Kulturë » Berisha
Berisha: Meditimi hidherak dhe takimi me Lushajn
E hene, 09.06.2014, 07:59 PM
Reportazh nga Lezha dhe Shëngjini
Sejdi BERISHA:
MEDITIMI HIDHERAK PËR DETIN DHE HISTORINË DHE TAKIMI ME ZEQIR LUSHAJN
Kishte kohë që unë dhe miku im e krijuesi nga Gjakova, T. Bezhani, kishim planifikuar që pas përfundimit të Mitingut të 50-të të Poezisë në Gjakovë, t’i kalojmë dy-tri ditë në Lezhë dhe në Shëngjin. Dhe kjo, u bë në kohën e duhur, në fillim të qershorit, kur edhe doli nga shtypi libri më i ri me poezi i Tahir Bezhanit, “Lojë hijesh”. Po ashtu, gjatë kësaj vizite kishim planifikuar që ta takojmë edhe z. Zeqir Lushajn, një krijues i palodhshëm dhe një atdhetar, i cili mbi shtatëmbëdhjetë vite kishte që kishte jetuar dhe vepruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që, respektin, mallin, dashurië dhe shkrumbin për atdheun, prej viti në vit vetëm gjithnjë e më shumë i shtonte si barrë e peshë në shpirt e zemër. Ishim kureshtarë të takohemi me te, sepse, një ditë kishte vendosur që, edhe përkundër asaj që e ka dashur, e do dhe respekton këtë shtet, të thotë: lamtumirë Amerikë! Ishte kjo shumë domethënëse por edhe e dhembshme për shumë arsye, mbase edhe për historinë e kombit dhe të atdheut, edhe për rrugëtimin jetësor të çdo kurbetçari të kësaj toke të lumtur dhe të hidhur në të njëjtën kohë...! Por, të shkojmë radhazi.
____________________________
Shpresa për lumturinë e kombit dhe nevoja për bashkimin e mendjes dhe të punës...
Të mërkurën e katër qershorit, u zgjova më herët se zakonisht, sepse, duhej ta kapja autobusin e parë nga Peja për në Gjakovë, ku pastaj më priste Tahiri me makinën e tij, të cilën, një ditë më parë, më tha se e kishte pastruar dhe e kishte përgatitur për udhëtimin tonë, së pari për në Lezhë e pastaj edhe për në Shëngjin, ku dy ditë mendonim t’i “pushojmë” gjymtyrët dhe ta shlodhim mendjen pakëz.
Të them të drejtën, që në fillim u lodha, sepse, aty tek e prisja autobusin për në Gjakovë, m’u dashtë të pres hiq më pak se një orë e gjysmë. Me vete kisha marrë ca ekzemplarë të librit me poezi, “Gjethet e hirta të zemërimit” dhe ca të librit “Përtej shkrimit”, për t’ua dhuruar krijuesve lezhjanë. Posa arrita në Gjakovë, tek hoteli “Evropa” më priste miku im, T. Bezhani, i cili, edhe ai kishte marrë dhjetëra ekzemplarë të librit të tij me poezi, “Lojë hijesh”, që posa kishte dalë nga shtypi. U futem në makinë dhe morën rrugën përgjatë “Rrugës së Kombit”, e cila, sa herë udhëtoj, ma rritë zemrën dhe ma shton krenarinë por edhe shpresën për lumturinë e kombit dhe të tokave shqiptare, mirëpo, edhe më grishë për nevojën e bashkimit të mendjes dhe punës sonë, e cila, për besë, ende na mungon shumë e shumë në të gjitha fushat...!
Dhe, po pra. Gjatë rrugës bisedojmë për gjithçka,... por edhe mahitemi dhe bëjmë ndonjë shaka për moshën tonë! Kishim dëshirë të arrijmë në manifestimin e promovimit të një libri, por, për pak u vonuam. Posa hymë në brendinë e Lezhës, aty tek Shtëpia e kulturës dhe tek Biblioteka e qytetit, para na kishin dalë krijuesit lezhjanë, Viktori, Gjergji dhe Azemi, për të na dëshiruar mirëseardhjen. U përshëndetëm ngrohtësisht, dhe menjëherë na propozuan ta pimë nga një kafe, në një kafeteri, e cila tavolinat i kishte vendosur në gjelbërimin përreth dhe nën hijen e pishave. U rehatuam, dhe menjëherë pasoi biseda për kulturën, për vargun e për poezinë, por edhe për historinë. Bile, si të them, mu kjo edhe shërbeu që krijuesve lezhjanë t’ua dhurojnë aty librat tonë që i kishim marrë nergut për ta.
Për asnjë moment nuk pushonte biseda për rrugëtimin historik dhe kulturor, por edhe për krijimtarinë letrare dje dhe sot. Bile, rrëfimet e krijuesve Viktor Gjikolaj dhe Gjergj Shyti, jo vetëm se ishin plotë begati intelekti e kureshtje, por edhe i ngjanin atyre muhabeteve, se nga goja e tyre çdo fjalë dilte si sherbet apo mjaltë... Edhe Azem Baliaj, ishte e pamundur pa u kyçur në bisedë, duke e begatuar atë me mahitë dhe humorin që e ka në maje gjuhe. Nga pak, shfletuam edhe gazetat “Kosova Sot dhe “Bota Press’ që i kisha sjellë nga Peja, por edhe gazetën “Muzgu”, që botohet në Tiranë dhe e cila prej kohe në kohë po pretendon të bëhet faktor me peshë për afirmimin e vlerave letrare dhe kulturore, por edhe për afirmimin e krijuesve nga të gjitha viset dhe anët e tokave shqiptare.
Në Lezhë krijuesit nga Peja e Gjakova, Sejdi Berisha dhe Tahir Bezhani me shkrimtarët lezhjanë: Viktor Gjikolaj, Gjergj Shyti dhe Azem Baliaj (04 qershor 2014)
Duke pasur parasysh se ishte ditë pune, e kishim në konsideratë edhe angazhimin e tyre në vendet e punës dhe nuk u morëm më shumë kohë. U përshëndetëm ngrohtësisht, bile, pothuaj se mu aty ku edhe u takuam, pak më larg se baraka që ishte ngritur në themelet e qytetit të vjetër të Lezhës, për çfarë ishte shfaqur pakënaqësi se pse kishte ndodhur kështu...! Por, kështu e ka rrugëtimi ynë, ndoshta do të piqemi në këtë ecje!
Dëshironim që t’i kalonim dy ditë në brigjet e detit të Shëngjinit,..
U futem në makinë dhe morën rrugën për në Shëngjin. Pra, siç thash, dëshironim që t’i kalonim dy ditë në brigjet e detit të Shëngjinit,... dëshironim të thithnim pak ajër me jod dhe ta shijojmë aromën e ujit të detit tonë, të detit që flet, shpjegon, këndon por edhe heshtë e kritikon shqip...!
Posa akomodohemi me një pritje jo edhe aq profesionale të hotelit “Rafaelo”, nuk harruam që të vëmë kontakt me z. Zeqir Lushajn, i cili ishte kthyer me “lamtumirë” nga Amerika dhe banonte në fshatin, respektivisht, Lagjen Margjon, që ishte larg kompleksit turistik më pak se ndoshta një kilometër. Pasi Tahiri vuri kontakt me telefon, nuk vonoi dhe recepsionistja vjen tek dhoma dhe na informon se dikush po na kërkonte. Pasi e dinim se për kë ishte fjala, menjëherë dolëm dhe para hyrjes në hotel, na priste një burrë i gjatë, shtathedhur dhe me një kapele të thjeshtë për mbrojtje nga rrezet e diellit. Menjëherë e njoha, edhe pse kurrë nuk isha takuar me te pos në gazetat elektronike dhe portalet e ndryshme. U përshëndetëm dhe pastaj insistuam që në restorant të freskohemi me ndonjë pije. Mirëpo, z. Lushaj ishte këmbëngulës, dhe medoemos duhej të shkonim tek shtëpia e tij. Kategorikisht isha kundër, sepse, e kisha në konsideratë se ai ende as nuk kishte arritur të ambientohej me shtëpinë e tij. Por, ishte e kot dhe arriti të na thyej mendjen. U ngjitem me makinë disa qindra metra lartë deri tek lagjja Margjon, ku kishte ngrehur shtat shtëpia e familjes Lushaj, e cila deri para katër-pesë ditësh ishte e “mbytur” në barin e rritur pa kontroll, që shpjegonte se deri në atë kohë nuk kishte pas kush në shtëpi, e cila e priste frymëmarrjen dhe marrjen e oksigjenit nga z. Zeqir Lushaj dhe bashkëshortja e tij, Sabrija.
Gërhanat për lënurjen e leshit
Posa hymë brenda në oborr, i cili kishte filluar të merr pamjen e gjallërisë dhe të jetës e të sezonit turistik, pasi përshëndetemi, nuk ulemi, por menjëherë, z. Lushaj me kërshëri na propozon që së pari ta vizitojmë shtëpinë përbrenda e pastaj të ulemi. Pa përtesë hymë brenda, dhe të ju them të drejtën, atëherë me kujdesin dhe respektin më të madh e kam shikuar dhe e kam analizuar çdo gjë që ishte brenda dhe çdo gjë që madhështonte dhe e stoliste secilin kat të kësaj shtëpie karakteristike nga të gjitha aspektet. Edhe pse ishte ende duke u pastruar dhe duke e marrë formën madhore, në shtëpi hasim një histori të veçantë, e cila nuk reflektonte vetëm ambientin dhe ngrohtësinë shqiptare.
z. Zeqir, por si duket edhe më shumë djali i tij, i cili siç kuptova jeton në Zvicër, kishte “grumbulluar” konglomerat artizanalësh dhe gjëra historike e muzeale, sa që të bëhej se je duke vizituar një muze të përzier me antikitete kombëtare, arkeologjike dhe atë jo vetëm të kombit tonë, por edhe të popujve tjerë, si nga Zvicra, Gjermania, Holanda, Persia-Irani, nga Italia, Amerika dhe Suedia kështu me radhë.
Kambana, trokaqa dhe zilja Kandari
E theksova tërë këtë, ngase, tërthorazi desha të them, se njeriu i ynë nuk është vetjak por e respekton kulturën dhe historinë e secilit popull. Por, interesant, aty hasa edhe në gërhanat, të cilat z. Lushaj thotë se janë të nënës së tij, pastaj aty ishte varë një kandarë, e cili pothuaj se simbolikisht matë peshën dhe kohën...!
Por, nuk janë vetëm këto. Ishte aty brenda edhe një barkë-kajak e gjatë rreth dhjetë metra. Ishte edhe një copë e vjetër qilimi që kishte orgjinë persie, mirëpo, kishte edhe libra, laptop, kompjuter, grabujë e gjithçka tjetër. E diku në katin tjetër, ishte edhe një libër e madhe-fletore, që ishte e destinuar për përshtypjet e vizitorëve. Edhe kjo ishte një nismë me domethënie shumëdimensionale. Nuk hezitova, dhe i lashë si kujtim përshtypjet e mia në një faqe të tërë. Përshtypjet e tija i la edhe Tahiri.
Tash, sërish dalim jashtë, kurse unë ndahem për një çast për të bërë ca foto. Nga oborri i kësaj shtëpie, deti dhe Shëngjini dukeshin si në shuplakë dore...!
Shëngjini perspektivë e madhe e turizmit
Kur dolëm tek dera e jashtme, përgjatë murit të ultë që kufizonte oborrin, kishin marrë krye ullinjtë, të cilët i kishte kultivuar dhe mbjellë me dorë të vetë, z. Lushaj.
Pranë tyre, ngatë simbolit të pemës që jeton, shëron e tregon histori, pata dëshirë të ia dhuroj dy librat e mi më të ri: “Përtej shkrimit” dhe “Gjethet e hirta të zemërimit”. Këtu edhe Tahiri por edhe z. Lushaj bën këmbimin e veprave.
Rana e Hedhur, Shkëmbi i Markanikës dhe parajasa turistike shqiptare
Tash, unë
isha i interesuar që të ikim sa më shpejtë në hotel vetëm që t’i shmangëm
darkës. Por, as kjo nuk bëri punë. Z. Kushaj na propozoi që me makinë të
shkojmë për ta vizituar Ranën e Hedhur dhe Shkëmbin e Markanikës, që ishin pak
më lartë përbri detit, përtej ish bazës ushtarake. Edhe këtë e bëmë. Ishte
kënaqësi e madhe. Ishte begati dhe vlerë madhore e kombit dhe e atdheut...!
Përgjatë rrugës, në anën e djathtë, hasëm edhe gjurmët e rrugëtimit historik-bunkerët,
të cilët kishin qenë me dhjetëra e dhjetëra metra brenda në shkëmb e në tokë.
Dhe çfarë nuk më doli përpara e më shprushi mendjen, për këtë pjesë të
historisë, e cila pothuaj se është dëmtuar rrënjësisht, e në fakt, ishte dashtë
të shihja objekte me tregime historie e me kustos i cili nën dritat e llambave
por edhe të kohës, do ta transmetonte historinë tek secili vizitor, qoftë
Shkëmbi i Markanikës dhe madhështia e detit
Dhe tash, pyes për Ranën e Hedhur... çfarë është ajo. z. Lushaj më thotë se ajo është rëra, e cila sipas tregimeve mbase edhe gojëdhënave, është hedhur vetë nga deti dhe ka dalë deri sipër plazhit...! Ndërsa, kur shikoja Shkëmbin e Markanikës, që ishte mu buzë detit, ma impononte meditimin hidhërak që e kam jo vetëm për historinë e këtij shkëmbi por edhe për shumë gjëra të tjera të kësaj pjese të tokës së shqiponjave, e cila, dua të besoj se shumë shpejtë do të shndërrohet në parajsë turistike shqiptare me nam botëror...!
Përfunduam edhe këtë vizitë me peshë, dhe sërish nëpër rrugën e vrazhdë makadam u kthyem tek shtëpia e z. Zeqir Lushaj. Tash, aty, në katin e parë ishte shtruar tryeza me bereqetin e dashurinë e kësaj familjeje, me bereqetet të prodhuara në sipërfaqet e tokës së kësaj ane.
Mikpritja dhe tespishtja në tryezën e z. Zeqir Lushaj
Edhe në darkë vazhdojnë bisedat nga më të ndryshmet. Folëm edhe për lumturinë, edhe për dhembjen, edhe për mallin, edhe për krenarin, edhe për rrugëtimin biblik e historik,... Por, folëm edhe për Tiranën dhe Prishtinën,... edhe për Shkup e Shkodër, edhe për traditën, edhe për kanunin e për madhështinë, por... edhe për gjakmarrjen e, edhe për Rrugën e Kombit, që të nesërmen do të ktheheshim për në Kosovë, respektivisht në Gjakovë dhe Pejë.
Mikpritja dhe tryeza e begatë - nuk harrohet tradita
Dhe, gati krejt në fund të këtij takimi, z. Lushaj kureshtar, më pyeti se pas vizitës që i bëra shtëpisë, cilat ishin përshtypjet e mia. U ndala për pak dhe vetëm e shikoja e nuk i jepja përgjigje. E, ai sikur me pa durim priste mendimin tim... Atëherë i thashë:
-Kjo shtëpi nuk është shtëpi,... Kjo, nuk është asgjë tjetër përveç se shpirti yt i begatuar me të gjitha ato fërkime e përplasje jete e dëshirash, malli e vuajtjesh, të cilat përmbyllen me krenarinë dhe njerëzinë, të cilën mund ta ketë një njeri i çiltër dhe i ndershëm, i cili, si dallëndyshet dhe lejlekët, nuk e harrojnë çerdhen as vendin e vetë...!
Atëherë, z. Zeqir Lushaj i bërë all, ma zgjati dorën duke më thënë: Zoti u shpërbleftë...! Ju jeni të parët që më keni vizituar pas “lamtumirës” Amerikës... Deshi të na përcjellë gjer ke hoteli, por kësaj radhe ngulëm këmbë dhe nuk pranuam të dalë përtej rrugës së oborrit. I thamë se këtë po e lëmë si desert për t’u takuar sërish ashtu ëmbël siç e përfunduam me tespishtën dhe fjalët e ëmbla si mjaltë në tryezën Tuaj...!
Shtëpia e z. Zeqir Lushajt në Shëngjin (Lagjja: Margjon)