E merkure, 22.01.2020, 07:26 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Ëndërra trishtuese për eshtrat

E premte, 13.06.2014, 06:17 PM


R e f  l e k s i v e

Sejdi BERISHA:

VITRINA E LIBRIT, ËNDRRA TRISHTUESE PËR ESHTRAT OSE, BABI MË SHPËTO...!

Kësaj radhe, edhe pse mendova gjatë, shkrimin e fillova me një paradoks, apo, mua m’u duk ashtu, si paradoks. Ka shumë mote e vite, ka shumë kohë që shkrimi e libri, më janë bërë pjesë e pandarë e mendjes dhe e shpirtit, mbase edhe e zemrës, dhe kështu, shpeshherë më bëhet se si të tilla edhe m’u kanë mërzitur, apo, atyre u jam bërë krejtësisht monoton!... Edhe pse, këtë nuk mund ta pranoj si realitet, një ditë u “mërzita” me vetveten dhe vendosa të shëtis nëpër qytet. T’i vizitoj disa rrugë, të cilat ka kohë që nuk i kisha parë, e që kjo ma kujtoi mendimin e një profesorit tim të shtyrë bukur shumë në moshë, tani të ikur nga kjo botë, kur thoshte se ka sa muaj, pas një kohe, ka edhe sa vite që nuk i kam parë shumë pjesë të qytetit. Si pa lidhje m’u fiksua kjo e vërtetë, që brenda vetvetes kishte dhe ka përherë peshë karakteristike të mendimit fisnik e njerëzor, por edhe peshë të dhembjes së shpirtit, edhe të ikjes së kujtimeve...! Por, nejse. Dhe, shëtita e shëtita për merak, bile, të ju them të drejtën, për merakun dhe hidhërimin e zemrës dhe shpirtit! Gjatë asaj kohe dy-tri orësh, çfarë nuk pashë, por edhe çfarë nuk m’u kujtua. Asgjë nuk dua t’u them për përjetimet e mia të çuditshme, për mallin e dhembjen time marroqe, sepse, pastaj do ta lexonit këtë shkrim më ndryshe, por edhe do të më uronit apo edhe do të më kritikonit për mënyrën e qasjes....

1.

Por, çfarë dua të them. Kur përmallem me librin dhe shkrimin, apo kur hidhërohem me ta, jo shpesh, në qytet i vizitoj libraritë, dhe, më shumë ndalem tek vitrinat e tyre për të shikuar se çfarë veprash kanë “ekspozuar”. Bëj kështu, ngase, ma merr mendja, se në bazë të këtyre “ekspozitave” të librave, në masë bukur të madhe “testohet” edhe niveli i kulturës, i vlerave shpirtërore, por edhe vetëdijesimi e ndërgjegjësimi për t’ia qëlluar më të mirës e për t’ia ofruar popullit, lexuesve... Është apo nuk është kështu, vlerësojeni edhe ju vetë! Por, besoni, kur u ndala pranë vitrinës së një librarie, në fillim u kënaqa me estetikën dhe bollëkun e veprave të ekspozuara në atë dritare të madhe, nëse mund të quhet kështu.

