Kulturë
Baki Ymeri: Esenca poetike e shpirtit shqiptar
E shtune, 30.03.2013, 07:31 PM
Esenca
poetike e shpirtit shqiptar
(Lulzim
Tafa, La theorie de l’explication des reves, Esprit des Angles, Bruxelles
2013). Autori krijon një poezi interesante që dëshmon forcën e personalitetit.
Nëse dikush i kërkon Zotit guxim apo fuqi, Zoti nuk i jep guxim apo fuqi, por
oportunitetin në të cilin duhet të zbulojë vetë se ka guxim dhe fuqi. Armiku në
vargjet e tij i drejtohet Zotit për ndihmë, por më kot e ka, sepse Zoti nuk e
ndihmon të ligun por viktimën.
Nga Baki Ymeri
Esenca e
shpirtit shqiptar depërton edhe në gjuhë të huaja. Përmes kësaj rruge, mendimet
tona bëhen shprehja e nivelit tonë që e pasurojnë ndërgjegjen universale. Në
këtë kontekst, poezia paraqitet si një zë melankolik i nevojës krijuese dhe
shprehjes shpirtërore. Në vend të zërit melankolik, para nesh kemi një kushtrim
patriotik që shquhet edhe për subjekte lirike me konotacione satirike. Falë
fatit të poetit dhe ndërmjetsimit tonë, këto ditë, Shtëpia botuese “Esprit des
Aigles” e botoi në gjuhën frënge librin
me poezi “Teoria e shpjegimit të ëndrrave” (“La theorie de l’explication des
reves”) të poetit Lulzim Tafa. Libri është përkthyer me besnikëri në gjuhën
frënge nga Ecaterina Chifu, autori duke qenë i nderuar paraprakisht edhe me tre
vëllime të tij që e kanë parë dritën e botimit në gjuhën rumune (“Expozi?ia
viselor/Ekspozitë e ëndrrave”), suedeze (“Du somnade under månen/Ke fjetur nën
hënë”) dhe atë angleze (“Terrible songs/Këngë të tmerrshme”). Gjatë këtij viti,
pason afirmimi i Lulzim Tafës dhe vlerave të letërsisë shqipe, edhe në disa
gjuhë të huaja (italisht, gjermanisht, polonisht etj.).
Botimi i
librit në frëngjisht është bazuar në botimin shqip dhe rumanisht të Ekspozitës
së ëndrrave, duke qenë i kompletuar edhe me disa poema të reja. Përkthyesja
Ecaterina Chifu, përndryshe është e njohur edhe për përkthimin e Emineskut dhe
disa poetëve tjerë të famshëm në gjuhën franceze. Lirika e këtij shqiptari të
talentuar është dekoruar me disa reçensione të favorshme në gjuhën shqipe,
suedeze, rumune dhe angleze. Sipas Daniel Marianit kuptojmë se për dikend që ka
jetuar në njëfarë paqe, qoftë ajo dhe relative, këtu paraqitet një fërgëllimë e
mprehur si një shpatë që vringëllon, kafshon, shpërthen dhe gjëmon. Poezia
identifikohet kahmos me një petk të ushtarit, e veshur mbi trup e shpirt, me
metafora që fillimisht i hapin shtigje dramës, kurse pastaj edhe tragjedisë. Ky
peisazh i luftës, në të cilin vdiset, nëse jo sot, nesër, gjithësesi e
paralajmëron vdekjen e djeshme, apo të pardjeshme.
Autori
krijon një poezi interesante që dëshmon forcën e personalitetit. Nëse dikush i
kërkon Zotit guxim apo fuqi, Zoti nuk i jep guxim apo fuqi, por oportunitetin
në të cilin duhet të zbulojë vetë se ka guxim dhe fuqi. Armiku në vargjet e tij
i drejtohet Zotit për ndihmë, por më kot e ka, sepse Zoti nuk e ndihmon të
ligun por viktimën. Në Kosovën e atyre ditëve, thekson poeti te Atmosfera e
luftës, shtrenjtohej buka, vaji, mielli, dhe vetëm Jetës i bjente çmimi, dhe
vjente Vdekja. Jemi duke e përjetuar një atmosferë të rëndë, kur poetët janë
Luftëtarë. Mbrëmë nuk munda të flej, ngase s’e dija në kemi bukë dhe barot, për
nesër. Poetët janë ata që revoltohen kundër furisë dhe padrejtësisë që Qielli i
ka përplasur mbi Tokë. Paralelisht me ushtarët e betejave për Liri, edhe poeti
ngre zërin e vetëdijes kombëtare dhe kushtrimin kundër masakrave serbe ndaj
shqiptarëve në Kosovë. Pasi vrisnin Pleq e Gra dhe Fëmijë, barbarët kërkonin
ndihmë nga Zoti. „Zoti juaj qoftë i vrarë nga Zoti im”, thot autori në kuadrin
e poezisë „Të fuqishmit”.
Në
kuadrin e parathënies së Ekspozitës së ëndrrave, Marius Chelaru përmend faktin
se “kemi para nesh një vëllim me një numër të konsideruar plusesh, të një
autori që dëshmon njohjen e fjalorit të gjuhës së tij, por edhe shijen për një
farë diversiteti tematik. Poeti është, ndërkaq, një „kërkimtar”, një kavalier
apo mburojë e fjalës që kërkon një misionar që hulumton rrugë të ndryshme nëpër
botën e gjuhës dhe shprehjeve poetike, derisa e gjen shtegun e vet. Dhe vlen të
konkludojmë se, duke e lexuar Lulzim Tafën, kuptojmë se fëmija e çdo nëne bëhet
poet, apo: „kur hidhërohen hyjnitë/ lindin poetët”. Nuk ma merr mendja se në
rastin e tij janë hidhëruar hyjnitë, apo se është një „fëmijë i tepërt” i
poezisë, por ai është një shteg i ndritur që gjendet në brigjet e atdheut të
poezisë, sidomos me një hap të mbarë që ka depërtuar nëpërmjet portës së
ëndrrës, tejmatanë së cilës muzat derdhin në pendën e tij, mjaltën e qiejve të
fjalës.”
Lulzim
Tafa na e përkujton Ali Podrimjen dhe Sali Bashotën e madh me një spektër
poezishë ku është e pranishme “vuajtja e një populli para një konflikti
vdekjeprurës”. Dëshmi për këtë janë Muzat shqiptare që të joshin me mjaltën e
qiejve të fjalës, apo poezitë Luftëtari, Kusarët dhe lulëkuqet, Reportazh i
luftës së shenjtë etj. Sipas eseistëve të huaj “Universi tematik i motiveve të
autorit, përfshin qytetin, shiun, të shkuarën, luftën me armatë ushtarësh të
patrembur, plumba për pushtuesin e kështu me rradhë.” Sipas përkthyesit dhe
eseistit Peter Tase nga Amerika, „Lulzim Tafa ka demaskuar me mjeshtëri
pushtimin dhe genocidin serb mbi popullin e Kosovës, dhunën e ushtruar mbi
kulturën, fenë dhe letërsinë kosovare. Kjo letërsi, duke përfshirë edhe stilin
e këtij poeti të talentuar, është një forcë origjinale e të shprehurit që ka
magjepsur shumë studjues dhe antropologë, vizitat e të cilëve datojnë që prej
kohës së Shën Palit i cili kishte kaluar në këto treva dhe i quante territoret
buzë Adriatikur me emrin ”Illyricum” Këtë rigjenerim të historisë së përgjumur
të një populli të lashtë, po e bën edhe Lulzim Tafa me poezinë e tij të
spikatur, siç janë poemat ”Reportazh i luftës së shenjtë” etj., tashmë të rikënduara
edhe në gjuhën Hygosë dhe Sharl Bodlerit.”
Poeti ka
një sistem zgjedhjesh të lira dhe personale. Nuk mendojmë mirë apo keq, por
konektohemi përmes vërejtjeve në një farë niveli të gjendjeve të vetëdijes. Një
sistem që ka në përmbajtjen e tij, mendimet dhe fjalët e shprehura prej nesh.
Njerëzit, porsi mendimet dhe fjalët, janë si do kuti vokale të konektuara në
fusha të ndryshme energjetike. Përmbajtja reflekton konceptin e personit që
flet, thekson David Hawkisn në librin e tij „Syri i Vetëvetes nga i cili asgjë
nuk mund të fshihet”. Poeti është ai që na mëson se si mund të dalim nga këto
fusha energjetike të vuajtjes dhe shqetësimit. I këtillë është edhe ky poet
shqiptar, për të cilin poetesha Monika Mureshan thekson:
„Për
Lulzim Tafën, bota dhe koneksionet, bota dhe kontakti individual përbën lëndën
e nevojshme kombustibile, së bashku me guximin e krijimtarisë. Mu për këtë
poezia e tij nuk është livreske, por e përjetuar dhe gjithëçka
BOX
Lulzim
Tafa u lind më 2 shkurt 1970, në Lipjan afër Prishtinës – Kosovë. I takon
brezit të poetëve të viteve nëntëdhjetë - viteve të periudhës më të vështirë
për popullin e Kosovës, të cilit i kanosej shfarosja masovike nga çmenduritë
dhe luftërat e Ballkanit. Shkollën fillore dhe të mesme i ka përfunduar në
Lipjan. Studimet për drejtësi dhe ato të magjistraturës, i ka kryer në
Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, kurse gradën e doktorit të
shkencave juridike, e ka arritur në Fakultetin Juridik të Universitetit Publik
të Sarajevës. Krahas librave shkencore, është autor edhe i shumë librave të
tjerë të fushës së letërsisë. Deri më tash ka botuar këto libra: “Gjaku nuk
bëhet ujë” (poezi), “Rilindja”, Prishtinë, 1993; “Metaforë e Pikëlluar”
(poezi), “Rilindja”, Prishtinë, 1997; “Planeti Babiloni” (poezi e dramatizuar),
“Rilindja”, Prishtinë, 1999; “I kam edhe dy Fjalë” (poezi), “Faik Konica”,
Prishtinë, 2011; “Punë Djalli” (poezi të zgjedhura), Gjordan-Studio, Sarajevë,
2011; “Ekspozitë me ëndrra/Expozi?ie de vise”, Amanda Edit, Bukuresht 2012, nga
një vëllim në suedisht, anglisht dhe frëngjisht. Është përkthyer në disa gjuhë
të botës dhe ka fituar shumë çmime letrare, si dhe është përfshirë në disa
antologji.