E premte, 26.04.2024, 11:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Shaban Hadëri: Mos i hiqni “Pesë heronjtë e Vigut”

E marte, 18.11.2008, 11:56 AM


Shaban Hadëri: Vetëm për të bërë bazamentin e përmendores erdhën dhe punuan 5 ustallarë nga Korça
 
Mos i hiqni “Pesë heronjtë e Vigut”

 

Nga Albert Zholi
 
Një jetë me daltë në dorë, ku kanë dalë me dhjetëra figura heronjsh apo figura historike. Që në moshë të njomë u pikas talenti i tij për të vazhduar mësimet në Lice dhe pastaj studimet në Petërburg (Rusi). Monumenti i Enver Hoxhës, i cili u vendos në qendër të Tiranës i kushtoi shumë, pasi aty filloi që shëndeti t’i binte dhe dalëngdalë dalta tek dora e tij nuk kishte më forcën e burrit të fuqishëm. Ndër të parët që mori titullin “Artist i Popullit”, për asnjë moment nuk lë pa përmendur mësuesit, por edhe shokët e tij si “mjeshtrin e madh” (sipas tij) Odise Paskali, Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami. Tashmë dhe pse i ka kaluar të tetëdhjetat dhe shëndeti nuk është i plotë në vend të daltës ka marrë penelin. Pikturon mbi 8 orë në ditë. Kur nuk e zë gjumi ndez dritën dhe rrëmben penelin. Fëminia e tijë është akoma më interesante. Si në libra. Rritur mes plumbash, por dhe dëshirës për të mësuar, për të shkuar në shkollë. Nga familja trashëgoi ndjenja të theksuara patriotike, por më shumë për të formuar një personalitet solid personalitetin e të qenit njeri. Kujton me dhimbje rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës (jo për emrin e Enverit), pasi punë të tilla, sipas tij, nuk ka pse të copëtohen sepse janë vepra arti, por mund të ruhen në vende të mbyllura. Por, tashmë përjeton një ankth. Atë të veprës së “5 heronjve të Vigut” në Shkodër. Do ta heqin atë nga vendi ku ka mëse 40 vjet? Pyet veten, por këtë pyetje ma drejton dhe mua. Loton dhe më thotë:- Bëni diçka, sensibilizoni pushtetarët që ai bust të mos lëvizë.
 
“Pesë heronjtë e Vigut” kanë qenë në qendër të vëmendjes së mediave për disa kohë. Kur ke filluar ta ideosh këtë vepër madhështore?
 
Është një ndër kohët më të bukura dhe më të vështira të jetës time. Ishte periudha kur unë sapo kisha dalë nga bankat e Univeristetit. Unë që në vogëli, kur fillova të shoh ngjarjet e luftës, kur dëgjoja nga prindërit apo nga të afërmit ngjarje trimërie, ndieja një gëzim një dëshirë për t’i parë, për t’i shkruar apo për të bërë diçka për këta heronj. Unë edhe vetë kam qenë në luftë, pra kam marrë pjesë në luftë. Heronjtë e luftës më ndiznin fantazinë. Ngjarje të tilla, tregime të tilla më jepnin një forcë të brendshme të kërkoja diçka të veçantë në jetë. Kjo ndoshta ishte ajo që më shtyu që të merresha me portrete heronjsh. Kur isha në Universitet në Petërburg shumë skulptorë bënin të njëjtat punime. Kishin të njëjtën imagjinatë. Kishin të njëjtën dëshirë për të bërë porterte heronjsh. Sapo kishte mbaruar lufta dhe kudo diskutohej për heronjtë. Për
partizanët që shporrën bishën naziste.
 
Pra, shkolla në Rusi ju ndezi më shumë dëshirën për të derdhur në mermer, bronx, heronj?


Po.Unë studioja në Petërburg. Shkolla në Rusi jo vetëm ma shtoi këtë dëshirë, por më mësoi edhe shumë gjëra nga arti i skulpturës. Unë ndenja 6 vjet në Rusi 1952-1958. Nga këto, një vit ishte diploma. Të gjithë shokët e mi të kursit ideonin skulptura heronjsh. Tema e luftës ishte tema e ditës. Rusia kishte një shkollë shumë profesionale për përgatitjen e piktorëve dhe skulptorëve. Pedagogët ishin të gjithë të moshuar dhe me tituj shkencorë. Kërkesa e llogarisë ishte maksimale.
 
Po në shkollë a bëtë ndonjë skulpturë?


Po. Bëra skulpturën “Tre heronjtë”. Ishte një skulpturë që e bëra me shumë dashuri. Ishte për diplomën, ku dy shokë tërhiqnin në mes të rrezikut shokun e tyre të plagosur në luftë. Kjo skulpturë u ekspozua në Moskë mes shumë skulpturave të tjera të krijuesve nga vendet ish-komuniste. Pra ishin 13 shtete që paraqitën krijimet. Pra nga Petërburgu në Moskë. Ishte viti 1958, viti i fundit që bëja diplomën. Unë nuk e dija që skulptura ime kishte shkuar në Moskë. E mora vesh më vonë pasi në atë kohë unë erdha në Shqipëri se martova motrën. Atë vepër e paraqitën si të Shqipërisë. Ajo vepër ka ngelur në Rusi.
 
Kur u kthyet në Shqipëri, ku u emëruat?


Unë u emërova mësues në Lice. Atë kohë (pra në vitin 1958) ende nuk ishte hapur Akademia e Arteve. Akademia u hap dy vjet më vonë dhe unë pastaj kalova aty pedagog në degën e skulpturës. Së bashku me mua në degën e pikturës ishte pedagog mjeshtri Guri Madhi, ndërsa drejtor i Akademisë ishte i shquari Vilson Kilica.
 
Kur filluat skulpturën “5 heronjtë e Vigut”?


Pikërisht kur isha Pedagog. Pra pas vitit 1963. Në fillim e bëra të vogël, pastaj u hodh në allçi. Por duke parë se ishte një vepër e gjetur, e spikatur, ku popullit të Shkodrës i pëlqeu shumë u vendos që të bëhej 5 metër e lartë. Pra 5 heronj. Ishte një punë e madhe që zgjati disa vjet. Aty ku do të vendosej në shesh u vendos dhe studioja ime (N.q.s do ta quaj kështu). Ajo u kthye në kantier pune. Populli i Shkodrës më vizitonte çdo ditë.
 
Në Shkodër çfarë vepre ka bërë tjetër Shaban Hadëri?


Isa Buletinin. Një tjetër vepër gjigande kjo. Kjo është vendosur në Shkodër në një rrugë tjetër të këtij qyteti. Lartësia është 6 metër.
Dy nga veprat e mia nga më të bukurat janë në Shkodër. Unë aty kam kaluar pjesën më të bukur të jetës. U bëra si shkodran. Aty sikur më vinte një frymëzim i veçantë. Sikur Buna ma ledhatonte daltën dhe mendimin për vepra sa më dinjitoze. Shkodra më dha shumë në profesion. Shumë. Aty mora atë tharmin për të qenë selektiv në vetvete, për të kërkuar më shumë ndaj vetes, për të respektuar më shumë profesionin.
 
Meqë folët për fëmijërinë. Ku ka lindur dhe ku e gjeti lufta Shaban Hadërin?


Kam lindur në fashatin Palavli të Delvinës. Ishte një fshat i vogël, por me tradita patriotike. Rridhnim nga një familje e kamur. Shkollën fillore e kam bërë në fshatin ngjitur në Kopaçes. Bëja gjysmë ore me këmbë për të shkuar në shkollë. Më vonë, në kohën kur Shqipëria po pushtohej nga Italia fashiste, familja jonë zhvendoset në Delvinë. Pra lufta bëri që ne të zhvendoseshim aty. Ajo zonë gjithmonë është shquar për ndjenja patriotike. Njerëzit janë punëtorë, fjalëpakë dhe të zgjuar. Është ajri që i bën njerëzit të tillë, është uji, qumështi i veçantë i bagëtive.
 