Aty, qëndrova gati rrafsh tridhjetë minuta. Por, më mirë mos të kisha ndenjur aq shumë, sepse, atë kënaqësinë që e theksova sipër, ma prishi një dukuri; shpesh, apo jo rrallë më bie në sy se në vitrinat e librarive ekspozohen edhe vepra në gjuhë të huaja, ose, kryesisht në gjuhën angleze. Kjo është mirë dhe padyshim domethënëse. Por, sot vërejta diçka krejt tjetër. Të gjitha veprat e ekspozuara ishin në gjuhën shqipe, por të gjitha të autorëve të huaj! Dhe, preka mendjen, athua, a bash kështu duhet vepruar në ekspozimin e krijimtarisë letrare...?! Athua, nuk kemi asnjë krijues, asnjë shkrimtar, asnjë poet as dramaturg, mbase edhe asnjë shkencëtar dhe historian të kësaj toke e të këtij dheu, i cili meriton t’i vihet libri e vepra në vitrinë si “provokim” për ta blerë mbase edhe për ta joshur qytetarin tonë... Shumë gjatë e “blova” këtë paradoks, apo ndoshta edhe këtë nënçmim të vlerave dhe të krijuesve të këtij dheu. Por, nuk e gjeta as arsyen dhe as përgjigjen, përveç se vetvetiu më doli nga mendja e goja, se ne, gjithnjë dhe përherë e kemi adet për ta nënçmuar njëri-tjetrin, për t’i ndrydhur dhe shtypur vlerat dhe aftësitë tona. Dhe, kjo është pikërisht ashtu, sa që, njerëzit e ”krisur” të mendjes, të shkrimit dhe historisë, shpeshherë të pavarur është dashtë “këmbadoras”, mbase edhe tash kështu disi duhet ta ruajnë krijimtarinë dhe të bëjnë vepra, të cilat, kush e di, ndoshta, dikur do t’i përqafojnë vlerat e tyre, që gjithnjë i kanë pasur që nga “shkrolat”, që i përjetëson krijuesi në letër. Pse është kështu?! Edhe këtë vlerësojeni vetë, apo, më ndihmoni mua që t’i bie në gjurmë këtij fenomeni, e ta “shëroj” mendjen e shpirtin nga kjo ligatinë jona aq e trishtueshme dhe e rrezikshme. Duke i shkruar këto fjalë, më bëhet se nuk presin edhe shumë mendimet hidhërake edhe për faktin se, gati gati, në të gjitha fushat punojmë e veprojmë të ndarë e shpërndarë pikë e pesë! O Zot, po ku e kemi braktisur, apo, ku na ka ikur ai unitet, ai ndërgjegjësim dhe vetëdijesim, për të cilin aq shpesh shkruaj e shkruajmë, i cili aq shumë na nevojitet, merrje me mend, ani në këtë shekull...! Dikush, mund të thotë se nuk është kështu!... O, sa mirë do të ishte që të mos jetë kështu, sepse, sikur u bëmë horë fare?!...

I rashë pishman kësaj shëtitje nëpër rrugë të qytetit, kësaj vizite të vitrinave të librarive... Ndoshta, do të kalojë kohë e kohë dhe më nuk do të marr guximin e shëtitjeve të kësaj natyre. Dhe, sërish u ktheva në atë restorantin ku jam bërë “inventar” i tij, e për të cilin, disa miq më thonë se ai është biblioteka ime, ai është dhoma ime e punës... Po, ndoshta edhe ashtu është... pasi... por, hajt, nuk po flas as më të voglën fjalë, sepse...! Nuk di pse, sikur ka nisur të më bëhet monoton edhe ky vend, ku kaloj një kohë të mirë dhe frytdhënëse, por, ku edhe takohem dhe më vizitojnë shumë miq që vijnë nergut për të më takuar edhe nga shumë vende e qytete të tjera nga të gjitha trojet shqiptare...!

2.

Shpeshherë, gjërat grumbullohen e grumbullohen dhe desh sa nuk shpërthejnë, ose, duken si sythë pemësh e lulesh, ose, si pezmatim apo sëmundje, e cila të detyron për ta kërkuar dhe për ta gjetur ku është e ku nuk është ilaçin për shërim. Dhe, për shembull, nga një luginë në mes dy maleve të larta, disa eshtra, pasi kishin debatuar gjatë e gjatë e me zë bukur të lartë, kishin prurë vendim që të marrin rrugën drejtë asaj tokës ku ishin lindur e rritur, drejtë atij dheut ku kishin derdhur gjakun, për të shikuar se çfarë është duke u bërë atje, dhe, a është forcuar e ruajtur ai amaneti, a është ndërtuar ajo rruga për dritën dhe lirinë. Mirëpo, dikush prej tyre kishte thënë se duhet të kanë kujdes që të mos diktohen se janë eshtrat e të trupave të pagjetur, sepse, atëherë çdo gjë do të dukej e pavlerë...

Dhe, merrje me mend. Ishin shndërruar si në krahë shqiponjash dhe kishin shëtitur cep më cep tokës së tyre. Kishin zbritur në fshatra e qytete,... kishin pirë edhe kafe me njerëzit e rëndomtë...  Kishin vizituar rruga e rrugica, bjeshkë, fusha, male e fushëbeteja... Kishin marrë shënime, të cilat sikur e kishin zjarrminë e pakënaqësisë, sepse, pikë së pari, lëvizjet dhe mendja e njeriut tash nuk është duke u bërë që drita dhe liria të prekë e të lumturojnë njësoj dhe gjithkah... Njëri, nuk duroi dhe zemërueshëm tha:

-Puna, fjala, veprimi e mendja e përbashkët, munguaka!... Kësaj, prej fillimit i jemi frikësuar...

