E shtune, 27.04.2024, 02:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Qenia e hallakatur shpirtërisht e mendërisht

E merkure, 08.04.2020, 04:07 PM


QENIA E HALLAKATUR SHPIRTËRISHT E MENDËRISHT

(Lexime poetike: poezia “Përhënie” e Mirko Gashit), 2

Nga Prend BUZHALA

Poezia “Përhënie” sjell nuancime krijuese të reja të poezive të përparshme e të simbolikës së përparshme të Mirko Gashit. Kjo lirikë (Poezia “Përhënie”, e botuar edhe te “Zëri”.shkurt 1993, f. 18) përfshihet te vëllimi “Reinkarnimi im”, botim post-mortum, përgatitur nga Fehmi Ajvazi Gashi, botoi Media Plus Art, Prishtinë 2011).

Dihet se cila është situata e njeriut në gjendje të përhënët: qenie me shumë trille e teka, që e ndërron mendjen orë e çast e nuk di as vetë se ç'dëshiron e ç'kërkon; që nuk e përmban dot veten, siç e thonë edhe shpjegimet shqip të kësaj fjale.

1. Privimi nga drita që ke

Ja ç’thotë poeti kur e krijoi këtë poezi:

"Atë poezi e bëra me ndihmën e shumë vargjeve të mia nëpër poezi të ndryshme ku e kam përmendur hënën.”

Figura e hënës në poezinë e Mirko Gashit ka një rrezatim figurativ dhe kuptimor të gjerë. Dy shënjuesit e saj më të thellë dalin: i pari te hëna, që është e privuar nga drita e vet dhe që është vetëm pasqyrim i diellit; i dyti tregues – hëna kalon nëpër faza të ndryshme dhe e ndërron vazhdimisht formën. Për këtë arsye, hëna simbolizon varësinë dhe principin femëror (përveç në raste të veçanta) si dhe periodizimin e ripërtëritjen. Në harmoni me këtë, ajo është simbol i shndërrimeve dhe rritjes. Me hënën Mirko Gashi evokon bukurinë e femrës, por edhe bukurinë në jetë e në përmasa kozmike; evokon dritën nëpër shtigjet e errëta të fatit. Aty feksojnë vizionet e poetit: tashmë hëna shëtit nëpër zonat e mistershme e të fshehta, të dyfishta, të poetit: aty lëngon një imagjinatë nga pak e hallakatur, por është edhe imagjinata që ekzaltohet, dhe shtypet; së andejmi, ai i gjen burimet e të vërtetës dhe vatrat e lirisë shpirtërore e ekzistenciale. Aty vjen fryma e fjalës së shqiptuar aq butësisht, pothuajse, një poetikë e frymës së butësisë së pazakontë, po aq sa edhe një ashpërsi rezistimi, një goditje si me gong që merr jehonë së brendshmi dhe dëgjohet në hapësirat e pakufishme të kozmosit:

Në dreq të mallkuar

me draprin e hënës së re në rërë

mjellmën e argjendtë e kanë prerë

2. Epifania lirike e ekstazës poetike

Simbolizmi i mjellmës, ashtu si ai i hënës, po ashtu ka përdorim funksional estetik e poetik: ajo shënjon hijeshinë, bukurinë, energjinë, butësinë, -pastërtinë, fisnikërinë dhe plotkuptimësinë. Ajo është sinonim i krijesës së bukur, e cila në poezinë e Mirko Gashit shfaqet përnjëmend si epifani lirike e ekstazës poetike. Nëpërmes kësaj poezie, sikundër figurat opozicionale jetë/vdekje, ujë/zjarr, dritë/errësirë etj. edhe këtu na vijnë ligjërimet e përvojave krejtësisht të kundërta: në njërën anë mjellma e bardhë, në tjetrën mjellma e zezë. Opozicioni i tillë simbolik i shquar si përvojë e simbolistëve dhe parnasistëve evropianë, (diell i zi, kalë i zi etj), te Mirko Gashi e luan rolin e sintezës së atmosferës festive: jeta në harxhimin e saj na është një festë! Një dasmë hënash. Mjellma e bardhë shfaqet ditën, kurse mjellma e zezë është simbol i bardhësisë së natës; njëra solare, tjetra e errësirës. Bardhësi e errësirës!

Të dy mjellmat në lirikën e Gashit shfaqen si mistere të shenjta, të sakralizuara posi tek mitet, janë zona të mistershme (rrezatime reminishencash të dritës mashkullore e të dritës femërore). Në të vërtetë, kjo poezi, me orkestrimin e kaq shumë figurave të nuancuara semantikisht, shfaqet e thuret si një sintezë e bukur e tërë krijimtarisë poetike të Mirko Gashit, nga njëra anë dhe e jetës së tij nga ana tjetër.

Mirko GASHI:

PËRHËNIE

Në dreq të mallkuar

me draprin e hënës së re në rërë

mjellmën e argjendtë e kanë

prerë

Mes brigjeve uji

shtatë diej fundosi

dy hëna nusërore varrosi

Mjellma e zezë

dhe ajo e bardhë

mua më kërkojnë

pas hënës së re

të zi ose të bardhë

Dhe mbaje mend

kur hëna bashkohet

dhe hëna në det fundoset

ai do të rritet tatpjetë

baticës

Vdekja dhe jeta

shëtisin dorë për dore

si binjakët që shkojnë në shkollën

yjore

për të mësuar

pse vlon qumështi në gjirin e nënën

qysh zgjohet deti në prehërin e hënës

në baticë

kërkojnë fytyrat tona të humbura

e ti lule

zhvisheshe ngadalë

ata duruan të të shohin

durimi

është kufiri

i mençurisë dhe çmendisë

I përngjan hënës

e nënës

ai është limani

i fundit i mirësisë

O Zot

druaj

se do t’i prejnë

rrezet e Hënës

si do ta luajë

atëherë

elegjinë për dëmin

në lyrën time

pa tela

Hëna drapër

korrte valët

e detit

Njeriun e pret korrja

ai gjuan draprin e hënës

Në kraharorin e jevgut

e krisur

hëna dënes

Njëherë marama

të bëhet e mbrama

mbaron loja

do të jetë Hëna

do të ketë rreze

të mbyllet syri

të pushon goja

Hëna lëshoi rrjetën

qyteti vazhdoi jetën

Në prehrin e hënës

sa e lumtur

më ishte jeta

edhe ën shpirtin tim

tashti zbriti bleta

E unë e hëna vajtojmë

luajmë etida

ç’u bë nisia

ku është Atlantida

Troku i kalëfuqive

buçet

Korbat nëna

e çalë hëna

do ët vyshken

burbuqet

Ji i gëzuar

mos rri me lot

sonte niset hëna e plotë

Nëpër guaca po fle gaca

sonte niset hëna e plotë

(1993)

(Prend N. Buzhala, rishkrime, 2 prill 2020)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora