E marte, 19.03.2024, 04:25 AM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Çmimi Nobel për Letërsi - Olga Tokarçuk

E shtune, 12.10.2019, 05:12 PM


ÇMIMI NOBEL PËR LETËRSI – OLGA TOKARÇUK

Nga Xhelal Zejneli

Për shkak të një skandali seksual të një anëtari të jurisë të Komitetit të Nobelit, Çmimi Nobel për letërsi për vitin 2018 nuk u nda. Sot, më 10.10.2019, ky çmim për vitin 2019 iu nda shkrimtares dhe psikologes polake Olga Tokarçuk (Olga Tokarczuk), e lindur në vitin 1962. Diplomoi psikologjinë në Varshavë. Si në lëmin e krijimeve letrare, ashtu edhe në atë të psikologjisë, është ndikuar nga psikiatri zviceran Karl Gustav Jung (1875-1961).

(Jungu është themelues i psikologjisë analitike apo komplekse. Është i pari që e përdori termin “kompleks”. Deri në vitin 1913, Jungu bashkëpunoi me mjekun dhe psikiatrin austriak me prejardhje çifute, themeluesin e psikanalizës - Sigmund Frojdin (1856-1939). Me studimet e veta mbi seksualitetin dhe agresivitetin, si dy motive mbizotëruese të njeriut, Frojdi i shokoi bashkëkohësit e vet. Hulumtimet e tij në lëmin e nënvetëdijes i vazhdoi e bija Ana Frojd).

Laureaten polake, Olga Tokarçuk, juria e përshkroi si “shkrimtare e preokupuar me jetën lokale.... , por e cila botën e shikon nga lartë”. Të parin roman “Në kërkim të librit” e botoi në vitin 1993. Ajo është feministë dhe vegjetariane. Në disa vepra të veta i paraqet dukuritë negative të shoqërisë polake. Kritikon ashpër mbartësit e deformimeve në politikë dhe në shoqëri, politikanët konservatorë, përkatësisht pushtetarët. Në një intervistë televizive kishte deklaruar se “Polonia ka kryer vepra të tmerrshme kolonizimi gjatë historisë”. Kjo i kishte tmerruar nacionalistët djathtistë. E shpallën tradhtare të kombit. Për ta mbrojtur nga ndonjë sulm eventual, botuesi i saj angazhoi truproja. Olga Tokarçuk është femra e 15-të që e merr Çmimin Nobel për letërsi.

Angazhimi i saj si shkrimtare për t’i parë anët e errëta të shoqërisë dhe për t’i stigmatizuar mbartësit e së keqes, të përkujton pikëpamjet e shkrimtarit dhe të filozofit ekzistencialist francez Sartrit (Jean-Paul Sartre, 1905-1980) i cili thotë se shkrimtari duhet t’i vërejë shtrembërimet në shoqëri dhe t’i demaskojë mbjellësit e ligësisë, sikundër mund të jenë politikanët apo pushtetarët e papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, intelektualët oportunistë dhe konformistë si dhe qytetari që duron padrejtësinë.

Autori i romanit “Neveria” (La Nausée, 1938) – Sartri, është shkrimtari i cili e refuzoi Çmimin Nobel për letërsi që iu nda në vitin 1964. Kjo shkaktoi incident dhe skandal në publik. Më vonë, në një intervistë për gazetën Le Figaro, Sartri jep sqarime për arsyet e refuzimit të Çmimit Nobel. Ndërmjet tjerash, thotë: “...Çmimin Nobel e kam refuzuar për arsye se shkrimtari duhet të mbetet i pavarur nga institucionet që i ndajnë ato. Nuk dua që Çmimi Nobel të më transformojë dhe të më ngjallë asociacion me institucionin e Akademisë Suedeze”. Në vijim Sartri shtoi se “Çmimi Nobel nuk i merr njësoj parasysh shkrimtarët e ideologjive të ndryshme dhe të kombeve të ndryshme, por i parapëlqen modelet perëndimore. Më vjen keq që akti im shkaktoi skandal në publik. Po të ma kishin ofruar sovjetikët Çmimin Lenin, po ashtu do ta kisha refuzuar”.

Para kësaj, Sartri kishte refuzuar të bëhej anëtar i Legjionit të Nderit (Ordre National de la Légion d’honneur) që është dekoratë më e lartë e Francës, e themeluar nga Napoleon Bonaparti, e që jepet nga presidenti francez.

Në vendet e varfëria dhe të pazhvilluara, në shoqëritë e prapambetura, nëpër qytezat me plot provincializëm s’ka ditë e të mos i shajnë politikanët dhe pushtetarët. Por, me të ardhur dita e votimeve, po këta sharës i votojnë të tillët dhe i mbajnë pafundësisht në pushtet. Me një popull që s’lexon lehtë është të manipulosh. Një popull të papunë apo një popull me të ardhura të ulëta, s’e ke vështirë ta sundosh me demagogji dhe me premtime boshe. Në vendet e prapambetura, qeverisja është autokratike, autoritare, me premisa despotike. Në të tilla vende, sistemi politik, ndonëse pluralist, në thelb është kuazidemokratik. Në shtetet e tilla, kemi skena orueliane, mediumet ndërkaq, ndodhen nën kontrollin e pushtetarëve. Në të tilla vende, inteligjencia ri duarkryq, ndërsa akademikët, për interesa të vet meskinë, hiqen sikur s’vërejnë gjë apo sikur s’dëgjojnë gjë. Të tillët s’janë dot akademikë, janë pseudo-akademikë. Zëri i protestës s’dëgjohet dot gjëkundi.

Pushtetarët dhe politikanët e vendeve të pazhvilluara, ndaj popujve të vet ndjekin politikën panem et circusens, njësoj si në Romën e lashtë. Jepu njerëzve bukë dhe argëtim dhe luaj me ta si të duash.

Laureatja e Çmimit Nobel për letërsi për vitin 2018, me forcën e artit të fjalës u bë zëri i kombit në Poloni. Mesazhet e veprës letrare të saj kanë përmasa universale.

Krijuesi letrar është i madh, jo kur shkruan për lashtësinë, për të kaluarën, për historinë, qoftë ajo edhe e lavdishme. Shkrimtari i madh, mu si Honore de Balzaku (1799-1850) apo si Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1881), si Franc Kafka (1883-1024) apo si Gabriel Garsia Markezi (1927-2014) - përplaset me stuhitë e kohës.

*   *   *

Në vitin 1973, Çmimi Nobel për paqe iu dha sekretarit amerikan të Punëve të Jashtme Henri Kisingerit (Henry Kissinger) si dhe politikanit dhe diplomatit vietnamez Le Duc Tho (1911-1990) i cili e refuzoi me arsyetimin se “në vendin e tij ende nuk sundon paqja”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora