E marte, 26.01.2021, 01:07 PM (GMT)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Mëngjes buzëqeshje dhe mesditë shprese

E premte, 08.01.2021, 09:38 AM


Kristaq Turtulli

Mëngjes buzëqeshje dhe mesditë shprese...

Poemth elegji kushtuar vellait tim që ndërroi jetë para disa ditësh...

Në një qytet që laget nga deti,

Ku lundrojnë plot hijeshi mjellma,

Por dhe çafka grifsha.

Ku këndoi me lirë Homeri,

Ku luajti tradegjitë Eskili,

Ku qeshi dhe ironizoi Aristofani,

Ku martirizoi të bijën Agamemnoni,

Ku ka shumë diell por e hidhni,

Jetoi im vëlla, Fredi,

Fisniku, këngëtari, i bukuri, zemërarti.

Iku prej vëndlindjes, jo s’e donte,

Por në qiellin e kaltër kishte rrufe

Dhe shumë re,

Vetëtima, kur shpresonte një ditë të re.

Çdo mbrëmje ngjitej në malin e lartë,

Ku dremisin perënditë.

Mbi krye rrethohej me yje,

I lidhte, i bënte kordele.

Ju a dhuronte të vobektëve,

Për ëndrrën e bardhë.

Zë bas-bariton serenadë këndonte,

Malli jehonë e përcillte,

Të sillte të ëmblën, të bukurën Korçë, pranë,

Parisin e vogël, bërë nga të parët tanë.

Vëllai ishte Ajaks dhe Akil më vete.

Kometën zjarrtë e lidhte në qafë, si kravatë,

Ashtu si dikur im atë,

Dhuronte mirësi e këndonte.

Pranë kishte një muzë dhe të vjetrën kitarë.

Çjerrë prej dhëmbëve të ligësisë...

Nëse gjendej diku ëndrra e kristaltë,

Sigurisht, vëllai do e mbante në dorë

Ta zgjonte, përkundte,

Zë bukur çelte mijëra dritare.

Me djersë ndershmërie

Larg, në brigje Greqie.

Në mëngjes, krihej pa gdhirë,

Me krehrin e pishave.

Lahej me ujin e kripur të detit Egje.

Shpërndante urtësi dhe mall dashurie.

Ligësitë i lidhte nyje.

Penjuarin e zbërthyer së vjeshtës së vonë

Flakje tutje.

Vëllai ishte krenaria, jo mjerimi.

Në dreq të venë, u këputën telat e buzukëve,

Iu thyen kokallat kuajve të lashtë,

Në bark mbajnë tradhtinë.

Vëlla s’kishte borxhe,

Vetëm qiell kaltërsie në sy kishte,

Të ankohej, urreje s’dinte.

Bukën ngjyente,

Në lëngun e sheqertë të mirësisë,

Vetëm të këndonte dinte, të dashuronte...

Rrugicat e dashura të fëmijërisë dhe rinisë,

Ku këndove dhe dashurove,

U lënduan, drithërimë zemre,

Dërguan, puthje lamtumire,

Shpirt hapur trashëgimie.

Vëlla s’ishe trojan të kapërdije pabesinë,

Të digjte shtëpinë.

Edhe pse vure nën këmbë Ajaks dhe Akilë,

Modest mbete, fisnik siç ishe,

Mëngjes buzëqeshje dhe mesditë shprese...

Miq të nderuar, ju përshëndes dhe ju falënderoj. Në shenjë mirënjohje po hedh për ju një moment nga jeta e të ndjerit vëlla.

VËLLAI DHE ROZMARIA

Ishte fundi i vitit 1989, më lajmërojnë të shkoj në Tiranë për të tërhequr çmimin vjetor të akorduar nga revista nëntori për novelën ANA.

Mbas ceremonisë e ndarjes së çmimeve të organizuar në sallën e madhe të Lidhjes së Shkrimtarëve. Me disa miq shkoj në klubin e lidhjes për ta festuar çmimin. Më afrohet një zonjë e hijshme me buzëqeshje të bukur. Më zgjat dorën topolake dhe më pyet:

-Më falni, Kristaq Turtulli, apo jo:

-Po.

- Urime për çmimin.

- Faleminderit.

-Nga mbiemri duhet të jeni Korça, hë?

-Po nga Korça,- i them.

-Të njihemi, quhem Rozmari Jorganxhi.

I kisha dëgjuar emrin kësaj gruaje të lartë, mjeshtren e korit. Im atë atin e saj Gaqo Jorganxhiun e kishte mik.

-Mbiemri juaj një kujton një djalë jashtëzakonisht të talentuar,- më tha.

-Po...

-Kanë kaluar vite qysh atëherë, por nuk mund ta harroj kurrë atë zë të mrekullueshëm. Më kujtohet si tani. Sa përfundova  provat e korit dhe dola e lodhur në korridor. Befas nga dhoma ngjitur dëgjova një zë bas-bariton të mrekullueshëm që më shtangu. Dikush më fliste, ia bëra me shenjë të heshte. Prita derisa përfundoi zëri së kënduari, hapa derën dhe hyra brenda. Pranë pianos pashë një djalosh të pashëm dhe fare të ri.

-Juve këndonit? - pyeta djaloshin.

-Po.

-Nga jeni dhe si quheni?

-Jam nga Korça dhe quhem Alfred Turtulli.

- Ah, jeni prej të TURTUJVE.

-Po, jam prej të Turtujve.

- More djalë, e dini që keni zë të rrallë, të mrekullueshëm,- i thashë,- Që sot do bëj kërkesë tu marrin në Opera....

Ja kështu bëra disa kërkesa radhazi në komitet, ministri. Vonë erdhi përgjigje e shkurtër nga Korça: Personin që kërkoni është familje e deklasuar, ndaj s’lejohet të këndojë në Opera. Nga bëhet tani ky djalë?

-Si të gjithë, s'kish si të bënte ndryshe; punon, jeton,- i thashë.

Rozmaria, luajti kokën e menduar dhe tha:

-Hëm... Nuk është aq thjesht të thuash atë fjalë. Zërin e vëllait tënd Alfredit shumë rrallë e gjen dhe deri më sot nuk ka patur dhe nuk si ai zë në Opera....



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora