E enjte, 12.12.2024, 11:27 PM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Ndue Ukaj

E diele, 05.04.2020, 09:58 AM


Ndue Ukaj

E diela e Laurës

Në qytetin e saj është një katedrale e rrënuar.

Ajo qëndron mes gërmadhave,

i mungon kori dhe kënga Ave Maria.

Skaj rrugëve gurët lëshojnë dhimbje.

Veç gjurmë kori duken

bashkë me buqeta lulesh të vyshkura.

Aty ka shumë qen dhe mbeturina,

është edhe një piano e madhe pa vendqëndrim.

Në qytetin e saj është një katedrale e rrënuar.

Atë e zgjon malli për tingujt e kambanave.

Veshë fustanin e bukur dhe Ave Maria e pëshpërit në vetmi.

Ajo ka zërin e ëmbël,

çdo të diel shkon te rrënojat e saj,

flet me gurët,

me lulet që nuk çelin lehtë nëpër mbeturina.

Dhe i fshin sytë e gëzuar pa e provuar zërin n’ kor.

Është e diel dhe pushon syri i saj i hareshëm;

Ave Maria e këndon n’vetmi.

Me gomën e dashurisë

fshin faturën e kohës që e la mbrapa

dhe i bashkon duart mbi gjinjtë e saj t’bukur.

Pastaj në heshtje e hap fletën e re

ku shkruan një varg pakuptim.

Është e diel. Ajo zgjohet dhe ëndërron tempullin e dashurisë,

tingujt e këngës Ave Maria është gjallë.

Dhe pret të zbukurohet natyra,

ashtu siç zbukurohet lulja me tanë bukuritë e saj dhe t’ i bashkohet korit të jetës.

Ajo ec nëpër rrënojat e katedrales dhe e ndez një qiri, derisa gjunjët e bukur i prekin gurët fort.

(Arka e shpëtimit, 2012)

Zbulesa

Me kalimin e kohës kuptojmë gjithnjë e më shumë:

misteret që na rrethojnë

njohjen e paktë të vetvetes

njeriun që sillet përreth nesh

dhe një urë që kurrë s’e kalojmë.

Me kalimin e kohës kuptojmë gjithnjë e më shumë:

dëshpërimin pa krah,

yjet që bien nga qielli dhe shkrihen në duart e njoma të tokës.

Është natë dhe errësirë,

por unë refuzoj të shkruaj skica dëshpërimi,

sepse njoh mrekullinë e dashurisë

gëzimin pa kufij sa herë shikon lart kah qielli

dhe si zogu në fluturim

spërkat mirësi.

Hija jote shtegton rrengjeve të pikëlluara

mbi kodrat e mjegullta,

si varkë e zbraztë në qetësinë e valëve

dhe askund s’e sheh pikën e kthimit,

as rrëfimin e grisur të shpirtit tënd.

Unë s’dua të vizatoj skica dëshpërimi.

Ato i bëjnë gati

ata që rrinë me gurë në duar dhe gjuajnë

si turma që përherë di të kryqëzojë.

Sot e përgjithmonë,

me gishtat e lënduar - dua të vizatoj skica dashurie.

Prandaj e shtrydh lapsin dhe u marr ngjyrë luleve.

Matanë dallgëve të shoh ty me lutjen tënde,

melankolinë që prek shpirtin

si rrezja e diellit trupin tënd të ambël.

Po - me kalimin e kohës kuptojmë gjithnjë e më shumë

për mistere që na rrethojnë

njohjen e paktë të vetvetes

njeriun që sillet përreth nesh

dhe një urë që kurrë s’e kalojmë.

(Ndue Ukaj, nga libri, Gjithmonë diçka mungon, 2017)

Qielli i frikësuar

Në këtë rrugëtim të gjatë kalvari

poetët ngulin sytë kah sorrat e çartura

që kanë mbushë qiellin me pasiguri.

Ne kurrë s’ e kuptuam se

tingujt e lirisë janë çakorduar nga dirigjentë të shumtë

dhe një rrëfimi me heroizma e pa histori.

Sikur dje edhe sot,

ecim dhe nuk dimë kah shtegtojmë.

Në mes të kësaj mjegullnaje të madhe

mungon diçka që quhet qëllim.

Më parë këtu dikush u përpëlit,

bërtiti llahtarshëm dhe iku si vetëtima.

E në fund të kësaj ecje është një fushëbetejë

dhe një vistër shkrimesh që tregojnë si shkohet kah caku;

caku që kurrë s’e arrijmë.

Oh! Ti e di: askush nuk e meriton këtë udhëtim kaq të gjatë kalvari.

Sidomos tani kur fëshfërinë thellësia e malit

dhe sorrat e zeza mbushin qiellin me pasiguri.

(Ndue Ukaj, nga libri Gjithmonë diçka mungon, 2017)

Libri i daljes

Ne gjithmonë kërkojmë daljen nga shkurra e mërzisë,

dhimbja apo mungesa e dashurisë,

ku ka tym e zjarr.

Dhe kërkojmë të shtegtojmë kah magjia e shpresës

nëpër detin e pendesës.

Sepse ne gjithmonë kemi nevojë të dalim

nga robëria e një tirani

nga liria e shfrenuar

nga vetvetja e vetmia

me pâ

se bota nuk përfundon para syve tanë.

Ne gjithmonë kërkojmë

të shtegtojmë rrugëve të botës

të mbjellim mirësi

të ecim nëpër therra

ta bartim kryqin

të vdesim

të ngjallemi.

Sepse ne gjithmonë kemi nevojë të dalim

nga vetvetja jonë.

Me pâ se bota nuk përfundon para syve tanë

ku imagjinata

sajon mbretërinë e egos.

Ne gjithmonë kemi nevojë

të ecim nëpër shkreti

dhe të kuptojmë se matanë dhimbjes

përherë ka gëzimi dhe dashuri.

(Ndue Ukaj, Gjithmonë diçka mungon, 2017)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora