Shaban Efendia e merr shumë
seriozisht këtë punë, mirëpo për shkak se vet nuk mundi të shkonte në Shkup, ai
e luti Mulla Dullën e Kumanovës të shkojë deri në Shkup, për të intervenuar te
Hamit Kokollari, konsul i Ambasadës së Shqipërisë në Shkup. Më vonë, sigurisht
me intervenimin e tij u liruan të arrestuarit sipas listës së Shaban Efendisë.
Punën e vazhdoi në Kumanovë, ku punoi deri në pensionim
më 1985. Jetoi në Kumanovë dhe vdiq më 2010.
Mark Gashi (1900-1990)
U lind në Selishtë të Karadakut, më 1910. Shkollën
fillore e kreu në Zhegër, gjimnazin në Gjilan, Vranjë e Shkup, studioi edhe në
Akademinë Ushtarake dhe ishte njëri nga pilotët e rrallë shqiptarë. Mirëpo pas
një letre denoncuese të një të afërmi nga Shqipëria, pushohet nga puna. Në
kohën e Luftës së Dytë Botërore arrestohet nga italianët, ndërsa pas LDB nga
pushteti jugosllav dënohët si pjesëtar i Ballit Kombëtar. Pas vuajtjes së
dënimit kthehet në vendlindje dhe prej
vitit 1950 punon si mësues në Caravajkë të Preshevës. Më pas kryen detyrën e
përgjegjësit të arsimit në komunën e Preshevës dhe hap shkollat e reja në
Kurexh, Terziaj, Dunav, Maxhere dhe Ilincë. Mirëpo kjo veprimtari arsimore dhe
patriotike, anëtar i NDSH për Preshevë, u pengonte organeve të pushtetit
serbo-sllav. Marko Gashi u burgos dhe pas vuajtjes së dënimit nuk e lejuan të kthehej
në arsim. Pastaj Marko bashkë me të shoqen Çiçelinë, poashtu mësuese shërbyen
në Preshevë e Miratoc. U shpërngul në Bosnje e pastaj në Maqedoni,ku edhe vdiq
më 1990. Djali i tij ishte Mirk Gashi, poet i njohur dhe nipi Antonio Gashi,
violinçelist i njohur në Kosovë.
Historia ynë ka qënë e kursyer me veprimtarinë e Mark
Gashit, njërit nga bashkëpunëtorët më besnik të Metush Krasniqit. Marku ishte i
martuar dhe kishte katër fëmijë: një djalë e tri vajza. Për arsye konspirative
dhe për t’ i mbuluar lidhjet e tij me”Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e
Trojeve Shqiptare”, ai i kishte regjistruar fëmijët në paralelen serbe. Kjo
s’ishte aq e tmerrshme, sepse bashkshortja e Markut ishte nga Kraleva.
“Një ditë, kur ai po kthehej nga një takim që kish patur
me përfaqsuesin e Legatës Italiane në Shkup, UDB-a e arrestoi në tren dhe Marku
u dënua me 11 vjet burgim të rëndë.
Por fati qenka shumë kapriçioz. Pak kohë pas arrestimit të Markut vdes
bashkëshortja e tij dhe lë katër jetimë. Më i madhi prej tyre është Mirku, më e
vogla Elizabeta. S’ ka mëdyshje se gjendja shpirtërore e fëmijve Gashi ishte
rrënqethëse, por falë solidaritetit të shquar shqiptar, të cilin e kam
përshkruar edhe në romanin ”Stina e emrave të bukur”, halli i tyre u zgjodh më
mirë seç mendonte Udba. Një ditë, kur askush s’ e priste ardhjen e saj, n’
oborrin e vilës “Letafet” ateroi një engjull me rroba të bardha e bistekë të
gjatë. Ishte kjo zonja Çeçilia, gruaja e dytë e Markut, që kishte ardhur për t’
ia ruajtur fëmijët dhe për ta pritur nga burgu. Atë detyrë ajo e mbaroi në
mënyrë shembullore.”