E premte, 26.04.2024, 05:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Arba - engjëllushja e vogël

E merkure, 03.04.2013, 08:03 PM


ARBA – ENGJËLLUSHJA E VOGËL DHE BOTA E LIBRIT

Nga Xhemail Peci

Selma Lagerlof (Selma Ottilia Lovisa Lagerlof), fëmiu i katërt i kolonelit Erik Lagerlof dhe Luiza Lagerlofit, një nga shkrimtaret më të shquara të Suedisë, me një talent të rrallë dhe me një mendje tejet të ndritur e me kulturë të gjithanshme, si: shkrimtare, pedagoge, muzikante, këngëtare dhe oratore e madhe në sallat madhështore, mes tjerash edhe autore e romaneve të shquara, si “Udhëtimet e çuditshme të Nils Hogersonit” dhe “Një udhëtim në botën e përrallave”, si dhe fituese e Çmimit Nobel për Letërsi (në vitin 1909), në një kohë kur Suedia nuk kishte aeroplan, e parafytyronte atdheun e saj të hipur mbi krahët e një pate!

Ajo jo vetëm se kishte shprehur në Testamentin e saj një dëshirë tepër të thjeshtë: e gjithë pasuria t’u lihej të varfërve dhe se nuk dëshironte shumë bujë për emrin e saj – qoftë edhe pas jetës, por ajo e kishte parandier aq fort dhe ajo e kishte parashikuar aq drejt në intuitën e saj, të ardhmen e atdheut të vet…

Platoni, filozofi i lashtë grek, në një nga librat e tij bënte fjalë për Fyellin Magjik. Do të kalonin gati 2000 vjet, derisa njëri prej kompozitorëve më të shquar të Europës - Frederik Shopeni, i cili është quajtur me të drejtë Poeti i Pianos, do të kompozonte një nga kryeveprat e tij me po të njëjtin titull; ndërsa shkrimtari i madh Tomas Mani, do të frymëzohej të shkruante një nga kryeveprat e tij: “Mali Magjik”.

Këtu e gati pesëqind vjet më parë, njëri prej piktorëve më të shquar të Përlindjes Europiane e i epokës së humanistëve të mëdhenj shqiptarë,Viktori – Poeti i Pikturës, do të krijonte njërën nga kryeveprat e pikturës: “Shenjtëresha duke Lexuar”.

Si në një koincidencë nga më të çuditshmet, pas gati pesë shekujsh, një tablo e tillë, në të cilën shihej një vajzë duke lexuar me një kërshëri, përkushtim dhe dashuri të veçantë për librin, do të zbriste në skenën e emisionit KULTART. Sibila e Librit Shqip, do ta nxirrte Kryeveprën e Poetit të Pikturës nga honet e shekujve e nga pluhuri i harresës, duke i dhënë jetë në njërin prej emisioneve që Librin Shqip mëton ta ngrejë në lartësinë e një Himni.

Si në një koincidencë të çuditshme, kryevargjet e Poetit të Kombit - Naim Frashërit, nëpërmjet një cenzure të rreptë, do të hapnin rimat e tyre e do të shpërthenin me gjithë magjinë dhe bukurinë e vet, me gjithë madhështinë dhe hijeshinë e tyre të papërsëristshme, në njërin prej emisioneve më të shikuara të atyre kohëve të vështira: Bujku – udhëhequr nga gazetari i prirjes së theksuar dhe i punës së përkushtuar: Qazim Kelmendi (DRITË I PASTË SHPIRTI).

Aty meloditë e fyellit dhe kënga e barinjve, gurgullima e krojeve, fushat e gjëra me grurë dhe përcëllimi i rrezeve të diellit, së bashku me dashurinë për tokën, ishin paraljmërimi më serioz - përmes titullit si metaforë, se mbi të ardhmen e Kosovës, herët a vonë, një ditë doemos do të binte: Shkëndijë e Diellit Ndaj Manushaqes!

Duke folur për Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, shkrimtari i shquar dhe figura pikante e markante e letrave shqipe, Ramiz Kelmendi me 25 nëntor 1982, do të lëshonte Zemër-Thirrjen e tij:

“Tempull mbi tempulll është tempulli që i ngremë librit sot…Vatër mbi vatra që do të na ngrohë ne dhe “fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë” është pikërisht Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës, që u përurua sa s’ka si bën më mirë dhe të cilën po e pagëzoj dhe unë – si zëdhënës krenar i mija e mija të gëzuarve e të përgëzuesve si unë…Kosova u përurua edhe me këtë faltore shpirtërore, me këtë vatër të re kulturore, me këtë tempull të rritës sonë…Faltore e tempull dritëdhënës, siç tha me një rast Franc Kafka, “ditar i një populli”. Mbanie mend këtë datë: 25 nëntor 1982! (“Kokrra kripe”)

Koha i ka dhënë të drejtë shkrimtarit Ramiz Kelmendi, madje jo vetëm një herë. Pas më shumë se tri dekadave, po në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, do të nderohej me një komplet librash – sado në mënyrë modeste, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e saj, gazetarja e emisionit KULT e Radio Televizionit të Kosovës, Lumira Kelmendi…

Nuk ka qenë e rastësishme pse pushtuesit lindorë i shkëmbenin skllevërit me librat! Librat – “nuset e mendimeve” (siç i ka quajtur poeti i lashtë e i shquar persian Saadiu), këto “pjesëza të pafundësisë e Porta e Botës” (siç i ka quajtur shkrimtai i madh Stefan Cvajg), zënë një vend ballor në: Familjen Emblemë të Gazetarisë Shqiptare.

“Ja që më të madhin NDIKIM unë e kam pasur tërë jetën LEXIMIN. Shkurt: LIBRIN. Gjithçka që kam arritur në letra është, po, “ndeshja” ime me jetën dhe njerëzit. Re, edhe më shumë se kaq janë librat dhe leximi i tyre” – do të shprehej publicisti dhe shkrimtari Ramiz Kelmendi.

Nuk ishte pra rastësi pse në emisonin KULT të datës 12 janar 2012, shpalosej bota e librave dhe sfondi i bibliotekës së shkrimtarit Ramiz Kelmendi, tek fliste në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për aktorin e madh Kadri Roshi: “Sokratin e skenës shqipe”.

Është thënë me të drejtë se Eva është nëna e njerëzimit, shtypshkronja është nëna e të gjitha revolucioneve, se revolucioni është nëna e të gjithë popujve, se liria është bija e fitores, apo edhe se rasti është mbret i botës, por megjithatë: asgjë s’është e rastësishme!

Në fotografnë ku e mbanë librin në duart e saj të vockëla, e që aq shumë ngjajnë me Dorëzonjat (ca lule nga më të bukurat që rriten mbi kodrat e Liqenit të Tiranës), Engjëllushja e Vogël me emrin ARBA, me kurreshtjen e saj për botën e librit, por edhe me pamjen ku ngjyra e rrobeve i ngjanë me ate të trëndafilave, e ku ajo sikur shfleton një tufë lulesh, të ngjallë parafytyrimin e një atdheu mbi krahët e një pate, por jo vetëm kaq: botën e librit sikur e ngre aq pafajshëm përmbi gjithë globin, sikur ulet mbi te dhe e shfleton librin ngadalë dhe me aq dashuri, sa mëton t’u thotë të gjithëve: ja ku jam ngjitur, sipër botës e sipër globit, prej ku shoh më mirë dhe më shumë çdo gjë! Jam ngjitur më lart se të gjithë, sepse bota e engjëjve dhe bota e librit e tillë është.

Sikur e parandien dhe sikur e parathotë të ardhmen e vet: Edhe unë do ta dua librin sa Xha Ramizi, e do të lexojë edhe më bukur se Teta Lumira!

Një gjuhë shiu e gjithë pafajësi është bota e një fëmje, e që në kurreshtje të tillë ndaj librit, sikur shuan etjen edhe ylberi.

Selma Lagerlof, Kryevepra e Piktorit të Poezisë, ajo e Poetit të Pikturës, Profecia e Ramiz Kelmendit, Sibila e Librit Shqip dhe Engjëllushja e Vogël me Botën e Librit.

Hipur mbi krahët e një pate e mbi krahët e fluturave, e: sipër globit!

Asnjë pamje nuk do të ishte më e bukur dhe më e denjë për një: Panair Libri.

Asnjë fotografi nuk do fliste më shumë!

ARBA - Engjëllushja e Vogël dhe Bota e Librit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora