Kulturë
Kalosh Çeliku: Vdekje heroike për së gjalli
E marte, 02.04.2013, 05:52 PM
VDEKJE HEROIKE PËR
SË GJALLI
NGA KALOSH ÇELIKU
Dhe, Djemnusha më
shkruan e zemruar tymeflakë në një mesazh para Vitit të Ri 2013:
Ujk, deri në ora
18.00 jam në këtë Qytet, rrëzë Sharrit Plak… Eja para Vitit të Ri!...
Babadimrit, me sajë e një thes dhurata… Përderisa, nuk ka ardhë
i pari me një pizi patriotike Këlyshi me zgjebe i DoktorZiut.
Unë e vras mendjen
çka t’i them, shkruaj Xhadisë? Nata më duhet mua të arratisurit në Baba Tomor!
Nata. I përgjigjem aty për aty me një mesazh:
Heu, edhe njëherë,
gëzuar Viti i Ri! Saja më është thyer në rrugë. Bythekrye kam përfunduar në një
përrua, Qafë Thanë. Nuk deshi Zoti, që sot të vij në Tyrben e Babashehut.
Varrin e tij me libra. Dhe, t’i rrokullisim së bashku deri në agim disa shtamba
me verë para këmbëve të Babadimrit… Vitit të Ri...
Megjithatë,
Në ndërkohë, me
telefon më paraqitet gazetari i rubrikës së kulturës, emisionit javor në Radio
Shkupi.
- Alo, jam
udhëheqësi i emisionit Mozaiku Kulturor. A kishe pranuar nesër në ora 09.00
përmes telefonit të jesh mysafir i këtij emisioni debativ kulturor në prag të
- Me gjithë qejf,
po viti që iku, më tepër ka qenë si vit i përvjetoreve historike, përurimeve të
librave me thasë të partizanëve të partive politike me vlerë e pa vlerë
artistike. Ekspozitave figurative personale e partiake, takimesh familjare e
reklamimesh politike të shërbetorëve të Oborrit me shalla kuqezi përqefe para
kamerave televizive. Lëvdatash në baza partiake, e shumë pak organizimeve të
aktiviteteve kulturore artistike, me
përjashtim të “zhurmës kulturore” të përditshme. Vit historik si Ditët e
Plakave në fund të marsit me shi, stuhi e borë të madhe nga qielli: Prill
bre vëlla/ m’i jep tri ditë hua/ ta shuej plakën me gjithë çka ka!...
- Nuk prish punë
në ditën e sotshme. Me rëndësi është, nesër të jesh mysafiri ynë drejtpërdrejtë
nëpërmes valëve të Radio Shkupit.
Dhe, u pajtova si
artist i arratisur mes dy shtambave me verë. Shkaku se, ky ishte i vetmi
emision kulturor në gjuhën shqipe, që i përcillte dikur me rregull aktivitetet
dhe ngjarjet tona kulturore. Njëherit, edhe i vetmi emision kulturor në IRJ të
Maqedonisë që nuk ishte ende i politizuar gjer në palcë nga partitë tona
politike “demokratike”.
Të nesërmen, herët
gjatë emisionit: Mozaiku Kulturor,
cingërroi telefoni:
- Mirëmëngjesi,
u paraqitë një zë i bukur radiofonik femre! Mirëmëngjesi, iu përgjigja. Moment,
qëndroni në lidhje! Muzikë matanë gardhit: një këngë popullore kërçovare: “Në
bahçe na ka ra bryma” e këngëtarit legjendar, Rexhep Zajazi. Në fund të
këngës u paraqitë gazetari i emisionit kulturor: Mozaiku Kulturor, jeni në
valët e drejtëpërdrejta të Radio Shkupit. Aktivitetet kulturore gjatë këtij
fundviti?
- Tungjatjeta!
Pikësëpari i përshëndes dëgjuesit e
Radio Shkupit! Njëkohësisht, edhe realizatorët e këtij programi! Viti plak që
iku matanë malit, qe vit historik i veshur kuqezi me plot “zhurmë kulturore”.
Në IRJ të
Maqedonisë çdo gjë është e politizuar deri në palcë. Edhe arsimi edhe
kultura... Edhe buka… Edhe uji… Edhe ajëri… Shtet, ku partitë politike
shqiptare më shumë merren me “zhurmë kulturore” përpara zgjedhjeve
parlamentare, se sa me politikë.
Vështirë e kemi ne si institucione kulturore dhe artistë të marrim
lirisht frymë. Partizanët e tyre me yll të kuq në ballë, na kanë ngulfatur,
rrokë me të dyja duart për fyti...
- Në fund, çka
prisni nga Viti Ri 2013?
- Dhashtë Zoti,
vitin që vjen, arsimi dhe kultura shqiptare zhvishet nga politika ditore
partiake dhe vishet me vlera të arrira artistike kulturore e arsimore!...
Njëherit, juve si redaksi dhe dëgjuesve të rregulltë të Radio Shkupit ua uroj
Vitin e Ri!...
Dhe, mirë u
dëgjofshim e u pafshim në vitin 2013, që e kemi në prag me një thesë dhurata
politike në shpinë!... Gojëkëqinjtë, e di do të thonë: dajak për shqiptarët.
Epo, këtë e kemi merituar me punë “patriotike”, pasi gjithë vitin këndojmë
lakuriq këngë “tallava” me çifteli e heqim valle me lodra. Hë për hë, jemi
populli më i lumtur në botë. Nuk më besoni?! Atëherë, hapni kanalet televizive
shqiptare! Edhe, do ta shihni në sy realitetin shqiptar fundekrye “kuqezi”. Më
kot do të kërkoni ndonjë emision arsimor, kulturor të arrirë, shkencor, ose
film artistik shqiptar.
Ditën e nesërme,
Ebu Fakirin e takova në rrugë. E ndali makinën e tij shkatrraçe që mezi i
përdridhte bythët me pak shpirt rrugës për të arritur në Bit - Pazar. Unë i
thelluar në mendime, kthehesha nga zyrat e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar. Me
siguri kishte menduar se shtihem, gjoja nuk e shoh dhe nuk dua t’i flas me gojë
“patriotit kuqezi”. Po, nuk ishte kjo e gjithë historia. Unë ecja rrugës më
këmbë, ngase xhipin e kisha shitur për të mbajtur gjallë Manifestimin Kulturor
Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP, rrëzë Kalasë Dardane, në Shkup.
- Mirëdita! Unë nuk
jam nga ato personazhet e tu nëpër libra.
- Jo, po nuk të
pash. E gënjeva. Njeriu sheh me tru dhe jo me sy. Njëkohësisht, thashë me vete:
si më kishte shpëtuar Ebu Fakiri pa e futur mes faqeve, në libra!...
- E di. Po, mu duk
se nuk do të përshëndetesh me mua si patriot kuqezi. Ti e di se, unë nuk jam
nga ato personazhet e tu nëpër libra.
- Dhe, u ndamë
ftohtë me Ebu Fakirin. Personazhin, që ende nuk kishte hyrë si burrat e
mejdanit me pashterka të kuqe në libra.
Rrugës mu kujtua
edhe libri im me satira: Trumbetat e Tellallit, që e pa dritën në vitin
1992, në prag të ndryshimeve demokratike në Jugosllavi dhe çoi mjaftë pluhur në
koluaret e atëhershme intelektuale, politike e policore. Kopeja me zgjebe e
Nënës Parti me një torbë taxhi për qafe, që të nesërmen iu turr me të katra me
shkrime të porositura teknefese nga redaktorët rrufjan në gazetën e atëhershme
partiake “Flaka e vëllazërimit”. Sharje e shpifje nga ato më të
çuditshmet e të pabesuarat historike: librin sipas tyre e kishte finasuar
policia?! Autori kishte pasur disa takime të fshehta në Bullgari dhe i kishte
dërguar me dhjetra mijëra marka Partisë Socialiste në Shqipëri. Libri, që më
dërgoi edhe në një bisedë informative në polici. Aktakuzë nën të cilën
figuronin njëzetë nënshkrime (“patriotë të sotshëm kuqezi”, që e mbajnë ende
veten gjallë nëpër parti politike) se, isha i dërguar nga Kosova dhe çështjen e
shqiptarëve doja ta zgjidhë me luftë?! Linçeve intelektuale e fizike. Zjarreve
në banesë. Helmimeve në Bit – Pazar. Poashtu, edhe shkrimi i mikut tim poet
rebel Fadil Bekteshi, që e përshëndeti daljen e këtij libri në dritë me një
reçension pozitiv në revistën e tij të parë të pavarur letrare të asaj kohe, “Doruntina”.
Libri Trumbetat e Tellallit me një tirazh prej 2.000 kopjeve, falë
reklamës së tyre pa pare propaganduese “artistike”, u gëlltitë nga lexuesit
brenda pak ditëve nga raftet e librarive të qyetit.
Ebu Fakiri, atë
ditë ma kujtoi edhe shitësin e gazetave Musën, që e shiste këtë libër edhe
nëpër Çarshi, në Bit - Pazar. Ebu Fakiri se si, e kishte ndalur në rrugë, i
kishte thënë: e di se kush e ka finansuar këtë libër? Jo ë, o trap?!...
Policia...
Musa, gazetëshitësi
vetë ma rrëfeu edhe këtë “vepër patriotike” të Ebu Fakirit. E kuptova se ishte
këlysh me zgjebe, nëntoka e Mafisë policore letrare në Maqedoni.
Vitet kalonin, e
Ebu Fakiri kurrësesi të dalë nga biruca e nëntokës antishqiptare, japë ndonjë
shenjë gjallërie, punonte nateditë në “ ilegalitet “. Një ditë, vetë do ta heq
maskën e patriotit kuqezi. Pavetëdije do të dalë bythekrye në sipërfaqe,
lakuriq e pis ashtu siç e kishte pjellë Xhadia pas porte.
Ne shqiptarët, që
Ebu Fakirit njëzet vjet nuk ia kishim dëgjuar zërin, tashti në gazetë papritmas
e nxorri bythën si palare në diell për mejdani. Edhe atë, kur iu rrezikua
taxhia… Njëzet vjet Ebu Fakiri na ishte shtirë me fytyrë Engjëlli, na kishte
marrë në qafë, e në të vërtetë ai kishte qenë, vetë Dexhalli me brekët mbi
pantollona… Në një gazetë të përditshme në të cilën punonte si gazetar, që
dilte vetëm para fushatave zgjedhore, do të botohet edhe një shkrim i tij
teknefes patologjik arnë përmbi arnë.
Viçat e palëpi,
përpiqen ende me çdo kusht t’i dalin zot dhe shpëtojnë DoktorZiun nga Përmbytja
e madhe atmosferike natyrore. Nuk u mjaftoi ajo përpjekja partizane guerile, që
zëvendës kryeministri i MO, momentalisht ua shpëtoi nga Komisioni Lustrues që
të mos i dalë emri në gazetë si rrufjan shqiptar.
Jo. Jo, o viç i
palëpi! Vdiq koha, kur ti me duar, këmbë e bythë, rrotulloheshe nëpër redaksi
me kokën në grazhd e bythën në Partinë Komuniste. Parullat e juaja demagogjike
edhe sot e kësaj dite gjatë fushatave zgjedhore, se: “do ta sillni Lirinë për
shqiptarët e Maqedonisë”. “Pranverën arabe” duke e thirrë nateditë nga Londra
përmes Facebook -ut, e këndej nuk keni guxim të vini të jetoni së paku një ditë
në Shkup. Hëngër fiq dhe vdiq ajo kohë qorre. Vështirë e keni sot t’i mashtroni
shqiptarët vetëm me një krimb në grep. Ju, viçat e palëpi, (pa asnjëfarë
bagazhi letrar e politik), që mezi u njeh sot nëna e juaj, e ku më katundi…
Edhe, i dalldisët dhe m’i ndërsyet pas shpine: Këlyshin me zgjebe të strukur në
një strofullë neokomunsite, që e vajton edhe sot e kësaj dite postin e
redaktorit të kulturës në “Flakën e mjerimit”. Hoxhën e Allahut me
këmbët dhe trutë në legen. Hojdodolen e Katundit. Patriotin e vonuar të
shëtitur nëpër institucione shtetërore me poste politike, që ende nuk mori
guxim të dalë në fushën e mejdanit si burrat, aty: “ku përzihen kësulat” për
Ditën e Nesërme Shqiptare. Lapsin ta nxjerrë nga brezi në fushën e mejdanit.
Mjaftë më e “flijoi veten si viktimë letrare” para kamerave televizive të
Mëmëdheut në këtë copë Shqipëri, luftoi
gjithë jetën “flakë më flakë me vëllezërit“ për liri në brekët e arnuara
komuniste të DoktorZiut.
Viça të palëpi, ju
që u përpoqët me të gjitha metodat policore t’i shuani Manifestimet Kulturore
Tradiconale Ndërkombatare Shqiptare, në Tetovë, Kumanovë e Shkup. E keni
sakatuar vite me radhë Letërsinë Shqiptare nëpër komisione instuticionale me
kokën te “vëllezërit“ e bythën nëpër parti politike shqiptare.
Edhe sot, vajtoni
nateditë në mjetet e informacionit anë e mbanë Atdheut. E derdhni rrëke lotë
krokodili. E kërkoni të djeshmen e lavdishme mes varreve të cilën moti e ka
mbuluar bari: Xhadinë, që në kontejnerë të bërllokut nëpër Bit – Pazar jep
shpirt. Cofë me të katra këmbët përpjetë në hava. Dhe, ma kujtoni poezinë e
Çajupit: Vaje. Vargjet, ku Çajupi e vajton Evgjeninë. E ju, viçat e
palëpi e vajtoni Xhadinë:
Gjith’ humbasin
Xhadinë, postin dhe sahanë
Po, ata që mbetën,
si ju nuk qanë.
Të Vdekurën lotët
s’e bien në jetë,
Po, lutuni dhe
faluni t’i rrisni bythët vetë.
Doje dritë, oj
Xhadi, moj pjellën trime,
Dhe, na e mbushe
jetën plot me hidhërime!...
Tani rrojmë pa
shpresë, s’duam të rrojmë
Se dhe Xhadinë tani
s’e besojmë!...
Rrugës nëpër Çarshi
e takova Tatën e Madhe me një shkop në dorë. E kishin bërë të flas vetmevete: Dudumë,
janë fund e krye. Rrufjanë. Nuk i shohin shenjat, zërat që na i dërgojnë të
vdekurit nga mesi i varreve. Pulën me zogjë. Arushën e Madhe, Yllin e
mëngjesit… Shkopin e dushkut plot nyje, që unë e kam ngritur në dorë rrugës për
në Baba Tomor dhe dua t’i zgjojë nga gjumi shekullor. Mendja ma thotë mes
këtyre sokaqeve me gurë, rrëzë Kalasë Dardane se: janë të vdekur përgjithmonë,
nuk ringjallen si Krishti… Ose, të fluturojnë si Azreti Isai nga minarja e
xhemisë në Qiell…
Përfundimisht, kanë
vdekur për së gjalli…
Tata e Madhe, posa
më pa mua në rrugë e ngriti shkopin:
- Heu, Kalosh
Çeliku! Cila është Gruaja jote besnike?!
- Hi-hii-hiii:
Xhadia! Që, deri më sot nuk e gjeti një burrë me tirqi e xhamadan me
sumbulla. Kësulën e bardhë në kokë. “Nagantin” në brez.
Dhe, sahatin me qystek për qafe…