E merkure, 12.05.2021, 01:03 PM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Konvertimi i shqiptarëve në serbë, malazezë e bullgarë!

E hene, 23.11.2020, 09:28 PM


KONVERTIMI I SHQIPTARËVE NË  SLLAVË: SERBË, MALAZEZË E BULLGARË

Nga Adil FETAHU

Në katër librat e Gent Ulqinit: “SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT, hulumtime nëpër burime historike” (1, 2, 3, 4), janë paraqitur rezultatet e hulumtimit të autorit nëpër burime  të ndryshme historike, për: Etnogjenezën; Qytetërimin; Gjuhën; Kulturën; Besimet; Territoret; Popullsinë; Qytetet;  Identitetin politik; Principatat; Pashallëqet; Arbëreshët; Arvanitët; Kolonitë  shqiptare. Vërtetë, në ato katër libra autori ka dhënë vetëm fragmente të shkëputura,  të nxjerra nga burime të ndryshme, të shumtën pa referenca të mirëfillta, por jo edhe të dyshimta. Tërë teksti i të katër librave, është nxjerrje si pasazheve e citime nga burimet prej të cilave janë marrë, me ndonjë fjali komentimi të shkurtër, por nuk  përmbajnë referenca të mirëfillta sipas metodologjisë shkencore.  Megjithatë, pothuajse çdokund  i referohet një emri apo një burimi për sa shkruan.

Në pasazhet e shumta ku bënë fjalë për besimet fetare  dhe konvertimin e shqiptarëve, autori citon shkencëtarin, historianin, filozofin dhe albanologun e njohur kroat, Millan Shufflay, njohësin më të mirë të historisë mesjetare të Shqipërisë, i cili shkruan se: Lufta ideologjike mijëvjeçare midis Romës dhe Bizantit, nuk mori kurrë trajta të vrazhda në tokën shqiptare. Sepse, ndërgjegja etnike tepër e thellë e vendasve, e cila ka peshuar më tepër se ndjenja fetare dhe se egoizmi i prijësve të tyre, nuk lejoi kurrë që zelli fetar, qoftë edhe sikur të ekzistonte, të ngritej në shkallë të fanatizmit, të cilit gjatë mesjestës tek shqiptarët mezi i gjendet gjurma” (libri i parë, fq.166).

Konsulli rus në Bosnje, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Hilferding, kur flet për Prizrenin, vëren se “Popullsia shqiptare e Prizrenit nuk e shtyp popullsinë e krishterë ashtu siç bëjnë muslimanët në qytetet e Bosnje-Hercegovinës, sepse shqiptarët nuk janë fanatikë fetarë, ndërsa sllavët e turqizuar në BH janë fanatikë deri në palcë” (f.167).

Nga dokumentet mesjetare, autori Ulqini shkoqitë arsyet e ndryshimit të besimeve fetare tek shqiptarët. Sipas tij, në shekullin XII, derisa feudalët serbë përdornin ortodoksinë për të sllavizuar pjesët veriore të shqiptarëve, të cilat i kishin pushtuar, pjesa më e madhe e popullsisë kaloi në ritin perëndimor kristian (katolik), duke u lidhur me kryepeshkopatën e Tivarit, e cila kishte ruajtur dhe do të ruante edhe më vonë karakterin shqiptar. E njëjta gjë ndodhi edhe në Maqedoni, kur nën presionin e kishës ortodokse për sllavizim, shqiptarët braktisën ritin lindor dhe kaluan në ritin katolik, duke ruajtur kështu identitetin etnik.

Që konvertimi i shqiptarëve në fenë muslimane u bë më vonë se në shekullin 16, dhe se raporti i tij me popullsinë e krishterë në trevat shqiptare ishte në favor të ruajtjes së fesë së krishterë në ato kohë, shihet nga regjistrimi kadastral i sanxhaqeve shqiptare, ku regjistrojnë me shumicë popullsi ende të pakonvertuar. Sipas H.Inalçik, në regjistrimin e sanxhakut të Ohrit, në vitin 1580, vetëm në fshatin Kurbi të Akçehisarit nga 72 familje, vetëm 13 figurojnë me emra muslimanësh.

