E shtune, 27.04.2024, 06:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Hire të prekshme

E hene, 03.10.2016, 03:25 PM


Hire të prekshme

 

Mehmetali Rexhepi

 

(Studentes Valmire Ramadan Myrtaj, në tetë vjetorin e amshimit)

 

të gjitha hiret e prekshme i mori për t`ia shpjerë amshimit

si më lajthisin ato hire të asaj fytyre udhë e mbudhë

qenkan futur thellë tejet thellë në sytë e mi liqe tej shikimit të amshimit

përplasen në stomin e trupit tim Valmira dhe më marrin furtunë

të ëmbla në syprinë ato valë një tharmë i fryn brendisë drithërimit

kafshatat nuk i kapërdij dot pa mëlmesa hiresh Tua

më grish relievi i mallit Tënd më i lartë se Korabi

dufi i ngjitjeve të dendësuara më grish e grish deri te ajo bukuri e borës

te ai gjakim prore i lagur prekjesh të ftohta të dorës

më fal por ai duf për ngjitje lartësish tashmë më është shporrur

*

gjithsesi lartësitë kanë tatëpjetat e rrëshqitjes

sikur mi dëftojnë udhët itinerarin mençuritë Tua

provoj të notoj detit të pikëllimit që më lë vetëm Valmira

se më ndjeje assesi doja t`i futesha dallgëve të këqija

e Ti prore më thua po të lë një kapital bardhësie kostumesh nusërie

dhe buzëqeshjen e pa fshehur jo si të Mona Lizës

për zhdavaritje të Motit tënd të ngrysur

Ati im nuk të lash vetëm vetëm vetëm pikëllim Ati im

merre qeshjen time gjithandej simotrave të mija për shtjellim

nuk të lash pos reve të shiut as verdhësinë e vjeshtës

tashmë ngopu me baladën e re se jam shartim i Doruntinës

nuk do më shohësh përmes ngjyrash që ua derdhe syve

*

të njëtrajtshme i paske ngjyrat i shoh përmes vrimave të fyellit të pikëllimit

si qenka shtrirë zymtësia e thinjave mes kontrastesh

shfaqet e derdhur mbi Ty hirësia e moteve

në anën tjetër të kontrastit dhuntive Tuaja

jam dhe druaj Mamaja të mos shndërrohet në trajtën e shelgut vajtues

ndonëse flokë-lëshuar i ka hije fisnikëria

por nuk ia shoh dot atë fytyrë bisqesh mbuluar nga hija e ftohtë

(Sh)palo fletët e romanit tim të shkurtë

vijo ta shkruash romanin e urtisë që mes kopertinash

t`i kesh faqet e mia të bardha

ikonën time gozhduar në zemrën Tënde

të lutem e përgjëruar o Zot për gozhdën

e ndryshkur në atë Zemër Nëne

*

Ati im nuk pihet lumi për ngushëllim

nuk e ribën fytyrën time në pasqyrën e thyer

pos çfarë kurdisi e madhërishmja natyrë

kopja ime një ikonë e bardhë brenda shiritash të zinj

e di si rrjedh tej amshimit ajo esëllti a ndonjë mynxyrë

 

-le të ndalet ai burim lumi vërshues të mos Ju përpijë

-më fute në këtë pyll të dendur me pahir Valmirë

shalli rreth qafe kush e di mund të jetë gjarpër i pazbutur

le të më pickojë se të Valmira do të më çojë

ujqër të uritur le të më copëtojnë nuk ua kam tutën

*

kambana kumboi kumti jehoi gjëmën në mua fërgoi

sikurse sot e djeshmja gjëmë e djeshmja nëmë më fërgonte shpirtin

në një fultere jete mbi zjarrin e ndjenjave të mia

më hedhen shqisat për tu shkrumbuar e kundërmuar

të mbetesha i shkalluar e Ti sedër lënduar Valmira

gishtat ua vure tetë birave të fyellit dhe hapin-mbyllin

hyrje-daljet e dridhjeve langore të tingujve

prapa gazmores do të thoshe mos e fshihni Moxart-in

tingujt magjik mallëngjimit ia vodhën artin

më falni Mëmë-At për këtë mandatë

për prushin Tuaj të pa fikur në ëndrra

*

tej amshimit e shoh tymin e djegies Suaj

shijoj athtësinë kripen e lotëve në tryeza

para se të ngjyeni në sytë e mi kapërditë lëngun e syve Tuaj

e përnatshme e çdoditshme e njëjta meny

tërë grigjën blerimi ua kishte përpi

përderisa bariu Juaj bënte sehir

në buzë iu dogj i vetmi fyell

gjyqi suprem i akt-vdekjes mori vendimin e papritur

të shuhet Valmira

Zot o Zot çka të bëjmë në këtë gjëmë

pos të vështrojmë të nemitur

*

pa dyshim ishte krim

krim anonim siç pohonte mynxyra

i pa shpaguar çfarëdo ndëshkimi

përpara përmasës kozmike të këtij mallëngjimi

një urtar i radhës duke u luhatur më zuri krahun

frenoje gjëmën hapja udhën heshtjes heshtjen ta kesh dëshmitare

lumi i pikëllimit tënd do të ndërrojë rrjedhën

shiko më tej si vërshoi dhe mori një Valmirë tjetër

Zot o Zot

qenkam më i fortë se guri

kur u mbështeta për muri

*

mblidh copat e pasqyrës së thyer që ta lash në dorë

do ta ribësh po i mblodhe fytyrën time kristalore

një kurorë ngadhënjimi për mua për Ty Ati im

e shihje përmasën madhështore por nuk e pate mbi shpinë

sa e sa rropatje të gjeje rrënjën katrore

atë përkufizim për bukurinë e dhimbjes njerëzore

se bukuria Jote qenka veçse dhimbje hirplote

lype të madhërishmen e kësaj toke

më fal të përgjërohem e përgjunjur

nuk e desha këtë amshim Ati im



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora