Kulturë
Zejnepe Alili - Rexhepi: Agim Mato - I them trishtimit
E shtune, 06.11.2021, 04:55 PM
ZËRI UNIKAL POETIK NË
POEZINË “I THEM TRISHTIMIT”, të Agim Matos
Nga
Prof. Dr. Zejnepe ALILI REXHEPI
Në
vargjet e poezisë “I them trishtimit”, përmes një zëri të thellë e unikal,
shpaloset pleksja e një frymëzimi të trishtë ngjarjesh reale dhe metafora e një
ishulli të mohuar - Sarandës, atje tej, në jug, midis dallgëve të Jonit.
Identiteti
i zërit poetik, i quajtur Agim Mato, më impresionon çdo ditë e më shumë,
ndonëse në vargun e tij është rrënjosur: dhembja, tëhuajësimi jetësor
individual e më gjerë, trishtimi për Atdheun dhe fatin e poetit në këtë vend
censurash. Ky dramaticitet vargjesh të përkujton po këtë ishull, ku poeti është
privuar të shijojë lirinë. Poezia e Matos, nuk përmban vetëm radhitje
vargjesh…, por ato janë referenca, se si në të vërtetë, poeti të ngjitet
lartësive të kështjellës, ku imanenca poetike është më e fuqishme se vetëm një
mesazh, a një metaforë e rastësishme që vendoset në vargje.
Thellësia
e mendimit dhe estetika e vargjeve në poezinë “I them trishtimit”, më shtyri ta
lexoj disa herë. Pa mohuar, që tani më, i kisha lexuar në një formë të
fragmentarizuar poezitë e Matos, por kjo poezi më bëri që të gjurmoj
thellësisht poezinë e tij, sepse mesazhet e thella më nxisnin drejt këtij
synimi. Rezulton të jetë biografike kjo poezi e Matos…, poet i sfidave që i ka
mbijetuar Ideologjisë, apo jo!?
Një
përshkrim që tipizohet në këto vargje: “Duhet të ulësh kokën, më thoshnin
zyrtarët, / shkallët e shoqërisë s’ke për t’i ngjitur,/fati në jetë të është
caktuar qyshse ke lindur”! “Isha nxirrosur i tëri. Asgjë nuk më shijonte. Me ca
palo/ngjyra e shihja botën. Për vite e vite isha/i dëbuar nga gëzimet, me
humorin e hidhur në buzë,/i ngushëlluar vetëm me detin që më shoqëronte!
Poezia
“I them trishtimi” e sjellë si tërësi:
I them trishtimit
I them trishtimit:
“Mos m’u qas!”
Sa vjet ma mbajte të
pushtuar shpirtin, duke zënë gjithë
hapësirat brenda meje,
si një oktapodh i rritur
së tepërmi, që nuk del dot nga
guva ku ka hyrë!
Duhet të ulësh kokën, më
thoshnin zyrtarët,
shkallët e shoqërisë
s’ke për t’i ngjitur,
fati në jetë të është
caktuar qyshse ke lindur.
Isha nxirrosur i tëri.
Asgjë nuk më shijonte. Me ca palo
ngjyra e shihja botën.
Për vite e vite isha
i dëbuar nga gëzimet, me
humorin e hidhur në buzë,
i ngushëlluar vetëm me
detin që më shoqëronte!
Të bërë copa copa, të
nxorra nga vetja, aty përmbi
furinë e dallgëve,
si pijanecët që vjellin
ushqimin dhe sakaq u lehtësova,
gërthita duke shprazur
mushkritë, me spazma,
sa që jehona u kthye e
më përplasi tek palmat.
U ndjeva një Promete i
liruar nga prangat.
Po tani që troket
pleqëria, mos mu qas, trishtim!
Nuk e kam më forcën për
të të mposhtur,
të hyj në dyluftim me
ty.
Jam vetëm njeri,
poet, gjithsesi!
Ç’dreqin më ka gjetë me
perënditë, nuk e di!
Nga
analiza e kësaj poezie, sikur dalin në pah synimet parodizuese të autorit, ku
natyrshëm vihet re edhe një pohim ironik, se kur shkrimtarët nuk janë të
dëgjueshëm, duhet të dëbohen.
Vargjet
e poezisë njohin ndërtimin e një logjike të pastër, që në një farë forme janë
dhe lajtmotiv i poetit, që do të nënkuptonte se nuk është e mjaftueshme vetëm
të duash diçka, por duhet edhe ta realizosh atë. Kjo bindje, e përplas poetin
me ideologjitë, sepse mendimet rebele të një artisti, gjithmonë paraqesin
rrezik për sigurinë e regjimeve politike.
Është
kjo si njëfarë garancie se idetë e Matos janë tejpërçuese, për të na dhënë të
kuptojmë se forcat kontradiktore e lodhin shoqërinë dhe sigurisht ia presin
rrugën artit. Në këto raste e ka të vështirë të mbijetojë edhe poeti, meqenëse
ai, më shumë se veten e tij, e çmon lirinë e mendimit!