Kulturë
Besim Muhadri: Zois Shuttie – piktori shqiptaro-amerikan, me të cilin mburret Bota e Lirë dhe Amerika
E marte, 02.04.2013, 04:22 PM
Portreti i artistit shqiptar në mërgim
Zois Shuttie – piktori shqiptaro-amerikan, me të cilin mburret Bota e Lirë dhe Amerika
Intervistë me piktorin poet shqiptaro-amerikan, Zois Shuttie, në pragun e 75- vjetorit të lindjes së tij
Ai është qytetar amerikan dhe mbarë bota dhe interneti e njeh me emrin e tij, Zois Shuttie, pagëzim ky me vajtjen në Filadelfi të Amerikës së babait të tij, i cili jetoi atje nga viti 1917 deri në vitin 1923. I ndjekur nga ëndrra e babait të tij, ajo e kthimit në SHBA, ai ia plotesoi atë brengë të heshtur me arratisjen e tij nga vendlindja për në vendin e emigrantëve dhe të lirisë demokratike në vitin 1964. Ndërkaq, me emrin e tij sot mburren shumë vende, kur ai u njoh në Francë si artist amerikan i lindur në Shqipëri; po ashtu dhe në Amerikën e Veriut, Meksikë e vende të tjera. “Ai nuk është vetëm mjeshtër i pikturës, por është, mbi të gjitha, njeri shumë i ndjeshëm, idealist dhe portretist i mrekullueshëm i shpirtit njerëzor”, shkruan shtypi perëndimor. Kudo që shëtiti dhe banoi, atij nuk iu nda epshi i paepur për pikturën në dy anët e Atlantikut, dhe vetëkuptohet që puna e mirë gjithmonë shpërblehet. Arti i tij është vlerësuar me shumë çmime e kritika të favorshme arti.
Nga Besim Muhadri, Nju Jork
Piktori poet Zois Shuttie, siç njihet emri i tij në
botën e artit, lindi më 22 prill 1938 në qytetin e Lushnjës. Por jeta e tij u
gjymtua shpirtërisht që kur ishte 6 vjeç dhe gërmadhat e bomardimeve të luftës
se Dytë Botërore të Hitlerit e varrosën atë bashkë me vëllanë e madh, Llazarin,
që ndërroi jetë më vonë, pasi i nxorën të gjallë nga ato gërmadha. Ende shokët
e tij e mbajnë mend atë të lidhur me fasho nga plagët e marra e me lotë në sy,
duke zhgarravitur muret e lëna shkretë të Prefektures se qytetit vizatime
feminore me copëra qymyri të djegur, duke fshirë sytë dhe hundën që rridhnin.
Ato prirje iu shfaqën atij edhe me copa letrash e kartona të prerë e të qepur
me lëvizje shkopinjsh nga prapa çarçafeve si film me hije të ngjarjeve të
jetuara fëminore. Qysh atëhere u dalluan shenjat e para të botës së tij vizuale
me prirjet e shfaqura aq herët. Shkollën fillore në qytetin e lindjes ai e kreu
shkëlqyshem dhe shkruante vargje fillestare me rimë dhe recitonte përpara
nxënësve dhe mësuesve të shkollës dhe publikut në fushën e sportit. Pas shkolle
ai mblidhte argjilë buzë përroit për të bërë figura imagjinare, meqë materiale
vizatimi nuk ekzistonin në atë kohëe. Çdo mësim bëhej me shkumës në dërrasën e
zezë, por ashtu u shfaqën prirjet e tij të para, që në vitet pesedhjetë ai i
përvetësoi në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë si skulptor. Pas
shkollimit atë e kërkoi Drejtoria e Kufirit si piktor dhe skulptor për të bërë
art propagande, si buste dëshmorësh dhe kompozime të mëdha të provokacioneve
greke në trojet shqiptare dhe heroizmin e kufitarëve. Por thirrja e brendshme e
tij e shtyu atë të përdorë shërbimin në kufi për të kaluar në Greqi, prej nga
pas nëntë muajsh burgimi të lehtë, atij i jepet viza për të emigruar në Filadelfi,
në qytetin e babait të tij. Xhaxha Filipi, të cilin në Amerikë e kish sjellë i
vëllai i vdekur në Shqipëri, e priti nipin në portin e Nju Jorkut dhe e
këshilloi që edhe ai të punonte me të në restaurant. Por vendosmëria e Zois
Shuttie për pikturën, e çon atë në në fabrikë llampash dhe mbrëmjeve në
shkollën “Flaisher Memorial Arts”, që ishte dhuruar qytetit për punëtorët me
prirje pikture. Një vit më pas ai pranohet në Akademinë e famshme të arteve
amerikane, “Pennsylvania Academy of the Fine Arts,” ku bashkë me Universitetin
e Pensilvanisë, pa ditur ende anglisht, atij në vitin 1970 i jepet diploma në
pikturë dhe bëhet edhe qytetar amerikan. Gjatë viteve të akademisë ai fitoi
çmimin Cresson, çmimin Thuron, çmimin Louis Fine, çmimin Kadwallader,
çmimin e dytë ndërkombëtar në pikturë e shumë të tjera me radhë. Në të njëjtën
kohë, shtëpia ndërkombëtare e studenteve të huaj e porositi atë të bënte
portretin e presidentit Johnson, si dhuratë Shtëpisë së Bardhë, që tani bën
pjesë në koleksionin e bilbliotekës së Presidentit në Teksas, për të cilën në
atë kohë u shkrua në gazetat e Filadelfisë dhe në ato të San Diegos në
Kaliforni. Vet presidenti Johnson e përgëzoi piktorin për artin e tij dhe i
uroi jetë të mbarë në vendin e emigrantëve të lirë.
Gjatë krijimtarisë së tij, Zois Shuttie ka patur
ekspozita të shumta në dy kontinente, ndërsa kuadrot e tia me përmasa të mëdha
u ekspozuan në Muzeun Metropolitan të Koral Gejbells në Floride, në
Rotanden e Pallatit të Kongresit amerikan, në Universitetin Pace dhe në
Universitetin Columbia ne Nju Jork, si dhe ne Hargate Art Center/Museum
në kryeqytetin Konkord të shtetit Nju Hampshajre. Në galeritë private ai
ekspozoi në dy anët e Atlantikut. Ndërsa në ekspozitat vjetore të artisteve
francezë në Grand Palais në Paris, Zois Shuttie u nderua me Siver
Medal and Gold Medal (medaljen e artë e të argjendtë). Ndër urimet e shumta
ishte edhe ai i Presidentit të Republikës Franceze, Valéry Giscard d’Estaing.
Ndërsa në komentet e gazetës France West shkruhej: Shikoni sytë e
piktorit për të njohur botën e tij të brendshme. Fill pas saj, diaspora
shqiptare e Francës e ngarkoi piktorin me krijimin e portretit të heroit
kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që sot ndodhet në muzeun e qytetit të
Parisit, i dhuruar nga vet piktori Prefektures së kryeqytetit për nder të
inaugurimit te Sheshit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Paris. Pas saj, ai
udhëtoi me tren në mbarështetet e Evropës perëndimore, kur fondacioni Kanadez i
dha atij çmimin Greenshield që ai i perdori gjatë atyre udhëtimeve. Por
prapë u kthye në Filadelfia, në Nju Jork dhe në Çikago, për një porosi 11
portretesh të një familje të pasur amerikane. Me atë fitim ai zbuloi gjithë
bregdetin e mrekullushëm të oqeanit Paqësor dhe ra në dashuri me qytetin e San
Franciskos, ku banoi përkohësisht dhe jepte mësime arti. Por prapë jeta e tij
mondane, e tërheq atë drejt Meksikës, në Institutin Allende, ku për dy
vjet mori dhe dha mësime në pikturë dhe skulpturën plastike, që sipas tij,
çdokush që jep mësime duhet të marrë mësime, se jeta është shkollë në çdo hap
që hedhim. Në Instituto Allende ai mori dhe titullin e mjeshtrit në
pikturë, dhe ekspozoi në galerinë Pergola. Por ekspozita e Maestrove të
Institutit Allende u ftua si ekspozitë shëtitëse në Dallas dhe Houston në
Texas, ndërsa artisti i armatosur me diplomën e mjeshtrit, kthehet sërish në në
Festivalin e Arteve në San Francisko, ku boton dhe poezitë e parë në anglisht
në një antologji. Por thirrja e brendshme për t’u kthyer në Evropë ishte më
terheqëse se bukuria e atjeshme, dhe nga viti 1976 deri në vitn 1982 ai
shpërngulet përsëri në Paris dhe udhëton me zonjushën Brigitte Joset në gjithë
Normaninë e Bretanjen duke pikturuar dhe fjetur në çadra kampimi në natyrë. Në
kthim pranohet si bano në Cite Internationale des Arts (Qyteza Ndërkombetare
e Arteve), ku shpejt bëhet miku më i preferuar i gjithë artistëve me natyrën e
tij të hapur, sidomos me Holandezin e famshëm Korneij Gijome dhe Izraelitit
Morkedai Ardon. Ekspozon në Grand Palais, në galerinë Univers Sept,
në galerinë ML dhe galerinë Monaco Fine Arts në Monte Carlo; Pati
ekspozitën e parë retrospektive të ftuar nga qyteti La Baule Escoublak, dhe
prej andej e dyta e ftuar nga Kunst Centrum në Enschede–Holandë e
në Galerinë Krantz-Stokholm. I pavendosur se ku ndihej më mirë, pas një
operacioni apendisit, ai kthehet në Nju Jork, kur në dimrin e vitit 1992,
piktori i mirënjohur shqiptar, ftohet nga profesori Ksenofon Dilo, që të vinte
në Shqiperi pas 28 vjet largimi për të parë nënën e tij dhe gjithëe shokëet e
miqtë e hershëm, si dhe popullin artdashës që t’i tregonte atyre frutin e punës
së tij në mëgrim. Ai sjell në portofolion e pikturave punime të vogla në letër
për ekspozitën e parë retrospektive në vdnlindje në Galerinë Kombetare të
arteve në Tiranë, që bëri bujë me dokumentarin e RTSH-së mbi atë bir të
degdisur e të mallkuar nga partia, por jo nga populli, edhe që ai mori
parasyshë që ende ishte koha e monizmit, prapë e rrezikshme për të.
RTSH-ja e dha atë dokumentar emocionant televiziv pas kthimit të Zois Shuttie në SHBA, për mos të krijuar ndonjë perleshje me sigurimcat e heshur thjeshtë si artdashës. Ekspozita vërtet bëri bujë të madhe në ekranin televiziv me dokumentarin e përmallshem të një biri nëne, i humbur rrugëve të botës që kthehet me mallëngjim të papërshkrushëm tek nëna e tij e plakur; dokumentar ky që ndodhet sot në arkivat e RTSH-së. Në pranverën e vitit 2008, përsëri mjeshtri Ksenofon Dilo e ftoi mikun e tij artist të vinte në mëmëdhe, këtë radhë për dy eskpozita: të parën në galerinë Jozef të Durrësit që u pasua nga ajo në Muzeun Kombëtar në Tiranë si ekspozitë retrospektive. Gjatë asaj kohe Zois Shuttie ështënderuar me titujt Golden Poet, Who is who in Poetry, dhe me trofenë Homeri Diamant nga shoqata e poetëve të njohur- Hollyëood.
Portretist i mrekullueshëm i shpirtit njerëzor
Krijimtaria e Zois Shuttie është ndjekur dhe
vlerësuar nga kritika e arteve figurative në botën e lirë. “Si artist amerikan,
shkruan gazeta amerikane Kolazh, ai ka përfaqësuar në Francë, në Holandë, në
Itali e gjetkë shpirtin krijues të martesës së shkollës Bizantine aq e njohur
në Ballkan, me principet e lirisë që ai
gjeti në vendin e tij të ri”. Ndërsa gazeta “Bota e arteve” shkruan që
“Paleta e Zois Shuttie sugjeron të kaluarën e tij. Ai përdor kryesisht okrën e
verdhë, të kuqen e dheut, blunë kobalte, të gjelbrën e tokës dhe ombrën e
papjekur, me të cilën ai ka peneluar botën e tij me tone të buta në harmoni të
tërësisë. “Vepra më dramatike në ekspozitën e tij, shkruan gazeta Arti në
fokus, është afrimi i ciklonit, në të cilin figura të vogla njerëzish duken
të tmerruar përballë një qielli të turbulluar nga retë e errta të uraganit
jugor”.
“Ky vizatues dhe portretist i mrekullueshëm”,
shkruan gazeta France West, “i ka kthyer shpinën tani Amerikës, për të
gjetur sërish rrënjët e tij evropiane në çfarëdolloj përmase, qoftë dhe në
kompozime të interpretuara me forcën e tij të madhe”.
“Është e vështirë ta klasifikosh këtë
shqiptar-qytetar amerikan”, shkruan gazeta Shtypi i Oqeanit, “në ndonjë
lloj shkolle arti dhe pse? Ajo do t’i fshinte gjithë nuancat e atmosferës se
tij. Në të qëndron e bukura e tij, arti i tij. Piktura e tij s’ka kufi dhe s’ka
atdhe, shkruan një gazetë tjetër franceze. “Ai mjeshtëron po aq bukur pikturën
abstrakte, sa atë figurative”. Ndërsa një gazetë tjetër amerikane shkruan:
“Zois Shuttie nuk është vetëm një mjeshtër i pikturës, mbi të gjitha është
njeri shumë i ndjeshëm; një idealist, një portretist i mrekullueshëm i shpirtit
njerëzor, gjithmonë duke kërkuar idealizmin absolut, gjë që është e vështirë ta
gjesh”.
Dhe ndërsa bota e jashtme e priste me nderime të
larta, artistit të madh shqiptar i ishte ndaluar ardhja në Shqipëri dhe familja
e tij e internuar kishte frikë t’i përmendte emrin. Vizita e tij e parë në
Shqipërinë iu bë e mundur vetëm kur mjeshtri Ksenofon Dilo e ftoi në mars të
vitit 1992, pas 28 vjet jete mërgimi; aq prekëse ishin ato çaste të takimit me
nënën e tij të plakur e të lodhur duke pritur të birin në qoshen e shtëpisë, me
sytë drejt detit të përtejmë. Takimi i tyre dhe me vonë dhe i vellezërve e motrave,
ende me tej me shokët dhe miqtë e paharruar të feminise e të shkollës; me të
afërmit e farefisin e moshuar nga çdo fshat e qytet, megjithë tmerrimin e tij
që e pa atdheun nga avioni të mbjellë me
mijëra bunkerë “vetëmbrojtjeje” nga lufta psikopate e rregjimit diktatorial të
monizmit. 2 marsi i vitit 1992 për artistin Zois Shuttie dhe për gjithë
artdashësit mbetet një ngjarje e paharruar dhe shumë prekëse e jetës se tij.
Dhe po aq e paharruar mbetet gjithashtu, hapja e ekspozitës së tij në Galerinë
e Arteve të Bukura në Tiranë me punime të vogla në letër të këtij artisti të
mrekullueshëm, që i solli dritën e demokracisë njerëzve të pashpresa. Ishte
vërtet një festë e bukur artistike. Sallat e galerisë u mbushën plot e përplot
me artdashës dhe dashamirës të pikturës. “Unë kam patur ekspozita në shumë
qytete të botës, por këtu në atdhe po ndiej një kënaqësi të madhe, që nuk e
jetova në asnjë vend tjetër, se jam mes
njerëzve të mi, mes popullit tim”, deklaroi ai mes të tjerash, edhe që sjellja
e pikturave të vogla në letër në Shqipëri u konsiderua si gjest humanitar e
edukativ, për t’i treguar dashamirësve të artit mundësitë që ka çdo artist
përpara vetes në botën e lirë.
Skulptorja e parë shqiptare, Kristina Hoshi-Koljaka
(1916-2005), e diplomuar në Akademinë e Romës te profesor D’Angelo Xhaneli, e
cila ishte profesoresha e Zois në Liceun Artistik, mes të tjerash thotë: “Zois
Shuttie më ka emocionuar shumë, për arsye që veç asaj që ai ishte nxënësi ynë,
ai ka ecur aq përpara jashtë shtetit sa ka një kombinim ngjyrash prekëse,
emocionale, veç formave. Ka dhe kthjelltësi të habitshme me ngjyrat e tij, dhe
kjo më bën që t’i admiroj ato shumë. Kam besim se ka dhe diçka nga ngjyrat e
Meksikës, që shihet në mjaft peizazhe e portrete”.
Ndërkaq piktori dhe profesori Sadik Kaceli (1914-2000), theksone se “Zois ka arritur të jetë një piktor komplet, i përkryer. Tek piktura e tij unë shoh gjerësinë koloristike, ndjenjën e bukur, të pastër, të sinqertë, edhe kur ky abstragon, edhe kur ky i shikon në prizmin realist, në atë frymën e pikturës së impresionizmit të abstragimeve të formave, ngjyrave, të koloritit të ngrohtë jetësor...”
Takimi impresionues me piktorin e përmasave botërore
Zois Shuttie jeton në Bronks të Nju Jorkut. Takimi
im me të ndodhi rastësisht nëpërmjet mikut tim, artistit Shaban Lajçi, i cili e
kishte takuar edhe më parë piktorin dhe ishte befasuar me punën e artistit
shqiptar me famë botërore.
“Dua të njihesh me një piktor të njohur me emrin Zois Shuttie, që jeton në Bronx, por që shqiptaret e kanë harruar ose nuk flasin për të. Është mirë ta takosh”, më tha miku im. Dhe ai kishte të drejtë, prandaj e miratova propozimin e tij. Në orët e vona, Shabani dhe unë morëm trenin nr. 2 nga Manhatten dhe pas 45 minutash arritëm në banesen a tij në Bronks. I ramë zilit, dera e jashtme u hap dhe ne ngjitëm shkallët, kur përpara nesh shfaqet një burrë mjekërosh me shtat të vogël e të imët, me tesha të thjeshta piktorësh. Shabani u përqafua me të ngrohtësisht, pastaj më prezanton edhe mua dhe shfaq qëllimin e vizitës sime ate kohë. Ai na mirëpret përzemërsisht me kafe, si ne traditën shqiptare, dhe i ndezi të gjitha dritat elektrike të dhomave, kur përpara meje u shfaq një botë tjetër si me magji. Unë mbeta i mahnitur dhe i emocionuar nga pasuria vizuale e tërë atyre pikturave të çdo përmase e çdo subjekti që mbulonin çdo skaj muri në banesën e tij, ku nuk nuk shihej gjë tjetër, veç piktura dhe libra të fshehur prapa pikturave. Tërë banesa ishte shndërruar nga atelie në thuajse muzeum. Dhe pa humbur shumë kohë ne vazhduam bisedën. Në pyetjen se cila ëndërr e solli në Amerikë, ai u përgjegj thjesht:
Ëndrra për t’u bërë piktor më solli në Amerikë
“Gjithmonë kam dashur të merrem me artet e bukura,
kryesisht me pikturën, por drejtuesit e ahershëm të arsimit, që e kishin
programuar shkollimin si kopje e sistemit sovjetik, më futën në skulpturë, edhe
që unë dëshiroja pikturën. Po ta kundërshtoja nuk do t’ia arrija qëllimit, se
ata ishin vet zot e vet shkp. Pra, ëndrra që të bëhesha piktor ishte e pamundur
në Shqipëri. Prandaj mora parasyshë dhe jetën për lirinë time, dhe një ditë
gjatë shërbimit në kufi, kur punoja për drejtorinë e kufirit, unë dola përtej
për të zgjeruar horizontin tim artistik. Po nëse më pyetni se nga më lindi
dëshira për t’u bërë piktor, atëherë kjo është një çështje tjetër që do një
përgjigje më të gjatë: Kur isha 6 vjeç unë fatkeqësisht isha viktimë e bombave
ajrore mbi Lushnjën që e lanë qytetin shesh me gërmadha. Ishte pak para
mbarimit të luftës së Dytë Botërore. Më nxorën të gjallë nga gërmadhat bashkë
me tim vëlla, që fatkeqësisht nuk e pati jetë të gjatë. I lidhur me fasho kokë
e këmbë siç isha, fillova me copëra qymyri të djegur të trarëve të Prefekturës,
dhe në mure zhgarravisja ç’më vinte në koke, si fëmijë i dëmtuar me dhimbje e
me lotë. Qysh atëherë njoha dëshirën që s’m’u nda asnjëherë”, tha Zois Shuttie,
i lindur 75 vjet më parë fare afër shtepisë së Kongresit të parë demokratik të
Lushnjës, në familjen e Shytallarëve, të cilët si malokët e tjere të Shqipërisë
së mesme, zbritën në qytet nga fshati malor i Sinjës në Shpiragër.
Babai i piktorit, Thanas Shuttie, nga viti 1917
deri më 1923 kishte emigruar në Filadelfi të shtetit të Pensilvanisë në SHBA
bashkë me vëllain e vogël, Filipin. Por kur Thanasi u kthye në vendlindje për
t’u martuar e të kthehej prapë në Amerikë, lufta Ballkanike e bëri të pamundur
rrugëdaljen e tij, duke i përdorur edhe anijet e peshkimit si mjete lufte.
Kështu që Zois Shuttie, në Tiranë mbaroi Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe
punon në Drejtorinë e Kufirit të Ministrisë së Brendshme pesë vjet, ku ai u
informua që babain ia kishin helmuar në vitin 1957, si element i padëshirushëm
me influencë të huaj perëndimore. “Por, thotë piktori, si bir nuk e harrova që
ai vdiq me plagë në zemër, duke shpresuar që ndonje ditë rruga do hapej, dhe
mora guximin e të marrit dhe u hodha përtej kufirit për të gjetur lirinë”,
shprehet artisti Zois Shuttie.
Dhe ishte 17 shtator e vitit 1964, kur ai i ktheu shpinen vendlindjes dhe doli në Greqi. Atje pas hetimeve në kampin e refugjatëve dhe në izolim, në qershor të vitit 1965 atij iu dha viza për në SHBA, kur pas 11 ditësh udhëtimi zbriti në bregdetin lindor të Amerikës. Por Odiseja e tij nuk mbaron atje. Ai na shpjegon qëllimin e ikjes së tij, sado e pabesueshme dhe interesante për lexuesit.
Regjistrimi në Akademinë e Arteve të Bukura të Pensilvanisë
Shkelja në bregun amerikan pas udhëtimit me anijen
transatlantike italiane “Kristoforo Kolombo”, për të mbetet e fiksuar si
fragment ëndërre e mbushur me pezmatime e pikëpyetje të papërgjigje në mes të oçeanit të tërbuar e të pafund, ku anija
dukej si një lëvore arre në dallgët me frymë të ngrirë nga cikloni i polit të
veriut që e përplaste atë nga dallga në dallgë si një leckë të shqepur. Asnjë
passagjer nuk mbeti në këmbe nga lëkundjet dhe sëmundja e detit. Në portin e
Nju Jorkut xhaxha Filip, që e kish harruar edhe shqipen priste me fotografi nëe
dorë nipin e panjohur. Deri në shtëpinë e tyre në Filadelfi ata thuajse nuk
folën fare. Me e keqja ishte që shtëpia e xhaxhait s’kishte asnjë libër dhe dukej
si shtëpi funerale. Asnjëri nga banorët e saj s’kishte më tepër se shkollën e
mesme. Më vonë, ndodhi që një bashkëkombas i gjeti atij një punë në fabrikën e
llampave, për të shtyrë vagonat e poçeve të thyer mbi shinat e trenit brenda
uzinës. Ai s’e dinte gjuhën; as të folur, as të shkruar, dhe në copa letrash
kopjonte sonetet e Shekspirit, meqë rima e ndihmonte si të theksonte fjalët e
rimuara me germa të ndryshme. “Pas punes unë u regjistrova në shkollën e natës
për pikturë për punëtorët që s’mund ta vazhdonin shkollën ditën”, tregon Zois.
“Zonja Roda, vazhdon ai, më pa vetëm pas shkolle, duke pritur në dëborë
tramvajin dhe ofroi të më çonte me veturën e saj në shtëpinë e xhaxhait.
Amerika nuk ishte e shtruar me ar, siç e mendonin njerëzit e vendeve të
varfëra. Ftmiresisht, Roda më ndihmoi me gjuhën, dhe se fundi, ajo mori guximin
dhe i tha xhaxheshkësh që shkolla kishte vendosur që unë duhet të vazhdoja
akademinë për zhvillimin e mëtejshëm të talentit. Ajo, po ashtu, më gjeti një
apartament për 50 dollarë ne muaj, sa gjysma e pagesës që i jepja unë xhaxhait.
Por pas kësaj, as xhaxhai, as i biri e as vajzat e tij nuk pyetën më për mua a
isha gjallë a jo. Ai ishte brumi i
thartuar i njerëzve të mi. Ashtu ishte tërë diaspora shqiptarë në Filadelfi, ku
edhe dy kishat ortodokse shqiptare ishin të ndara”.
Akademia e arteve ku u regjistrua Zois Shuttie
ishte akademia më e vjetër amerikane. Por ai u regjistrua dhe në Universitetin
e Pensilvanisë, që i kreu bashkërisht më 1970. Atë vit, Zois me të fejuarën e
tij u nisën pëer Paris, ku Carolina e tij e la atë të shtruar në spital dhe u
zhduk pa asnjë gjurmë. Ai, i brengosur siç ishte, shkoi ne Firencë, por sërish
u kthye në Filadelfi e në Çikago. Me avionin tjetër zbriti në San Francisko,
dhe prej atje niset për Meksikë si student dhe profesor i pikturës dhe
skulpturës në Institutin Allende. Por, pas dy vjetësh kthehet në Paris dhe hyri
në Akademinë Grande Shumiere, por shqetësimet nuk iu ndanë dhe udhëton
për Firencë dhe hyn në Akademinë e Arteve, ku parullat e Partisë Komuniste
Italiane shkruante në muret e qytetit “Impariamo della Partita Comuniste
Albanese “Le të mësojmë nga Partia Komuniste Shqiptare”, që ai thotë si me
sarkazë se u arratis nga komunizmi shqiptar për të gjetur propagandën e
nxënësve të saj në vendin e Fashizmit”.
Kështu që u kthye prapë në qytetin San Francisko,
ku jep mësime një grupi piktorësh, dhe kthehet në Paris dhe në Monte Carlo, ku
qëndron nga viti 1976 deri më 1982.
Tashmë i bërë deri diku i njohur në qarqet artistike
amerikane e franceze për pikturën dhe shpirtmadhësinë e tij të thjeshtë me
artistët e vendeve të ndryshme bohemiane në Cite des Arts në Paris, ai
ekspozon vazhdimisht dhe frkuenton koncertet dhe Operën e Parisit dhe çdo të
dielë viziton Muzeun e Luvrit dhe shpesh bën udhëtime në rajone të ndryshme.
Jeta e tij dukej sikur ishte vënë në vijë.
Në pyetjen se çdo të thotë për një artist të jetë i
famshëm në Amerikë, ai shprehet se: “Tk ne shqiptarët kjo fjalë s’do të thotë
asgjë. Fjala i famshëm përdoret edhe për budallejtë, se ne e perdorim
rëndomtë”, thotë ai dhe jep shembullin e xhaxhait të tij, që u kujtua t’i bënte
atij një telefon vetëm kur lexoi gazetën Filadelfia Inquirer që
shkruante për të, dhe xhaxhai u ankua pse s’i ishte përmendur emri i tij në
artikull. “Shqiptarët e pasur paguajnë me dhjetëra mijëra dollarë për të dalë
në fotografi me një kongresman si Xhozef Gioguardi, që iu rjepë atyre paratë,
por ata nuk japin asnjë kacidhe për artistët e tyre në disaporë. Ne jetojmë me
një mentalitet të sëmurë të parasë, pa dalë nga varferia e injorancës që e kemi
sjellë me vte, si formë tradite”, shprehet piktori, i cili ndihet i zhgënjyer
me rrethet shqiptare, veçanërisht me ata që erdhën pas viteve 90-të me tituj
“doktorë-profesorë” e luajnë domino rrugëvee parqeve të Nju Jorkut. “Une i kam
ndihmuar: i mbajta dhe i ushqeva, u gjeta punë dhe ata më kthyen shpinën dhe
s’u dukën me së gjalli. E njejta me keq ndodhi me nipërit që i solla në Amerike
dhe ata as flasin me gojë. Këta janë pjella shqiptare e rritur nën komunizëm,
pa ideale a pa motivacione”, thotë Zois Shuttie, për të vazhduar më tutje se
“shqiptarët që kam njohur s’janë të sinqertë e mburren me kotësira”. Këto gjëra
e kanë shtyrë piktorin që t’iu largohet atyre që miqësohen dhe armiqësohen nga fjalë
rrugësh. “Unë i largohem njerëezve të rëndomtë se merren me thash e theme e
krenari si fluska sapuni, që mburrin dikë pa e ditur pse e të thonë që je i
madh pa ditur ku është madhështia, që të rrahin shpatullat dhe të shajnë. Shumë
pak prej tyre punojnë dhe shumë prej tyre i dijnë gjithë hilet si t’ua hedhin
qeverisë amerikane duke mashtruar. Shqiptarët shajnë cilindo pa arsye e
preteks, vetëm se s’durojnë dot pasharë dikë. Ashtu fillon armiqësia mes nesh.
“Kush je ti të më thuash mua… Ti s’je shqiptar, ti je grek, shiko ç’emër ke,
kurse ata vet harrojnë që kane emra turq a italian a serb. Por, si thoshin
nënat tona, i fyeri të fyen. Edhe shokë shkolle, edhe mes piktorëve, a mes vëllezërve, armiqësia është
armë e ndezur dhe të vret…
Në pyetjen mbi zhvillimet bashkëkohore të artit dhe ndikimit në krijimtarinë e tij, ai thotë: “Kur je i vetëm në një botë shumë të madhe dhe i vogël me shtat e me ofertën personale, në një botë që nuk të pyet se cili je, por sheh punën, në atë larminë e pakufishme që unë pashë në ato vende përtej Atlantikut, ose në Evropën perëndimore, unë vura re që frika shtohet në vetmi, por bashkë me të shtohet edhe guximi për të ditur se kush je, pse ke ardhur dhe çdo të bësh me vetveten. Ajo më dha dorën që të eksperimentoja me penelin, me lapsin, me baltën e plastelinën, e me mjete të tjera të krijimtarisë; ndjenjë kjo që unë s’e dija që e kisha, se ishin të ndrydhura tek unë, dhe atë më dha mua perëndimi; atë që dhe une vet kisha frikë ta ëndërroja”.
Ç’mbresa ka piktori shqiptaro-amerikan nga ekspozitat e hapura në dy kontinente?
“Ato mbresa që unë nuk i imagjinoj t’i kisha kurrë
në Shqipëri, mi bënë shtetet e huaja me nderime të mëdha, sado që unë isha
emigrant politik”, thotë ai. “Ata më pranuan në gjirin e tyre sikur të isha anëtar
i familjes së tyre, sikur të kisha lindur atje me një theks të huaj. Kjo ndodhi
në SHBA, nga Filadelfia në Nju Jork e San Francisko, dhe në vende të tjera, si
në Francë, ku qeveria franceze ma organizoi ekspozitën e madhe retrospektive,
gjë që ata rrallë e bëjnë për artistët e tyre. E njëjta gjë ndodhi edhe në
Holandë, ku dhe atje më organizuan një ekspozitë tjetër retrospektive dhe, si
ta them, fatmirësisht që e kam treguar me përvojat dhe me punën time, por që me
trajtuan si një nënshtetas të atyre vendeve.”
Po nëse ky nder atij iu bë nëper botë, kjo nuk ndodhi në vendlindjen e tij, se ai nuk u ftua nga institucionet qeveritare, por nga individë, artistë të dëgjuar e të panjohur, siç profesor Ksenofon Dilo, për të cilin ai sot mban respektin më të madh dhe e quan si artist-hero i kthimit në atdhe të një artisti shqiptar të mërguar në Botën e lirë, kur vet partia pushtetare e deklaroi atë armik i popullit, kur populli atë e priti me gëzime të mëdha. Piktori Zois Shuttie tha se ai dëshironte që 75-vjetorin e lindjes ta kremtonte në Shqipëri, në vendlindjen e tij, por i thanë në telefon që burokracia e re e botës së artit paska rregulla që ai t’u bëjë një kërkesë autoriteteve të artit nëse e aprovonin apo jo. “Ironia më e madhe”, thotë ai, “është që më telefonon im nip, Maksim Bushi, skulptori i njohur dhe më tha: Dajo, ata të galerisë duan që t’i t’iu bësh atyre kërkesë, në mënyrë që ata ta aprovojnë apo jo. I thash nipit që unë asnjëherë s’kam bërë kërkesa, se me kanë ftuar si qeveria franceze, holandeze, në Monte Carlo, e kudo nga qeveritë amerikane, deri në Pallatin e Kongresit amerikan, ose dhe galerite e muzetë e këtushëm për të ekspozuar, por kërkesa nuk kam bërë kurrë. Kërkesat i kanë bërë ata. Edhe qeveritë e tjera ish komuniste i kanë ftuar artistët e tyre të arratisur që t’i jepnin popullit një ekspozitë vështrimi të zhvillimit të tyre artistik, jo për ideologjinë politike. Po ata, i thash unë nipit, paçin faqën e zezë për përqafimin e diktaturës në botën e artit, pa dashuri e liri demokracie. Mbi të gjitha, ata donin që unë të bëja listën bashkë me imazhet se cilat piktura do dërgoj atje. Atyre u rroft sistemi i vjetër dhe pozita. Për atë arsye Ksenofon Dilo është i vetmi hero i botës artistike, se ai me ftoi në kohën e monizmit, kur Shqiperia digjej, dhe me ftoi më 2008 për ekspozitën në Muze. Ai me të vërtetë e meriton një bust heroi, se ai nuk e bëri për mua, por për t’i hapur sytë verbimit gjysëmshekullor të artit të diktuar nga patronët partiakë në Shqipërinë e robëruar nga ideologjia e shëmtuar e vëllavrasjes.
Historia e Projektit mbi jetën dhe punën e Nënë Terezës
Zois Shuttie shpjegon që mëse pesë vjet rresht
punoi dhe krijoi një sasi veprash mbi jetën dhe misionin shpirtëror e humanitar
të Nënë Terezës, që njihet si Mother Tereza Project, në të cilin ai ka
gërshetuar edukimin e tij të hershëm artistik nga vendlindja me shpirtin
krijues që ai gjeti në botën perëndimore, ku frika e krijimtarisë nuk varej nga
asnjë diktim partiak i propagandës.
“Para se të flas për projektin, frymëzimi për
Nobelistën e parë shqiptare për paqe, që unë e admiroja për punën bamirëse që
ajo kish bërë me të varfërit e botës, mua më telefonuan nga Roma mbi një
konkurs letrar që bëhej në Ferizaj të Kosovës, në kohën kur unë punoja te Zëri
i Amerikës. Ishte zoti Akshia që më kërkoi të shkruaja ndonjë poezi për atë
nënë të vogël, gjë që më vonë u kthye në projekt pasioni dhe për mua. Shkrova
një poemë të improvizuar në çast dhe ia dërgova. Poema quhej “Nëna e dhimbjes”. Pata kundërshtime
të ashpra nga shqiptarët burokratë te Zëri i Amerikës, ku punoja si
korespondent. Por unë bëra timen, se fjala e dhënë nuk kthehet mbrapsht. E
shkrova, e dërgova dhe harrova fare për të. Por ajo mori çmimin e parë në
konkursin e Ferizajt dhe Don Lush Gjergji e botoi atë në faqen e parë të
gazetës së tyre “Drita”. Muaj më vonë ai më telefonon prapë dhe reciton
poezinë, dhe më thotë: “Kush mund të shkruajë kaq bukur e me kaq madhështi për
Nënë Terezën? Dhe pas një heshtje, vazhdon: Pse nuk bën disa piktura me atë
gamë poetike si e ke përshkruar në vargjet e tua?”
Fjalët e tij piktorit i tingëlluan për një kohë të
gjatë dhe fillon projektin në vitin 1985. Lë punën, shet shtëpinë dhe shkon në
Floridë plot diell e mariolitose të Kubes, që pozonin kudo për qetësinë e tyre.
Piktori vendoset në një studio me qera dhe nis projektin me studime e boceta
paraprake.
Projejkti përbëhet prej 12 panelave me përmasave të
barabarta 4 me 6 këmbë (masë matjeje në SHBA) secila, dhe nga ana figurative
trajton mizerjen njerëzore nëpërmjet figurës së Nënë Terezës. Portreton gamat e
mjerimit në Indi, ku nënë Tereza hapi çerdhen e atyre që po vdisnin rrugëve, si
shëmtim i pasurisë luksoze të kastave të privilegjuara atje, ku njerëzit
mjeranë vdisnin në vetmi në getot e varfërisë e sëmundjeve; të uritur e të pastrehë,
të hedhur jashtë e të braktisurit në pellgun e mjerimit njerëzor, atje ku
monumentet dhe tempujt i takojnë një qytetërimi tjetër. Ato panela janë
kompozuar që të shihen me vete ose dy e dy, ose së bashku. Në të përfshihen
edhe punë të tjera me përmasat 6 me 8 këmbë dhe disa dhe më të mëdha. Pjesa
përbërëse e atij projekti përfshin edhe vizatime e studime të tjera në vaj dhe
akrilik, që mund të shihen edhe në Facebook, po të kërkohet nën emrin e
piktorit Zois Shuttie Project of
Mother Teresa.
Gjashtë panelat e para të këtij projekti u
ekspozuan tre vjet më vonë në Muzeun Metropolitan në Koral Gejbells në Floridë.
Por në vitin 1991 të dymbëdhjetë panelat e atij projekti, së bashku me punë të
tjera të ngjashme me trajtimin e humanizmit u dhanë në ekspozitën retrospektive
të ftuar nga kongresmeni amerikan, Tom Lantos, që kishte përjetuar kampet e
shfarosjes hitleriane dhe ishte kryetari i komisionit të të drejtave të
njeriut. Ishte ekspozita me impresionante në rotandën e rrumbullakët të
Kongresit në Uashington, nën kupolën e dhomës së pallatit, ku piktori, nën
syrin e vrazhdë të ambasadës jugoslave që e quante atë të vetën, për të parën
herë deklaroi me pllakatin e tij në hyrje se Nënë Tereza ishte bijë shqiptare.
Ajo ekspozitë, më vonë u ftua dhe nga Galeria e Artit në Universitin Pace në
Manhattan dhe në Universitetin Columbia (La Maison Francese, ose Shtëpia
Franceze). Në vitin 1998 projekti u ftua nga Qendra e Artit Hargate në shkollën
e Shën Palit në Concord të shtetit Nju Hempsher, kurse tani rri e palosur dhe e
mbështetut mbi muret e ateliesë së artistit, meqë tërë ai kontribut i berë me
shpenzimet dhe mundin e piktorit, nuk gjeti asnjë përkrahje prej asnjë
shqiptari as në diasporë, as në vendlindje, sepse siç shprehet piktori, ata çdo
gjë e shohin nën prizmin e marrjes e jo të dhënies, prandaj, thotë ai dhe kemi
mbetur varfanjakë ndaj gjithë botës bujare…
Krerë fetarë dhe udhëheqës shtetëror, mininistra,
si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova në SHBA, por edhe në Shqipëri
kontaktuan autorin e projektit dhe u interesuan per sjelljen e tij në atdhe,
mirëpo gjithcka mbeti vetëm në fjalë.
“Pas espozitave të mëvonshme, kujton piktori, Dom Lush Gjergji erdhi dy herë në studion time në Bronks dhe propozoi që ta sillja në Kosovë. Pas tij erdhi edhe ministri i Kulturës së Kosovës ( s’më kujtohet emri), me të cilin biseduam, por “Ç’thuhet në Las Vegas mbetet në Las Vegas”, thonë amerikanët. Kështu që projekti tani mbetet këtu. E njëjta gjë ndodhi edhe kur unë unë u takova me zonjën Berisha në vitin 2008, gjatë ekspozitës sime Retrospektive të ftuar nga mjeshtri Ksenofon Dilo në Muzeun Kombëtar. Ajo kërkoi se ç’mund t’i jap unë falas Muzeut të Nënë Terezës në Tiranë, e ngjashme me atë që me tha ish presidenti i parë demokratik, zoti Berisha, kur më ftoi në vilën katër bashkë me Profesor Ylli Popën se ç’mund të bënte qeveria e tij për ta sjellë projektin në Shqipëri në 2004, dhe ai tha: “Pse s’ma solle ndërmend përpara se të vinte Papa?” Unë iu përgjigja që projekti im i takon më parë popullit, se Papa ftohet prapë. Nga gjithë ish ministra kulture të harruar dhe ish ambasadorë që më shkruanin letra ftesë, asnjëri nuk pati peshë, edhe pas shumë artikujsh që ekspozita do të vijë në Shqipëri, ta realizonte atë dëshirë, as nga shqiptarët e diasporës, as ata të mëmëdheut, se ne jami të theksuar vetëm për artin e ahengjeve dhe të sazeve për valle”, thotë piktori dhe autori i projektit madhor “Nënë Tereza”.
Nga dashuria për poezinë mësova anglishten
Zois Shuttie nuk është vetëm një mjeshtër pikture, por është mbi të gjitha, “njeri shumë i ndjeshëm, një idealist, një portretist i mrekullueshëm i shpirtit njerëzor”. Krahas pikturës, ai merret dhe me shkrime e poezi. Shpesh ai ndodhet përballë pyetjes: Piktura apo poezia. Siç u shkrua edhe diku më lart, në konkursin panamerikan të poezisë, organizuar nga Shtëpia e Kalifornisë në vitin 1987 dhe 1988, ai fitoi dy çmime nderi. Në vitet 1988 dhe 1989 atij iu dha titulli Golden Poet nga Shtëpia Botuese “Bota e poezisë” ne Kaliforni. Në vitin 1990 meritoi titullin “Ëho is Ëho in Poetry”, titulli i lartë në çdo degë krijimtarie në botën perëndimore. Në vitin 2006, ai botoi në Tiranë vëllimin “Vargje shtegtimi” në shtëpinë botuese “Globus R”, të cilën me indinjatë e quan “faqezeze”, sepse thotë se ia masakroi vargjet me një botim pa indeks dhe me qindra gabime e përsërtije poezish. Ky botim autorin e dëmtoi mjaft shpirtërisht dhe madje autorit të këtij shkrimi nuk deshi t’ia jepte pikërisht për shkak të kësaj “maskare” që i ishin bërë poezive të tij. Librin e kishte redaktuar poeti Faslli Haliti, shok fëmijërie i poetit piktor.
I pasionuar pas muzikës klasike dhe poezisë
Por ç’është poezia për piktorin poet? “Unë,
thotë piktori dhe poeti Zois Shuttie, kam qenë tërë jetën liberal dhe do mbetem
i tille. Kam qenë dhe jam demokrat në aplikimin e jetës sime të përditshme. Kam
jetuar jetë bohemjane, një jetë xhitane, shëtitëse, endacake, dhe jam qytetar i
botës dhe bota është e imja; ajo që krijoj dhe ajo në të cilën jetoj. I
përballoja nevojat duke blerë biletën dhe bredh kudo i lirë dhe jam marrë vesh
në gjuhët e tyre me buzëqeshje e falënderime. Jam i pasionuar pas muzikës
klasike dhe poezisë. Lexoj vazhdimisht në anglisht, se edhe atë gjuhë e mësova
me sonetet e Shekspirit, që më ndihmuan edhe për gjuhën, edhe për vargun.
Botova dy poezitë e para në anglisht në një antologji në San Francisko. Janë
vargje pastorale e romantike. E bukura është që të dyja degët e krijimtarisë
janë të heshtura dhe vetjake, si ato lulet e egra në male. Siç shkruhet poezia
në vetmi, ashtu skicohen edhe vijat baza
të një kompozimi me figura. Unë natyrën e dua shumë se me pranon në prehërin e
saj. Ndërkohë, shpesh jam dashuruar me bukurinë e femrës, edhe që mosha bente
të vetën. Por prapë bukuria e femrës në sytë e mi si piktor ka përmasa
përjetësie, se ajo për dashurinë dhe për hir të saj u jep jetë dashnorëve të
rinj të çdo brezi. Ndërsa në poezi mungesa e saj më bën të shprehem me ndjenja
më të ndjeshme vetjake, duke përdorur forcën e fjalëve të zgjedhura. Unë
preferoj edhe shoqërinë femërore më shumë se atë të burrave, që me pozat dhe
pozitat e tyre ata shfaqin dominimin mbi të tjerët, kurse natyra e femrës është shumë më e qetë
dhe me mikluse në përkëdheljet nga lindja deri në vdekje. Ne u rritëm në gjirin
e femrës dhe vdesim po në gjirin e tyre, edhe pse burri nga ana tjetër, mbahet
për i madh, si i rëndësishëm, si burrë shtëpie me temperament burrëror. Në të
vërtetë, gruaja e mbledh burrin, ajo e mban shtëpinë, ajo e rrit dhe ushqen
fëmijën, se pa te, ai (burri) do mbetej pa shtëpi e pa prokopi. Ja ku jam, unë mbeta
endacak. Po të isha i martuar, do isha mbledhur”, thotë ai me shaka. “Unë,
vazhdon më tutje piktori, poezinë e shkruaja kudo që isha: në tren, në autobus,
duke ecur e duke vargëzuar me zë që t’i mbaja mend derisa t’i shkruaja. Kurse
piktura ka kondita të tjera. Por atë që s’e bëja me penel e përshkruaja në
vargje. Shokët më thoshin t’i pikturon
me fjalë, megjithëse unë s’kam parë ndonje pikturë nga fjalët e mia veç atyre që pash në muzeun e arteve moderne.
Nga natyra jam i ndrojtur, edhe pse në fëmini recitoja dhe luaja në teatër
përpara publikut të qytetit. Unë me motrat filluam shfaqjen e parë me hije
figurash në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, një lloj improvizimi
vizatimor me prerje e qepje, me lëvizje prapa çarçafit të ndritur me kandila.
Fëmijët e lagjes mblidheshin në dhomën e truallit dhe qeshnin me thirrje
çilimijsh. Në kohë vere ndërtonim kasolle me purteka e shpendra dhe luanim
jashtë në shesh me pushkë dërrase e plagoseshim e binim përtoke; pastaj e
kthenim në martesa me nuse e dhëndurë dhe prindërit tanë qeshnin me ne. Por kur
më futën në skenë dhe im vëlla (ish aktori, tash i ndjerë Ilia Shyti, v. ime.
B.M) merrej vetëm me skenografi, une luanja role femijësh dhe kur u pengova te
telat e skenës e rashë me turinj përtoke, spektatorët qeshën me të madhe dhe
unë s’dola më në skenë në qytet, por shkonim fshatrave me estradën e Lushnjës
të jepnim shfaqje. Im vëlla ishte regjisori, se ai kishte qejf të komandonte.
Ajo ishte fëminia ime, që e vazhdova edhe në lice me recitime. Tani si piktor,
ata që s’dijnë gjë mbi artin pyesin pse nuk i shet pikturat, por unë s’jam
piktor komercial”.
Kështu shprehet ky piktor i thjeshtë
shqiptaro-amerikani me përmasave botërore, Zois Shuttie, i cili tani në pragun
e 75-vjetorit të jetës se tij, i është përkushtuar shkrimit të ditarëve e
kujtimeve, se ka shumë për të thënë e pak kohë. Dhe me 75 vite mbi shpatullat e
tij e mëse gjysmëshekulli krijimtarie, ai të njejtin dorëshkrim të cilin siç
mësojmë e ka nisur në vitin 1986 dhe se deri më tani e ka kaluar nëpër duar
mëse gjashtë herë. “Varianti i parë ishte 1000 e ca faqe, tani e kam shkurtuar
në 250. E shkrova në anglisht se jam i mahnitur me pasurinë e gjuhës dhe se
amerikanët bëjnë komente e sygjerime pozitive, jo si ne që i masakrojmë autorët
dhe shkrimet e tyre. Tani botohen libra dhe prej atyre që ende s’dijnë të
flasin shqip”, thotë ai dhe qesh.
Ne ndahemi me shpresën se do takohemi serish ose në Shqipëri ose ne Kosovë, i ftuar nga njëra a tjetra qeveri, përkatësisht nga ministritë e kulturës të dy shteteve për të hapur ekspozitat e tij retrospektive me projektin e madh përkushtuar Nënë Terezes, ose thjesht për vizitë.