E enjte, 31.10.2024, 11:55 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Erë lirie fryn nga ''Gezi'' park!

E marte, 04.06.2013, 05:01 PM


Erë lirie fryn nga ''Gezi'' park! 

Nga Elvi Sidheri

Këto ditët e fundit, ndërsa sipas rradhës së mirëmenduar dhe përcaktuar nëpër zyrat e aparatçikëve të Ankarasë neo-otomaniste, edhe kryetari i gjatë anarkist i socialistëve ish-komunistë, ia mbajti vrapit për në Turqi (...dhe ku edhe ai domosdo që u “frymëzua”...”llahtarisht” nga takimi dhe veprimet largpamëse të liderit historik Erdogan), në atë vend pak europian për nga toka dhe gjaku e shumë aziatiko-mongol për nga pozicioni, traditat e mendësia pra, plasën një dorë protestash që nuk duket të kenë të reshtur tashmë.

“AFERIM” do u thosha unë me plotë gojën pikërisht në gjuhën e tyre turqve protestues.

Gjuhë të cilën nuk është se e vlerësoj shumë (edhe më pak mbetjet e saj në gjuhën time, ato që sidomos rrjeti ynë Dixhital ka aq shumë “ëndje” të na i fusë me detyrim në çdo përkthim, apo të tjerat që politika na i ktheu sërish, si “mavinë” që në turqisht domethënë “blu” dhe jo vjollcë ose e purpurt siç pretendohet për ngjyrën e re të socialistëve sipas shijes origjinale të kryetarit, apo Nastradinin që kisha mbi njëzet vjet për fat të Zotit pa e ridëgjuar ose fjalorin e dobët pa fantazi, gjasme popullor turkoman plot “hajër” e “biçim” të të njëjtit lider opozitar).

Jashtë këtij devijimi nga tema, gjithësesi ajo që ka nisur të ndodhë në Stamboll, Ankara, Izmirin e mrekullueshëm buzë Egjeut, Antalja  e tërë Turqinë qemaliste laike, është diçka e madhe, më e rëndësishme dhe e fuqishme sesa vetë zotëria e tij hijerëndë Erdogan apo mëkëmbësit e tij Gyl dhe mbi të gjitha krye-otomanisti i ri, Davutogllu.

Mënyra sesi policia erdoganase (pra gati-totalitare, e dhunshme, orientale në metoda dhe shtazëri sjelljesh, osmane për nga trajtimi i opozitarëve dhe obskurantiste për nga mentaliteti dhe “modus operandi”)...tentoi të shtypte në fillim një protestë normale kundër përçudnimit të një sheshi qëndror të Stambollit, prerjen e ca pemëve dhe zëvendësimin e tyre me një objekt kulti e një qendër tregtare, tregoi pra sesa i papërgatitur ky regjim fondamentalist i veshur me petkun e një kapitalizmi të shfrenuar dhe i trukuar me prirje të forta riekspansioni neo-otoman, ishte përballë një sfide të vërtetë njerëzore kundër themeleve të tij jo edhe aq të forta.

Sepse në të vërtetë mjaftoi prania e ca qindra protestuesve në zonën moderne dhe turistike të Taksimit (ku kam qenë edhe vetë, atë shesh ku përleshen përfaqësuesit dhe mbrojtësit e europianizmit, demokracisë, qemalizmit dhe laicizmit turk me dorën e dhunshme të shtetit erdoganas neo-otoman, e kam shkelur vetë pra dhe ajo zonë gjer në Bejogllu, bashkë me momumentin e Heronjve, tramvajin e vjetër, kishat, xhamitë, sinagogat, konsullatat, ”Ballëk Pazarin”, dyqanet e vogla “vintage” të instrumentave muzikore, kafenetë e baret e shumta, është fytyra e një Turqie moderne që prej mbi dhjetë vitesh me ngadalë Erdogani dhe shpura e tij po përpiqet t’a rrënojë tullë më tullë dhe t’a kthejë në një simotër të ajatollahëve apo ndonjë regjimi tjetër oriental arab)...që sistemi erdoganist të shkundej mirë nga vendi.

Sot ndërkohë, lajmet hapeshin orë për orë me klithmat aspak bindëse të një njeriu të izoluar (Erdo gjithmonë), i cili i ngrysur si nata më e errët otomane, shante e kërcënonte përçart se tanimë i kishte ardhur koha protestuesve që të ktheheshin me ose pa dëshirën e tyre “në arsye”, sepse ndryshe siç ai rrekej të linte të nënkuptohej, ata “i piu e zeza” dhe bashbakani do t’i “kthente me pahir në rrugën e Zotit”.

Erdo djali, këto çjerrje kanosëse, i bënte drejtëpërdrejtë nga Ataturk Hava Limani (aeroporti) i Stambollit, me një alamet posteri të Ataturkut mbi kokën e tij (sepse tek Mustafa Qemali dhe shteti i tij i “çeliktë” laik e ka problemin dhe sharrën e mbetur në gozhdë Erdo përherë)...ndërsa si për habi për një lider kaq të fuqishëm siç ai pretendon të jetë, bashbakani po ia mbathte me të katërta për tek vëllezërit arabë në Magreb për disa ditë.

Pra Turqia digjet e Erdo krihet!

Tani nuk po zbres në detaje të parëndësishme si për shembull se ai tre qime ka në kokë gjithësej e ndoshta për të jetësuar këtë aforizëm të vërtetë, ndoshta do jetë duke krehur mustaqet tipike turke të “zamanit” siç edhe i ka.

Kur ishte tjetri kaq trim dhe i vendosur përse vallë nuk qëndron në Turqi që të mbajë fort duar frenat e shtetit të tij autoritar çerek-demokratik dhe mos t’a lërë opozitën laike pro-europiane që t’ia rrënojë imazhin makiazhit gjasme modern të ngrehinës erdogano-neo-otomane me aq mund të krijuar gjatë këtyre viteve në pushtet prej tij dhe miqve të vet?

Por jo, Erdo si i nxorri policët që t’u qëllojnë me plumba goma nga 10 centimentra distancë në fytyrë e kokë protestuesve civilë (ndonjë edhe e kanë vrarë kështu), si i vuri skalionet e tij gjysëm-diktatoriale që të rrahin e brutalizojnë të rinj, femra e gra të paarmatosura vetëm sepse donin të mbronin ca pemë dhe natyrën e lirë laike dhe europiane të vendit të tyre, tani bashbakani ia ka nisur kërcënimeve se përveç “Youtube”, në Turqi meqë na përbënkan një rrezik publik për stabilitetin e shtetit, do ndalojnë edhe Facebook-un dhe Twitter-in.

Kam dyshime të forta që edhe në vende të njohura si autoritare dhe diktatoriale ose deri diku të tilla si Irani, vendet e gjirit Persik, Kina ose Koreja e Veriut dhe Kuba, të jenë të ndaluar plotësisht rrjetet sociale.

Blogger antiregjim nga Irani ka, si dhe nga Kuba për shembull, regjimi korean ka proflle dhe account-e në rrjete sociale po ashtu.

Kurse në Turqinë demokratike, moderne, të lirë, këtë shtet në ballë të zhvillimit që mëton të jetë si një far ndriçues për botën e prapambetur arabe dhe të Lindjes së Mesme, të cilën ndërkohë francezët xhelozë dhe miq të “qafirëve” armenë (“Si s’i vramë e shfarosëm fare të gjithë qysh në 1915-ën se kishim mbaruar punë me ta njëherë e mirë”!-duhet të thonë ende otomanistët erdoganas në zyrat e Ankarasë)...dhe gjermanët e pabesë (që mbajnë nja tre milionë turq ha-pi-puno-jeto në vendin e tyre)...nuk e lejojnë padrejtësisht që të hyjë në BE.

Sepse BE-ja dhe Europa e qytetëruar në përgjithësi, kështu bën gabimin e pafalshëm që të mos ketë “fatin” të provojë në gjirin e saj metodat e një sistemi si ai i instaluar në Turqi nga Erdo & Co, pra krime si “tradhëti ndaj atdheut” edhe kur ndokush flet diçka të lehtë kundër kryeministrit, mbështetje pa rezerva shtetërore për organizata terroriste si ato të Rripit të Gazës, antisemitizëm po ashtu institucional me zëdhënësin më të ethshëm dhe të zjarrtë vetë bashbakanin Erdogan, çlaicizim gradual të jetës së vendit, ndalim të pijeve dhe lirive të tjera individuale siç po ndodh së fundi e gjer tek thirrjet publike televizive ndaj ndonjë dysheje të dashuruar të xhiruar tinzash nga kamerat e sigurisë në metro duke u përqafuar (mendoni ju të qenë puthur të ngratët, do i lapidonin pastaj erdoganistët?)...që të sillen më “moralshëm”.

Kjo e fundit është ngjarje e ndodhur me të vërtetë në metronë e Ankarasë dhe ajo qëndron si një nga arsyet më të forta të këtyre protestave, bashkë me shumë ndërhyrje të tjera autoritare, orientaliste, anti-laike dhe pro detyrimeve antikushtetuese filo-fetare të qeverisë dhe pushtetit të partisë së Erdoganit.

Erdogani dhe kalorësit e kauzës së tij fanatike otomaniste, korruptiviste dhe radikale fetare, qyshkur një ditë u ngjitën në pushtet, janë përpjekur me çdo mënyrë që shtetin e Ataturkut dhe kushtetutën e tij të pathyeshme nga falanga të tilla orientalo-mongole, t’a zhbëjnë dhe t’a riformulojnë nga e para sipas oreksit të tyre prapanik.

Por meqë më shumë se 48% të votave nuk i marrin kurrë dhe shumicën absolute sa për t’a arnuar së paku dokumentin themeltar të shtetit turk, nuk e kanë, atëherë si u rrekën ca kohë në këtë drejtim pa ndonjë sukses të veçantë, tanimë kanë ndryshuar metodë dhe janë më tepër të prirur që gjërat t’i modifikojnë sipas shijes së tyre, falë ndërhyrjeve të matura të vogla ligjore ose qëndrimeve diplomatike, që çojnë të gjitha padyshim drejt një Turqie në dukje ende qemaliste dhe aty afër mendësisë europiane, e cila në realitet vepron dhe sillet si një shtet tipik autoritar orientalo-arab.

Afërsia me ajatollahët e Teheranit, me Hamasin, Morsin dhe pushtetin e tij tejet të dyshimtë radikal në Egjipt, përplasjet dhe qëndrimet ekstreme anti-izraelite dhe jo vetëm (anti-amerikane njëkohësisht, sepse kush qëndron pas shtetit hebre besoj se dihet botërisht), gjuha e pastër anti-europiane, prirja e fuqishme për një rifutje në ish-dominionet ballkanike (me trojet tona shqiptare në krye), janë të dhëna dhe fakte që nuk duan shumë mend për t’u analizuar dhe kuptuar.

Arrestimet dhe gjyqet e shpeshta dhe të mëdha me të pandehur mjaft oficerë të lartë nga hierarkia e ushtrisë turke, kanë qenë një indikator tjetër i qëllimeve anti-qemaliste dhe anti-laike të Erdoganit dhe të tijëve, pasi dihet qartë roli garantues i ushtrisë brenda shtetit turk lidhur me laicitetetin dhe trashëgiminë e vyer filo-europiane të Ataturkut.

Fundja kur në vitet 20-të të shekullit të kaluar Turqia ish-perandori Osmane, ishte rrudhur dhe ushtritë greke po kapnin Ankaranë, Stambolli dhe Izmiri qenë pushtuar e ai vend po rrezikonte të mbetej veçse një “nocion historik”, shallvaregjërët mongolo-osmanë të tipit të Erdoganit të sotëm, vetë u fshehën kaçubeve të Anadollit dhe fushëbetejën ia lanë në duar reformatorëve të Mustafa Qemalit, i cili helenët i mundi në luftë dhe vendin e rikrijoi nga e para nën shembullin e demokracive perëndimore.

Tani pas gati 100 vitesh, Erdo dhe anadollakët e tij, mbijnë sërish si kërpudhat pas shiut dhe Turqinë shtet të konsoliduar, me peshë rajonale, aleate të SHBA-së dhe perëndimit, anëtare të NATO-s, pra “të gatshme” pa asnjë kontribut të vetëm të tyrin në ndërtimin dhe modernizimin e saj, duan t’a gllabërojnë dhe t’a përdorin për qëllimet e tyre prapanike dhe jashtëzakonisht të rrezikshme për vetë atë vend dhe banorët e tij, për Europën që e ka në derë këtë shtet, për Ballkanin dhe veçanërisht neve shqiptarët që kërrmat anadollake të modelit sulltanor dhe Erdoganor e Davutogllor nuk na ndahen kurrë, për rajonin e Lindjes së Mesme e më gjerë pra.

Financimet për fushatat e rrënimit të qemalizmit në Turqi dhe pasurimin e tij personalisht, Erdogani i gjen “normalisht” përveç të tjerash edhe tek “Eagle”...”BKT-ja”...”Kurum-i”...”Telekomi”...”Spitalet turke që hiqen për amerikane” e çfarë mos tjetër nga anët tona.

Kam gjithësesi një dyshim të fortë, se sido që të shkojnë këto protesta madhështore të popullit turk kundër këtij njeriu dhe regjimit të tij orientalo-anadollak, sërish punët e Erdos dhe miqve të vet, nuk është se janë edhe aq në rregull sa ç’ithtarët e tij dhe ai vetë mendojnë.

Duke vërejtur sesi prej tashmë mbi dy vitesh Erdo i hakërrehet Sirisë si “Bulldog me jargë të varura nën dhëmbë” pa bërë dot asgjë më tepër sesa ca kërcënime të zbrazëta pa pikë kripe dhe konkretësie, duke njohur akullin mes tij dhe Europës, marrëdhëniet e tendosura në skaj me Izraelin, armiqësinë e thiktë si pasojë e zhvillimeve në Siri me “Ariun Rus”...atëherë reaksioni laik, qemalist dhe pro-europian në Turqi, do të ketë se ku të gjejë mbështetje, sado kohë këto revolta për “liri” të duan për t’ia dalë mbanë me qëllimet  e tyre fisnike.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora