Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: 30 vjet nga krimi serb - Kisha Katolike Shqiptare, vatër në shërbim të njeriut dhe kombit
E enjte, 02.04.2020, 02:22 PM
Me Dr. Mikel D. Sopin dhe Rexhep Rifatin, Ferizaj, 21 gusht 2018
30 vjet nga krimi serb i helmimit të fëmijëve shqiptarë në Kosovë
Kisha Katolike Shqiptare, vatër në shërbim të njeriut dhe kombit
Nga Hazir
MEHMETI, Vjenë
Fëmijët e helmuar u trajtuan me
zemërgjerësi e profesionalisht nga personeli kishtar. Tani e 30 vjet më parë një rifreskim kujtese.
Policia sekrete serbe plaçkitë barnat dhe kërcënon shenjtërit në shërbim. Në
biseda informative Don Lush Gjergji. Urdhri i policisë serbe: të ndalohet dhënia
e ndihmave fëmijëve të helmuar.
Kardinali kroat Franjo Kuharic
“Mendojmë, se sulmi ndaj Kishës Shqiptare në Kosovë, mbi gjithë, është akt jo
civilizues: A është ndihma e dhënë të sëmurëve të tjerë krim?
Viti 1990 në Kosovë do shënohet si vit i disa ngjarjeve
të rënda në jetën e Kosovës, mbi të gjitha përjetimi i dhunës së paparë në
shkolla, Njëri nga aktet më kriminale nga të gjitha aktet e dhunës në Kosovë
ishte helmimi i fëmijëve shqiptarë. Në këto rrethana u vunë në lëvizje i tërë
populli. Nga ajo kohë do shkëpusim pak
rreshta përkujtimi mbi aktivitetin e Kishës Katolike Shqiptare, me theks të
veçantë në Ferizaj dhe Binçë e shënuar në shtypin kroat.
Kisha Katolike Shqiptare ishte pjesë e kësaj lëvizje në mbrojtje dhe ndihmë të
fëmijëve të helmuar nga pushtuesit serb. Ajo ishe bërë qendër ku trajtoheshin
të helmuarit, qendër e furnizimit me barëra dhe material sanitar për shumë
qendra të Kosovës. Qendër e mbledhjes së shënimeve dhe fakteve mbi helmimin e
fëmijëve. Këto fakte do prezantohen në mjete informimi, simpoziume, konferenca
në vazhdimësi. Kisha Katolike Shqiptare
ishte shpresa e ndihmës, e strehimit. “ Së pari më vrisni mua, pastaj
vëllezërit e mi të strehuar këtu”, tha prifti patriot. Porosi shekullore ndaj
vëllaut! Nga shënimet e kohës po japim
sekuencë nga ditët e para të helmimeve masive në Ferizaj dhe Kosovë.
Në pamundësinë e krijuar nga intervenimi i policisë
serbe, u bë e vështirë deri e pa mundur, dhënia e ndihmës fëmijëve të helmuar
në Ambulanten Rajonale të Ferizajt. Në këto rrethana duhej më shumë se kurrë
veprimi organizativ që fëmijët e helmuar me çdo kusht të trajtohen. Dr. Paulina
Lumezi, në bashkëpunim me kolegët e saj dr.
Besim Hoxha Dr. Hajdin Ymeri dha idenë për ngritjen e një
Ambulante improvizuese brenda kishës. Kjo ide u mbëshet edhe nga të tjerët, dr. Safet Beqiri,
dr. Xheladin Reqica, dr. Agim Bytyçi, Dr.Tefik Idrizi, Dr.Skender Hyseni. U bisedua Don Lush Gjergji dhe personelin
e Kishës Katolike Shqiptare duke parë nevojë të ngutshme për ndihmë fëmijëve
shqiptarë të helmuar. Së bashku me personelin shëndetësor nga Shtëpia e
Shëndetit në Ferizaj, vendosin të improvizojnë ambulancë për trajtim mjekësor
brenda hapësirës së Kishës. Dihej se policia serbe pengonte trajtimin në Ambulanten
Rajonale e cila ishte e ngarkuar me pacientë,
pengonte bartjen e të helmuarve deri aty dhe qendra tjera mjekësore
jashtë Ferizajt. Kjo edhe vendoset, ku përgjegjëse për ambulanten brenda kishës
u caktua Motra Viktoria e cila do jetë në shërbim të vazhdueshëm me përkushtim.
Motra Viktoria së bashku me dr. Paulina Lumezin
dhe dr.Hajdin Ymeri mori pjesë në punimet e Simpoziumit në
Zagreb i organizuar me 9 qershor 1990 me temë nga helmimet në Kosovë.
Nën llupen e pushtuesi serb u vu aktiviteti në Kishën
Katolike Shqiptare, sulmet e saj ishin të përditshme dhe shumë agresive nga e
cila plaçkitën të gjitha barërat, maltretohen mjekët, shërbyesit dhe të
sëmurët. Kjo gjendje u pasqyrua edhe në shtypin e kohës. Në biseda informative
ftohet edhe Don Lush Gjergji, të cilin e urdhërojnë për ndërprerje të trajtimit
të helmuarve në kishë.
Shtypi kroat: Vecernji List, Fokus, Glas Koncila dhe gazeta tjera, përcillnin ngjarjet në Kosovë, mes tyre u dallua me regjistrimin dhe shkrimet drejtpërdrejtë nga helmimet e fëmijëve shqiptarë në Kosovë gazeta “Glas Koncila”, e cila ishte e lidhur me aktivistë, humanistë dhe shërbimet humanitare prenë Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë. Shoqëritë shqiptare e kroate bashkë rendonin aktivitet dhe ishin kundër politikës serbe luftënxitëse në Kosovë. Kisha Katolike Kroate udhëhiqej nga Kardinali Franjo Kuharic, i cili kishte takime të vazhdueshme me veprimtarët shqiptarë jo vetëm në Kroaci, Dr.Besnik Bardhi dhe rrethin e tij të bashkëveprimtarëve, Ferhat Ymeri, Sali, Krasniqi, Talat Gjinolli, Flora Brovina e shumë të tjerë.
Murgesha nga Kroacia
shkruan një letër për gazetën kroate “Glas Koncila“, 6 maj, 1990.
“Për çdo ditë na sjellin nga disa të
helmuar. Spitali i kthen në shtëpi, sepse qenka „“mirë“, kurse atyre mundimi në
lukth u rikthehet, pësojnë ngërqe në këmbë, vështrimi i syve është si para
frymarrjes së fundit. Nuk mund të ecin, duhet të mbahen. Para dy ditëve një vajzë
e kanë varrosur. Duket se helmi ishte i hedhur para shtëpisë, sepse tërë
familja ishte helmuar. Veçse helmimi nuk ndikon njësoj te secili. Në TV nuk e
kanë treguar këtë. Murgeshat tona japin ampula bedoksin dhe tableta novalgetol,
por këto na kanë mbaruar, sepse për shkak të helmimit të madh, janë harxhuar në
barnatoret e Ferizajit dhe Gjilanit. Se si do dalë kjo, vetëm zoti e di. Sa
lot janë derdhur këto ditë në rrethinat
tona!”.
Kjo para se gjithash në Ferizaj dhe Binçë ku shërbenin
disa Motra nderi nga Kroacia me vite të tera në misionin e tyre shërbyes fetar
e human. Mes tyre Jela Gojevic dhe Marjana Gojevic të cilat u dhanë ndihmë
fëmijëve të helmuar shqiptarë. Në takimin tonë pas tridhjetë vjetëve Motra Jela Gojevic i kishte të freskëta përjetimet
e saja nga skenat e dhembshme e të helmuarve që kërkonin ndihmë. Ajo me modesti
nuk dëshironte të lavdërohet se ka bërë diç të madhe, ka bërë detyrën ndaj
zotit dhe njeriut.
“Po ishte kohë e rëndë vinin fëmijë të sëmurë. Ne iu
ofronim ndihmë me ato mjete që kishim në shtëpinë tonë të përbashkët, kishim
podrumin ku mbanim materiale dhe kishim mundësi të japim ndihmë. Kishte ditë që vinin shumë nxënës nga
Ferizaj, Prizreni dhe gjithë Kosova, pasi nuk kishin mundësi të kërkonin ndihmë
në objekte tjera. Ndihmë të madhe dha Nue Gjergji. Ne nuk e dinim për çfarë
sëmundje ishte fjala, por e shihnim se fëmijët ishin të sëmurë, disa nga të
cilët rëndë. Më kujtohet se forcat policore serbe erdhën dhe grabiten të gjitha
barnat dhe materialet që duheshin për dhënie të ndihmës. Kjo ndodhi dy herë
(... sve do nul) . Me datë, 9 gusht 1990 Glas Koncila shkruan rreth
sulmit të forcave serbe në Kishën Katolike Shqiptare dhe grabitje e barërave,
maltretimet e personelit dhe të helmuarve.
Ipeshkvi Nikollë Prela kërkon intervenim në mbrojtje të drejtave të njeriut. Ipeshkvi i Bashkisë Katolike Shqiptare në Kosovë, dërgon nga Ferizaji informatë me 6 gusht 1990, të gjitha qeverive të republikane, krahinore dhe asaj federative me rastin e incidentit të shkaktuar nga policia serbe: Agjentet e punëve të brendshme të përcjell me njësitet speciale të armatosura të policisë, me 4 gusht të këtij viti (1990), pa paralajmëruar dhe pa vendim përkatës, përkundër protestës së ashpër të ipeshkëvisë, kontrollojnë shtëpinë e zotit dhe kishën e Ferizajt dhe banesat e motrave të nderit në Binqë, në mëngjes rreth orës 06:30, në të njëjtën kohë grabisin barërat e barnatores së motrave të nderit, gjegjësisht barëra për të sëmurët nga të gjitha besimet dhe kombësia, të cilët vazhdimisht kanë ardhur të varfrit apo në mungesë të barërave në barnatore... I vetmi që reagon me një deklaratë ishte Kardinali kroat Franjo Kuhariq Ai i del në mbrojtje Kishes Shqiptare në Kosovë i cili e quan akt jo civilizues “Mendojmë se ky akt jo civilizues është sulm mbi gjithë Kishën Shqiptare në Kosovë dhe mes tjerash pyet: A është dhënia e ndihmës të sëmurëve krim?
Në takimet me shërbyesit e asaj kohe na
ndihmoi gazetari e publicisti i njohur Rexhep Rifati. Edhe vet ishte i lidhur në
aktivitetet që zhvilloheshin në rrethanat tejet të rënda. Edhe familja e tij e
kishte pësuar nga helmi serb i hedhur, Teuta, vajza e Rifatit asokohe nxënëse e
fillores, helmohet rëndë bashkë me shoqet e shokët e saja me 5 prill 1990. Edhe sot e kësaj dite dëgjohet mbi pasojat që
lanë helmimet, krim serb i pa ndëshkuar.