Editorial » Entela
Entela Binjaku: Shoqëria kërkon të rilindë
E diele, 21.04.2013, 05:00 PM
Të dashur
miq!
Unë quhem
Entela Binjaku, pedagoge dhe përfaqësoj këtu botën universitare, gratë dhe
vajzat e Tiranës.
Fryma e
Re Demokratike hyri në mjedisin politik shqiptar për të përfaqësuar një
aspiratë të të gjithë shqiptarëve, atë të perspektivës emancipuese. Çdo shoqëri
e emancipuar i vlerëson njerëzit sipas meritave dhe vlerave. Shumë mendje të
ndritura kanë dalë nga gjiri i shoqërisë
sonë, por ato i afrohen me vështirësi partive politike sepse deri më sot
mekanizmat e brendshëm të partive të vjetra kanë promovuar edhe figura pa
ndonjë vlerë intelektuale. FRD vjen
me një mision të ri. Ja pse unë u
bashkova me FRD!
Në këtë
takim të shumëpritur, përfitoj nga rasti t´´ju bëj thirrje, në emër të vajzave
dhe grave, në emër të gjithë atyre mijëra të diplomuarve në shkollat më të mira
evropiane e më gjerë, në emër të qytetarisë dhe kulturës për të cilën
aspirojmë, për të reaguar me forcë ndaj realitetit të sotëm.
Ne nuk
duhet, nuk mund të pranojmë e të mos reagojmë shpërfilljen e elitave dhe të
qytetarisë, nuk mund të pranojmë të drejtohemi apo më mire të nëpërkëmbemi nga
nëpunës me kulturë minimale, ndërkohë që me mijëra të rinj të aftë e të
shkolluar në shkollat më të njohura të botës
mbeten pa punë dhe të
margjinalizuar. Ne nuk duhet të pranojmë
më panoramën aktuale të kryeqytetit tonë, ku krenaria dhe dinjiteti i elitave
janë nëpërkëmbur nga mediokrit dhe të paaftët. Qyteti që drejtohet nga
militantë të cilët frikshëm kanë pushtuar cdo qelizë të tij nuk mund të jetë më
qyteti ynë! Ne nuk mund të pranojmë që
Tirana Metropol të jetë një eksploziv i vërtetë problemesh sociale që prekin
cdo qytetar të tij.
Ne nuk
mund të pranojmë më që gruaja në politikë të jetë thjesht një metaforë. Le ta
pranojmë zotërinj, se dhuna në shoqërinë tonë reflektohet dhe amplifikohet nga dhuna
e brendshme në politikën aktuale.
Prandaj,
prania e elitave të vërteta në drejtim mund të sjellë ide, mendime dhe rregulla
të cilat do të gjenerojnë burime ekonomike, kulturore dhe shoqërore për të
gjitha shtresat e popullsisë, për një jetë më të mirë dhe më dinjitoze.
Kemi
arritur të dashur miq, të vërejmë një paralele të qartë me vitet 1990, ku
shoqëria kërkon të rilindë, të gjejë vetveten, kërkon të prekë demokracinë e
vërtetë, kërkon të ndryshojë kohën e vetë.
Atëherë le të ngrihemi të gjithë sëbashku sepse koha është tani, që
elitat, që njerëzit e shkolluar mirë, ata që vënë përpara pasionin dhe idealin,
të marrin në dorë fatet e vendit tonë të shtrenjtë…që nuk vlen 1 euro!
Së fundmi
më lejoni të citoj një pohim të Xhon Adams, presidenti i dytë i SHBA dhe një
ndër baballarët e demokracisë amerikane i cili
besonte se “senatorët e një kombi duhet të dalin nga radhët e njerëzve
të aftë, lindur në familje të respektuara, të rritur mirë por edhe të mençur”.
Ky është
një mesazh i vlefshëm për Shqipërinë e Qershorit të vitit 2013.