Mendime
Vangjush Saro: Nuk ka armiq të përjetshëm
E premte, 25.10.2013, 08:09 PM
Nuk ka
armiq të përjetshëm
Përndryshe: Politikë e re, “kut” i vjetër(!)
Nga Vangjush Saro
Ditët e
fundit, janë shtuar zërat se në politikën e jashtme shqiptare ka paqartësi dhe
mbase ngutje, madje flitet edhe për nënshtrim të saj ndaj të huajve, një term,
mendoj, mjaft i konsumuar. Është fjala për disa takime e vizita të ndërsjellta,
si dhe bashkëpunim, së pari me Turqinë dhe, më tej, edhe për ndonjë ndryshim në
raportet me Rusinë.
Në këtë udhë,
një nga analistët për të cilët ushqej nderim, sipas meje, e ka tejluajtur
pandehmën për ringjalljen e konfliktit historik me ato vende, në një aktualizim
që - për fat të keq - nuk ofron të njëjtat pamje si dikur. Në përgjithësi, nuk
më duket e drejtë të paragjykosh prirjen për marrëdhënie reale dhe konkrete midis
vendeve, duke mbajtur ende në duar pishën e një urrejtjeje të shkuar dhe që ka
zënë vend në histori tashmë. Është tjetër gjë të mbrosh historinë nga shtrembërimet,
kur mbase studjues a segmente të pushtetit
në Turqi e gjetkë përpiqen të gjejnë gjurmë vëllazërie e pajtimi mes popujve në
një periudhë që realisht është karakterizuar nga kryengritje të vazhdueshme për
liri e pavarësi, ashtu si në gjithë Ballkanin. (Nuk mund të konfondohen qëndrime
dhe interesa të pjesshme të shtresave të caktuara, që bënin pazar me Portën e
Lartë, me frymëzimin e vazhdueshëm antiosman të popullit shqiptar, pavarësisht
nga mundësitë e tij për të reaguar si duhet dhe në kohë.)
Megjithatë,
parë në largësi të kohës dhe në akord me parimet e sotme për politikë paqësore
dhe bashkëpunuese, në rajon dhe më gjerë, teprimet nuk i bëjnë mirë askujt. Historia
duhet të mbahet e pacënuar nga ekstremistët. Por përtej çdo konflikti e
gjendjeje lufte të një kohe të caktuar, ka rrethana në të cilat qëndrimi i një shoqërie
dhe i një populli nuk mund të mbetet i ngurosur në terma beteje. Po të ndjekim
këtë logjikë para apo prapagjykuese, i bie që Polonia, e cila jo shekuj më parë,
por rreth 60 vjet më parë, është tmerruar e përzhdukur nga Gjermania e
pushtetit hitlerian, nuk duhet kurrsesi të zhvillojë takime e të ëndërrojë për
ndonjë marrëveshje a bashkëpunim me shtetin më avangard të Evropës së sotme. I
njëjti “skenar”, gjithnjë sipas disa vëzhguesve, po mbruhet në marrëdhëniet me
Rusinë, që duket se ende nuk meriton shumë; por le të themi, grishja për
ekuilibre, është gjithnjë rruga më e mirë. Është tjetër gjë t’i kërkosh asaj (Rusisë)
të mbajë anën e së drejtës në çështjen e pranimit të Kosovës si shtet i pavarur
në Ballkan; dhe krejt tjetër të kërkosh ta çimentosh apo ta shohësh të dhënë njëherë
e mirë qëndrimin e saj aktual jo dashamirës, megjithëse ndërkaq bëhet fjalë edhe
për bisedime midis dy vendeve.
Kosova
dhe Shqipëria duhet të luftojnë për autoritetin dhe të drejtat e tyre duke
respektuar parimet e fqinjësisë së mirë dhe të marrëdhënieve në frymë demokratike
në rajon. Mendoj se në kohën që po jetojmë nuk ka më vend për fiksime politike.
Përzgjedhjen e partnerëve strategjikë, Shqipëria dhe Kosova e kanë bërë tashmë,
ato janë SHBA-të dhe BE-ja; le ta themi me një fjalë të vetme: Perëndimi. Për
Shqipërinë, qytetarët e këtij vendi e kanë vendosur me kërkesat e tyre
plebishitare që në fillim të viteve ‘90, ndërkohë që Kosova e pa qartë këtë në kohën
e luftës së fundit në Ballkan, atë për t’i ikur sundimit të Serbisë dhe ku SHBA-të
luajtën rol vendimtar. Por kjo nuk do të thotë aspak se dy vendet që aspirojnë bashkim
në kuadrin e gjithë komunitetit të Bashkimin Evropian, duhet të japin shembuj
skepticizmi dhe dasish të dukshme ekstreme në politikën e jashtme; apo që ato të
mbajnë qëndrime refraktare ndaj shteteve në marrëdhënie me të cilat ka pasur
probleme, pse jo edhe fiksime politike, nga ana e tyre (gjithnjë).
Shqipëria
dhe Kosova kanë vuajtur gjatë paragjykimesh politike; nuk ka pse të frymëzohen
ende nga mendësi që nuk shkojnë në akord me kohën. Duhet të tregohen të kujdesshme,
por jo paragjykuese dhe të vrazhda.