E marte, 20.04.2021, 11:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Satira nga Sevdail Hyseni

E hene, 05.04.2021, 09:59 AM


Sevdail Hyseni

Bujanoci fantastik

Kush vjen n’Bujanoc

Nuk kthehet pas,

Mendon se ka ardhur

Në Las Vegas..!

Kazino e bastore

Gjithandej pa fund,

Qari dhe zarari

S’përputhen askund!

Shkëlqen Bujanoci

Me lloj-lloj ngjyra,

Na dalin por(dh)talet

Me një mijë fytyra !

Të cilat s’i shohin

Llambat pandemike,

Sepse janë ngulfatur

Me paranë publike!

Me ndihmë të pushtetit

Që s’i lë pas dore,

Për të përfunduar

Drejt e në bastore !

Presheva “Voton”!

Ky vikend fund-marsi

Sjell një tjetër mësim,

Presheva “Voton”

Për më shumë ndryshim!

Po si të ndryshohet

Kjo Presheva jonë,

Kur ka plasur sherri

Në çdo katër anë!

Shqiptari – shqiptarin

S’e do në Qeveri…

Deri sa të ndahet

N’katundarë dhe zorraxhi!

Kjo logjikë e sëmurë

Nuk shërohet lehtë,

S’e kishim Filipin

Dikur në pushtet?!

Këtë e di çdo kush

Veç ata me hile,

Të cilët s’e duan

Preshevën  stabile!

Sloganet: “Krejt ndryshe”

“Fjala-fjalë në kandar,

“Unë jom me Preshevën”

“Autokton dhe krenar”!

Ndaj e diela vjen

Që nesër n’mëngjes,

N’vendvotime fshihet

Një botë interes!

Kujdes edhe votat

Të ngelin në fyt,

Sidomos të zezat

Me firmën “Kovid”!

Portret që flet

Portreti yt

N’pëlhurë dhe n’letër,

S’na hyn në punë

As sot as nesër!

T’shohim ngaherë

Me krupë e vrer,

Surrat, surrogat

As njeri as lugat!

Portret jashtë “kanuni”

Si prapanicë majmuni,

I ngërdhesh publikut

Me pamjen e mikut !

Vallë është e mundur

Thotë mendja e lëkundur:

Ka gjë të vërtetë

Vdekurgjallë në jetë?!

Ky portret në mur

Stuhi – katrahurë…

Se ç’fodull i fryrë

Që t’a pështysh n’fytyrë!

Dita e Mësuesit

Për çdo vjet o mësuesi im

E ke hise një shpërblim,

N’formë letre hiç më shumë

Që s’i hi askujt në punë!

Aq më pak atyre n’pushtet

Nuk e rruajnë për alfabet,

As për mësues për dituri

Rroftë partia në Qeveri!

I kanë gjitha rend me rend

Nuk u shkon hiç në mend,

Për Ditë Mësuesi tek e tuk

Veç urimit në fejzbuk!

Të përbuzin nga çdo anë

E nuk janë aspak pishman,

Kur të quajnë pa asnjë hall

Mësues të  keq dhe Daskall!

Fajet vet i ke or mësues

Për veprimin tolerues,

Dje një notë, sot një votë,

Duke ecur në tri rrotë!

Pa e gjetur veten fare

As në festat qytetare,

Sepse m’falë o mësuesi im

N’politikë po marrim mësim!

PËRPUTHJET

Nuk përputhen sendet

Si në Show program,

Por, me vese e huqe

Mbushur me “haram”!

Përvoja na mëson

Sa për sy e faqe,

Mu ashtu si morri

Kur rri nën mustaqe!

Përputhjet nuk duken

Jo rrallë në dashuri,

Veçmas në politikë

Më shumë në tregti!

Nëpër çdo përputhje

Vdes nga një “besë”,

Prapa tyre fshihet

Një botë interes!

Pushteti plus seksi

Bashkë me paranë,

A s’është trekëndëshi

Që sundon dynjanë?!

Na shkoi kjo jetë

Përputh e përshtati,

Na rru’n pa sapun

Dreqi për së thati!

VAKSINA

Ngarendën liderët

Si t’ishin në gara,

Kush do t’i marrë

Vaksinat e para?!

Ato më të mirat

Me firmë gjermane,

Pastaj dhe të tjerat

Krejt amerikane!

E për qytetarët

T’rusit dhe kinezit,

Me majën e shkurt

Si sqep i këndesit!

Populli nuk mërzitet

Duket ashiqare....

E pret një vaksinë

Me firmën shqiptare!

E cila do të vijë

Patjetër një ditë,

Kur ne të shkojmë

N’amshim për vizitë!

Më falni për shprehjen

Me nder me thënë kot,

A s’jemi shqiptarët

Më të fortë në botë?!

Kur ditëm ta sjellim

Viagrën në jetë,

Do ta sjellim shqip

Vaksinën n’planet!

Çmendet Beogradi,

Vërsulet me ngut,

Termin “shiptari”

E fut n’Kushtetutë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora