E premte, 26.04.2024, 09:03 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Armë kimike!

E diele, 10.11.2013, 01:00 PM


Armë kimike!

Nga Elvi Sidheri

Nuk jam fare dakort me një frymë dhe konotacion të paktën mendim-ndryshës (se s’dua të mendoj anti-amerikan), që po merr reagimi ndaj hipotezës së armëve kimike siriane që mendohet të sillen në Shqipëri.

Kur mendoj për Amerikën dhe sidomos për politikën e saj të jashtme, unë kam parasysh së pari dhe mbi të gjitha, faktin e pamohueshëm, se që sot kemi një shtet shqiptar të pavarur, kjo gjë i dedikohet mbi të gjitha vizionit dhe vendosmërisë amerikane, aq sa edhe armëve dhe gjakut e intelektualëve tanë rilindas, si dhe sforcove të mundimshme dhe akoma të pa-mirënjohura si dhe sa duhet austriake dhe linjës politike italiane të asaj periudhe (1912-ës).

Presidenti Wilson të cilit më në fund u ra mendja t’i ngrenë një monument në Tiranë, James Baker, Bill dhe më shumë se ai, zonja e nderuar dhe do shtoja edhe... pse jo, me merita për t’u shenjtëruar sipas suazave dhe vlerësimit “shqiptarisht” për shkak të pro-shqiptarizmit të saj të theksuar... Hillary Clinton (sa edhe Cheryl Blair, gratë që vunë burrat e tyre të fuqishëm, në lëvizje për çështjen tonë kombëtare), George W Bush e Joe Biden e shumë burra e gra shteti amerikanë, kanë qenë mbrojtësit tanë më të mëdhenj dhe po aq, mund të cilësoheshin edhe si kumbarët e lirisë së shqiptarëve anembanë trojeve të tyre etnike.

Kundër Amerikës lehëm (lehu partia dhe ithtarët e saj të thekur dhe pjekur e përvëluar me anti-amerikanizëm filo-sllav me origjinë në Beograd dhe Moskë, ata që sot na tregojnë duke shkarravitur një statujë, se Zogu na paska qenë agjent i serbit, kur PKSH-në na e krijuan me urdhëra Titistë, shokët delegatë Mugosha, Popoviç dhe Tempo)... për 45 vjet, por Amerika nuk u zemërua dhe s’na e mori parasysh, duke mos e përfshirë popullin e ish RPSSH-së socialiste dhe masat apo turmat e gënjyera nga fjalori urrejtës monist, në lajthitjen e krerëve të partisë-shtet.

Jemi anëtarë të NATO-s, falë dëshirës sonë gjithë-nacionale për të bërë pjesë në këtë organizatë përgjegjëse për sigurinë Europiane dhe globale, por mbi të gjitha, këtë fakt madhor, e kemi përfituar dhe po e shijojmë edhe me normalitetin e rigjetur (zgjedhje të qeta, mungesa kryengritjesh apo revoltash tipike shqiptare, institucione shtetërore që mbajnë dhe nuk shkërmoqen etj)... falë dashamirësisë dhe vëmendjes së përkushtuar ndaj nesh, si dhe përkujdesjes amerikane.

Është shumë të kesh në krah Amerikën dhe këtë do të bënim mirë t’a dinim dhe të qemë të ndërgjegjshëm për një fakt me kaq peshë për ekzistencën e një populli numërvogël si ky i joni.

Ka shkaqe dhe arsye nga më të ndryshmet dhe të thellat, që ne na lidhin me amerikanët dhe që bëjnë që SHBA të na jetë në krah prej kaq kohësh.

Por, ç’lidhje kanë armët kimike të Sirisë me ne?

Ç’lidhje kemi ne vetë me atë konflikt ndërkohë?

Nuk jemi fare në kufi me Sirinë (sadoqë qindra mos më tepër emigrantë sirianë po i kalojnë përditë kufinjtë tanë jugorë, në kërkim të arritjes në Europën e pasur dhe të sigurtë)... dhe konflikti nuk ka punë fare me ne.

Megjithë objeksionet e mia personale, për atë që përbën figura dhe regjimi brutal i Asadit (edhe i ati, nja tridhjetë vjet më parë, kishte shtypur një revoltë të ngjashme, po s’u çua kush atëherë t’a kritikonte se ishin kohë Lufte të Ftohtë, e cila mund të bëhej “E nxehtë” në rast të ndonjë tejkalimi të vijave të kuqe që delimitonin zonat e influencës të amerikanëve dhe sovjetikëve)... sido që të jetë, shikoj qartazi që përballë ushtarëve të tij të dhunshëm, gjenden ekstremistë fondamentalistë të çdo lloji, të cilët vrasin dhe masakrojnë njerëz njëlloj ose më keq se asadistët dhe që kanë hyrë në konflikt me alavitët e presidentit, sunitët liberalë, kristianët që s’i mbon askush (10% e popullsisë siriane) dhe me kurdët.

Një lëmsh ku ec e merre vesh se çfarë bëhet?

Por, po të qe se SHBA do të futej me këmbësori në atë konflikt, neve si aleatë të tyre edhe po të mos ishte fakti se jemi partnerë edhe në NATO, sërish do të nevojitej t’u shkonim prapa, siç bëmë edhe dhjetë vjet më parë në Irak, në një luftë të paraprirë nga shumë kontradikta dhe kundërshti, në të cilën çuam batalionin tonë, duke qenë një nga shtetet e pakta që e pranuan një rol të tillë dhe duke u kritikuar për këtë veprim edhe haptazi, për shembull nga zyrtarët francezë (Shiraku ishte bashkë me ish kancelarin Shroder, prijës në refuzimin e asaj ndërhyrje që rrëzoi Huseinin nga pushteti).

Këtë e shoh unë si qëndrim prej aleati strategjik (se vetëm SHBA mund të quajmë kështu)!

Tani ç’lidhje kanë armët kimike të Asadit me ne?

Armë që ia kanë shpënë diktatorit dhe të atit më parë, sovjetikët, rusët, gjermanët e ku e di unë kush tjetër.

T’i marrin ata vetë mbrapsh po ua deshi e pasmja!

Pse nuk ka në Rusinë e stërmadhe stepa e tajga apo poligone të abandonuara ushtarake sa të duash?

Neve kazan plehërash u bëmë kështu?

S’na dalin plehërat tona që i kemi jo me shumicë, por aq shumë sa mund të qelbim tërë Mesdheun po i flakëm në det?!

Lëre që po flitej se vendi ku do i stivosin e prishin apo eliminojnë, do i binka diku nga Elbasani.

Zgjedhje më e goditur nuk ishte dëgjuar prej kohësh.

Kështu resë së zakonshme të Metalurgjikut të shokëve kinezë, që e ka ndotur atë truall deri në thellësi kilometrike nëntokësore, viçave me 3 kokë, pulave me 5 këmbë dhe gjelave elbasanas që jo rrallë bëjnë edhe me të vërtetë “vezë”, ndotjes që prej kaq vitesh shkakton për turp të Zotit edhe kompania hekurpunuese e vëllezërve të dashur turq, i fusim edhe një të shtuar të armëve kimike të Sirisë dhe bëhet një koktej që me tërë mend do të mund të quhej me plot gojën si “SHPËRTHYES”!

E ku ka më shpërthyes se kaq?

Ka po, andej nga Ukraina e sotme, kemi një vend që quhet Çernobil dhe tashmë e njeh gjithë bota si kryeqytetin botëror të horrorit të shkaktuar nga çmenduria njerëzore!

S’të ka mbetur emision turistik që merr të flasi për Ukrainën, që pasi bën një xhiro në Kiev apo në Lvivn e bukur, kalon nga minierat e Donetskut dhe në bregdetin e njohur të gadishullit të Krimesë, pasi tregon normalisht se në atë vend ka disnivel në raportin numerik femër-mashkull (prandaj amerikanë e kanadezë të uritur, venë aty për të gjetur nuse të lehtë)... si qershiza mbi tortë, kurioziteti i publikut, shuhet me një vizitë në Çernobil, ku domosdo që merren me vete edhe ato aparatet që shfaqin nivelet e padëgjuara të radioaktivitetit nëpër rrugët e shkreta dhe pallatet e mbetura pa njeri që prej atij incidenti fatal për tërë planetin tonë.

Fukushima është shembulli i fundit i një vendi të tillë, moderniteti dhe efiçenca e njohur si dhe teknologjia japoneze, akoma nuk ia kanë gjetur mënyrën për t’u përballur me pasojat e rrjedhjeve radioaktive dhe shpërthimeve që ndodhën në atë reaktor bërthamor, pas cunamit të 2011-ës.

Por e vërteta është, që ka një lloj të veçantë turistësh, nga ata të guximshmit dhe të pafrikësuarit nga rreziqet, që nuk pyesin fare dhe e marrin gjithmonë vrapin për vende të tilla!

Sa mirë se kështu e rregullojmë punën edhe ne në të ardhmen “post import i armëve kimike siriane”!

“Pshtume”-thonë në Shkodër në të tilla raste!

Ohoho ça qejfi, në këtë mënyrë dëmeve të pashmangshme ambientale, rrënimit të tokës dhe nëntokës tonë, ujërave mbi dhe nëntokësorë, mbjelljeve dhe bimësisë tonë, imazhit të vendit (vend tërë plehëra të vetat që s’dinë as t’i hedhin si gjithë bota në kazan, por i lëshojnë ku dhe si të munden... ku tashmë janë që janë, marrin përsipër të importojnë edhe armët e rrezikshme dhe ultra-cënuese ndaj ambientit, natyrës dhe shëndetit njerëzor, të Sirisë)... i shtojmë edhe këtë njollë të pashlyeshme.

Sepse përveç dëmit që do i bëjmë truallit dhe vetes tonë si popull, tanimë edhe imazhi jonë turistik që s’është se shkëlqen sidoqoftë nëpër botë, ku o nuk na njohin fare si destinacion i denjë për turizëm, ose na lidhin përherë me pamje bunkerësh, ose me beton dhe plehëra... edhe turistikisht pra, do vulosemi si vend me rrezik potencial për shëndetin e atyre “trimave” që do të guxojnë të venë këmbë në një territor ku stivosen dhe asgjësohen armët kimike (një arsenal i tërë që i fuste dridhmat gjithë fqinjëve të Sirisë, duke përfshirë edhe Izraelin që posedon një ushtri nga më të përgatiturat në botë).

Publicitet i pashoq!

Agjencia jonë kombëtare e turizmit mund t’a pushojë më mirë ekzistencën, sepse kot që të lodhen me promovime të ngratët, se me këdo të përpiqen të bisedojnë me qëllim që t’i ftojnë për të bërë ndonjë ditë turizëm në brigjet tona apo qytetet e lashta shqiptare, bjeshkë apo lugina lumenjsh malorë, në fund tek tema e Armëve Kimike do bjerë fjala.

Aq shumë sa edhe bunkerët do na duken si gjë e bukur përballë tyre!

Ekspertët e fushës, mund të flasin dhe kuvendojnë edhe për pikëpamje të tjera, që do mund të lidhen me dëmtimin e bujqësisë sonë dhe produkteve tona që varet a do shiten më jashtë vendit, duke ekzistuar gjithmonë prapamendimi se do jenë mbjellë dhe rritur në një tokë ku ndokund janë përpunuar edhe armë kimike.

Atëherë çfarë na mbetet?

Të ngremë zërin?

Në Shqipëri zëri ngrihet shumëkund.

Gati përherë pa ndonjë arsye të fortë.

Bërtasim në ndeshje futbolli, shajmë arbitrat me libër shtëpie, ka që i bërtasin gruas, fqinjit, të panjohurve në trafik kur rruga është bllokuar, deputetët njëri-tjetrit në parlamentin tonë “fjalosës”, bërtasim, çirremi e ulurasim nëpër mitingje partiake, ka që klithin edhe nga kënaqësia në shtrat apo që gërthasin për festë, por që të ndodhi që shqiptari të bërtasi për një arsye të mirëfilltë, aq më tepër me rrënjë kaq të shëndosha si kjo e kundërshtimit të armëve kimike siriane në vendin tonë, kjo mbetet pikëpyetje jetësore!

Atëherë them se na mbetet që tani e tutje, po u bë kjo që po thonë, të drejtohemi nga një lloj i veçantë turizmi.

Bëhet fjalë për atë tip turizmi njerëzish të guximshëm, siç i thonë në anglisht me “Balls of steel”, ata që venë kudo ku fryn erë sfide dhe rreziku.

Që gjuajnë kratere ende të pashuar vullkanesh nëpër ishujt e Indonezisë, që ngjisin pa litarë apo rripa sigurimi grataçelat (qiellgërvishtësit) dhjetërakatësh, që arrijnë majën e Everestit po aq lehtë sa edhe të pijnë një gotë qumështi, që zhyten thellë në detërat e ngrirë, që hidhen me parashutë nga lartësi të pafundme duke e hapur parashutën vetëm kur toka shquhet qartë në sytë e tyre.

Këta që “horror turizmin” e kërkojnë tek kafkat e stivosura makabrisht nga epoka gjakatare e Pol Potit në Kamboxhia, që vizitojnë kampet naziste të shfarosjes jo se u vjen keq për hebrenjtë e gazuar aty në masë nga nazistët, por sepse gjuajnë përherë vetëm “emocionin” e të keqes.

Këta vizitojnë Çernobilin për të parë nga afër shkatërrimin apokaliptik e jo për të ndjerë dhimbjen e pamatë që aty pikon çurg si gjaku i banorëve të asaj zone, që provuan mënxyrën.

Këta të vijnë tek ne pas “armëve kimike”, do gjejnë brumë për dhëmbët e tyre!



(Vota: 22 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora