Shkrimtarët
e nëpërkëmbur dhe heshtja e Kadare-Agollit
Nga
Albert ZHOLI
Dihet
tashmë statusi që gëzojnë shkrimtarët në çdo vend të botës. Por ne të mos
shkojmë më tej, por në vendet tona fqinjë, Greqi dhe Maqedoni. Statusi i tyre
është i veçantë për të mos thënë tepër favorizues në raport me të gjitha
profesionet e tjera. Në Maqedoni të gjithë shkrimtarët gazojnë favore si në
drejtim të krijimtarisë po ashtu edhe në drejtim të punësimit. Kudo në vendet
demokratike shkrimtarët gëzojnë një status të veçantë që përvijon qartë rolin e
tyre të rëndësishëm në një shoqëri demokratike. Po të mos shkojmë gjetiu po le të
ngelemi në vendin tonë. Në regjimin komunist ekzistonte një lidhje e
Shkrimtarëve dhe Artistëve, lidhje, e cila kishte godinën e saj, organin e saj
po ashtu dhe rëndësinë e saj. Në lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të
Shqipërisë jo kushdo mund të futej apo të anëtarësohej. Kurrsesi në këto
radhë nuk mund të futej një shkrimtar
apo poet anonim, pasi atëherë kishte kritere dhe rregulla të përcaktuara qartë. Ai që botonte
në gazetën “Drita” organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
duhet të kalonte në disa filtra ku më kryesori ishte ai i nivelit artistik pa
jo shmangur totalisht ideologjizmave të kohës. Dihet tashmë se tre janë
elementët e ndërtimit të një vepre artistike: elementi artistik, estetik dhe
mesazhor. Pavarësisht nga ndikimi ideologjik i përshkrimit të veprës, niveli
artistik ishte më kryesori. Ai që futej
në radhët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve nuk mund të ishte kushdo, por
do të ishte një intelektual krijues me vlera të mirëfillta, me investime
serioze në krijimtarinë e tij, me një vlerësim në krijimtari dhe patjetër me
një CV të pasur dhe korrekte. Diktatura mbetet diktaturë. Çdo shkrimtar apo
poet, në një mënyrë apo në një tjetër e ka
kritikuar apo i ka trajtuar në veprat e tij mangësitë e atij regjimi.
Përpos kufizime ai sistem ka pasur
specifikat apo pozitivitete e tij. Në atë periudhë shkrimtari si një krijues që ka një status të
veçantë apo rëndësinë e tij në një shoqëri kishte trajtesat e veta. Kishte
lejen e krijimtarisë, kishte hapësirat për një punësim të detyrueshëm, sikundër
kishte të domosdoshme boshtin ideologjik në krijimtarinë e vet. Në atë sistem të gjymtuar nuk kishte
shkrimtarë të papunë apo shkrimtarë të
mirëfilltë pa leje krijimtarie. Lidhja e Shkrimtarëve ishte ndër më të
privilegjuarat, me një godinë të bukur, me një organ letrar të saj, ku
shkruanin penat më të spikatura të asaj
kohe si Kadareja, Agolli, Spahiu, Kongoli, e shumë e shumë të tjerë.
Po sot çfarë ndodh?
Shkrimtarët
si paraprijës të mendimit të përparuar shoqëror janë lënë në anekset më të
fundit të një shoqërie demokratike. Këtë nuk e kufizoj vetëm
në qeverisjen e PD-së, por në të gjitha qeverisjet postkomuniste. A
është e drejtë që në shoqëri të mirëfilltë demokratike, në një shoqëri, ku
talenti dhe krijimtaria janë vlerësuesit
me të drejtë sipas nivelit të një
krijuesi të lihen në harresë?! Ç’po ndodh sot me shkrimtarët apo poetët
shqiptarë?! Ata janë lënë në hije. Janë lënë si një shtresë e harruar e
shoqërisë. Janë lënë si njerëz pa indentitet, pa një të tashme, sikundër edhe
pa një të ardhme. S’ka vend në botë që të mos ketë trajtim të veçantë për
krijuesit. Pa penën e tyre, s’do të kishte libra për fëmijë, s;do të kishte
tekste shkollore, s’do të kishte librari, s’do të kishte biblioteka, s’do të
kishte panaire libri, s’do të kishte histori. Ja pra se çfarë rëndësie kanë
shkrimtarët në çdo shoqëri. Por në këto 23 vjet demokraci ata janë lënë në heshtje, në harresë, pa leje
krijimtarie, pa asnjë të drejtë. Aktualisht ata nuk kanë as një godinë të tyre, asnjë organ të tyre,
asnjë status të tyre. Aktualisht ata i shikon me një çantë në krah që vrapojnë sa në një shtëpi
botuese në tjetrën për të botuar një libër sa më lirë. Të përulur nën peshën e
halleve, herë me punë herë pa punë, herë të paguar, herë të papaguar, herë-herë
në pamundësi për të botuar disa libra pasi s’kanë mundësi ekonomike, ata ndihen
njerëzit më të përbuzur të shoqërisë. Aq
më tepër që sot ende nuk ka marr formë të plotë e drejta e autorit.
Si do të
ishte shoqëria shqiptare pa punën e tyre?
Një
shoqëri pa identitet, pa ndërgjegje kombëtare. Do të ishte një shoqëri e
brishtë, pa parime, pa norma, pa libra, pa të ardhme. Libraritë do të ishin
bosh, nuk do të kishte shtëpi botuese, nuk do të kishte panaire libri. Pa punën
e qindra krijuesve shqiptarë nuk do të kishte me dhjetëra shtypshkronja, nuk do të kishte korrektorë,
redaktorë, radhitës, faqosës, kopertinë bërës, pra papunësia në Shqipëri do të
ishte shumë më e madhe. Pa këtë armatë të tërë të pastër në shpirt,
vetëmohuese, zbatuese të ligjit, Shqipëria do të ishte shumë më e panjohur në
botë. Lexuesi duhet ta dijë, se në disa shtete të USA, apo dhe në Afrikë më shumë
njihet Kadareja apo Agolli se sa njihet vetë shteti shqiptar. Në një takim që
kam pasur me një mikun tim amerikan në
NevvYork para disa vitesh më ka thënë në ligjëratë të drejtë: “S’e kam
ditur se ku bie Shqipëria, por dija se kush ishte Ismail Kadareja”. Aktualisht
sot në botë, në disa vende, Shqipëria njihet nga shkrimtarët dhe poetët tanë,
se sa njihet nga pozicioni i saj
gjeografik apo nga politikanët interesaxhinj. Arti është i përbotshëm.
Ai s’njeh kufij. Kufijtë e tij janë niveli artistik dhe temat e trajtuara. Këto
dy elementë të krijimtarisë kanë efekte të padiskutueshme tek lexuesi. Dhe
Shqipëria nuk ka pak krijues. Madje ka shumë dhe të një niveli mjaft të lartë.
Janë shumë shkrimtarë shqiptarë që janë përkthyer në shumë vende të botës. Arti
i tyre, niveli artistik i tyre ka bërë që të
jenë të pranishëm në disa vende të botës. Por nëse bota i inkurajon, i
lexon, i përkrah, u njeh statusin shkrimatrëve të tyre, ata në vendin e tonë
ndihen të fyer, të përbuzur, pa të sotme dhe pa të ardhme. Ata janë të pa
orientuar si një njeri pa busull në mes të shkretëtirës. Krijuesit shqiptarë
sot janë pa elementët më të thjeshtë favorizues. Ata janë më të zakonshëm se
njerëzit e zakonshëm dhe pse, punojnë shumë, krijojnë shumë, i japin shumë
vlera shoqërisë dhe shtetit shqiptar dhe përsëri, ndeshin në një heshtje të
shtetit të tyre.
