E marte, 30.04.2024, 05:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Riza Lahi: 1100 KM në orë

E marte, 02.04.2013, 09:54 AM


RIZA LAHI

1100 KM/ NË ORË, DHEJTË METRO MBI PLAZHIN E DURRËSIT  ME MIG 21

" Në shpirt, asnjë fije të thinjur  unë s'kam

As ëmbëlsi prej plaku të tharë

Duke shurdhuar botën  me zërin këmbanë

Shkoj udhëve, i bukur, njëzetedy vjeçarë…"

(Majakovski, nga "Obllaka v shtanah" nën shqipërimin e I. Kadaresë)

Në fokusin tonë tani është nga më të dashurit prej shokëve të mi të ajrit, që nga rinia e parë dhe tër jetës. Në disa raste na kanë ngatërruar nga të pamët duke iu drejtuar   atij me emrin tim dhe mua me emrin e tij, megjithëse Musa Kame fluturoi në të gjitha tipat e reaktivëve shqiptarë duke i kapërcyer ata me të shpejtë deri te MIG 21, fluturoi njëmbëdhjetë vjet dhe në të parën linjë ndërkombëtare të aviacionit civil shqiptar, kurse unë, ja, e fillova dhe e ngrysa jetën time të oficerit fluturues vetëm me avionin AN 2.

Ja CV e tij në formën më të përmbledhur të mundëshme.

Më pas do të kalojmë me të shpejtë nëpër jetën e tij , për t'u të ndalur te një fluturim tmerrësisht mjeshtëror por dhe egërsisht të rrezikshëm, duke shkelur me të katër këmbët rregullat; që përfundoi me sukses spektakolar, megjithë dajakët që hëngri plotëisisht me të drejtë për një vit rresht nëpër mbledhjet e repartit të tij, ku, më vonë, do të bëhej zëvëndës komandant…

"Musa Kame i përket asaj kategorie që, si hedhin sytë prej shqiponje diku, si llogarisin me kujdes gjithëçka, vërsulen pastaj atje me të tëra forcat dhe pa i shkuar në mënd për t'u kthyer më pas. Njerëz si ai, gabojnë vetëm një herë, si një kërcimtar kaluçi. Çdo mëndjemadh i kalibrave më ekstreme, do të ndjehej i pafuqishëm para krenarisë së tij dhe syhapur deri në çmënduri para modestisë së tij ndaj të gjithëve, modesti që shpeshehrë i përngjet asaj të një gjeniu shahu para trajnerit të vet. Musa Kame ka fluturuar me të gjithë tipet që ka Shqipëria, nuk ka përjetuar asnjë katastrofë dhe nuk ka gabuar asnjeherë. Siç nuk gabon kurrë shqiponja që sulet që nga thellësitë e qiellit në prenë që ka zgjedhur mbi tokë , pa i shkuar mëndja qoftë edhe një herë të vetme te vdekja"

( "Ylli që sheh mbi sheshin "Skënderbej" Fq 198 )

HEROI I POPULLIT RËNË NË FUENTE DEL EBRO

Musa Kame ka një emër të trashëguar, së paku dy herë. Një stërgjysh i tij, Musa Kame, është plagosur me shpatë në dorë duke luftuar në Bosnjë. Kur dhe në cilat rrethana, kjo nuk dihet ende, por dihet, që ka qënë një luftëtar, siç qe më pas edhe biri i tij , Ali Kame.

Në respekt të kujtimit të të atit, Ali Kame, nga fshati Fratar i Përmetit, një burrë i kamur , me toka dhe bagëti, që qe diplomuar në të njëjtin vënd ku kish studiuar Naim Frashëri - në gjimnazin "Zosimea"dhe që kishte një pallat prej tre katesh mu në mes të fshatit të tij të lindjes;që vishej kreko me kostum e kollare,  ia trashëgoi emrin birit të tij të parë  duke e quajtur Musa.

Musa Kame u bë i njohur me mbiemrin fshatit të tij. Heroi i Popullit shqiptar dhe spanjoll, Musa Fratari, është xhaxhai i pilotit tonë, që e ka adhuruar atë tër jetën për të dy motivet e marra me mënd nga të gjithë.

të vëllait të tij më të vogël, Fadilit.

Buli – siç e thërisnin të gjithë në Berat gjimnastin e mrekullueshëm dhe që pikturonte aq bukur, Musa Kame, e ka pas adhullin e tij njeriun, emrin e të cilit e kishte si dhuratë të shtrënjtë, internacionalistin shqiptar që ra duke ndihmuar një popull tjetër; të antifashistitn pasionant të letërsisë, gjuhëvetë huaja dhe artit ushtarak, Musa Fratarit.

Në një nga relikët e familjes është një urdhër i shkruajtur gegërisht ,i firmosur dhe vulosur nga Ministri i Luftës i Ahmet Zogut, Xhemal Aranitasi, ku shkruhet tekstualisht: " Ndalohet ardhja e Musa Fratarit në Tiranë për me evitue ndonji gjakmarrje". Kjo shkresë është shoqëruar me internimin për dy vjet të të sapodiplomuarit oficer në Modeno të Italisë. Heroi përmetar, qe spiunuar nga një shok i tij albanez; qe spiunuar në administratën fashiste se lexonte romane të ndaluara, si "Nëna" e Gorkit apo libra "të rrezikshëm", si "Manifesti i Partisë Komuniste". Administrata e akademisë ushtarake menjëherë  e kish flakur në rrugë dhe djaloshi, si e mendoi mirë punën, mbushi pistoletën me 7 plumba me të cilët, nuk arriti t'ia merrte shpirtin spiunit nga Gjirokastra, por vetëm se sa e plagosi. Pas një gjyqi spektakolar, ku erdhi edhe Ali Kame të dëgjonte si do të mbrohej i biri, si edhe verdiktin e gjykatës, atentatori u dënua 8 muaj pas të cilave, e mori që e mori diplomën e oficerit.

Në internim….Heroi i Bulit tonë, po e bënte atë të shkretë dënim pas asaj urdhërese të turpëshme të firmosur nga një ministër, në fshatin e lindjes. Babi e këshillonte që të merrej tanimë me menaxhimin e  tokës dhe gjësë së gjallë por vëllai i tij i vogël, Fadili zemërbardhë dhe i dhëmbshur, që aq shumë e donte "laken e madh", nuk e linte që të kapte punë me dorë. Oh, ai rrinte gjithë ditën pas librave, lajmeve të radios… le të punonin të tjerët, ja, punonte ai dhe për të…Mos prek gjë me dorë, Musa, se i bën Fadili yt të gjitha…Ja, ik e lexo atje dhe më trego pastaj ndonjë gjë nga libri, a ç'thotë radioja…

Më së fundi, një ditë nga ditët, njeriu i internuar, që e kish parë se çfar ndyrësire ishte fashizmi, që e kish parë mu në strofullën e tij që kutërbonte, u largua nga shtëpia. I tha nënës , babait Ali dhe Fadilit, se po ikte në Francë për të gjetur një punë që i kishin ofruar.Babai i dha 2 – 3 napolona flori  t'i prishte rrugës.

Musa Fratari që e shëtiti emrin e fshatit të tij qënga anëmbanë trojeve shqiptare, edhe në ato të Spanjës, kishte disa kohë që qe fejuar; ende nuk qe këputur dita e dasmës.

Pas disa kohësh…në fshat, si një re stërnadhe dhe krejt e zezë, erdh një lajm i tmerrshëm.

Kishte lidhje me familjen e Ali Kames, që po ia fshihnin të gjithë…

Ç'ishte ajo turmë burrash që po vinte?

Burrë e grua dollën në shkallë.

Fadili , plot kureshtje pas tyre.

Njëri nga burrat e fshatit mundi të fliste : "Musai….Djali ynë…Ra në të zezën Spanjë, ra duke luftuar kundër fashizmit..Luftoi si luan, djali juaj. Na ka rënë dëshmor Musa Fratari!"

Pas kësaj bombe Aliu, mundi të shqiptonte me zë të lartë:

"Ali Kame nuk ia bëra dot dasmën djalit…Unë, me këtë të shkretën, nuk e gëzuam dot dasmën e Musait…Sa i kish mbushur njëzeteshtatë… Le të jetë dita e tij e dasmës kjo e sotmja! Asnjë të mos më largohet! Nusja e djalit tim, paska qënë Spanja!"

ALI BEJ KËLCYRA DHE ALI KAME BALLAFAQOHEN PARA BURRAVE …

Luftëtari që kishte marrë pjesë në çetën e Spiro Bellkamenit, që kish qënë në grupin e posaçëm të sulmit mbi kalanë e Përmetit, Ali Kame e mbante veten për mrekulli.Me trupin e drejtë dhe ballin lart, ai vazhdonte të ecte serioz, i përmbajtur dhe i heshtur si një bust.

Por natën, shkrehej. E shoqja ia gjente jastëkun në mëngjes të bërë qullë nga lotët.Një ditë ia plasi të qarës ndërsa hante bukë. Nuk e kish parë askush, asnjëherë , të shkrehur nervash ashtu atë burrë…

Nisi lufta. Kame dërgoi për luftën e popullit kundër fashizmit, djalin që i kish mbetur, Fadilin…

Ndërkohë qe bërë polarizimi i partizanëve nga njëra anë dhe ballsitëve nga ana tjetër.

Të dy Alinjtë, dikur miq të ngushtë, kishin marrë rrugë të ndryshme.

Ende nuk ia kishin vënë pushkën njëritjetrit këta grupime shqiptare. Balli ishte në fazën që po demaskohej para popullit; po demaskohej, përmes debateve publike duke u ndeshur, përfaqësuesit e Frontit Nacional – Çlirimtar dhe atyre të Ballit Kombëtar.

Një ditë para popullit të mbledhur, erdhi radha të ndesheshin të dy miqtë e vjetër, të dy Alinjtë, Këlcyra dhe Kame. Njëri me titullin "Bej", tjetri që mbahej si bej.Ja si si arriti kulmi i debatit të tyre:

Ali Bej Këlcyra: " Ali Kame!Yt bir, atë kokë pat, atë feste mori; desh të luftonte fashizmin dhe përfundoi atje ku s'i dihet vorri!"

Ali Kame: "Ti Ali Bej Këlcyra, ke agjëruar tridhjetë ditët e Ramazanit por ke prishur ditën e bajramit me mut. Ti erdhe në vëndin që të ka bërë kokën me vaporrët e Duçes, me 7 prill!"

MUSAI I RI NIS JETËN NË USHTRI

Kishte ardhur që tre vjeç në qytetin që e kishte burrëruar….

Sapo kishte mbaruar shkollën e mesme me rezultate të larta; I gjithë gjimnazi ia njihte prirjet për pikturë dhe e kishte parë duke ekzekutuar ushtrime spektakolare në hekur dhe paralele. Ai recitonte shumë bukur dhe ndiqte me shumë pasion ecjen përpara në shkollën e lartë për aktor të të vëllait në shkollë, Gëzimit.

Ishte viti 1968 dhe babai i tij, oficer me potencë të lartë në Berat, për më tepër, vëllai i Heroit të Ebros, nuk bëri asnjë ndërhyrje që biri i tij të mos shkonte në shkollën e oficerëve, ku atë vit po kërkoheshin thuajse me urdhër, me gjithfarë presionesh, të shkonin maturantë nga qytetet.

Fadil Kame kishte dhënë prova ndershmërie tër jetën. Mosndërhyrja për djalin e  tij shëndosh si molla, por që duhej të shkonte për oficer, ishte treguesi i rradhës i ndershmërisë dhe ballëlartësisë së tij.

Musa Kame, testet për pilot i kaloi me të shpejtë dhe me rezultate të shkëlqyera, duke zënë vënd në njërën nga bangat e të dy kurseve për pilotë; të njërit nga grupet më të mëdhej që nxori shkolla e aviacionit.

Isntruktori i TIP 61 ishte piloti Maliq Xhafa, që sapo kishte mbaruar shkollën me rezultate të larta.

Kame vdiste nga qejfi të provonte mbingarkesat. Kishte raste, kur nisi të fluturonte vetëm, që e linte të rritej shpejtësinë në ngritje dhe, mandej, e tërhiqte aroplanin lart me të shpejtëpër të arritur në lartësinë e kërkuar, gjë që e kenaqte pa masë. Kështu bënte edhe gjatë kthesave në fluturimet e thjeshta në rreth. Në vënd që të kthehej butë dhe ëmbël, këtë e bënte fort duke u kënaqur sërish dhe, duke mos i bërë vërejtje askush.

Ishte normale që ky gjimnast dhe që truri i punonte me të shpejtë, të kalonte për pilot gjuajtës, në kohën kur u bë seleksionimi , sipas të cilit, gjysma e këtij grupi të përbërë në pjesën dërmuese nga djalëri qyteti, duhej të dërgohej për "helikë" – helikopter dhe AN 2.

"Unë ruaj kujtimet më të mira edhe për instruktorin tim të parë MaliqXhafën, por edhe për instruktorin tim të reaktivit, Nazmi Dautin. Ai ishte shumë i dashur me ne, korrekt, me shpirt të madh dhe  dashuronte me pastërti fëminore gjithëçka që kishte lidhje me aviacionin…Hahaha , ai u krenohet të tjerëve se ka nxjerrë tre pilotë MIG 21 – Kujtim Kryekurtin, Andrea Gjikdhimën …dhe mua" – thotë Musai buzë liqenit artificial të Tiranës, ndërsa nga jashtë lokalit ku po rrijmë, shiu i rrëmbyer po lag biçikletën time përjashta, me gjith shalën dhe frenat.

Musa Kame, përpara se të fillonte fluturimet me AD AIR, ka fluturuar në Rinas nga viti 1971 deri më 1976, në Gjadër nga viti 1976 deri më 1981 deri në cilësinë e zëvëndës komandantit të skuadriljes MIG 21; ka kryer detyrën e zëvëndës komandantit të regjimentit për fluturime në Rinas nga viti 1981 deri më 1989 dhe, mandej, për 3 vjet gati, erdhi në repartin e AN 2 ve me detyrën e zëvëndës komandantit për fluturimet.

Këtë radhë ishte fare pranë miqve të tij të shtrenjtë të rinisë së parë, si Vladimir Treska, Ylli Sina, Thanas Kura, Filip Çuço …edhe Xakes.

Gjatë tër kësaj karriere, Kame ka kryer detyra gjithfarëshe, që nga qitje bombardimet gjithplanëshe e deri parakalimet ndër parade; ka fluturuar në gjithfarë kushtesh metereollogjike, është ngritur kushedi sa herë në alarme, ka kryer plot detyra taktike por, që të gjitha këta, ai i lë që të kalojnë duke thënë vetëm se "punët kanë shkuar mirë…a, po, kam bërë skemat e metodikës së të mësuarit, si në Gjadër e në Rinas e… njëlloj si shokët…", thotë ai  dhe ne nuk duam ta ngacmojmë më tej.

Thjeshtë që libri ynë të mos bëhet monoton.

" OPOPO, KËSHTU PSE MË VINI PËRPARA SYVE PAPUSHIM

O VITE TË DJALËRISË, O MOJ KOHËZ E TË RITË TIM"

NAIM FRASHËRI

Ja , të ndalemi në një trill të rinisë së Musa Kames; te ai që i kemi vënë titullin edhe tregimit tonë…

Nuk kishte as një javë që kishte nisur fluturimet me MIG 21, sigurisht duke kaluar me përpikmëri dhe vetëm me rezultate të larta aeroplanin bazë të mbrotjes kombëtare, MIG 19. Kishte bërë gjithsej vetëm 5 rrathë të vegjël dhe 2 të mëdhej gjithsej me këtë avion që përbente krenarinë tonë ajrore.

Edhe pak, me 24 korrik do të mbushte njëzetedy vjetët.

Vëllai i tij, me të cilin shkonin si dy binjakë, sapo qe martuar dhe po bënte muajin e mjaltit në Durrës.

Ditën e dasmës, miku i tyre i përbashkët, Rexhep Keçi, si kishte pirë e qe bërë çakërrqejf, si guzhinjer i mbaruar që e mbanin, i ftoi të dy vëllezërit për një drekë në Durrës.

" E ku kisha vënë raki në gojë unë, ore? Por atë ditë, me Xhepin e Gëzimin, piva jo një, por dy dopio raki…Jojo, nuk më zë mua rakia, nuk më ka zënë kurrë, por, meqë më pyte, po të tregoj se sa kisha pirë."

Ndërkohë, Xhepit, që nuk i mbushej mëndja, duket, që ky çunak e ngiste aeroplanin, i tha:

" More, Buli, si nuk të kam parë asnjëherë më avion"

"Nuk më ke parë? Mirë, mos u mërzit. Pasnesër më ke këtu!"

"Unë do të marr një çarçaf të bardhë …që të më gjesh .Më gjen dot me çarçaf?"

" Po lëre, ore Xhepi, mos e ngatërro. Ç'i thua? Kushedi se nga e ka detyrën ai…O Xheeepiiiiii…Piloti nuk fluturon nga të dojë, por si e ka detyra" – dhëndërri i ri pa nga vëllai.

"Jojo, bëra shaka. Mos hajde, Buli, t'u bëftë Xhepi, mos hajde!"

….

E pasnesërmja erdhi me të shpejtë. Në orën dhjetë fiks, ndodheshin 5 aeroplanë MIG 21 në ajër.

Musa Kame ndodhej mbi Elasan, në lartësinë 7 mijë metro dhe po plotësonte të parën "zonë" me MIG 21. "Zona" përmbante rrotullime horizontale me mënjanime të cekta dhe të thella, kthesa luftarake…

" Nga fundi i detyrës, u kujtova për fjalën që i kisha dhënë Xhep Keçit. Ai ishte në plazhë tashti, me siguri; Xhepi dilte që herët. Dhe, pa e bërë të gjatë, një të humbur lartësi me të shpejtë dhe, kur po i afrohesha Shkëmbit të Kavajës,  ende pa shkuar mbi Golëm, pashë shpejt  nga vëndi ku duhej të ishte Xhepi dhe e shtrova plotësisht".

" A ta merrte mëndja se do të të bënin për ujë të ftohtë në repart, po ta merrnin vesh?"

" Nuk do t'i tregoja njeriu, ore, por, llogarita, edhe po më panë, ja, ndonjë kritikë e do të kalonte; epo, punë e madhe!"

Shpejtësia e MIG ut ishte njëmijë e njëqind kilometro në orë – gati ajo e zërit. Trupi prej duralumini në formën e germës "delta" tanimë po kalonte më shpejt se një rrufe dhjetë a pesëmbëdhjetë metro mbi vijën e plazhit.

Te "Xhepi", djaloshi bëri…dy "boçka".

"Bëre dy "boçka" dhjetë metro mbi tokë?"

"Ehë!?"

"U çmënde?"

"Boçka" është fjalë ruse që përkthehet në shqip "vozë, kadushkë". Është një rrotullim 360 gradësh në boshtin horizontal dhe, një lëvizje sa pak e pa koordinuar, mund të bëjë të humbasësh a të marësh lartësi disa metro. Humbja e lartesisë sado pak prej moskoordinimit, donte të thoshte vdekje me katastrofë, gjë e cila asqë i shkonte në mëndje nipit 22 vjeçar të Musa Fratarit.

"Ja, bre Xake. E ngrë paksa hundën, ja, vetëm 5 gradë dhe fiu, sikur shpon me turjelë..fët e fët!!!"

Në të vërtetë, ky demonstrim që bëri atë ditë me sukses djaloshi Kame, bën pjesë në kategorinë e fluturimeve që quhen "pilotazh në lartësi shumë të ulët". Në të gjitha rastet, këta lloj fluturimesh, bëhen nga pilotë me shumë përvojë. Një nga këta mjeshtra ka qënë, ta zëmë, Fari Bubësi, që, pasi ngrihej në fluturimin e parë për të kontrolluar kohën, kur kthehej, para se të kalonte te detyra e ditës, "udhëheqës fluturimi",   para syve të regjimentit të tij në Kuçovë, bënte pilotazh në lartësi të ulët, sidomos "boçka"duke marrë lartësi. Në luftën e dytë botëore, një pilot 18 vjeçar, vetëm me  një kurs fluturimi 6 mujor, pat rrëzuar 4avionë nazistë. Kur e intervistuan, ai pat dhënë këtë spiegim: " Si i kam rrëzuar? Ja, e fut aeroplanin armik në këtë  rrathin këtu në kabinë, e mbaj mirë atje, e shtyp këtë butonin tjetër këtu, dhe zhdukem me të shpejtë, ndërsa tjetri bie drejt tokës mbuluar në flakë".

Kaq thjeshtë e spiegon atë fluturim spektakolar edhe Kame duke buzëqeshur me trishtim e duke thënë "eh, kalamallëqe të rinisë!".

Fluturimi kositës - nja 8 a 9sekonda - vazhdoi deri ne plazhin Iliria dhe, mandej, plazhistët e panumurt, përfshirë edhe tursitë, panë se avioni me siglat e shtetit shqiptar dhe i paparë kurrë nga shumica prej tyre; avioni që kish lënë pas tër atë zhurmë të furishme, që kish fluturuar që të gjitha çadrat, mori me të shpejtë lartësi duke humbur nga sytë e të gjithëve drejt  perëndimit.

Andej nga, pas hapsirave blu të detit dhe të qiellit, ndodhej  gadishulli Apenin i shtetit Italian…

Ndërsa po vinte për ulje në Rinas, kur sapo kryente kthesën e fundit, Musa Kame dëgjoi në radio bashkëbisedimin e mëposhtëm:

V. K. Qëndrore : "Një avion i juaji, MIG 21 ka kaluar mbi plazh!"

Mahmut Hysa ( Udhëheqësi i fluturimeve) : "Nuk ka mundësi, jo!"

VK. Qëdore: "Ka kaluar dhejtë metro mbi plazh. Në orën dhjetë!"

Pupuuuu, mendoi piloti i ri. Më paskan diktuar. Manovra e tij për t'ia therur kaçakçe drejt perëndimit, që njerëzit të kujtonin se kish qënë avjon italian, kishte dështuar krejt. E mblodhi veten me kujdes dhe u ul tëpkë me "21" shin mëkatar.

Kishin qënë 5 MIG 21 në ajër.

Që të gjithë agregatët në bazë! Fluturimet ndërpriten për sot!

Mbledhje urgjente.të gjithë pilotët – në klasë!….

Miky ynë nuk e dha fare veten. Serbez, me kokën lart, sikur nuk kishte ndodhur gjë, u fut në mbledhje, ku ishin që të gjithë pilotët që fluturonin me MIG 21;  ishin që të gjithë më të mëdhej se ai që do të festonte ditlindjen pas disa ditëve, me 27 korrik.

Zuri vënd në një karrige, andej nga fundi. Komandanti i regjimentit,   Mahmut Hysa, bëri pyetjen e drejtpërdrejtë -  kush kishte qënë mbi plazhin e Durrësit nga 5 MIG ët që kishin qënë në ajër ora dhjetë?

Pilotët në fillim panë nga njëritjetri dhe mandej, shumica, mbanin kokën ulur e kushedi se çfar bluanin…

Hysa ngriti në këmbë Dhimitraq Robon, pilotin që e kishte patur detyrën afër plazhit. A? Nuk paske qënë ti, Taqo? Hmmmm!!!Urdhëro! Urdhëro shkmbësin , ja ku e ke dhe dërrasën e zezë! Pa, na e bëj tër itnerarin tënd. Dil këtu!

Taqua dolli me të shpejtë dhe vizatoi gjithëçka me saktësi.

Hmmm…Mos ke qënë ti, Kujtim? Ë?

Kujtim Kryekurtin e mbanin ca si liberal. Ai sakën se qethej "palluboks" dhe as që kishte dëshirë të urdhëronte me të egër njeri. Kur bënin kontrolle rrshtore, vetëm atëherë e mbërthente kopsën e xhaketës, dhe e zbërthente prap, mundësisht edhe një kopsë të xhaketës së oficerit. Sigurisht që ishte një djalë i shkathët dhe inteligjent

Hysa po e shihte me ngulm. I dukej se e kishte kapur lepurin.

"Unë? Po kam qënë në Burrel, ore! Pse, nga Burreli erdha mbi plazh?". Kujtimi e dinte që dyshonin te ai, si "liberal", de, po këtë radhë kish qënë tjetër kush, jo ai. Ai nuk iu drejtua me "shoku komandant", por me "ore". Hysa bëri sikur nuk e vuri re. Kujtim Kryekurti, që sikur e kishte të shkruajtur te flokët që i qethte me gërshërë "liberal"- nofkë që e pranonte me kënaqësi - ishte shëmbëll i skatësisë dhe ndershëmrisë në fluturim, ku gjithëçka e kryente pastër dhe bukur. Ama, këtë radhë, ja, mër, nga kish qënë!

"Tironsi" mori shkmbësin dhe vijoi me kujdes dhe pastër, itinerarin e tij deri sa kish takuar me rrota në pistë.

Erdhi radha te Luto Sadiku. Ai , burrë katërqind derhemësh, kur i thonë, nuk denjoi të dilte në dërrasë të zezë e as të merrte shkumbësin por, që nga vëndi, foli:" Ndoshta ka qënë ndonjë avion grek, por jo Luto Sadiku!". Dukeshin qartë notat e nevrikosjes. Mesazhi i tij ishte i qartë. Po të kish qënë ai, nuk do t'i mbante shkokët në mbledhje, por do ta pranonte menjëherë, pa u munduar të fshihte asgjë, siç e njihnin të gjithë.

Kishin mbetur edhe dy pilotë për t'u pyetur. Ja ku po rrinte ne fund Musa Kame, i urtë si qëngj. Pa, eja ti Musa, ja shkumbësin ku e ke!

"Unë mora shkumbësin, bëra ca vija mbi Elbasan dhe, që andej, shkmbësi rrëshqiti me të shpejtë mbi plazhin e Durrësit. Atje e ndala dorën dhe pashë nga klasa."

Ahaaaaaaaaaaaaaa…ti Musa paske qënë?

Mbledhja u ndërpre menjëherë. Urgjentisht me gazin e komandës që priste përjashta, komandanti i regjimentit të Rinasit Mahmut Hysa tok me sebeçiun, u nisën për në Durrës; pa shkëmbyer as edhe një të vetme.

" Ende isha i qetë. Po mendoja se, qëni qepën ta hante, e kisha shtruar njëherë mbi plazh dhe Xhepi më kishte parë. Edhe Xhepi edhe Gëzimi….ia vlente ky qejf para ndonjë dacke që, do të kalonte. Mirëpo, kur pashë te "Ura e Dajlanit" parullën e shkruajtur me të madhe "Ndalohet përdorimi i borieve nga shoferët", u frikësova. Pupuuu, ç'paskam bërë. Paskam tmerruar tër plazhin me zhurmë, kur nuk duhet dëgjuar as një borie makine.Pupupu !!!".

Të dy pilotët hynë në sallën e madhe të kovalishencës. Komandanti përpara, piloti që kishte bërë tër atë gurgule, pas. Në krye, atje, ja fizionomia e gjatë dhe e plotë e Edip Ohrit, komandantit të aviacionit.

" Oooooo, shih, dreqi…ti more Musa paske qënë?"

"Edip Ohri më përqafoi me të dyja duart. Ai më donte shumë, mua dhe Kesin (Klement Alikon). Kishim qënë një vit në Kinë me `të. Si i dha dorën edhe komandant Mahmutit, e mori mënjanë atë dhe…nëne – nëneee!!!. Nisi t' thërriste. Puh, çfar të bërtituri. Komandant Mahmuti i shkretë, ka qënë burrë shumë i mirë, vetëm thoshte "si  urdhëron" ose nuk fliste asgjë. Edipi e futi shtatë pash nën dhe …I shkreti Mahmut! Ç'po hiqte për proçkën që kisha bërë unë…Kaq më dhimbsej. Me zi po duroja. Sa po bëhesha t'u shkoja që të dyve atje e t'i thoja komandant Edipit, që e ç'i bërtet atij a derëzi, e ku ka faj ai, unë e kam fajin, e ç'ke me `të, kur…"Më lejoni të largohem!" "Largohu"…Edipi u kthye ku po rrija unë. Dhe…më përqafoi përsëri. "Ik e fluturo"! Kaq më kënaqi kjo e përqafuar sa…"Më lejoni të largohem!" "Ikë, të fala shokëve!"…Kur kisha bërë disa hapa, dëgjova sërish zërin e  tij " Dhe mos më eja më kështu, more vesh, Musa?"

" Po , gjatë kthimit në Rinas, a të tha gjë komandant Mahmuti?"

" As edhe një fjalë…Sa burrë i mirë ka qënë, i shkreti!".

"Pastaj?"

"Pastaj? Eh, çkam hequr pastaj! Një vit rrjesht, në çdo mbledhje, vetëm emrin tim lakonin të gjithë…Xake, ajo që bëra mbi plazh ishte një aventurë rinie që nuk duhet ta bëjë askush. Ka qënë vërtetë një thyerje shumë e rëndë"

Përse Edip Ohri nuk e bëri qepaze njëzetedy vjeçarin? Pse ia zbrazi gjithëka komandantit të repartit, por jo atij?

Ohri ka qënë një psikolog i mrekullueshëm dhe është ruajtur që të mos e thyente djaloshin në krenarinë dhe dinjitetin e pilotit. Nga ana tjetër, "dreçi", vërtetë që kishte bërë goxha proçkë, por kishte manifestuar një art pilotimi të përsosur, habitsëmrisht të tillë dhe Ohri, ky pasionant i përjetshëm i fluturimeve, dorëzohej i tëri para artistëve të fluturimit.

Nga ana tjetër, më vonë kemi marrë edhe këtë informacion. Kryeministri Mehmet Shehu, si kish thërritur Edip Ohrin , si i kish thënë atij që t'ia hiqnin veshin mirë atij pilotit, kishte shtuar nga fundi i bisedës " Do që edhe një çikë mirë ka bërë ai djali. U tregoi popullit e turistëve të huaj, se çfar avionësh ka Shqipëria, por, edhe çfar pilotësh!"

Ja, pra, cilat kanë qënë ëndërrat, ambiciet, mburrjet dhe psikollogjia e brezit të pilotëve të viteve 70 në Shqipëri, njëri prej të cilëve, ja,  ky djalë qyteti që adhuronte heroin e Lufts së Spanjës, pikturonte dhe merrej me sport, dhe që fluturoi me avionin më të rrezkishëm që kishte atdheu i tij, në moshën 22 vjeçare…tër jetën.

ADA   AIR…

Kanë qënë tre pilotët që hapën linjat ndërkombëtare të fluturimeve – Musa Kame, Myzafer Zaho dhe Budion Tollkuçi. Kame ka qënë që në fillim "shef pilot" i kësaj kompanie shqiptare private, që gjithsesi ka hyrë tanimë në historinë tonë kombëtare të flutrimeve.

Tollkuçi na ka njohur rreth kësaj teme në vëllimin  e  parë të "Dinosaurët e fundit". Edhe Zaho, i ftuari në këtë libër.

Musai…nuk ka dëshirë të zgjatet shumë. Ai na njeh me një gjë që e mbush plot krenari botën ajorore të burrave shqiptarë të ajrit.

"Në Bari thonin jo rrallë: "Pyesni a ka ardhur ADA sot? Po ka ardhur Al ITALIA,  si  të mos vijë ADA ?"Kështu thonin edhe për AIR FRANCE ".

Nganjëherë na merrnin gjysëm të çmëndur…Askush nuk të thotë mos vazhdo por kthehu nga erdhe, ore. Por, kur të t'i përsërit 5 – 6 herë konditat e motit, kjo don të thotë, "ku vete, o budalla, do vritesh?". Por ne nuk jemi kthyer mbrapsht asnjëherë. Që të njëmbëdhjetë vjetët që fluturuam jashtë vëndit ditën e natën e në të gjitha kushtet! Po pse? Sepse ne vinim nga fluturimet me gjuajtës, shpejtësi të mëdha dhe lëvizje shumë më të ndërlikuara në ajër se sa me atë dhe, nga ana tjetër, ne kishim plotësuar të gjitha detyrat nëpër reparte me aparaturë më të prapambetur se sa kishin avionët modernë të transportit.

Megjithëse, nëse është për të shënuar patjetër ndonjë mbresë, Kame mendon atë me pronarin grek të një "simulatori" në Athinë. Ai quhej Spiro Panos, i cili, për më tepër ishte pilot transporti i linjave kontinentale; bënte rregullisht vijën Athinë – Nju Jork.

Provat në atë simulator i kalonin pilotë transporti nga thuajse tër Evropa – ishin kontrolle kompiuterike të nja 3 – 4 orëve në "fluturim". Gjithëçka dokumentohej e printuar në kompiuter. Kontrollet ishin nga më të përzgjedhurat.

" Për një ditë ju kanë sjellë këtu? Kot …krejt kot! Ç'far provash t'u bëj?"

"Bëjua ata që ua bën grekëve!"

Aparatura e simulatorit kishte mjaft ndryshim nga aparatura e kabinës së brazilianit "Bandeirarande" e prodhimit 1978, por burrat nga Shqipëria që do të kontrolloheshin, Musai dhe Budioni kësaj radhe - herën tjetër dy të tjerët - "kishin qëndisur me dorë e jo me makinë qepëse". Fluturimet me avionët relativisht jo më modernë – MIG ët e shpejtë , dhe në kushtet gjithfarëshe të vëndit të tyre, patjetër edhe përvoja e gjatë e akrobacirave ajrore në atdhe, e treguan veten.

"Kur dollëm nga smulatori, si pa edhe materialin e printuar, greku Spiro Panosos nxitoi e solli një arkë plot me birra. Si na ftoi për drekë, na tha ndërsa pinim : " Këtu vijnë pilotë BOINGU me nga 20 mijë orë e bëhen bythë. Kurse ju, piloti allvanikos…kallo levendi…". Ai na bëri një karakteristikë plot superlativa ndërsa drejtoresha jonë franceze na pyeste më pas me të qeshur: " More, ç'i keni bërë Spiros që e keni çmëndur krejt?".Kishte raste kur, ndërsa fluturonte mbi oqean, shoku ynë grek ndryshonte frekuencën e fluturimit , futej në valën tonë dhe, veçse kur vinte në kufje: "Jassu file mu! Kalla i se, more levendi? Tekanis? Egho Spiro!".

Dhe vazhdonim disa minuta duke folur anglisht, ndërsa BOINGU i tij fluturonte 11 mijë metro mbi Atlantik, kurse " "Bandeirarande" mbi valët blu të Adriatikut"

RIZA LAHI

Nga vëllimi në proces "DINOSAURËT E FUNDIT" (Vell..2)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora