Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Dr. Shukri Gerxhaliu - Kur është në pyetje fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem
E shtune, 21.03.2020, 05:34 PM
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJËVE SHQIPTARË NË KOSOVË
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi
unë jam i gatshëm të sakrifikohem”.
Flet
Dr. Gërxhaliu, doktori i cili trajtoj me sukses fëmijët e helmuar, ai i cili
trajtoj minatorët grevist në zgafellë tremijë metra në zemër të tokës
shqiptare. Doktori trim e atdhetar i pa luhatshëm deri në ditët tona.
Nga
Hazir MEHMETI
Nën harqet e Urës
së Gurit në Vushtrri takohemi pas tridhjetë vjetëve me Dr.Shukri Gerxhaliun, një ambient i cili flet mbi
historinë e Lumit të qytetit dhe vet Vushtrrisë si vendbanimi urban ndër më të
vjetrit në kontinent i njohur para njëzetë e katër shekujve në kohën e Ilirisë
me emrin Vicianum. Thuhet se ishte vendbanim i njohur me proporcione të Londrës
së asaj kohe. Këto rikujtime nga leximet
dhe e kaluara e ime këtej vinin fshehurazi nga miqtë e mi shoqërues Dr. Shukri
Gerxhaliu dhe Prof. Bedri Tahiri.
Derisa kamerieri rregulloi
karriget dhe mbulesën e tavolinës, filloi të frynte një erë ca më e theksuar,
kjo mund te ishte pengesë në incizimet e intervistës në diktafonin
japonez, dhuratë nga Vlora, vajza ime pas mbarimit të hulumtimeve atje.
- “Ju përgëzoj për këtë mund
tuajin, kjo na nderon ne, ata që e pësuan nga helmimi, qytetin tonë dhe gjithë
ne. Ky qenka edhe një dokument në paharresë të një akti kriminal të armikut
serb kundër shqiptarëve”, e hapi bisedën Dr. Shukriu.
Urimi i tij më dha kurajë në
vazhdimin e punës sime.
Faleminderit
Doktor! E vlerësoj kohën tuaj me vlerë dhe nuk do doja të ju marrim shumë nga
ajo, i them i përgatitur për bisedën dhe kureshtar të mësoj prej tij nga ajo
kohë e ligë për ne.
Po,
e filloi Dr.Shukri Gerxhaliu, ishte pranvera e vitit 1990, dhe zakonisht
njerëzit i gëzohen pranverës, por kësaj radhe erdhi një hata për fëmijët dhe
popullin e Kosovës e cila nuk do harrohet kurrë. U helmuan nxënësit dhe së pari
ata i sollën mësimdhënësit në Shtëpinë e Shëndetit në Vushtrri. Atë ditë
kujdestar ishte Dr.Behrami, i cili na thirri të gjithëve, aty ishte me ne edhe
Dr.Shaban Merovci, neuropsikiatri i njohur. Unë e propozova që të vinte
Dr.Shabani i cili ishte më i vjetër dhe me përvojë. Ai arriti shpejtë, u bëmë
së bashku: Dr.Behrami, Dr. Shabani, unë dhe policia serbe. Policët serb rrinin
aty të pranishëm, kjo mua më befasoi dhe mendova: çka donë ata këtu? Në
ndërkohë Dr.Shaban Merovci ishte ngatërruar me ta dhe u tha: A doni t’i kçyrni
(kontrolloni) ju apo po i kçyri unë! Ata
serbisht thanë, ne po rrimë këtu. Dr. Shabani ua preu shkurt: Ju nuk guxoni të
rrini kur unë jam këtu. Këta janë pacientë të helmuar me helme të luftës dhe u
duhet ndihma, ju duhet të dilni jashtë. Kjo shtyrje fjalësh zgjati bukur shumë
derisa ata u detyruan të dalin jashtë. Faktikisht ata i përzuri Dr. Shabani
edhe pse kundërshtonin praninë e tyre i
gjithë personeli shëndetësor në ambulancë.
Si vepruat ju në
nivel kolegjiumi mjekësor në këto rrethana?
Ata që i sillnin nxënësit e
helmuar: arsimtarë, taksi, privat deri në Shtëpinë e Shëndetit , maltretoheshin nga policia serbe, thirrem
Kolegiumin dhe u morëm vesh që disi ta ngremë një ordinancë të improvizuar disi
në Qendrën Shkollore, aty më afër nxënësve që të mos kemi probleme gjatë
rrugës. Pas bisedave në kolegjium u caktova të shkoj unë për të biseduar me
drejtorin, ishte një malazez, Slobodan Dokniq. Unë pranova, edhe pse nuk ishte
e lehtë, kur janë në pyetje fëmijët, atdheu dhe populli nuk hezitoj fare. Pa
vonuar shkova në zyrën e tij, ai më njihte pasi ishte mësimdhënës i imi dikur.
Si ishte pritja e tij?
Më priti mirë, ia
shpjegova situatën dhe rrethanat të cilat e kushtëzojnë nevojën e një ambulante
te improvizuar diku në lokalet e Qendrës Shkollore. Ai më tha: “Televizioni dhe
shtypi po thonë se këto janë aktrime dhe nuk janë helmime”. Unë ia ktheva:
Profesor, këto nuk janë aktrime por nxënësit janë të sëmurë. Ai u kujtua pak
dhe shtoi: Unë ty të besoj, por si t’ia bëjmë, çka duhet? Ia shpjegova, se ne kërkojmë një hapësirë
brenda shkollës për një ambulantë të
improvizuar ku do trajtojmë rastet e paraqitura të të sëmurëve të cilët rrugës
deri në Shtëpinë e Shëndetit po vonohen e maltretohen. I them, ju sigurisht i
keni parë nxënësit e sëmurë se çfarë gjendje të rëndë shëndetësore kanë kur po
i kap helmi ose ataku gjatë helmit. Ai pa hezitim tha po, i kam parë, bënë, pajtohem. Bënë, veç unë kam dëshirë të ma jepni me
shkrim. Ai pak u kujtua dhe tha, po.
Drejtori menjëherë i tha sekretares ta shkruan vendimin, e nënshkroi dhe
e vulosi.
Kjo diç e veçantë për atë kohë,
po pastaj si rrodhi situata?
Pastaj më ra ndër
mend që ta kopjoj vendimin. Shkova tek Abit Fejza në zyrën e tij i cili e
kishte një makinë kopjimi dhe i bëra disa kopje. Me këto kopje u ktheva në
Kolegjium, u dhashë një kopje dhe i rekomandova që tani e tutje të shkonin
rregullisht për kontrollimin e nxënësve pasi e kishin të lejuar. Kolegiumi më
çdo kusht më caktoj mua edhe pse isha edhe te minatorët në zgafelle gjatë
grevës së urisë për kontrolle mjeksore, edhe tani këtu. Kur është në pyete
fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem, ju them në
kolegjiumin e mjekëve në Shtëpinë e Shëndetit në Vushtrri.
A ju kujtohet kush ishte me
ju në ndihmë nxënësve dhe sa kohë funksionoi puna e juaj?
Po, me mua
vazhdimisht ishte Motra, Kimete Zekolli-Gubetini, së bashku kemi trajtuar
nxënës të sëmurë disa kohë. Gjatë asaj
kohe kur nxënësit ishin të sëmurë erdhi një aktivist dhe i incizoi nxënësit e
sëmurë, në ato momente kemi qenë unë dhe Motra Kimete. Gjatë asaj kohe
problemet më mëdha i kishim me terapi. Simptomat ishin: humbje e vetëdijes
(ngjashëm me epilepsinë), skuqje në fytyrë, zgjerim të bebëzave, lemerisje në
zë të tmerrshëm. Vinin shumë raste përnjëherë dhe nuk dinim cilin përpara ta
ndihmojmë, por për fat ishim aty në lokalet e shkollës. Shpesh u bënim disa
veta për ndihmë, na ndihmonin gjithashtu profesorët të cilët nuk më kujtohen me
emra dhe pedagogu i shkollës Sylejman Maxhuni.
Si ishte furnizimi me
barnat elementare dhe kush ju ndihmonte në sigurimin e tyre?
Gjatë asaj kohe
kishte një solidaritet të madh në popullatë dhe na furnizonin me barna. Nuk e
harroj ndihmën e madhe nga Agim Osmani, i cili tani jeton në München të
Gjermanisë. Furnizimi me barëra ishte shumë i vështirë. Ai sillte barëra por edhe ushqime të domosdoshme,
si jogurt, byrekë, bukë, pije dhe
ushqime tjera të cilat, ai e kishte një byrektore për nxënës e arsimtarë në
Qendrën Shkollore. Çdo ditë vinin
policët serb, kishin mbetur edhe dy shqiptarë policë, të tjerët i patën larguar
nga puna, kontrollonin, plaçkitnin çka gjenin: barëra, pije, ushqime, por ne
prapë i siguronim disi. Ata shpesh pyetnin: Sa të helmuar i trajtuat sot, sa
janë të sëmurë, çka po thonë... etj. Ne nuk pritnim mirë prej tyre dhe ishim të
vendosur të vazhdojmë trajtimin pa marrë parasysh pasojat e mundshme personale.
Por pasi e kishim vendimin nga drejtori nuk na largonin.
Furnizuesi ynë
ishte Agim Osmani (nga Bajra), ai
shkonte në Letnicë (Binçë) në Kishen tonë shqiptare ku motrat e nderit i
jepnin barëra dhe ai me gjithë ato sakrifica i sillte tek ne. Ajo ishte një shpëtim për ne, ishin barëra
simptomatik (tonizime të kombinuara vitamina me glukozë), kundër temperaturës,
kundër dridhjeve, rrallë herë edhe qetësues ose sedativ kur kishte situata
dramatike, kur nuk mundnim kurrsesi t’i qetësojmë në situatat dramatike, sepse
kishin dridhje, shpesh të vjella, skuqje, dridhje, kishin gjysmë vetëdije, me
subkorteks mendonin derisa kalonte atakimi nga helmet. Tek epilepsia zgjatë një
kohë të shkurtër dhe kthehet, në këtë
rast zgjaste gjysmë ore, shpeshherë edhe më shumë.
A ju kujtohet cilët
fëmijë ishin më të prekur, çfarë pasojash pësuan dhe a janë takuar me ju
ndonjëri nga të helmuarit?
Shumica e të
helmuarve ishin femra, por kishte edhe meshkuj. Po, kam pasur kontakte me shumë
prej tyre edhe pas asaj kohe janë ardhur dhe janë falënderuar. Pasojat më të
rënda ishin tek femrat, disa nga ato janë shëruar, disa kanë pasur pasoja gjatë
gjithë jetës, bie fjala kurrë s’kanë mundur të kenë fëmijë. Disa nga të
helmuarit janë dërguar jashtë vendit për shërim pasi kishin familjar atje. Në
atë kohë na vizitoi Dr.Zekirija Cana, drejtues i Forumit për të Drejtat e
Njeriut në Kosovë. Atij i dhashë i mostra gjaku, vjellje, dhe deklaratat tona
të cilat ai i dërgon tek mjeku francez Bernard
Bendetit në Francë.
Po mjekët serb, si ishte
veprimi i tyre?
Ata nuk janë përzier
fare. Ata në çdo moment i kam bindur, se fjala është për helmim tipik nga
helmet e luftës, nga sarini helmues. Mjekët dhe personeli serb janë bindur se
saktësisht janë helmime e jo aktrime. Ka edhe njerëz që i kanë parë duke
hedhur pluhurin, thonë se fjala është
për helm i hedhur ne formë pluhuri. Disa raste, ata serb që e kanë kundërshtuar
ka ndodhë që janë helmuar vetë siç ishte rasti i dy policëve, njëri serb dhe
tjetri shqiptar, kur vijnë në Qendrën Shkollore
për të kontrolluar edhe helmohen pastaj trajtohen nga unë dhe dërgohen
për trajtim tutje.
Cili helm kimik mund të
jetë përdorur nga sigurimi serb, sipas njohurive tuaja mjeksore?
Në ushtrinë
jugosllave kam lexova shumë rreth helmimeve, efekteve, simptomave nga helmet e
luftë pasi pata shërbye në repartin e efekteve të helmeve së luftës. Një libër nga ajo kohë me
detaje rreth helmeve dhe efekteve të tyre ia dhashë Dr.Zekirja Canes, aty
shkruante rreth simptomave tek të
helmuarit të cilat përputheshin plotësisht me këto te fëmijëve tanë të helmuar.
Sipas të gjitha simptomave helmi nga helmet e luftës të llojit sarin i hedhur
formë pluhuri dhe i cili merrej përmes frymëmarrjes në organizëm.
A keni mbajtur shënime mbi të helmuarit dhe ku mund të gjejmë shënime
konkrete rreth të helmuarve?
Po, unë kam
mbajtur shënime në një fletore dhe të gjitha i kam të regjistruara. Shumë nga
dokumentet janë humbur gjatë luftës. Shumicën e rasteve i kemi trajtuar aty në
ambulancën e improvizuar, por disa raste të rënda i kemi dërguar në Prishtinë.
Shumica e rasteve u trajtuan në shkollë, aty më afër dhe më shpejtë, më
efektiv dhe për këtë duhet ta
falënderojmë Dokniqin në ketër rast. Ai ishte malazez dhe si duket e kuptonte
situatën e rëndë.
Dr. Shukri Gërxhaliu në punën e tij u dallua me zellin e tij, përkushtimin,
etikën dhe mbi të gjitha guximin e tij në shërbim të pacientëve në situata të
renda para, gjatë luftës dhe pas saj. Ai
ishte një ndër mjekët e parë që vizitoi minatorët e Trepçës në 1989 në grevën e urisë, njëri ndër doktorët e parë
që u dha ndihmë nxënësve të helmuar nga
serbët gjatë vitit 1990. Dr. Shukri Gërxhaliu ishte pjesëtar i Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmitar në Gjykatën
e Hagës, kundër kryetarit serb, kriminelit, Sllobodan Millosheviq duke
argumentuar krimet serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. Ai ishte doktori i të mbijetuarave të dhunës
seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.