Ju a morët pjesë në luftën Nacional Çlirimtare?


Po. Mora dhe pse fëmijë. Isha 16 vjeç kur shkova në Brigadën e 14-të Sulmuese (viti 1944). Unë u futa në fund të luftës, pra vitin e fundit. Më shumë luaja rolin e shpërndarjes së porosive, apo tregues rrugësh sinjalizues për partizanët. Isha shumë i gëzuar për këtë pjesëmarrje, për vetë faktin se tashmë po shihja nga afër ato që më tregonin pranë vatrës të afërmit e mi. Lufta të pjek para kohe, të jep mësime që nuk t’i jep shkolla. Aty kalitesh më së miri për jetën.
 
Pas luftës ku filloi të mësojë Shaban Hadëri?


Në Tiranë. Pas lufte shkova tek disa të afërm të mi, të cilët më futën në shkollën shtatëvjeçare (ashtu ishte atëherë). Këtu një mësuesi im më pikasi si talent. Ai më mbante afër dhe më thoshte do bëhesh piktor apo skulptor i mirë. Mësuesi quhej Nexhmedin Zani. Kishte mbaruar studimet në Romë. Ishte një mësues i pashëm, babaxhan, i dhënë shumë pas mësimdhënies. Por mbas 7-vjeçares unë fillova shkollën teknike, megjithëse kisha shumë talent. Rastësisht në shkollë vjen mësues Nexhmedini dhe habitet kur më pa. Kishte kohë që më kërkonte. Ai i thotë mësuesit tim kujdestar që këtë nxënës mos e mbani këtu. Niseni direkt për në Liceun Artistik. Të nesërmen u gjenda në Lice.
 
Si ishte gjendja e Liceut në atë kohë?


Dhe pse në hapat e para siç do gjë pas lufte, kishte mësues të shkëlqyer. Profesionistë. Midis tyre ishte dhe skulptori i madh Odhise Paskali. Ai e nuhati talentin tim qysh në fillim dhe për 4 vjet në Lice më mbajti shumë afër. Në shumë punime të tij ai më mbante si ndihmës. Ishte një njeri shumë i apasionuar. Shumë korrekt dhe kërkues. Nuk falte kur merrte daltën në dorë. Nga njerëz të tillë ke gjithmonë se çfarë mëson. Ata mbeten ikona në udhët e jetës. Ata janë pak ku ne duhet të bëjmë shumë që ti kujtojmë, lartësojmë, për ti dhënë vendin e duhur në historinë e vednit tonë.
 
Pse sot nuk bëhen skulptura të këtyre përmasave?


Sepse nuk ka investime. Shtetit si duket nuk i intereson të bëjë vepra të tilla. Këto punime duan investime të mëdha. Duhet të ketë përgjegjësi. Pra me një fjalë punë të tilla duhet të mbështeten drejtpërdrejt nga shteti. Këto vepra nuk janë lojë fjalësh.
 
Të merr malli të bësh një skulpturë?


Malli?!. Eh mor djalë. Mos ma zër me gojë. Puna ma mori shëndetin. A e kupton ti çdo të thotë të gjendesh para “Heronjve të Vigut” dhe tashmë të mendosh se nuk mund ta bësh dot një të tillë (loton)?!


Po në Kosovë a ke shkuar në periudhën e komunizmit?


Po. Gjithnjë kam qenë i lidhur me këtë copë trualli të kombit tonë. Kam shkuar në Prishtinë nga viti 1968. Kam çuar një ekspozitë me piktura dhe skulptura. Jemi pritur jashtëzakonisht mirë. Ishte ekspozita e parë që hapej nga shqiptarët në ish-Jugosllavi.
 
Si e përjetuat pavarësinë e Kosovës?


Ishte moment magjik për historinë e kombit tonë. Një moment që e kemi pritur me ankth, dëshirë dhe plot entuziazëm. Do kisha dëshirë të isha mirë me shëndet që të punoja diçka për këtë ditë. Do kisha shumë dëshirë. Kam lexuar, kam dëgjuar, kam mbajtur shënime për këtë trevë me histori të shkëlqyer të kombit tonë.
 
Z. Hadëri, ju keni bërë dhe bustin e Enver Hoxhës që u vendos në qendër të Tiranës.
Si u vendos për ju që të bënit bustin e Enver Hoxhës në qendër të Tiranë?


U bë një konkurs kombëtar. Morën pjesë rreth 140 piktorë dhe skulptorë. Ishte një konkurs, ku çdo gjë kalonte në vrimë të gjilpërës. Një konkurs që zgjati kohë. Ishte një impenjim i madh. Në fund fitova unë dhe piktori Vilson Kilica. Pra bashkuam idetë, mendimet. Ndërsa për punimet u bëmë një grup i tërë. Punë në grup. Të gjithë punonin me përkushtim. Nuk luhej dot në atë kohë me figurën e Enver Hoxhës. Pyesnim pafundësisht njeri tjetrin për çdo gjë të vogël.
 
Busti i Enver Hoxhës kishte 8 ton bronx special

 
Për bustin e Enver Hoxhës që ishte vendosur në qendër të Tiranës, skulptori Hadëri mendohet kur e pyet. Ndjen dhimbje për bustin, jo për figurën e Enver Hoxhës. E kujton shpesh atë moment të 20 shkurtit kur turmat e irrituara hoqën zvarrë bustin e diktatorit. Sipas tij ajo ka qenë një nga ditët më të vështira. Nuk kapërdihet lehtë kur një punë disavjeçare përfundon nëpër labirinthe rrugësh, apo kanale pa emër. Aq më tepër ku sipas tij, koka e bustit nuk dihet ku është. Atë ditë nuk doli nga shtëpia. Ishin ditë të vështira, ditë të cilat njeriu nuk dinte ku të gjente vetveten. Ai bust i mori një pjesë të shëndetit. Ai bust e lodhi shumë dhe si përfundim, gjithë puna disavjeçare nuk e di se ku përfundoi. Vepra e artit sipas tij mbetet vepër arti. Ajo nuk duhet politizuar.
 
Ku u bë derdhja dhe çfarë materiali kishte busti i Enver Hoxhës?


Derdhja bustit të Enver Hoxhës u bë në Tiranë, por bronxi u ble në Itali. Pra kanë qarkulluar shumë zëra se derdhja është bërë në Itali. Jo. Aspak. Unë shkova vetë posaçërisht në Itali për të blerë bronxin, pasi duhej i cilësisë më të mirë. Shkova në disa vende dhe së fundi blemë 8 ton bronx të cilësisë më të mirë. Pikërisht në Romë shkova në disa uzina prodhimi. Pastaj derdhjen e bëmë në Tiranë. Lartësia e bustit ishte parashikuar 7 metër. Ishte një punë kolosale. Pra lartësia pa bazamentin ishte 7 metër. Bazamenti ishte një tjetër punë e vështirë. Duhej përshtatur sipas idesë së portretit dhe vendit ku do të vendosej. Nuk numërohen skicë-idetë edhe për këtë rast.

Sa kohë vazhduan punimet?


Mbi tre vjet për bocetet. Ishte përgjegjësi e madhe atëherë të bëje bustin e Enver Hoxhës. Në atë kohë unë u sëmura. Punoja ditë e natë. Ramiz Alia dha urdhër që të shkoja për vizitë në Vjenë. Ndenja një muaj në spital aty. Shkova dy herë në Vjenë. Pastaj u bëmë një grup pune me qëllim që të kishte sa më shumë vëmendje. Në fund të punimeve unë vetëm kontrolloja punimet, pasi nuk mund të punoja si më parë.
 
Kush e ka ndjekur nga udhëheqësit e kohës ndërtimin e veprës?


Vetë Ramiz Alia. Ai jepte udhëzimet e rastit. Kur u sëmura ai të them të drejtën u interesua jashtë mase. Nuk ishte gjë e vogël që në atë kohë të shkoje 2 herë jashtë shtetit për t’u kuruar apo vizituar.
 
Nuk dolët nga shtëpia për ta parë këtë moment?


Jo. Ç’të bëja? Nuk dola fare. E pashë gjithë skenën. Të gjitha momentet edhe sot i kaloj si nëpër film para syve. Se si më dukej. Unë jam artist, jam skulptor. Nuk më intereson fare politika. Politika më e mirë për mua është arti. Është të bëj skulptura të bukura. Tjetër arti, tjetër politika. Me këtë nuk dua të them se kam nostalgji për sisteme apo individë.
 
A e keni takuar ndonjëherë Enver Hoxhën?


Kur mbaruam monumentin e Pavarësisë së Vlorës. Në sallën ku u bë takimi me intelektualë. Enveri erdhi dhe na takoi të treve (Kristaq Ramën, mua, Mumtaz Dhramin). Ajo vepër ngelet si një monument i pavdekshëm. Kemi punuar sa nuk e imagjinoni. Ajo vepër është simbol i Lirisë, pavdekësisë së një kombi. Përmasat e saj dhe ideimi janë të përmasave të vërteta të lirisë së një kombi. Ne kur e kemi mbaruar veprën kemi dalë një foto të tre para përmendores. Dukeshim si liliputë para saj. Dukeshim si fëmijë para një gjigandi.
 
Rënia e bustit


E ndoqa në televizor në shtëpi. Më erdhi shumë keq. Jo për Enverin si udhëheqës, por për bustin. Buste diktatorësh ishin vendosur kudo në vendet ish-komuniste. Por ato nuk u thyen dhe shkatërruan. Ato kudo ruhen në vende të mbyllura. Në vende të padukshme. Në fund të fundit janë vepra arti. Në Itali ka buste të Duçes, apo në Gjermani të Hitlerit, të cilat ruhen ende. Koka e Enverit tashmë nuk dihet se ku është. Në Rusi ke portrete mbretërish, diktatorësh dhe ruhen në vende të mbyllura. Isha në siklet atë ditë. Nuk dija ç’të bëja. Ishte moment reflektimi...
 
Monumenti “Pesë heronjtë e Vigut”
 
Mos. Mos! 1000 herë mos! Mos e hiqni atë skulpturë, përmendore (monument) vigane. Ajo nuk më përket mua. Ajo i përket qytetit me kulturë të Shkodrës. Ajo skulpturë është pjesë e historisë së saj. Pjesë e arkitekturës së saj. Ajo tashmë është bërë një pjesë e trupit të Shkodrës. Afërsisht 40 vjet jetë. Gjysmë shekulli mes njerëzve, popullit të Shkodrës. Jo se është vepra ime. Ajo është pjesë e historisë së një populli. Vetëm për të bërë bazamentin e saj erdhën dhe punuan 5 ustallarë nga Korça, ku gurët u morrën nga gurorja e Shkodrës. 20 km larg. Merrej guri- mermer për bazamentin. Një bazament i shkëlqyer. Ata punuan vetëm për bazamentin 8 muaj. Bazamenti ishte mbi 4 metër. A mund të hiqet një vepër e tillë?
 
Box2
Veprat e mëdha


Po. Kam disa bashkpunime me mjeshtrat e daltës shqiptare. Me ata që e ngritën në art të vërtetë skulpturën shqiptare. Ja disa prej tyre:
-“Nënë Shqipëri” tek Varrezat e Dëshmorëve (Kristaq Rama, unë, Muntaz Dhrami,)
-“Sheshi Flamurit” “Monumenti i Pavarësisë” (Kristaq Rama, unë, Mumtaz Dhrami,)
Të miat:
-“5 heronjtë e Vigut”
-“Isa Boletini”, në Shkodër
-Busti i Enver Hoxhës (në qendër të Tiranës)
-“Tre heronjtë” (Skulpturë mbrojtje diplome në Petërburg)
-“Luftëtari i lirisë” (Skulpturë)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora