E marte, 30.04.2024, 04:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Engjëlli

E hene, 01.04.2013, 02:55 PM


ENGJËLLI

 

POEZI NGA QAZIM SHEHU

 

Në pasditen e vonë kur do vinte muzgu,

Ne pritëm engjëllin, ai vononte,

Dëshirat strukeshin, dhe ajri dihaste,

Ne pritëm engjëllin të na shpëtonte.

Një nyjëtim sendesh në dhomë,

Ca krisje qelqesh nëpër xhama,

Lëviznin atje ku dot nuk shkojnë

Qëllimet e rëndomta.

Ish një kulmin ,një pritje e begatë,

Një gazmim çasti frymëzues,

Diçka që dridhej e dot s`e masje,

Si thellësinë në pus.

Dhe prit e prit, engjëlli s`po vinte,

Të qetësonte pritjen që ethtonte rëndë,

Kapaku i kokës si disk hidhej,

Në hapësira ku kush nuk shkon.

Pastaj kuptuam se qe krejt marrëzi,

Një befje, një tentativë,

Ne djallin kishim në shtëpi,

Dhe si nuk e kishim ditur…

 

STINA E VETMISË

 

Stina e vetmisë është një tejstinë,

Ajo mbushet me lule të errta,

Në prehër të saj ato rrinë,

Me pamje të gënjeshtra.

Stinë e vetmisë u përket njerëzve,

Kur nuk bëjnë asgjë,

Dalin vetëtimat dhe lodhen netëve,

Pa bubullima, pa zë.

Si tejstinë, të katër stinëve,

Ajo u injekton tenjën në bark,

Veçanërisht kur hyjnë në sinoret e njëra tjetrës,

Dhe tërhiqen me dëmin që s`është pak…

 

KËNGA QË UNË KËNDOJ

 

Kënga që unë këndoj më përket vetëm mua,

Duke harruar: dikush para meje e ka kënduar,

Si vala që harron valën e s`kthen kokën pas,

Kur ikën kot, e tërbuar.

 

E PLOTË

 

E plotë si lule me hijen e saj,

Si kurora që do vihet pas një beteje,

Ti vjensi natyra në maj,

Bredhërinë me hap sorkadhje brenda meje.

E plotë dhe unë nuk e di çfarë të mungon,

Çfarë syrin tënd tërheq tek unë,

Ndoshta Rafaeli të përgjon,

Për një model madone  moderne.

Dhe zemra dridhet e s`ka fuqi,

Të rrahë siç duhet për ty,

E qan pa zë,

Nëse do ishte dy zemra, apo tri,

Ndoshta ti do futeshe në të…

 

POETI

 

Poetin e përkufizojnë me vuajtjen,

Vuajtja, thonë i jep frymëzim,

Dhe nuk ia dinë lutjen, që bën për ta

Për shpëtim.

Poetin e ndajnë nga njeriu,

Sikur të ishte me dy koka si kulçedër,

Gjithë shpikësit e fjalëve të pështira,

Që nga kohë e vjetër.

Ata harrojnë se është njeri,

Njësoj si ta, diçka më shumë ,

Atëhere pse e duan në varfëri,

Se vargjet e tij u prishin punë….

Kur ato qëllojnë si shigjeta,

Në padrejtësitë që i bëjnë njerëzimit,

Fjala është për poetët e vërtetë,

Jo për sahanlëpirësit….



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora