E premte, 26.04.2024, 06:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Libër për Agim Gashin

E enjte, 15.08.2013, 07:59 PM


 

Sabit Rrustemi: "MOS E LËSHO SHARKINË PREJ DORËS"-Libër për Agim Gashin

Dhe një libër i ri nga Shtëpia Botuese "BEQIR MUSLIU":

"MOS E LËSHO SHARKINË PREJ DORËS"

Me përkushtime poetike nga poetë e miq prej anëve të ndryshme të hapësirave shqiptare apo ku jetojnë shqiptarët, nën autorësinë e Sabit Rrustemit, i cili bëri përzgjedhjen, ndërsa vlerësimet artistike i dhanë Izet Abdyli e Arsim Halili, kurse redakturën e bëri, Nexhat Rexha, lekturën, Lumnije Morina e, ballinën Ibrahim Tolaj, që të gjithë, anëtarë të Ars Clubit "Beqir Musliu".

Libri, i cili vjen si një lutje poetike për jetën dhe shëndetin e rapsodit dhe poetit Agim Gashi, përfshinë krijimet e 36 poetëve, sipas renditjes alfabetike: Abdi Përgjegja (1), Adem Berisha (1), Adem Zaplluzha (2), Albina Idrizi (1), Alfred Susaj (1), Azaleja Gashi (1), Bekim Toçani (1), Demir Krasniqi (1), Drita Krasniqi (1), Gëzim Uruçi (1), Fadil Lepaja (1), Fatos Ashiku (1), Flora Idrizi (1), Hasime Hoti (1), Hyqmet Hasko (1), Jemin Kabashi (1), Jorgo Telo (1), Kujtim Stojku ( 1), Mejreme Gjocaj (1), Mentor Thaqi (1), Musa Jupolli (1), Nehat Jahiu (1), Nexhat Rexha (1), Përparim Hysi (1), Ragip Dragusha (2), Rrahim Sadiku (2), Sabit Rrustemi (2), Sevëme Fetiqi (1), Sylejman Aliu (2), Sylë Muja (2), Shaban Cakolli (1), Shyhrete Ahma (1), Tom Marku (1), Xhelal Luca (1), Viktoria Xhako (1) dhe Vullnet Mato (2).

Libri përkushtues poetik për rapsodin dhe epoetin Agim Gashi, shoqërohet dhe eme një fjalë hyrëse nga Izet Abdyli, si dhe një pasthënie nga Arsim Halili. Ndërsa në pjesën e pasme të ballinës përfshinë dhe një poezi të vetë Agim Gashit, kushtuar njeriut që dhuroi mëlçinë e cila sot mban gjallë jetën e tij.

Ky libër, është përgatitur dhe botuar nga vullneti i mirë i anëtarëve të Ars Clubit "Beqir Musliu" si dhe shtypshkronjës "Star print" dhe Shtëpsië së Dizajnit "Design House ", që të dyja nga Prishtina.

__________

Recension

JEHONA E INTERKOMUNIMIT MELO-POETIK

Nga Arsim Halili

Hyrje

Ai zë që ende dëgjohet, ai shpirt që ende këndon, ajo sharki që nuk rri e heshtur edhe kur të zotin nuk e ka pranë. Ai zë, i cili atdheut i këndoi dhe këndon po me aq besnikëri për kaq kohë. Shpirti i tij nuk gjen qetësinë për kaq kohë sa përballja me shëndetin jo të mirë, jo vetëm Agimin, por edhe miqtë e tij, i godet në shpirt. Ai ka shumë miq dhe mike, ka shumë dashamirë që çdo ditë dhe çdo orë ofrojnë nga vetja e tyre atë që munden për Agimin, të cilin shpesh agimet e zgjojnë trishtueshëm e përballë terapive dhe mantelbardhëve. E sikur pyet: - Po ku më mbeti sharkia të këndoj edhe një këngë për Kosovën?! E cila është gjithçka për të dhe më shumë se vetë jeta e tij. Ai çdo moment shtron sofrën e dhembjes. Ka bërë aq sa ka mundur, duke e dhënë një pjesë të shpirtit të tij që Kosovën ta shohë ndryshe, ashtu siç edhe e ekzekuton ne telat dhe zërin e kumbueshëm të sharkisë. Ata që e njohin shpirtin e tij, përveç që dëgjuan me shumë përkushtim këngën e tij rapsodike, poezitë e tij epiko-lirike, janë ata që çdo ditë u gjendën me fjalë dhe me vepra pranë tij edhe kur është në Kosovë, edhe kur është në mërgim, madje edhe kur është shtrirë në spital.

Përkufizim i dhembjeve dhe krenarisë përmes vargjeve

Iniciativa për të rrumbullakuar një bagazh krijues, vjen e harmonizuar dhe e konceptuar me një qasje ndryshe nga librat tjerë. Sepse fjala poetike këtu mëton të himnizojë dhe të portretizojë një figurë, e cila jeton mes miqsh dhe të bërat e tij, sidomos vokacioni i tij prej krijuesi dhe atdhetari, ka bërë që këta poetë dhe poete ta ndjejnë nga thellësia e shpirtit sprovën e tyre përkushtuese ku e ku në thellësi të vargut, e në disa çaste edhe elozhe që bartin më shumë nuanca folklorike. Pa dyshim se merita për gjithë këtë përmbledhje poetike është e poetit Sabit Rrustemi, i cili ka mëtuar që të gjithë këto buqeta poetike veç e veç, t’i tubojë në një kopsht të vetëm poetik dhe natyrisht aromën e tyre ta ndjejnë të gjithë ata lexues që shfaqin admirim për rapsodin, Agim Gashi, në veçanti edhe fjalës së shkruar poetike në përgjithësi. Cili është në të vërtetë diskursi i kësaj përmbledhjeje përkushtimore poetike? Shihet se i gjithë narracioni krijues ka një shtrirje konvergjente, natyrisht duke dimensionuar figurën e tij në këto pika referimi: Agimi artist i dhembjes dhe Agimi shpresë për jetë. Nuk do të mund t’i ikim dot edhe aspektit receptiv të së kaluarës së tij, të cilën thuaj se çdo krijues me mjeshtri e gërsheton vokacionin e tij prej krijuesi rapsodik e në të njëjtën kohë instrumentin e tij të cilin e ka bërë që Agimi të jetë çfarë është sot, sharkia e tij thuajse është një nga simbolet,për të cilin miqtë e tij krijues demonstrojnë me aq mjeshtri këtë armë të zemrës e të shpirtit, ku ai shpërthen në jehun e këngës së tij. Shihet se në libër ka larushi strukturore dhe i gjithë interkomunikim varion nga kompleksi ideo-estetik, qoftë në harmonizimin e vargjeve, pse jo edhe në strukturën dialektore. Imazhet përballë figurës përkushtuese, këtë rast të Agimi Gashit, nga poetët shihet se interferohen nëpër skena gati-gati të ndryshme, qoftë nga shtrirja gjeografike e krijuesve, sepse ai që e ka larg mundohet të afrojë më afër, ai që e ka afër ia sheh dhembjen më shumë dhe duket se i humb nëpër terr. Por një gjë shihet qartë se pothuaj të gjithë krijuesit pa dallim janë familjarizuar me pasthirrmat poetike, duke i dhënë një modelim të qartësuar portretit krijues e atdhetar të Agim Gashit, por edhe njerëzor. Dhe natyrisht shihet se edhe pse autori bën përpjekje solide për të bërë një përzgjedhje rigoroze, sepse doemos poezia përkushtimore ka edhe kriteret e veta, ndoshta pa dashje jo të gjithë krijuesit e kanë dhënë maksimumin e mundshëm qoftë në aspektin estetik, artistik dhe funksional të vargut. Nuk do mend se gjatë leximit shumë nga poezitë kur lexohen krijojnë një transparencë ritmike dhe melo-poetike, për çka edhe mund të kompozohen si këngë në vete në të ardhmen. Natyrisht me një ndërhyrje qoftë tekstuale, apo edhe kompozicionale. E mira e gjithë kësaj përmbledhje është se autori Sabit Rrustemi, tërë këtë material përkushtimor, me pedanteri e bën në bazë të radhitjes alfabetike.

Në vend të përfundimit

Sigurisht se Agim Gashi tani do të dalë më i fortë, më i çmuar dhe më i respektuar, më me pak dhembje, kur e di se sa shumë miq ka rreth tij. I çmuar në identitetin e tij krijues atdhetar, që pa dyshim ndonjëherë në shoqërinë tonë edhe ka tendenca të tilla për të kundërtën. Sharkia e Agim Gashit tani është më e fuqishme, por këtë rast atë vijë melodike të shpirtit ia trasojnë me devotshmëri të gjithë ata miq që ka brenda dhe jashtë nënqiellit shqiptar. Sepse pa dyshim se kjo vjen si një përmendore e zemrës, ku secili në vetën e parë skalit ndjesinë e tij perceptuese për mikun e tij dhe kur të gjitha këto fjalë poetike e ngritin Agimin në vertikale të kohës, sepse ashtu e menduan dhe demonstruan këta krijues të përfshirë brenda librit “Mos e lësho sharkinë prej dorës”. Kjo pra është një jetë e tij e rrumbullakuar në dhembje dhe krenari dhe me një shpresë më ndryshe dhe më pozitive nga ajo që ka sot portreti i Agim Gashit.

_______

PËR LEXUESIN E KËTIJ LIBRI

Nga Izet ABDYLI

Janë të njohura rastet e përkushtimeve për krijuesit që nuk janë në jetë, por raste të atyre që ende frymojnë dhe jetojnë me ne dhe i thuren vargje për të gjallë janë të rralla. Dhe kjo ndodh për një arsye shumë domethënëse ngase sfidat e presin njeriun deri në frymën e fundit të jetës dhe droja për ndonjë lajthitje të mundshme nga virtytet njerëzore në momentet e fundit të jetës, mund të përmbysë tërë madhështinë e veprës së tij të mëhershme. Megjithatë, te rasti i Agimit kemi diçka unike, apo shprehur me atë thënien e famshme, është rast sui generis. Krejt kjo për faktin që poeti dhe rapsodi popullor, Agim Gashi, jo njëherë është sfiduar me vdekjen dhe ballëhapur e ka pritur atë. Forca e tij për të mbijetuar dhe për të mos ndryshuar parimet e tij jetësore, virtytet e tij të larta njerëzore, na kanë bindur më se një herë se ky njeri që ishte buzë vdekjes edhe po ta përqafonte atë, edhe po të ringjallej sërish do të mbetej prapë Agim Gashi. Ndaj edhe të gjithë ata krijues që kanë gjetur frymëzimin në jetën dhe veprën e Agimit, duhet thënë se ka qenë diçka tejet e fuqishme e mbase me përmasa magjike, duke i bërë ata që nga penat e tyre të nxjerrin vargje - margaritar e fjalë miradije për të. Po ashtu nuk janë të rastësishme edhe epitetet që i vishen këngëtarit popullor, si: fitimtari; rapsod i kohës sime; zë Shqipërie; legjendë e gjallë; kreshniku i këngës etj. Mbi të gjitha ajo që është me rëndësi në këtë vëllim, pothuaj të gjitha këto krijime kanë dalë nga thellësia e zemrës dhe aty pasqyrohet ndjesia, dhimbja dhe dashuria e pastër si kristali për poetin, Agim Gashi.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora