| E shtune, 12.10.2019, 06:12 PM |
ÇMIMI NOBEL PËR LETËRSI – OLGA TOKARÇUK
Nga
Xhelal Zejneli
Për shkak të një skandali
seksual të një anëtari të jurisë të Komitetit të Nobelit, Çmimi Nobel për
letërsi për vitin 2018 nuk u nda. Sot, më 10.10.2019, ky çmim për vitin 2019 iu
nda shkrimtares dhe psikologes polake Olga Tokarçuk (Olga Tokarczuk),
e lindur në vitin 1962. Diplomoi psikologjinë në Varshavë. Si në lëmin e
krijimeve letrare, ashtu edhe në atë të psikologjisë, është ndikuar nga
psikiatri zviceran Karl Gustav Jung (1875-1961).
(Jungu është themelues i psikologjisë
analitike apo komplekse. Është i pari që e përdori termin “kompleks”.
Deri në vitin 1913, Jungu bashkëpunoi me mjekun dhe psikiatrin austriak me
prejardhje çifute, themeluesin e
psikanalizës - Sigmund Frojdin (1856-1939). Me studimet e veta
mbi seksualitetin dhe agresivitetin, si dy motive mbizotëruese të
njeriut, Frojdi i shokoi bashkëkohësit e vet. Hulumtimet e tij në lëmin
e nënvetëdijes i vazhdoi e bija Ana Frojd).
Laureaten polake, Olga
Tokarçuk, juria e përshkroi si “shkrimtare e preokupuar me jetën lokale....
, por e cila botën e shikon nga lartë”. Të parin roman “Në kërkim të
librit” e botoi në vitin 1993. Ajo është feministë dhe vegjetariane. Në
disa vepra të veta i paraqet dukuritë negative të shoqërisë polake. Kritikon
ashpër mbartësit e deformimeve në politikë dhe në shoqëri, politikanët
konservatorë, përkatësisht pushtetarët. Në një intervistë televizive kishte
deklaruar se “Polonia ka kryer vepra të tmerrshme kolonizimi gjatë
historisë”. Kjo i kishte tmerruar nacionalistët djathtistë. E shpallën
tradhtare të kombit. Për ta mbrojtur nga ndonjë sulm eventual, botuesi i saj
angazhoi truproja. Olga Tokarçuk është femra e 15-të që e merr Çmimin Nobel për
letërsi.
Angazhimi i saj si
shkrimtare për t’i parë anët e errëta të shoqërisë dhe për t’i stigmatizuar
mbartësit e së keqes, të përkujton pikëpamjet e shkrimtarit dhe të filozofit
ekzistencialist francez Sartrit (Jean-Paul Sartre, 1905-1980) i
cili thotë se shkrimtari duhet t’i vërejë shtrembërimet në shoqëri dhe t’i
demaskojë mbjellësit e ligësisë, sikundër mund të jenë politikanët apo
pushtetarët e papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, intelektualët oportunistë
dhe konformistë si dhe qytetari që duron padrejtësinë.
Autori i romanit “Neveria”
(La Nausée, 1938) – Sartri, është shkrimtari i cili e refuzoi
Çmimin Nobel për letërsi që iu nda në vitin 1964. Kjo shkaktoi incident dhe
skandal në publik. Më vonë, në një intervistë për gazetën Le Figaro,
Sartri jep sqarime për arsyet e refuzimit të Çmimit Nobel. Ndërmjet tjerash,
thotë: “...Çmimin Nobel e kam refuzuar për arsye se shkrimtari duhet të
mbetet i pavarur nga institucionet që i ndajnë ato. Nuk dua që Çmimi Nobel të
më transformojë dhe të më ngjallë asociacion me institucionin e Akademisë
Suedeze”. Në vijim Sartri shtoi se “Çmimi Nobel nuk i merr njësoj
parasysh shkrimtarët e ideologjive të ndryshme dhe të kombeve të ndryshme, por
i parapëlqen modelet perëndimore. Më vjen keq që akti im shkaktoi skandal në publik.
Po të ma kishin ofruar sovjetikët Çmimin Lenin, po ashtu do ta kisha refuzuar”.
Para kësaj, Sartri kishte
refuzuar të bëhej anëtar i Legjionit të Nderit (Ordre National
de la Légion d’honneur) që është dekoratë më e lartë e Francës, e
themeluar nga Napoleon Bonaparti, e që jepet nga presidenti francez.
Në vendet e varfëria dhe të
pazhvilluara, në shoqëritë e prapambetura, nëpër qytezat me plot provincializëm
s’ka ditë e të mos i shajnë politikanët dhe pushtetarët. Por, me të ardhur dita
e votimeve, po këta sharës i votojnë të tillët dhe i mbajnë pafundësisht në
pushtet. Me një popull që s’lexon lehtë është të manipulosh. Një popull të
papunë apo një popull me të ardhura të ulëta, s’e ke vështirë ta sundosh me
demagogji dhe me premtime boshe. Në vendet e prapambetura, qeverisja është
autokratike, autoritare, me premisa despotike. Në të tilla vende, sistemi
politik, ndonëse pluralist, në thelb është kuazidemokratik. Në shtetet e tilla,
kemi skena orueliane, mediumet ndërkaq, ndodhen nën kontrollin e pushtetarëve.
Në të tilla vende, inteligjencia ri duarkryq, ndërsa akademikët, për interesa
të vet meskinë, hiqen sikur s’vërejnë gjë apo sikur s’dëgjojnë gjë. Të tillët
s’janë dot akademikë, janë pseudo-akademikë. Zëri i protestës s’dëgjohet dot
gjëkundi.
Pushtetarët dhe politikanët
e vendeve të pazhvilluara, ndaj popujve të vet ndjekin politikën panem et
circusens, njësoj si në Romën e lashtë. Jepu njerëzve bukë dhe
argëtim dhe luaj me ta si të duash.
Laureatja e Çmimit Nobel për
letërsi për vitin 2018, me forcën e artit të fjalës u bë zëri i kombit në
Poloni. Mesazhet e veprës letrare të saj kanë përmasa universale.
Krijuesi letrar është i
madh, jo kur shkruan për lashtësinë, për të kaluarën, për historinë, qoftë ajo
edhe e lavdishme. Shkrimtari i madh, mu si Honore de Balzaku (1799-1850)
apo si Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1881), si Franc
Kafka (1883-1024) apo si Gabriel Garsia Markezi (1927-2014)
- përplaset me stuhitë e kohës.
* * *
Në vitin 1973, Çmimi Nobel
për paqe iu dha sekretarit amerikan të Punëve të Jashtme Henri Kisingerit
(Henry Kissinger) si dhe politikanit dhe diplomatit vietnamez Le Duc
Tho (1911-1990) i cili e refuzoi me arsyetimin se “në
vendin e tij ende nuk sundon paqja”.