Futi gishtat në tokë, e si me lopatë nxori një grusht dhe, të cilin e ndrydhte dhe e shprushte si miellin kur mullinjxhiu e kontrollon cilësinë e bluarjes së tij. Iu duk se nëpër të çarat e gishtërinjve i rrjedhke gjaku i shokëve të tij,... edhe gjaku i tij. Skeleti shtrëngoi nofullat pa mish, të cilat desh ia shkapërderdhen edhe eshtrat tjerë të trupit.

Të gjithë u pajtuan se atë ditë, në tokën e tyre dukeshin si zogj shtegtarë, eshtrat e pagjetur, të cilët kishin etje për të thënë shumëçka. Ndoshta, edhe këshilla për të dhënë, që të mos lëndohet më atdheu, të mos rrënohen kullat e gjakut, sepse, thanë:

-Zoti do të na mallkojë,... historia do të na truaj...!

Duke dashur të kthehen sërish nga ai rrugëtimi i tretur, si të një fjale lanë porosinë:

-Ende jemi eshtra të tretur dhe të pagjetur, por, edhe nga atje larg të shpërndarë, roje do t’i bëjmë tokës dhe popullit!

Nuk e di. Ndoshta ishte kjo një ëndërr trishtuese por edhe tjetër fare. Le të jetë ëndërr, apo rrëfim i një fragmenti të një ëndrre, të cilën njerëzit janë të lirë ta komentojnë e “rrotullojnë” si të duan...!

3.

Duke e komentuar pjesën e sipërme të këtij shkrimi, më brofi mendja dhe më iku tek ato pamjet trishtuese të eksodit të një pjese të kombit, dhe kjo më detyroi që të kthehem edhe në kohërat e tjera të eksodeve, që lirisht mund të them, duken të pabesueshme dhe vetëm i ngjajnë ëndrrave trishtuese!

Por, nuk ka mendje as peshë e dhembjes, që mund t’i masë as t’i komentojë plotësisht gjërat që ndodhin nga katrahurat, të cilat di vetëm njeriu t’i bëjë... Përpara sysh më dalin ata trenat, dritaret e të cilëve me koka dhe fytyra njerëzish, i ngjanin gjëmës së largimit të përgjithmonshëm jo vetëm të njerëzve por edhe të një pjese të tokës, që gjëmon dhe nuk e di se çfarë të shqiptojë më përpara... Më parafytyrohen kolonat e gjata njerëzish, fëmijësh, pleqsh e plakash, të rinjve e të nuseve me fëmijë në parzmat e tyre, të vajzave, të cilat sapo kishin filluar të thurnin ëndrrat e tyre vajzërore, të cilave u kishte shpërthyer bylyku në majat e gjoksit të tyre, dhe ushtarët e paramilitarët me fytyrat e vrazhda dhe tyta armësh, që, kë donin, e ndanin nga kolona, dhe pastaj, gjurmët e tyre nuk dukeshin më... E tmerrshme, trishtuese, por edhe e pabesueshme mbase edhe ironike e qesharake!

Nga këto fjalë kaq të thjeshta, secili nga ju që i lexoni, e di se do të thurni histori në vete, do të kërkoni përgjigjen për ndërgjegjësimin e njeriut,... të qenies njerëzore. Do të thurni tregime e rrëfime, që ndoshta edhe lotët do t’ua sjellin, duke e gjetur komentin, duke kërkuar dritën për këtë kohë jo vetëm bizare...

Dhe, dua të ua ngarkoj mendjen e sedrën edhe Juve, vetëm me një rrëfim të vockël. Shoh kolonën e gjatë me të rinj e me pleq e gra, të gjithë me shpresën e fundit se do t’i shpëtojnë tytës së pushkës, se do t’i shpëtojnë ndarjes nga të tjerët... Në këtë moment, para meje më janë bërë bjeshkë uniformat e ushtarëve të armikut dhe tytat e automatikëve, të cilat u përcollën me dorën vrasëse duke e ndarë nga kolona një të ri, ndërsa fotografia tjetër, si furrë çeliku shkrinte shikimet e të tjerëve se a do të shpëtojnë...

-Babi,... më shpëto...! Mos më le të më marrin...!

Mu bë sikur e tërë bota u shndërrua në ndarje e grabitje njerëzish... dhe, asgjë nuk e kishte peshën e jetës, por vetëm të tmerrit dhe të ikjes pa kthim,... Shpresën dhe vdekjen sikur i ndante vetëm një fije floku, por, edhe fati i shoqëronte...

-Jo, or biri im, nuk të lë babi... ! -plaku kishte hapur krahët e moshuar, të cilët u shndërruan si në krahë shqiponje dhe e mbuloi shtatin e çunit, kurse rruga dridhej e shikimi nuk kthehej pas. Tërë ajo kolonë, shumica prej të cilëve, sa kishin filluar t‘i kapnin ëndrrat...

Posa u dëgjuan fjalët e plakut, mbi krahët e tij dhe mbi trupin e djalit kishte depërtuar, s’mund ta them, por dua ta them, një plumb, i cili hapi një burim gjaku... Për besë, është e vërtetë, ishte kolonë e gjatë, nëna, motra, fëmijë e pleq... E, toka plagosej e gjëmonte!

Nga e tërë kjo rrjedhë mendjeje, ishte vetëm shkreptimë kujtimi, dhe sikur dikush tha: këndoni, këndoni, se dielli po zbret në tokë... Çfarë të them për këtë?... Sërish, të them se ëndërr ishte... Por, ta lëmë këtë,... Ejani së bashku me mua, të ecim tutje... Mirëpo, mos harroni për ta komentuar edhe këtë ëndërr, ashtu si doni ju vetë! Ose, këtu edhe ironia mund të ketë vend. Si të doni, sepse, tash, në një mënyrë, mund të thuhet se jemi të lirë...!

4.

Nganjëherë, vazhdimësia e shkrimit duket si paradoks, ashtu siç është ndoshta  edhe vetë jeta, dhe kështu, ngjarjet nuk përputhen dhe as nuk lidhen njëra me tjetrën. Por, nejse. Në muajin maj ndodhin shumë gjëra, gufojnë e shpërthejnë shumë lule, por edhe poezia sikur bëhet pjesë e frymëzënies, ose e kohës, kur zemra e shpirti qohen peshë... Në një ngjarje të madhe letrare, libri im u shpërblye si libri më i mirë i botuar brenda vitit. E përmenda këtë, ngase, desha të them se edhe në qytetin tim organizohen ngjarje letrare, bile tradicionale, të cilat dikur vetë i kam udhëhequr... Por, nuk do komentoj asgjë. Bile, as ju mos e bëni këtë... Tani e sa vite nuk marr pjesë në këto takime... Më dhemb zemra e shpirti! Nuk di pse m’u kujtua libri im “Gjethet e hirta të zemërimit”....! Por, mos më pyetni pse nuk kam marrë pjesë, se nuk u tregoj... nuk u përgjigjem! Megjithatë, një gjë duhet ta dini. Nuk jam hidhëruar as me ata që po e bëjnë tash e sa kohë kulturën,... nuk jam hidhëruar as me qytetin tim. Unë e dua qytetin tim,... E ai, a më do,... punë e tij është...!

5.

A ju kujtohet ai djaloshi i shkrepsave,... ai, të cilin e dua shumë...  Një ditë më përshëndeti, dhe ma ofroi një shkrepsë. Nuk ia mora, por, kur ia pash shpinën duke u  larguar nga restoranti, m’u bë se shkonte duke murmuruar:

-Ja, merre këtë shkrepsë axhë, dhe kalli,... digji!

Më bëhej se fjalën e kishte për letrat që i kisha mbi tavolinë, që, si zakonisht shkarravitja diçka, mbase ndoshta edhe për librat. Ku ta di... dhe vetvetiu më doli pyetja:

-Kë ta djegë, unë?!

-Kë të duash! Nëse ta merr mendja, digje edhe mendimin,... Po nëse do, digje edhe kombin,... edhe atdheun...!

I tëri all u bëra, dhe sikur trupi m’u dogj dhe m’u shndërrua në katran... Tash, kishte ikur shitësi i shkrepsave, se ndoshta do të sqarohesha me te, për çfarë kallje e kishte fjalën...! Por, nuk po lodhem... Edhe ju, mos i jepni as pesë para për këtë...!



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT