Kulturë
Kostaq Duka: Tavolina e madhe e rezervuar
E diele, 06.10.2013, 05:57 PM
Tavolina e madhe e rezervuar
Skicë
Nga Kostaq Duka
“Caribou Coffee”
i ngjan një shtëpie të madhe mikrpitëse ku natyrshëm në kënde të ndryshme
rehatohen të rinj e të reja, biznesmenë, të moshuar. Më të rinjtë preferojnë të
ulen në pjesët anësore të kafenesë ku kanë mundësi të përdorin kompjuterat e
tyre, të vendosin kufjet e të zhyten mes botës internetike, për studim, a
thjesht për zbulim kuriozitetesh e argëtim. Pleqtë lakmojnë kolltuqet në anët e
dy vatrave, në qoshet e kafenesë. Përgjithësisht i sheh me libra a gazeta në
duar a thjesht duke pirë kafen në filxhane të mëdhenj porcelani kinez. Jo
rrallë pas kafes i rrëmben një gjumë paqedashës që u nder në fytyrë një qeshje
të lehtë, të ëmbël, miqësore. Edhe pse në shumë tavolina bisedohet me tone zëri jo shumë të qeta, gjithçka duket e
pranueshme e hamonizuar , ku gjithkush kënaq shijet dhe interesat e ardhjes në
këtë shtëpi të të gjithve.
Edhe unë jam
bërë pjestar i kësaj shtëpie duke kaluar gati çdo paradite rreth dy orë mes
mjediseve të saj. Preferoj qoshen e një kthine, ku është vendosur një tavolinë
me këmbëza të larta. E dëshiroj gjithnjë
këtë qoshe ku më duket se e kam më të lehtë të gjej formulën e krijimit mes
fushës së bardhë të kompjuterit , ja ashtu si dikur në sobalkën e shtëpisë sime
të vogël në vëndlindje kur përpara një makine “Olivet” kërkoja fjalën poetike
a monologun e nje heroi drame.
Sa herë zë vend
në tavolinën e lartë të qoshes i hedh
një sy tavolinës së madhe diku pak më në
qëndër ku asnjëherë nuk mungon shënimi “E rezervuar” . Kur e vura re së pari thashë se mos ky shënim kish mbetur i harruar. Por
më pas gjithçka m’u bë e qartë. Në një orë të caktuar të ditës aty rreth orës
11-të të paradites rreth tavolinës së madhe
me çanta të mëdha në duar ulet një tufë e madhe grash, me moshë mesatare
e më shumë të moshuara. Nga çantat e mëdha me zhurmë, biseda e të qeshura
nxjerrin lëmshinjtë e akrelikta, shtizat e punët e porsafilluara, të
përgjysmuara a në mbarim e sipër. Hedhin fijen e lëmshit rreth qafës e me
gështrinjtë e shkathët fillojnë lëvizjen e shtizave. Herë , herë me një ndjenjë
të dukshme kënaqësie pushojnë lëvizjen e shtizave dhe i’u hedhin një shikim
punëve në proces, bluza, shalle, dorashka, çorape, kapele e kuverta me ngjyra
te ndezura per bebe etj. Së pari kur e konstatova këtë u befasova dhe sikur
s’po u besoja syve sikur të kisha zbuluar gjënë më të çuditëshme në botë. A
isha në Amerikë?! Në vendin ku në treg gjen gjithë larminë e krijimtarisë
njerëzore, botërore?! Ç’kërkojnë këtu në
shtëpizën tonë të kompjuterave, të takimeve të të rinjve studentë e biznesmenëve, këto
shtëpijake me shtiza? Me siguri ndonjëra prej tyre e ka kapur shikimin tim disi
të trembur, të hutuar e ka menduar po ky ç’na vështron kështu sikur s’ka parë
ndonjëherë gra me shtiza?!
Më pas kjo gjë
nuk më habiste aspak. Sikur nuk më çudisnin dhe bisedat që vinin copa, copa nga
tavolina e madhe për politikën e madhe të qeverisë, krizën ekonomike, shëndetin
, mbipeshën diabetin, dietën etj, etj. Sigurisht e kisha ndarë mendjen se ato
gra që duke punuar me shtiza rrufisnin edhe kafe në filxhane të mëdhenj, ishin
pensioniste që mblidheshin këtu për të kaluar kohën e për t’u bashkuar në artin
e magjisë së shtizave.
Dhe ja një ditë
në hyrje të shtëpisë” Caribou Coffee” pashë një kënd ku ishin ekspozuar
pikërisht punët e tyre prej akreliku. Pranë kuvertave,bluzave, shalleve,
çorapeve edhe emrat e fotot e tyre si të ishin artiste të mëdha. Buzëqesha tek
po drejtohesha në qoshja ime e zakonshme. Deshiroja ti takoja dhe pse jo ti uroja mikeshat e tavolinës së
madhe. Por ajo ishte bosh. Mungonte dhe shënimi
“Rezervuar”. A thua misioni ishte
thjesht kjo ekspozitë?! Nuk m’u durua. Shkova ne banaku dhe pyeta zonjën e gjatë, të hollë, bjonde : “Në tavolinën e
madhe nuk po shoh zonjat që punojnë me shtiza. Nuk do të vijnë përsëri?”
Ajo disi e çuditur nga kurioziteti im më
sqaroi se të gjitha kanë shkuar si grup me pushime në Florida por do rikthehen
përsëri. “Pas dy javësh i ke aty në tavolina e madhe”
U riktheva në
qoshja ime. Tek shikoja tavolinën e madhe mendja më shkoj larg në rrugicën e gurtë të qytetit tim ku gratë
e vajzat ulur në sofate me shtiza të
trasha e të holla thurrnin fanella e
çorape leshi, kuverta të ngrohta, ku me gjilpërën e hollë qëndisnin mbulesa
tavolinash e këllëfe jastëkësh. Dhe ato
ja ashtu si gratë e tavolinës së madhe ulur në sofatet e gurtë tek
lëviznin shtizat qanin edhe hallet ato
halle që vetëm ato e dinin sa të mëdha
ishin.