Në konvertimin e shqiptarëve  në besimin musliman, ka ndikuar edhe kisha ortodokse serbe. Ajo duke marrë favore dhe duke bashkëpunuar me pushtetin Osman, në shekujt 15 e 16 ushtroi trysni, dhunë e përndjekje të madhe mbi shqiptarët katolikë, me qëllim të sllavizimit të tyre.  Relacione të shumta vijnë nga ajo kohë për trevat e Kosovës, ku prelatët katolikë i ankohen Romës (Papatit) për rrezikun që vinte nga Patrikana e Pejës.  Nga regjistrimet kadastrale të viteve 1485 në sanxhakun e Shkodrës, shihet procesi i sllavizimit të shqiptarëve, ashtu që  nga regjistrimi dalin emra:  babai me emër shqiptar, i biri me emër serb. Ky ishte një nga shkaqet e konvertimit në fenë muslimane dhe ishte shkak që shqiptarët katolikë, të shtrënguar nga rreziku ortodoks serb, kaluan në besimin musliman. Kështu në familjet shqiptare në Kosovë asokohe dhe më vonë gjendeshin emra të përzier: katolikë dhe muslimanë. Por, te shqiptarët  ruhej harmonia midis feve. Fra Kerubino, tregon nje shembëll nga vizita e tij në Kosovë, kur në një fshat të rrethit të Gjakovës, i zoti i shtëpisë e fton këtë dhe shoqëruesin e tij: “Urdhëroni etër, se në shtëpinë tone kemi katolicizëm, muslimanizëm dhe ortodoksizëm” (Noel Malcolm: “Kosova – një histori e shkurtër”, fq.135).

Për procesin e dhunshëm të sllavizimit nëpërmjet konvertimit në ortodoksizëm sllav flasin shumë dëshmi të hershme që iu referohen sundimtarëve serbë të mesjetës. Kështu, bie fjala, në vitin 1308, një udhëtar francez që vizitoi viset e Shqipërisë e të Gadishullit Ilirik, shkruante se “skizmatikët serbë dhe mbreti i tyre i persekutojnë pa mëshirë katolikët, i shkatërrojnë, i shkretojnë dhe i pushtojnë kishat e tyre; priftërinjtë i burgosin dhe të tjera të këqija të shëmtuara u bëjnë”. Të njëjtat përshtypje jep edhe kryepeshkopi i Tivarit, Guljeljm Adam, në relacionin e tij të vitit 1332.  Po prej Tivarit, në vitin 1350, legati papal Guido de Padova shkruante se mbreti Dushan i ka detyruar katolikët të konvertohen me dhunë në ortodoksinë serbe dhe të pagëzoeshin në kundërshtim me kanunet e kishës.

Kodi i Dushanit i ndëshkonte katolikët

Nga mesi i shekullit XIV Serbia feudale kishte arritur kulmin e fuqisë së vet të përkohëshëm. Me pushtimin e territoreve të hueja, brenda shtetit serb u gjendën popuj të nacionaliteteve dhe besimeve të ndryshme, madje edhe me bindje politike të ndryshme. Kisha serbe u forcua, ashtu që në vitin 1346 peshkopata serbe u shndërrua në Patrikanë dhe mbreti Dushan u kurorëzua në perandor. Në vitin 1349 Dushani nxori Kodin e tij perandorak, me të cilin përforcoi supremacinë juridike, shtetërore dhe kishtare mbi tokat e pushtuar dhe popujt e nënshtrur. Shumica nga 201 dispozitat e Kodi të Dushanit kanë të bëjnë me privilegjet, kompetencat dhe pronat e kishës ortodokse serbe dhe të popave të saj, duke u njohur atyre edhe kompetenca gjyqësore, për të gjykuar për veprat penale ose çështjet civile që lidhen me veprmtarinë dhe me pronat e kishës dhe të marrëdhënieve të brendshme të saj.

Janë karakteristike dispozitat e neneve 6, 7, 8 dhe 9 të Kodit, të ashtuquajtura: “mbi heretikët latinë dhe bogumilët”. Me ato dispozita urdhërohet që heretikët latinë të konvertohen në fenë e krishterë pravosllave. Nëse nuk pranojnë të kthehen në pravosllavë, le të dënohen sipas ligjeve të kishës (neni 6). Dihet se ligjet kishtare të asaj kohe për heretikët parashihnin djegëjen në zjarrin e druve. Ja si sanksiononin dispozitat e Kodit të Dushanit hretikët latinë:

Neni 6: Heretikët latinë…të këthehën në të krishterë; nëse gjendet dikush duke u ruajtur (latin) e që nuk kthehet në krishterizëm (lexo: pravosllavë, v.j.),  të ndëshkohet ashtu sipas ligjeve të etërve të shenjtë”.

Neni 7:  Dhe kisha e Madhe të caktojë protopopa nëpër të gjitha qytetet dhe sheshet, për t’i këthyer të krishterët nga heretizmi latin, të cilët kanë marrë fenë latine, t’iu japin urdhëra shpirtërore që secili të këthhet në krishtërizëm  (me krishtërizëm nënkuptonte vetëm fenë ortodokse, v.j.).

Neni 8:  Nëse prifti latin gjendet se ka këthyer të krishterin në fenën latine, të dënohet sipas ligjeve të etërve të shenjtë.

Neni 9: Nëse gjendet se gjysëmbesimtari (bogumili) është martuar me të krishterë, nëse do le të pagëzohet në krishtërizëm, e nëse nuk do, t’i merret gruaja dhe fëmijët, të cilëve t’iu jepet shtëpia, ndërsa ai të përzinet.

Edit Durham konsideronte se dispozitat antilatine në Kodin e Dushanit ishin të orientuara kryesisht kundër shqiptarëve, sepse shumica e katolikëve të viseve të pushtuara ishin shqiptarë. Prandaj, thoshte ajo, përndjekja nuk ishte vetëm për shkaqe fetare, veçse për motive racore.

* * *

Në një raport të të deleguarit të Venedikut në Stamboll, në gusht të vitit 1558, jepën edhe shënime për veprimtarinë e klerit ortodoks kundër katolikëve në viset shqiptare.  “Një patriark ortodoks i patrikanës së Serbisë, e cila tash vonë është krijuar për hatër të një ungji të  tij që është pashë (fjala është për Mehmed-pasha Sokolloviqin, v.j.), ka nxjerrë prej sulltanit një urdhëresë që të gjithë të krishterët, si katolikë ashtu edhe ortodoksë, duhet t’i paguajnë njëlloj për ushtrimin e sakrimenteve. Kështu, prej katërmijë frymëve katolike të ritit roman, nënshtetas të Sulltanit, do të mund të nxirrte 1500 zekinë në vit. Kjo është një mënyrë krejt e re për t’iu nënshtruar pak nga pak kishës ortodokse të gjithë katolikët e shkretë….”.  Është fjala këtu për patriarkun Makarije Sokolloviq, në Patrikanën e Pejës, që ishte djali axhës së Mehmet-pashë Sokolloviqit, dhëndërr sultan Sulejmanit të Madhërishmit dhe një ndër pashët dhe kryevezirët e Perandorisë. Patrikana e Pejës është themeluar në Kuvendin e mbajtur në Shkup,  1346, ndërsa u suprimua më 1459 dhe u fut nën jurisdiksionin e kishës greke të Arqipeshkvisë së Manastirit (Ohrit). Patrikana u ripërtëri më 1557, në saje të autoritetit të Mehmet-pashë Sokolloviqit. Por, për shkak të pjesëmarrjes së serbëve në anën e Austrohungarisë në luftën kundër Perandorisë Osmane, Patrikana e Pejës u suprimua përsëri me ferman të Sulltan Mustafa i III, më 1776, dhe u ripërtëri tek në vitin 1920, pas Luftës së Parë Botërore.

Të konvertuarit në besimin pravosllav e humbën identitetin  kombëtar shqiptar

Dhe, derisa katolikët e konvertuar në muslimanë e kanë ruajtur identitetin kombëtar shqiptar, ata të konvertuar në ortodoksizmin sllav nuk e kanë ruajtur identitetin kombëtar, veçse janë shndërruar në serbë, malazezë ose bullgarë. Shembuj të tillë ka plot në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni.

Mark Milani , i cili edhe vet e kishte prejardhjen shqiptare nga vëllazëria e Drekallëve  të fisit Kuç, kur flet për fenë dhe kombësinë shqiptare, shprehet: “Ata që lan fenë e vjetër dhe u bënë muslimanë, në këtë punë nuk e kanë humbur kombësinë e vet, por  kanë mbetur gjithnjë shqiptarë, kështu që këta dhe katolikët janë vëlllezër të një gjaku ashtu siç kanë qenë edhe më parë, kur kanë qenë të një besimi. Për fisin Kuçi në Mal të Zi, Millan Shuflaj shkruan:”Vëllazëria më e fortë e Kuçëve të Malit të Zi, Drekalloviqët, për të lartësuar gjakun e tyre, e lidhin origjinën e vet me Skënderbeun”.

Sigurisht më tepër se gjysma e popullsisë së Malit të Zi të sotëm, të cilët kanë mbiemra të ndryshëm, Bjellopavlliqë, Piperi, Kuçi, Vasojeviqi etj, janë me prejardhje shqiptare katolike. Sipas E.Durhamit, në vitin 1778, me rastin e shpalljes së luftës midis Austrohungarisë dhe Rusisë nga njëra në, dhe Turqisë nga ana tjetër, i dërguari austriak shkruante: “Ne mund të mbështetemi shumë më fort tek besa dhe guximi i shqiptarëve katolikë të Bërdës (Mali Zi,v.j.), tek ata që janë të shumtë në numër, si Bjelloaviliqët, Piperët, Kuçët, Vasojeviqët, malësorë të  Këlmendit e të Hotit, nga të cilët mund të nxjerrim një forcë prej 20 mijë luftëtarësh fort trima, se sa tek malazezët” (G.Uliqini, libri 2, fq.71).

Duke analizuar aspekte të ndryshme të jetës së shqiptarëve, Lord Bajroni vërenë se “Shqiptarët nuk konsiderohen si të krishterë prej grekëve dhe as si muhamedanë prej turqëve. Ata janë një përzierje e të dyve dhe shpesh e asnjenit prej tyre. Feja e tyre nuk shkakton dallime në qendrimet dhe sjelljet e tyre”.

J.Radoniq, në librin “Rimska kurija…” (botim i vitit 1950), ndër të tjera shkruan: “Arqipeshkvi i Shkupit P.Karaxhiq, ai i Tivarit Viçentije Zmajeviq dhe ipeshkvi i Kotorrit Marin Drago, në raportet e tyre dërguar Romës gjatë viteve 1700 deri më 1708, vejnë në dukje zullumin e madh të patrikut të Pejës dhe të klerit ortodoks në përgjithësi, që këta bënin ndaj shqiptarëve katolikë, të cilët u detyruan të kalonin në fenë muslimane ose ortodokse”. I njëjti autor, jep fakte të shumta të persekutimit dhe represionit që ushtronte kisha ortodokse serbe mbi katolikët shqiptarë në shekujt 16 e 17. “Patriku i Pejës, duke pasur privilegje të shumta nga Porta e Lartë, i bënte të vuanin katolikët më shumë sesa nga pushteti turk. Presionet, taksat, obligimet dhe veprimet e ulta të  ortodoksizmit, i detyronin katolikët shqiptarë të Kosovës të kalonin në fenë muslimane për të shpëtuar nga zullumi i kishës ortodokse, nga popat ortodoksë dhe nga patriku i Pejës”, shkruan Radoniqi.

Në nëntor të vitit 1664, arqipeshkvi i Shkupit, Andrea Bogdani, lajmëronte nga Janjeva Kongregacionin në Romë, se “Ortodoksët (sllavë) janë armiqë të tërbuar të katolikëve, njëlloj si turqit. Patriku i Graçaniës, vetëm një milje larg Janjevës(?), përiqet t’i zhdukë katolikët”. Përsëri, në vitin 1670, Bogdani shkruan: “Katolikët shqiptarë janë të ndjekur më tepër nga ortodoksët sesa nga turqit. Kleri ortodoks me patrikun e Pejës në krye e bëjnë këtë zullum kundër katolikëve me ndihmën e pushtetit turk”.

Ndërkaq,  për konvertimn e shqiptarëve në fenë muhamedane, E.Durham shkruan: “Islamizmi gjatë gjithë kohës ka zhvilluar një propagandë të pandërprerë. Asnjë lloj perskutimi nuk ka ndodhur. Gjithçka është arritur nëpërmjet bindjes dhe ryshfeteve (favoreve,v.j.) të mëdha. Metodat varfnjake të krishtërimit, krahasuar me metodat bujare e dorëlirë të islamizmit, streha e mjeruar e kishës krahasuar me xhaminë e re, mjaftonin për të bindur një popull të paditur se e para do të vdiste, ndërsa e dyta ishte në lulëzim”.

Sllavizimi i shqiptarëve në serbë

Pas fitimit të statusit të principatës,  pushteti serb i Obrenoviqëve filloi zullumin mbi shqiptarët myslimanë e katolikë, për t’i detyruar që ose të shpërngulën nga territori i principatës, ose të konvertohen në  pravosllavë, serbë. Ky zullum  zgjati deri pas Kongresit të Berlinit (1878), kur Serbia u njoh si shtet në kufijtë e caktuar edhe mbi tokat shqiptare të rrethit të Toplicës, Nishit, Pirotit, Prokuples,  Leskovcit, Vranjës. Pas kësaj, shqiptarët e 714 fshatrave dhe qytezave të Serbisë, u detyruan t’i lënë pronat dhe pasuritë e tyre dhe të shpërngulën, kush për në Turqi, kush në Kosovë apo në viset tjera nën  pushtetin e Turqisë.  Për arsye të ndryshme, një numër i shqiptarëve nuk kanë mund të shpërngulën, pandaj janë detyruar të konvertohen në serbë. Me këtë kusht kanë mbetur fshatra të tëra pa u shpërngulur, por ata njerëz u detyruan të konvertohen në serbë dhe me kohë e humbën identitetin kombëtar shqiptar, pasi nuk guxonin të flisnin gjuhën e tyre, të gjitha shërbimet administrative, fetare ose shkolliin e kishin vetëm në gjuhën serbe.   Autori Kurtesh Devaja, ne libri “Te Molla e Kuqe (1878 – 1912),  në pjesën që trajton konvertimin e shqiptarëve në serbë, ndër të tjera thekson se sunduesi i Serbisë, Millan Obrenoviqi, që kishte dëbuar shqiptarët nga më se 700 fshatra e qytete, i kishte lënë  pa shpërngulur komplet tetë (8) fshatra shqiptare të Jabllanicës së Epërme, jo për zemërgjerësinë dhe mëshirën ndaj shqiptarëve, por për qëllime të propagandës politike ndaj botës, kinse nuk i trazon ata shqiptarë të cilët nuk i krijojnë probleme shtetit. Natyrisht, ata shqiptarë me kohë janë konvertua dhe asimilua  në serbë.  Edhe sot në atë pjesë të Serbisë ka njerëz me mbiemra që kanë prejardhjen familjare shqiptare: Haxhiq, Lekiq, Masurica etj.etj (Kurtesh Devaja: “Te Molla e Kuqe”, 1878-2012; fq.293).

Një valë e konvertimit të shqiptarëve në sllavë , serbë,  malazezë e bullgarë, është realizuar pas Luftës Ballkanike (1912-1913). Konvertimi me dhunë në ortodoks-sllavë i myslimanëve dhe katolikëve ishte një mënyrë dhe karakteristikë e dhunës serbe kundër shqiptarëve në trojet e pushtuara, në Kosovë dhe Maqedoni. Ai proces u zhvillua me  ashpërsi dhe barabarizma të veçantë. Kush refuzonte konvertimin, torturohej deri në vdekje, ose vritej menjëherë. Konsulli austriak në Prizren, raportonte në maj  të vitit 1913, se “2000 familje myslimane të qytetit të Pejës tashmë ishin konvertuar dhe tërë popullsia e Lugut të Barnit ishin sjellë në qytet nga ushtria malazeze, për t’u pagëzuar me dhunë, me ç’rast çdo familje iu caktua nga një kumar ortodoks. Një prift katolik nga Gjakova, fra Luigj Palaj, jo vetëm se nuk mundi t’i shpëtojë famulliitarët e vet që të mos konvertohen në ortodoksë, por për shkak se vet refuzoi të bënte kryq në mënyrën ortodokse, u masakrua nga ushtarët (malazezë). Arqipeshkvi Mjeda raportonte se 1200 katolikë të famullisë së tij ishin konvertuar me dhunë në ortodoksë. Komandanti i zonës së Prishtinës e informonte Beogradin se në majin e vitit 1913, ishin konvertuar 195 myslimanë  dhe se ndaj katolikëve të Janjevës (kroatë, v.j.) po ushtrohet një presion për t’u konvertuar në ortodoksë” (N.Malcolm, “Kosova, një histori e shkurër”, fq.266). Më 20 mars 1913, Reichspost shkruante, ndër të tjera, se “ kundrejt 400 familjeve katolike të Janjevës po bëhet trysni që të konvetohen në kishën skizmatike”. Janë vrarë plot katolikë shqiptarë. Fjala vjen, në Ponoshec janë vrarë tridhjetë mashkuj për një ditë derisa punonin në punët e tyre të fushës, dhe kjo vetëm pse ishin katolikë; afër Gakovës u vranë 70 katolikë nga famullia e Nikajt. “Neue Freie  Presse e 20 marsit 1913, shkruante se “Më 7 mars, ushtria iu bashkangjit priftërve fanaticë ortodoksë brenda dhe rreth Gjakovës, për ta konvertuar me zor popullatën katolike, në fenë ortodokse. Rreth 300 veta, burra, gra e fëmijë, ndër të cilët At Engëll Paliqin, i lidhën me litar dhe i detyruan me u konvertua, tue i kërcënua me vrasje. Një prift orotodoks tregoi me gisht drejt ushtarëve që po rrinin me pushkë në duar dhe u tha të kërcënuamve: “Ose nëshkruejni deklaratën se jeni konvertuar në fenë e vetme të vëretë, ose këta ushtarë të Zotit do t’jua shpiejnë shpirtnat në ferr”. Të gjithë pastaj i nënshrkuan, perveç At Engjellit. Atë e urdhëruan tri herë që të konvertohej, por ai refuzoi, ndërsa prifti orotodoks u dha shenjë ushtarëve që ta vritnin. E rrahën me kundakë pushkësh derisa njeni nga ushtarët ia nguli bajonetën tejpërtej në mushkni (Leo Freundlich: “Golgota Shqiptare”, fq.33).

Kështu, sikur në Kosovë është veprua me shqiptarët edhe në rrethin e Dibrës, pas Luftës Ballkanike. Dhe që prej atëherë, në 25 fshatra të Rekës (Maqedoni) rreth 70.000 shqiptarë janë sllavizuar dhe tash e quajnë vetën maqedonë. Këtë fakt e vërteton akademiku e profesori universitar, Branko Sinadinovski, i cili publikisht pranon se ai vet është me prejardhje shqiptare, dhe shton se i ati dhe gjyshërit e tij kanë folur vetëm shqip. Për këtë  pohim, Sinadinoviqin e kanë rrahur persona të panjohur (?) para shtëpisë së tij!

Konvertimi i shqiptarëve në ortodoksizmin sllav ose  në atë grekë, është histori e dhembshme kombëtare. Sepse, ata me kohë u asimiluan tërësisht dhe e humbën identitetin kombëtar shqiptar. Derisa shqiptarët e konvertuar në besimin mysliman e ruajtën identitetin kombëtar, gjuhën dhe traditat shqiptare, ata të konvertuar në sllavë u asimiluan tërësisht, duke humbur gjurmët etnike, gjuhën dhe traditat. Kështu u veprua edhe me ortodoksët e Çamërië, gjithë Epirit dhe arvanitët në Greqi. Identitetin kombëtar shqiptar, gjuhën, traditat, kulturën shqiptare e ruajtën, zhvilluan dhe avancuan vetëm ortodoksët e Shqipërisë, por jo ata nën shtetet sllave dhe në Greqi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora