Editorial » Entela
Entela Binjaku: Një ngjarje kulturore në Tiranë
E shtune, 19.10.2013, 06:27 PM
Një ngjarje kulturore në Tiranë
Nga Entela
Binjaku
Prej datës 12
tetor në kryeqytet është duke u zhvilluar një aktivitet i rëndësishëm muzikor i
quajtur PIANODROM.
Në Tiranë u çel
edicioni i parë i këtij aktiviteti artistik që ka në qendër pianon, pianistët
dhe kompozitorët për piano. Me iniciativën e një personaliteti të muzikës
serioze shqiptare, z. Aleksandër Peçi, dhe me besimin dhe bashkëpunimin e një
grupi të rëndësishëm të profesorëve dhe artistëve të mirënjohur të Akademisë së Arteve, Nestor Kraja, Eriona Rushiti, Elvis Peçi, kjo
ngjarje muzikore nisi rrugën për të vazhduar
gjatë, dhe me synimin për ta kthyer Tiranën në një destinacion muzikor ndërkombëtar.
I konceptuar si
një “platformë për avionë që ulen në një
pistë”, kjo ngjarje muzikore nisi me një pianist spanjoll Gulliermo Gonzales.
Në kuadër të miqësisë shqiptaro-spanjolle, ambasada e Spanjës në vendin tone, në kuadër të këtij aktiviteti si dhe në
vlerësim të atmosferës së festës kombëtare të këtij vendi mik, solli përpara
publikut shqiptar këtë pianist të mrekullueshëm, i cili luajti një repertor të
pasur mbështetur edhe në përvojën e gjatë në skenat botërore, ashtu siç e
dëshmon e gjithë karriera e tij artistike.
Koncerti i dytë
u zhvillua me datën 16 Tetor, me një
recital të pianistit holandez, Marcel Worms me titull “New Blues and Dance Worldwide”. Ky pianist i mrekullueshëm solli miliona nota muzikore nga shumë
anë të botës, dhe e vecanta në këtë natë ishte se thuajse 90 % e pjesëve të
luajtura ishin të kompozuara posacërisht për këtë pianist të jashtëzakonshëm
nga kompozitorë të ndryshëm. Në këtë natë publiku dëgjoi edhe dy pjesë të reja,
premierë botërore, që kompozitori Aleksandër Peçi kishte krijuar posaçërisht
për këtë aktivitet dhe këtë pianist, mbështetur mbi dy valle shumë të njohura
shqiptare si vallja çame dhe e Tiranës.
Me përshtypjet e
një qytetareje të apasionuar pas muzikës mund të them se të pranishmit e
pëlqyen jashtëzakonisht shumë këtë pianist, i cili me shumë sportivitet edhe i
shpjegoi paraprakisht disa prej pjesëve. Një ndër to ishte pjesa e një
kompozitori sirian, Kinan Azmeh e
quajtur “Në pritje të së premtes”, ku autori shprehte përmes notave ankthin e
një natë më parë, për ngjarjet e pritshme të së premtes. Kjo pjesë ishte
planfikuar të luhej në Damask, por për shkak të situatës së konfliktit, ajo
ende nuk kishte arritur të shfaqej për publikun të cilit edhe i kushtohej. Këtë
ndjesi që përcolli zoti Ëorms publiku shqiptar e mbështeti me shumë
duartrokitje si një shenjë solidariteti me popullin sirian që jeton kohë të
vështira.
Sonte do të
zhvillohet koncerti i tretë i këtij aktiviteti. Do të luajnë dy pianiste
shqiptare, pjesë nga repertori shqiptar dhe botëror. Por duke i njohur të dyja
artistet, njërën nëpër koncerte Etrita Ibrahimin dhe tjetrën që kur ajo ishte
student, Ardita Bufin, pres të shijoj një mbrëmje të mirë.
Kjo ngjarje
muzikore për vendin, për herë të parë në llojin e saj, po zhvillohet tërësisht
e pambështetur nga institucionet kulturore të shtetit tonë, Ministria e linjës
dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë treguar as më të voglin interes për këtë
aktivitet. As në burime financiare dhe as në ato të interesimit përmes pranisë
në sallë.
Ndoshta sonte
mund të ketë ndonjë zhvillim të ri, por situata aktuale tregon se kjo ngjarje
po zhvillohet në kushtet e një indiference, shumë tipike për institucionet tona
kulturore të cilat e kanë braktisur thuajse tërësisht artin muzikor serioz
shqiptar. Megjithëse artistët organizatorë e kanë mirëkuptuar këtë
mosmbështetje nga ana e Ministrisë, me mendimin se sapo ka nisur nga puna
drejtimi i ri i saj, sërish është e patolerueshme dhe e pakonceptueshme një
mungesë e tillë. Vetë profesor Peçi thotë se “ftesën e ka dorëzuar personalisht
në Bashkinë e Tiranës, i nxitur edhe nga ideja se luhej për herë të parë një
pjesë muzikore e mbështetur mbi një motiv të trevës tiranase”, por sërish ky
institucion mungoi i pangacmuar aspak nga kjo ftesë dhe ky fakt.
E megjithatë si
artdashëse nuk mund të mos e pohoj se të ndërmarrësh një aktivitet të tillë
kërkon një guxim të shumëfishtë. Nëse mendon të organizosh një aktivitet të
tillë në Shqipëri do të përballesh me disa lloje vështirësish dhe për disa
arsye njëkohësisht.
Së pari sepse ke
me vete përvojën e mosmbështetjes së këtyre viteve, së dyti sepse do të
përballesh edhe me skepticizmin e
artistëve të huaj që ende nuk e njohin Shqipërinë si destinacion kulturor, së
treti sepse fondet, edhe kur jepen asnjëherë nuk mjaftojnë për të menduar lirisht
për cilësinë e aktivitetit, së katërti sepse e di që ky nuk është një aktivitet
misesh, apo fushate elektorale sic i ke mësuar qytetarët deri më tani dhe me
vështirësi mund t’i bindësh të vijnë të të ndjekin.
Jo vetëm kaq,
por në këtë Tiranë prej rreth 1 milionë banorësh, shteti as nuk ka menduar
të edukojë mjaftueshëm në radhët e tyre
një publik që funksionon si grup presioni, në emër të shijes së kultivuar për
të kërkuar që iniciativa të tilla të mbështeten e të bëhen traditë.
Sa e sa
aktivitete kanë nisur si iniciativa të guximshme, dhe janë shuar rrrugës, sepse
shteti i ka braktisur ose as nuk i ka
mbështetur, sepse është treguar skeptik ndaj ideve, apo se ka vlerësuar disa
ide të tjera, të cilat sërish kanë nxitur pakënaqësira për cilësinë e vendimeve
dhe mosbesimin tek vlerat e vërteta etj.
Por në cdo rast
do të kishte qenë e udhës që institucionet e shtetit tonë së paku të kishin
kuptuar nevojën që qytetarët kanë për aktivitete kulturore, rëndësinë e madhe
që ka për ta kultivimi i shijeve të duhura përmes artit elitar, ushqimi i
pasioneve të tyre për të pasur më pranë artistë ndërkombëtarë ashtu si dhe
shumë qytetarë të tjerë të botës.
Në edicionin e tij të parë Festivali Ndërkombëtar Pianistik “PIANODROM” u mbështet kryesisht nga miq ndërkombëtarë…të shpresojmë se vitin tjetër do të mbështetet edhe nga ata vendas përgjithësisht, dhe që punojnë në institucionet përgjegjëse shtetërore, veçanërisht.
Entela me Marcel Worms
Entela, Aleksandër Peçi me bashkëshorten dhe Gulliermo Gonzales