E shtune, 27.04.2024, 04:56 AM (GMT+1)

Mendime

Arben Idrizi: Mbarësia e mbrapshtë

E hene, 22.04.2013, 06:09 PM


MBI TË QENIT PËR SË MBARI DHE PËR SË MBRAPSHTI

Nga Arben Idrizi

Njëjtë si terroristët islamikë që pak para sulmit duken për së mbari, edhe shqiptarët e serbët pak para lufte dukeshin për së mbari në raport me njëri-tjetrin. Kalimi nga njëra gjendje në tjetrën është i lehtë dhe i mundshëm si të bëhej fjalë për kalimin e një pellgu të vockël në rrugë.

Vërejta se disa media, duke raportuar në lidhje me sulmin e fundit terrorist në Boston, kishin treguar një kujdes të veçantë të vënin theksin në atë se si për banorët amerikanë, fqinjë të sulmuesve çeçen me nënshtetësi amerikane, njëri prej sulmuesve kishte qenë i perceptuar si një »djalosh i artë«, »djalosh për së mbari«, etj.

Mbase, më thotë kujtesa e vagullt, edhe në raste të ngjashme të sulmeve terroristike në Perëndim është thënë ndonjë gjë e këtij lloji.

Duket se për shumicën kjo gjë është e habitshme, pra: që një djalosh i artë, të cilin e kemi pranuar në gjirin tonë, të cilit i kemi dhënë strehë, mbështetje, arsimim, fqinjësi të mirë, bursë të rrallë për studime të larta, i cili, nga ana tjetër, ka qenë i ngrohtë me ne, na ka përshëndetur, na ka buzëqeshur, t’i lër anash të gjitha këto dhe të kthehet të na vrasë.

Ndoshta që gjëra të tilla t’i duken të mundshme secilit dhe të ketë kujdes të reagojë ndaj tyre në mënyrën e duhur, duhet të (fillojnë të) ndodhin. Shumica, jo gjithmonë jemi në gjendje të kuptojmë çfarë mund të na ndodhë pa pasur ndonjë tregues të dukshëm dhe të pamohueshëm.

Po të më mbante kujtesa më mirë, do të më kujtoheshin më saktësisht edhe ca filma që do të jenë munduar t’i qasen një fenomeni të tillë, pra të rasteve kur djemtë islamikë për së mbari dalin të jenë tmerrësisht të mbrapshtë.

Megjithatë, unë do të doja të ndalesha te një tregim i një autoreje të njohur, Nadine Gordimer, e cila ka ditur, përndryshe s’do të ishte aq gjeniale si e njohim, ta kapë që në zanafillë tërë këtë fenomen. Tregimi merr titullin nga një varg i W. Blake, që në një përkthim të lirë do të na vinte kështu: ‘Disa linden në qejfin e ëmbël’.

Protagonisti i tregimit Rad, një i huaj, mysliman, pranohet si qiraxhi (pasi në dukje dhe paraqitje ka lënë të kuptohet se është djalë për së mbari) në dhomën boshe në katin e shtëpisë ku banojnë prindërit e Verës, një shtatëmbëdhjetë vjeçareje, të cilët po ashtu banojnë përfund pronarëve të shtëpisë, Atyre Sipër. Rad, fillimisht është i tërhequr, i druajtur, çka nga qiradhënësit e tij pranohet si një sjellje me edukatë, përkundër disave që fusin hundët dhe do t’i ishin vardisur menjëherë Verës. Mirëpo, qiraxhiu, nuk kalon kurrë pa përshëndetur. Bile me mjaft ngrohtësi. Po meqë rrojnë nën një kulm, ja që megjithatë Vera nis të afrohet me të, fillimisht sa për njohje e më vonë nga dashuria. Kur një natë ai ofrohet të përgatisë një darkë për prindërit e saj, ata e marrin këtë jo vetëm si një mundësi për të shijuar një mjeshtri kuzhine të një kulture tjetër, por më tepër si një konfirmim se djaloshi i huaj është për së mbari sa s’ka më. Ndërkohë vazhdon flirtimi i tij me Verën. Ajo mbetët shtatzënë dhe dëshiron të abortojë për të mos e humbur dashurinë e tij. Ai i kërkon të martohen. Për t’u martuar duhet të shkojnë te prindërit e tij në vendlindjen e tij. Rad kujdeset vetë që t’i blejë dhuratat e Verës për prindërit, vëllezërit, motrat, nipat e mbesat e tij – edhe ashtu, Vera s’do të dinte ç’t’iu blinte atyre njerëzve të panjohur të një feje e kulture tjetër. Rad megjithatë nuk do të fluturojë me të. Shkojnë në aeroport, përqafohen, por ajo s’arrin ta shohë në fytyrë, kalon kontrollin e pasaportave, kthen shikimin mbrapa për ta parë të dashurinë e saj shumë të dashur, vazhdon ta shikojë derisa ai zhduket sysh.

Teksa aeroplani është duke fluturuar mbi det, eksplodon. Lodrat plastike që Rad ia kishte dhënë si gjoja dhuratë për nipin e tij ishin në të vërtetë bomba për sulmin në emër të Allahut. Të gjithë udhëtarët kishin vdekur. Ndër sulmet e para terroristike të këtij lloji. Mesi i viteve tetëdhjetë të shekullit XX. Policisë i ishin dashur më shumë se një vit hetime për ta zbuluar kush e kishte bërë, çfarë dhe si kishte ndodhur.

Mua më mahnit kjo kapje gjeniale e autores. Nga një rast i veçantë në zanafillë të një sjelljeje që më vonë do të shkonte duke u shpeshtuar dhe bërë metodë, ajo ka arritur ta identifikojë dhe portretizojë fenomenin: ata janë të zakonshëm, të njëjtë me ne në paraqitje, të dashur dhe të ëmbël si ne, të tillë do të mbesin edhe në momentin kur të vijë radha për ta bërë të keqen që duan ta bëjnë, duke e çuar në ajër gjithçka përreth vetes, edhe veten.

* * *

Kam frikë se këto përvoja do t’i kemi edhe ne një ditë. Dhe në dhimbje do të themi me habi se ai sulmuesi i përbindshëm dukej aq për së mbari, e kishim parë dje dhe na kishte përshëndetur plot përzemërsi.

Po që të mos merremi vetëm me hipoteza, dua ta kthej vëmendjen të përvojat tashmë të kaluara për të parë çfarë kemi përjetuar të ngjashme.

Mundet që vështrimi im është i përciptë dhe jo domethënës.

Në fshatin tim nuk kishim serbë. As afër. Në fshatin e dajave të mi kishte disa familje, shumica e të cilave kishin raporte normale me shqiptarët. Por, ishte sidomos një i ri që ishte më shumë i lidhur me ta dhe i cili është më karakteristik për problemin në trajtim. Dinte shqip, luante futboll për çdo ditë me shqiptarët, shkonte në shtëpitë e tyre, i pranonte në shtëpinë e vet, punonte për ta ose i angazhonte ata të punonin për të. Me humor edhe i tallte pse e duronin terrorin e pushtetit serb. I njëjti, qysh në ditët e para të shpërthimit të luftës e kishte braktisur fshatin, ishte veshur polic dhe ishte kthyer t’i luftonte fqinjët shqiptarë – duke u bërë urrejtësi më i madh i tyre – me qëllim që t’i zhbinte nga faqja e dheut. Nga ana tjetër e llogores i thërriste me emra dhe i paralajmëronte se si do t’i priste në gabzherr si derrat e vet dhe masakronte po t’i zinte të gjallë.

Për t’i rënë shkurt, mundet që ai tashmë është në veri ose Serbi. Po ta zinin shqiptarët, sigurisht se do ta prisnin në fyt si derrat e tij ditën që i kishin zënë – atë, pikërisht atë më shumë se çdonjërin tjetër. Në mungesë të tij me gjasë janë mjaftuar me uzurpimin e pronave të tij.

Dua të them, kufiri i kalimit të këtyre gjendjeve njerëzore, siç po na dëshmohet, është krejt i hollë. Njerëz që deri dje i ofronin njëri-tjetrit kafe, sot i ofrojnë njëri-tjetrit thikën në fyt thuase rasti i dytë s’ka asnjë dallim nga rasti i parë; thuase të duash dhe të vrasësh është e njëjta gjë.

* * *

Në cilën anë janë të mbrapshtit? Gjithnjë vetëm në anën tjetër?

Më vijnë këto pyetje pas reagimeve përkitazi me marrëveshjen e fundit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Më konkretisht me pikën 8, shkrirjen e strukturave paralele të serbëve të veriut – supozohet tw drejtuara nga keqbërës, kontrabandues e kriminelë – në strukturat institucionale kosovare.

Parimisht, është absurde vetëm të mendohet një gjë e tillë, e lëre më të ndodhë. Por praktikisht, ne e kemi bërë të njëjtën gjë.

Çfarë do të them në vijim nuk është për t’i relativizuar gjërat, për të mbajtur anën e njërës a tjetrës palë, por thjesht për të bërë një përshkrim të gjërave siç i shoh unë.

Ato që ne shqiptarët e Kosovës, institucionet tona shtetërore, i kemi quajtur ‘struktura paralele’ të serbëve të veriut, janë në esencë e njëjta gjë me organizimin tonë rezistues ndaj pushtetit serb për një dekadë të tërë, qoftë në mënyrë paqësore qoftë me armë. Dhe në ato dy organizimet tona, jo pse e thonë serbët, por sepse e dimë ne, ka pasur me bollëk keqbërës, mashtrues, kontrabandues dhe kriminel të sojit e sorollopit. Disa nga ta bile edhe e kanë nënshkruar pavarësinë e vendit. Disa nga ta i konsiderojmë heronj të gjallë dhe s’guxojmë t’u themi se i kanë sytë e zinj. E këtë nuk do ta pësojë askush tjetër pos nesh që jemi sot dhe atyre brezave që do të vijnë pas.

Pse serbët e veriut nuk kanë marrë mësim nga pësimi ynë, është çështje e tyre. Sa është tash morale t’ua kërkojmë atyre atë gjë që s’ia kemi kërkuar vetes, është për t’u diskutuar. Por, në fund, nuk e di nëse mënyra jonë e sjelljes dhe gjykimit na e lejon pakënaqësinë ndaj marrëveshjes dhe konteksteve të tilla.

Shprehur me klishe, ndoshta të paktën ndër ne, të këqijtë pranohen. Ata janë në rolin e të mirëve.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora