E marte, 30.04.2024, 06:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Intervistë me publicistin Xhelal Marku

E marte, 02.04.2013, 09:52 AM


XHELAL MARKU: JU TREGOJ SFIDAT E TURIZMIT SHQIPTAR

Intervistë me studiuesin dhe publicistin Xhelal Marku, autor i librit “Turizmi shqiptar”.

Nga Qazim Shehu

PYETJE: Libri juaj për turizmin shqiptar ka zgjuar një interes të veçantë, jo vetëm në qarqet turstike, por dhe më gjërë. Sa kohë u desh të punonit për këtë libër?

Potencialet e mëdha turistike të Shqipërisë me shumëllojshmërinë e tyre, bëjnë që çdo   vizitor të  ndjehet i befasuar me mikpritjen e rrallë shqiptare dhe me historinë e veçantë .Ndaj, Shqipëria me bukuritë natyrore, klimën e preferuar, sigurinë, qetësinë, ushqimet e shijshme bio të traditës, kulturën bashkëkohore të shërbimeve e të akomodimit, nuk ka sesi të mos i joshë e relaksojë turistët e ardhur nga çdo skaj i botës. Ky realitet, sigurisht sensibilizon dhe zgjon edhe interesat e shqiptarëve, që  vjelin frutet e punës së tyre dhe tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë. Tek ky realitet, mendoj se qëndron edhe interesimi i veçantë i lexuesëve e komentatorëve, por dhe i medias e shtypit në përgjithësi, për librin tim të ri: “Turizmi Shqiptar”, që i kushtohet këtij sektori dhe zhvillimeve, që po përjeton ai vitet e fundit. Libri ka si qëllim të tij, të rrisë vlerat promocionale të Turizmit në Shqipëri, t`i bëj më të njohura, më të prekshme ato për të gjithë vizitorët, të publikojë potencialet turistike të vendit, historinë dhe kulturën identike të tij, natyrën e bukur shqiptare dhe pasuritë e saj të mëdha, që i ka falur Zoti asaj pakursim. Ndaj, ai paraqet interes dhe ka pasur afeksion pozitiv tek shumë lexues e analistë të njohur të vendit, siç jeni dhe ju, zoti Qazim Shehu, poet e analist i njohur, siç është Albert Zholi, shkrimtar e publicist i njohur, Mujë Buçpapaj, shkrimtar e analist i njohur, Mevlud Buci, analist e studiues me përvojë, etj. Libri im “Turizmi Shqiptar” është pasqyruar gjërësisht edhe nga Mediat më të njohura të vendit, si: TV “Top Channel”, TV “Albanian Screan”, TV “Ora Neës”, “RTSH”, “Scan” TV, “Shijak TV”, “Radio Travel”, etj, si dhe në faqet e revistave më prestigjioze të internetit, si: “Zemra Shqiptare.net”, “Fjala e Lirë.com”, “Kosovari Media.com”, “Albania Tourism Loë-Cost”, “Globi-Shqip.com”, etj. Veçanërisht një pasqyrim i gjërë dhe mjaft profesional i është bërë librit, nga shtypi ynë i përditshëm e i pavarur, si nga gazetat: “Ekonomia”, “Tirana Observer”, “Metropol”, “Republika”, “Nacional”, “Rruga e Arbërit”, “Dibra” e deri tek gazeta më e madhe e emigrantëve shqiptarë në Greqi, “Athina Plus”.

Për t`ju përgjigjur plotësisht pyetjes tuaj, më duhet të pohoj, se që kur erdha me punë në sektorin e Turizmit, pasioni im për peizazhin dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë, si ish gazetar i RTSH-së përgjatë një çerek shekulli, ku unë ushtroja dhe punën e kameras, më shtyu drejt një projekti për të realizuar një libër për Turizmin shqiptar. Shumë nga këto vlera turistike të vendit tim, unë i kisha parë, shijuar, por dhe pasqyruar në media e në shtypin tonë të përditshëm. Pra, kisha shumë fakte dhe mbresa njëkohësisht, që më favorizonin arritjen e një krijimtarie të tillë. Sigurisht, mungesa në treg e një libri të tillë, gjithpërfshirës dhe gjithëhaspsinor për Shqipërinë Turistike, ishte një tjetër nxitje, madje dhe emergjente, për të plotësuar një boshësi promocionale, ose për të dhënë një risi promocionale për Turizmin Shqiptar. Ndaj, i hyra punës për të grumbulluar fakte e informacione, që më mungonin dhe pas seleksionimit, fillova të sistemoj çdo gjë në vendin e vet. Që në fillim, projektova tre kapituj të librit, që janë: “Turizmi Shqiptar dhe çfarë ofron ai për pushuesit”, ku përfshihen resurset turistike të vendit, kapitulli “Opinione dhe mbresa të turistëve të huaj vipa për vendin tonë”, të cilët përgjatë më shumë se një shekulli, kanë vlerësuar resurset turistike të Shqipërisë, si dhe kapitulli “Turizmi Shqiptar në vështrimin tim”, ku nëpërmjet reportazheve të mia, të botuara në shtypin e përditshëm, pasqyrohen vlerat e destinacioneve tona turistike më të preferuara në vend. Pra, janë tre kapituj, që plotësojnë njëri tjetrin dhe i bëjnë më të besueshme vlerat turistike të Shqipërisë. Nga sa thashë, kuptohet se është dashur një punë e madhe studimore e hulumtuese, por dhe seleksionuese e përzgjedhëse, për të ardhur deri tek libri, që sot kanë në duart e tyre lexuesit. Por, falë përkushtimit tim dhe mbështetjes, që kam pasur nga drejtuesit e Agjensisë Kombëtare të Turizmit (AKT), Klodian Pajuni e Brikena Arapaj,  si dhe nga kolegët e mi specialistë, Sokol Kongoli, Ergys Faja, Andi Nallbani e Helenka Kozma, si dhe redaktori Albert Zholi, unë arrita t`ia dalë me sukses këtij botimi, që ka marrë shumë vlerësime, jo vetëm nga drejtues e specialistë të fushës së turizmit, por dhe nga analistë e komentatorë të njohur të botimeve shqiptare. E rëndësishme është, se unë arrita ta botoj dhe ta promovoj librin, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke realizuar kështu një nga projektet e mia më të rëndësishme kushtuar kësaj Feste të Madhe në historinë e Kombit Shqiptar.

PYETJE: Në punët tuaja si gazetar me përvojë i terrenit, ju keni shkruar për fate, njerëz, po njëkohësisht keni parë dhe shijuar edhe bukuritë turistike të Shqipërisë. Si shihen këto bukuri sot në një pikëvështrim të ri?

Gjithkush e ndjen ndryshimin për mirë, madje e ndjen shumë dhe dukshëm në çdo cep të Shqipërisë. E rëndësishme është se këto ndryshime ndodhin çdo ditë e në vazhdimësi në të gjithë hapsirën turistike shqiptare. Kështu, ta zëmë Rivierën Shqiptare, plazhet tona në përgjithësi, po nuk i vizitove çdo vit, befasohesh me ndryshimet, që ato pësojnë nga investimet e bëra, si në rrugë, gjelbërime, ndriçim, dyqane, hotele e resorte të standarteve bashkëkohore, që të relaksojnë me bukuritë e tyre. Edhe sistemi i kulturës së shërbimeve e të gatimeve, tani është i pakrahasueshëm qoftë  edhe me vitet e afërta, që lëmë pas. Kjo situatë është mjaft optimiste dhe shpresëdhënëse, që garanton një zhvillim të qëndrueshëm e progresiv të Turizmit në vend, sipas standarteve më të mira të Tregut Turistik Botëror, ku ai tashmë konkuron denjësisht me vlerat dhe identitetin e vet. Mendoj, se do të ishte fantastike, sikur me të njëjtin preokupim, të punohej edhe për të mbrojtur Mjedisin, i cili padyshim do t`ia shumëfishonte vlerat Turizmit Shqiptar. Më duhet të theksoj edhe një gjë tjetër, që bukuritë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme shqiptare, të gjitha resurset turistike të vendit, këtu kanë qënë edhe vite më parë, por ato nuk ishin në funksionin e tyre, nuk kishin vizitorë, nuk kishin gjallërinë që realisht e shohim sot kudo. Prandaj, ky është dhe ndryshimi, se Industria Turistike Shqiptare, tashmë i ka ndezur motorët e saj dhe synon të arrijë majat. Ky është një peizazh i ri, ky është dhe një realitet i ri shqiptar në rrugën e integrimit drejt Familjes së Madhe Europiane.

PYETJE: Cilët janë sipas jush resurset e pashfrytëzuara turistike të vendit?

Për mendimin tim, ndër resurset e pashfrytëzuara të vendit, ose të shfrytëzuara më pak, janë destinacionet malore të turizmit shqiptar, ose siç quhen ndryshe turizmi rural, i cili në kushtet e një infrastrukture të vjetër rrugore, ende nuk e ka frekuentimin e duhur, ndonëse është në preferencën e vizitorëve për vlerat e shumta turistike, që bart, për klimën e mrekullueshme dhe burimet e magjishëm kurativë. Mbase për disa prej tyre është e nevojshme të ndërtohen edhe teleferikë, ose të përmirësohen rrugët ekzistuese. Por, kryesore mendoj unë, është se duhet punuar për ta shtuar shumëllojshmërinë e turizmit në Shqipëri, pasi çdo pëllëmbë tokë e saj ofron vlera turistike për pushuesit dhe vizitorët, që e frekuentojnë. Kështu turizmi shëndetësor, me degët e tij, si turizmi dentar, turizmi kurativ i natyrës me burimet ujore, si janë llixhat në Peshkopi, Elbasan, Fushë-Krujë e Bënjë, Kroi i Bardhë në Mirditë, Ujë i Ftohtë në Vleshë të Dibrës, etj, si dhe turizmi familjar, vitet e fundit kanë filluar të praktikohen si turizëm i ri e fitimprurës për vendin.

PYETJE: Duke u ndalur tek libri, ju keni grumbulluar një material të pasur, informacion të detajuar dhe njëkohësisht e keni selektuar atë, duke dhënë një sintezë të tij. Për të krijuar këtë panoramë të Turizmit,  sa është e mundur që ajo të zbërthehet në libra të tjerë?

Ky libër, i ndërtuar mbi tre kapituj, ka aq material faktesh e argumentesh brenda, sa që duhet menduar edhe mundësia e një projekti të ri, për të shkruar në të ardhmen edhe libra të rinj për Turizmin Shqiptar. E kam menduar një gjë të tillë dhe jam duke punuar për këtë qëllim, për të krijuar formate të tjerë turistikë botimi, kushtuar kësaj teme të madhe të ditës. Mendoj se një libër, mund të jetë me titull të tillë: “Turizmi Shqiptar në optikën e të huajve” dhe një tjetër, me titull: “Turizmi Shqiptar në vështrimin tim”. Veç këtyre, do të punoj për të realizuar përkthimin në anglisht të librit tim “Turizmi Shqiptar”, që ai të jetë i përdorshëm nga të gjithë vizitorët e huaj, por shpresoj edhe në realizimin e një ribotimi në shqip në kohën e sezonit turistik të këtij viti, të 2013-tës.

PYETJE Në libër, ju pasqyroni edhe arritjet e Turizmit Shqiptar. Cilat janë sipas jush ato? Po mangësi a konstatoni në këtë sektor?

- Turizmi Shqiptar, si sektori më jetik i ekonomisë së vendit, të cilit i përket e ardhmja, tashmë është fokusuar si më prioritari në politikat qeverisëse të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Për këtë fakt, flasin mjaft studime, projekte, teknologji, si dhe një bum investimesh të realizuara në fushën e Turizmit gjatë viteve të fundit. Për këtë flet qartë dhe një infrastrukturë e re e rrjetit rrugor në mbarë vendin, që i afron më shumë me njëri tjetrin destinacionet tona turistike, bregdetin me turizmin malor, objektet e trashëgimisë kulturore me natyrën e bukur shqiptare, malin me fushën, duke i bërë ato më të vizituara nga turistët e huaj e vendas. Ky është një realitet i ri, i prekshëm nga të gjithë, që i ka dhënë një dimension të ri edhe zhvillimit të Turizmit Shqiptar. Numri gjithnjë në rritje i vizitorëve të huaj, i cili vitin e kaluar arriti shifrën e 4,5 milionëve, bazuar kjo në statistika të sakta e të detajuara të dikasterit përkatës (MTKRS), është një tregues i qartë për këtë bum të industrisë turistike shqiptare. Ndaj, pothuajse për çdo vit, mediat më prestigjioze të Botës e kanë publikuar e rekomanduar vendin tonë, Shqipërinë, si destinacionin turistik numër një të Globit, që duhet vizituar nga turistët e mbarë Botës. Ai tashmë është fokusuar në listën e dhjetë vendeve më të preferuara të Tregut Turistik Botëror dhe po përjeton ditët më të vrullshme të zhvillimit në gjithë historinë e vet, që nga krijimi e deri më sot. Sigurisht, industria jonë turistike është një ekonomi në zhvillim dhe si e tillë, ka ende shumë punë për të bërë në rrugën drejt perfeksionit të saj. Por, mendoj se në stadin e tanishëm, ajo duhet të punojë më shumë, për të krijuar infrastrukturën e nevojshme në frekuentimin e destinacioneve malore, aq të preferuara nga turistët e huaj, madje dhe në çdo stinë, verë, vjeshtë, dimër apo behar qoftë. Për këtë vit, pra për (2013-tën), siç ka bërë të ditur Organizata Botërore “Ëorld Travel”, Alpet shqiptare, janë përzgjedhur në listën e 12 destinacioneve turistike të Botës, ku marrin pjesë 46 shtete nga të gjashtë kontinentet e Globit, të cilat do të garojnë së bashku në Konkursin Botëror të Turizmit: “Majat e Ballkanit”. Ky është jo vetëm një vlerësim i madh për Turizmin Shqiptar në përgjithësi, por dhe një obligim më shumë, për t`i bërë edhe më të frekuentuara destinacionet tona turistike malore, duke përmirësuar së pari kushtet e akomodimit, si dhe infrastrukturën rrugore. Një problem tjetër, që unë e konsideroj si mangësi për Turizmin Shqiptar, është edhe mbrojtja dhe përmirësimi i vazhdueshëm i Mjedisit, pasi Turizmi dhe Mjedisi janë të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri tjetrin, aq sa kur themi turizëm nënkuptojmë mjedis dhe kur themi mjedis, nënkuptojmë turizëm, që do të thotë, se ata, nuk bëjnë pa njëri tjetrin.

PYETJE: Jepni një spektër të gjërë të lashtësisë, të historisë, objekteve kulturore, monumenteve natyrore gërshetuar këto me interesat e gjëra, që mund të ketë një turist. Sa punë duhet bërë më shumë në evidentimin e tyre në këtë lëmë?

Promovimi i vlerave turistike të Shqipërisë është një proces i vazhdueshëm dhe i pandërprerë i Agjensisë Kombëtare të Turizmit (AKT), ku unë bëj pjesë si një specialist i saj. Në atë proces, kush më shumë e kush më pak, por i gjithë stafi punon me profesionalizëm e përkushtim për të afirmuar sa më shumë vlerat dhe resurset tona turistike, nëpërmjet pjesëmarrjes së përvitshme në disa panaire ndërkombëtare të turizmit, ku vendi ynë përfaqësohet dhe konkurron me identitetin e vet turistik. Në këtë drejtim, një ndikim të veçantë kanë edhe botimet e përvitshme të broshurave, të cilat publikojnë historinë, lashtësinë dhe autoktoninë e shqiptarëve në trojet e veta, vlerat e mëdha të trashëgimisë kulturore, monumentet, kalatë e deri tek muzetë, që i kanë dyert e hapura dhe mirëpresin vizitorët. Mirëmbajtja dhe pasurimi i tyre është një detyrë e përhershme e institucioneve që i administrojnë ato. Kësisoj, për çdo vit synohen risi promocionale, që e rritin dhe imazhin e Turizmit Shqiptar në opinionin kombëtar e ndërkombëtar.

PYETJE: Libri juaj, që konsiderohet si më i ploti gjer më sot për Turizmin në vend, sjell edhe interesin e të huajve për Turizmin Shqiptar. Cilat janë ato?

Nga kritikët profesionistë të botimeve, libri “Turizmi Shqiptar”, është vlerësuar si një risi promocionale për imazhin turistik të Shqipërisë, pasi bën të njohura dhe publikon vlerat e resurseve të pafundme turistike të vendit, disa prej të cilave i përmendëm dhe më lart. Por, risia që sjell ai në fushën e promocionit turistik, është se pasqyron edhe opinionet e mbresat e vizitorëve të huaj vipa për Turizmin Shqiptar përgjatë më se një shekulli, si dhe pasqyron një realitet të detajuar të destinacioneve turistike më të frekuentuara të vendit, të përshkruara me shumë pasion dhe me artin e bukur të fjalës, me plot figuracione letrare, që lexuesin e emocionon dhe e bind për imazhin e ri të Turizmit Shqiptar. Ai shërben gjithashtu edhe si një udhërrëfyes për turistët e huaj e vendas, duke u dhënë atyre një informacion të gjërë të saktë e të detajuar, të rrjetit të ri rrugor, distancat e qyteteve të Shqipërisë nga Tirana, e deri tek harta turistike e Shqipërisë.

PYETJE: Në fushën e studimeve turistike ka vend gjithnjë për zgjerim, sepse turizmi po bëhet një degë e fortë në ekonomi. Është rritur shumë interesi për investime, e sidomos në zonat malore me bukuri të rralla. Në këtë aspekt, libri juaj ndihmon, si e shikoni rigjallërimin e vlerave turistike të zonave malore?

Destinacionet turistike malore të Shqipërisë kanë nevojë për të ndërhyrë me projekte të reja për të përmirësuar së pari infrastrukturën rrugore drejt tyre, pasi ka destinacione, siç është Parku Kombëtar i Lurës në Dibër, Pika Turistike e Kroit të Bardhë në Mirditë, etj, ku rrugët janë dëmtuar dhe në disa segmente janë bërë edhe të pakalueshme për vizitorët. Në këto destinacione, ne i kemi parë me sytë tanë turistët e huaj, duke ecur më këmbë përgjatë rrugës së makinës, pasi ajo ishte jashtë funksionit, e pakalueshme. Ndaj, mendoj se është emergjente ndërhyrja me projekte të reja rrugësh, për të krijuar kushte sa më të favorshme për udhëtimet e turistëve.

PYETJE: Në fund, cilat janë sipas jush, fushat e mëtejshme turistike, ku duhen thelluar studimet për  Turizmin Shqiptar?

Turizmi Shqiptar ka vite që ka hyrë në hullinë e vet drejt progresit në rrugën e konkurrencës, me identitetin e vet, por në përshtatje me teknologjitë, që orienton Tregu Turistik Botëror. Kësisoj, ai tashmë e ka afirmuar veten, si një konkurrent dinjitoz me vlerat që përfaqëson dhe me resurset që bart në këtë treg, ç`ka e bën atë ndër më të kërkuarit dhe interesant për vizitorët e mbarë Botës. Pra, Turizmi Shqiptar i ngjanë një miniere të fuqishme, pasuritë e të cilës shtohen dhe zhvillohen çdo ditë. Ndaj, studimet, projektet dhe teknologjitë e tij, janë përherë në zhvillim, për të siguruar vlerat e qëndrueshmërisë e të konkurrencës në tregun global, pjesë e të cilit ai është. Mendimi im, është, se këto studime, duhet të synojnë në zgjerimin e llojshmërisë dhe të qëndrueshmërisë së industrisë turistike në vend, për t`i krijuar asaj një fushë të gjërë konkurrence në tregun turistik botëror, sepse sot nuk mund të konkurrosh vetëm me rërë dhe bregdet, por duhet shumë më tepër se kaq.



(Vota: 523 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora