Mendime
Sami Islami: Rite të stërvjetëruara mortore të besimit islam
E hene, 30.11.2020, 08:59 PM
RITE TË STËRVJRTËRUARA MORTORE TË BESIMIT ISLAM
Nga
Sami ISLAMI
Shqiptari
i besimit islam lind shqiptar, rritet shqiptar, jeton me traditat dhe zakonet
shqiptare, plaket prapë me traditat dhe zakonet shqiptare, por kur jeta e tij
përfundon, vdes si arab! Nuk di në botën e civilizuar të ndodhë një gjë e
tillë!
Popujt
me fe të krishterë qysh para 4 shekujsh
nuk ballafaqohen me këto probleme si ata të fesë islame. Kjo fe u reformua nga
një (prift) reformator i njohur gjerman me emrin Martin Luter. Pa hyrë në detaje se çfarë u
reformua, mund të themi se dy gjëra i vuri në binarë: secili popull që i përket
kësaj feje meshat mund t’i bëjë në
gjuhët e tyre, si dhe ceremonitë
mortore. Kurse në fenë islame lutjet dhe ritet mortore ende bëhen vetëm në
gjuhën arabe! Të vetmen gjuhë që e ditka zoti! Në gjuhën, në të cilën, paska
“zbritë” edhe Kurani!
Ditë
më parë, më rastisi të jem në një ceremoni mortore të një miku tim këtu në
Londër. Largësia nga Kosova, por edhe gjendja pandemike e tej zgjatur, ndikuan
që familjarët e mikut tim, të kishin
vendosur (ndoshta) që varrimi të bëhej këtu, në Londër!
Edhe
pse, prapë për shkaqe të Covidit19, numri i pjesëmarrësve ishte i reduktuar
(ashtu siç mora vesh nuk lejohej më shumë se 20-25 vetë), megjithatë unë dhe vëllai im morëm pjesë në ceremoni. Familjarë dhe miq
të ngushtë u tubuan në kohën dhe vendin e caktuar.
Deri
këtu mendoj se nuk kishte diçka që mund të kontestohej. Por këtu e më vonë në
pah dolën çështje për të cilat duhet të diskutohet...
Ah,
harrova të them se me kortezh ishte edhe një pjesëmarrës që na u paraqit
si hoxhë! Dhe një tjetër, që me gjasë
ishte një nga “organizatorët” e qendrës së varrimit me kombësi arabe, a
pakistaneze a ku me ditë se çfarë. Ky pakistanezi kishte të veshura uniformë si
të punëtorëve rrugor, kurse “hoxha” të jepte përshtypjen një roje nate të
ndonjë kompanie. Dallimi ishte se në krye e kishte një “tërleme” (kapuç
hanxhinjsh).
“Hoxha”
e prezentoi këtë pakistanezin si “ndihmës” së tij! Mirëpo “organizatori” u bë
më i “lartë” se hoxha! Dhe çuditërisht
hoxha , së pari , ia dha fjalën atij! Shih ti! Ai ia nisi me folë
arabisht për nja 15 minuta. Krejt çka mora vesh unë (po besoj se edhe të gjithë
të tjerët) ishin fjalët Allah, Muhamed. Kaq!
E
mbaroi ky “fjalimin”! Tash e mori fjalën “hoxha”. Ky e nxori nga xhepi një copë
letre. Për habi edhe hoxha ia nisi
krejt arabisht! Ne pjesëmarrësit (në
këtë moment filloi edhe të bëhej më ftohtë) po qëndronim si pinguinët në të
ftohtë dhe po dëgjonim “duatë” në gjuhën e zotit ,që asnjëri nuk po e kuptonim!
Unë
prita se mos dikush nga familjarët të lexonte diçka për të pranishmit! Bile të
dëgjonim diçka shqip për jetën e të ndjerit, por as kjo nuk ndodhi! Ndodhi ajo
që e thamë në fillim të këtij shkrimi. Shqiptari i fesë islame lind shqiptar,
por vdes arab!
Athu
deri kur do të zgjasë ky avaz 14 shekullor tek shqiptarët e fesë islame? Kur do
të binden këta fetarë ekstremistë, që të gjitha ritet fetare e mortore t’i
përkthejnë në gjuhën tonë dhe ta kuptojnë një herë e përgjithmonë se zoti, që
po dika arabisht, duhet ta di edhe
gjuhën shqipe?