Pse
heshtin Kadareja dhe Agolli?
Pa
diskutim për këta dy korifenj të letrave shqipe kam shumë respekt. I kam lexuar
dhe i kam takuar disa herë. Ata janë intelektualët që me veprat e tyre i kanë
dhënë më shumë zë Shqipërisë në botë se sa i kanë dhënë politikanët në regjimin
komunist dhe sot në demokraci. Të dy këta korifenj të përkthyer në disa vende
të botës, udhën e bukur të krijimtarisë e kanë nisur nga Lidhja e Shkrimtarëve
dhe Artistëve të Shqipërisë. Ata kanë qenë pjesë e kësaj lidhjeje, kanë qenë
ndër më aktivët në këtë lidhje. Po sot ku janë ata?!
Heshtin! Një heshtje e dëmshme! Kolegët e tyre shkrimtarë dhe artistë
nuk e kanë më atë godinë që ata e kanë pasur në diktaturë. Shkrimtarët sot nuk
e kanë më atë leje krijimtarie. Shkrimtarët sot nuk kanë më një status të tyre
siç e kanë shkrimtarët apo artistët e vendeve fqinje apo të çdo vendi tjetër në
Evropë. Ata kanë heshtur kur shteti në mënyrë të padrejtë u ka marrë atyre
godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve, kanë heshtur kur shteti u ka hequr lejen e
krijimtarisë, kanë heshtur kur shteti i ka lënë të papunë. Kjo është një heshtje pa emër. Ata sot janë
kthyer në Institucion të vlerave të
letrave shqipe. Fjala e tyre zë peshë dhe mban ngarkesë në Institucionet
shtetërore. Një fjalë e tyre në drejtim të ruajtjes së personalitetit të
shkrimtarëve dhe poetëve nuk do të shkonte në boshllëk. Ata duhet të kujtojnë
jetën e tyre në ish Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të asaj godine ku ata
u rritën dhe që sot rezultojnë si anonimë. Jetojmë në një sistem shoqëror dhe
në një periudhë që vlerat individuale përcaktohen qartë dhe ku ato kolektive
nuk përbëjnë të njëjtën rezonancë. Ndaj një fjalë e tyre do të ishte më shumë
se një deklaratë apo peticion i të gjithë shkrimtarëve. E them me bindje të
plotë se, çdo qeveri e majtë apo e djathtë do të kishte reaguar pozitivisht
ndaj çdo kërkese të komunitetit të krijuesve nëse do të ndihej dhe zëri i tyre
i shumëpritur. Kjo heshtje nuk është as në nder të tyre që u rritën në Godinën
e Lidhjes, as në atë të komunitetit të krijuesve shqiptarë. Është një moment që
çdo heshtje për të drejtat e shkrimtarëve nuk do të jetë në dëm të tyre
personal por në drejtim të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, apo në drejtim të
njohjes së vlerave krijuese shqiptare në botë. Pa një letërsi të përparuar nuk
mund të ketë kurrë një shoqëri të përparuar. Pa fjalën dhe veprën e krijuesve, fjala dhe vepra e
politikanëve do të dukej shterpë.
Behar
Gjoka (shkrimtar, kritik letrar)
Heshtja e
Kadare-Agollit
Po me sa duket ata kanë mbaruar punë
me Lidhjen e Shkrimtarëve. Por në
momentin në të cilin u godit Lidhja e
Shkrimtarëve dhe artistëve, ata kanë folur në dy mënyra. Së pari me heshtjen e
tyre por dhe me disa fjalë që nuk i
konceptoj pasi mbaj mend që kanë thënë “Lidhja është një koncept që vjen nga
Lindja”. Kjo s’është normale, pasi shkrimtarët dhe artistët në këtë sistem s’kanë ndonjë
mbështetje, por së paku duhej të kishin shtëpinë e tyre, ashtu siç e
kanë shumë sporte, organizata, shoqata. Mendoj se. nëse në sistemin komunist, u
tentua që shkrimtarëve t’u merrej shpirti, në këtë kohë vështirësitë ekonomike,
në këtë kohë, dëshira për të komunikuar me shkrimtarët edhe me pjesën tjetër të
botës, u shoqëruan dhe me humbje të
integritetit të tyre, njëkohësisht edhe me humbjen e pasurisë. Ndërtesa e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte më shumë
se sa kaq, ishte shtëpia e tyre, ishte shtëpia e ëndrrave, ishte
pjesa ku ishin shkruar njëkohësisht kryevepra por edhe akte nga më të mbrapshtat,
se si të dënoheshin një pjesë e shkrimtarëve etj... Për këtë arsye nëse s’do të mbetej “Shtëpia e
Shkrimtarëve” do të mbetej ish-Shtëpia e Shkrimtarëve, muzeu ku kanë dëshmuar, mrekullitë por edhe
makabritetet. Për mendimin tim është për tu çuditur, është për tu dëshpëruar,
sepse, vërtet arti duhet të jetë i lirë
dhe nuk ka nevojë për mbështetje, por
shkrimtari ka nevojë se është njeri. Në këtë kuptim, çdo heshtje e panevojshme nuk i bën nder askujt. Pa dyshim që emra të tillë si Kadareja, Agolli,
gjërat i kanë thënë, por në këtë rast dëshpërohem, kur konstatoj se nuk janë bërë pjesë e asaj që ata kanë kontributin e
tyre. Ajo lidhje shkrimtare ka
kontributin e saj. Mendo për një moment
kur Dritëro Agolli ishte Kryetar
i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve dhe tashmë të heshti, nuk është
normale. Nga ana tjetër Kadareja duke
pasur një emër kaq të madh edhe përtej letërsisë shqipe, zëri i tij do të ishte krejt i nevojshëm. Natyrisht
duhet, folur, për një Lidhje shkrimtarësh
demokratike dhe jo një lidhje spiunimi.
Lidhje artistësh dhe jo lidhje tarafesh.
Duke e bërë pjesë të lulëzimit të jetës së shoqërisë, jo vetëm në këtë
moment por përjetësisht. Në këtë kuptim, heshtja e tyre nuk e di se çfarë vlere
ka..
Hysen
Sinani (Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve)
Tani unë
janë protagonist në këtë moment për këtë problem, por mendoj se Agollit nuk do
t’i interesonte që ne të merrnim Godinën e Lidhjes, ndërsa për Kadarenë kam përshtypjen, madje dhe me shumë
se përshtypje, se ai nuk e dëshiron
Lidhjen e Shkrimtarëve, ndoshta për
ndonjë bisedë të së kaluarës, pasi ai ka qenë anëtar i përhershëm i Kryesisë së
Lidhjes së Shkrimtarëve. Heshtje e çuditshme, që një shkrimtar me emër, që
pretendon çmimin “Nobel” të hesht ndaj një problemi jetik të kolegëve të tij,
kur ai është rritur në atë godinë.
Ismail Kadareja, u formua si shkrimtar në atë lidhje. Aty ka bërë
botimet më serioze, para se Lidhja të quhej edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe e
Artistëve. Kjo lidhje e mori Kadarenë
20-vjeçar dhe e bëri shkrimtar profesionist ndoshta të vetmin me këtë status. A
ka mosmirënjohje më të madhe kur një
shkrimtar me përmasa të tilla mos të prononcohet, për atë lidhje që ka bërë 30
vjet jetë, në një organizatë me shumë shkrimtarë të tjerë? Më e keqja është se
ai nuk prononcohet as për mirë as për keq. Ai ka histori në atë godinë, një
pjesë të asaj historie që rrallë kush e ka. Habitem vërtet me këtë qëndrim.
Ata që kanë qenë më të privilegjuarit e
lidhjes, sot janë armiqtë më të mëdhenj të kësaj organizate. Pra, shkrimtarët janë armiqtë më të mëdhenj
të Lidhjes.