E premte, 26.04.2024, 02:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Qazim Shehu

E marte, 19.03.2013, 09:27 PM


POEZI NGA QAZIM SHEHU

 

KJO MUZA JONË

 

Sa shumë përzihet muza ndër ne,

Me pluhur dhe politikë,

Fjalën askush e ble,

Dy metelikë.

 

Aq i pavlerë është mendimi,

Sa të vjen keq të shikosh,

Sesi varfanjaku dhe pasunari,

U këmbyen në short.

 

Të ndreqësh kohën sa vështirë,

Zemrekun e saj kush e ndreq,

Ç`është keq s`bëhet mirë,

Të mirën vështirë të ndërtosh.

 

Dhe radhë e poetëve rritet,

Për të blerë biletën e lavdisë,

Në sportel të politikës,

Me orar të trishtë.

 

Kjo muza jonë pluhur dhe fjalë,

Me shkrues anonimë xhindosur,

Një ditë ata të bëjnë të madh,

E tjetrën të munxosin.

 

GJERGJ FISHTA

 

Bir i Shqipnisë, Gjergj Fishta,

Dhe bir e at e at e bir,

Fjala më e lartë që s`është gjetur,

Do ti shkonte më mirë.

 

Atje ku grimcë e dheut frymon,

Fjalë e tij ndez,

Në trojet tona ku gjëmon

E mallkimi këlthet.

 

Dhe rendëm gjithnjë të kapim,

Kohën që humbte ndër sllavë,

Ai me guxim na ndante

Lule dhe llavë.

 

Prej gjoksit të tij vullkanik,

Shpërtheu baroti i Oso Kukës,

Duke na dhënë ajër mitik,

Ati i Lahutës…

 

QIELLI

 

Qielli i madh si një kapelë,

Rri mbi kokë të planetit,

Era e urrejtjes herë herë,

Ia heq nga koka si të tepërt.

 

NË RRUGËN PEJË GJAKOVË

 

Në rrugën Pejë –Gjakovë,

Lisa, arra, mana,

Fshatra shtrirë përtej,

Skena ku u luajt drama.

 

Tani asnjë dramë s`ndodh,

Liria gjymtyrët shtrin,

Manat pikojnë papjekur,

 

Në dhimbje për martirët…

 

NË RUGOVË

 

Isha këtu dhe s`dija në do kisha ardhur,

Si në një skenë të filmit që nuk shfaqet më,

Po dashuria më paska dashur,

Dhe ëndrra për ty nuk u zhbë.

 

Pyjet , mjekër e poezisë epike,

Tundin duart e gjata,

Të kapin yjet e fikura,

Në shpresa të vakta.

 

Të kohrave që kaluan,

Në një robëri të ngrirë,

T`u japin dritë  atyre, duan,

Mbi varre martirësh, si qiri…

 

NDERIM

 

Tani anë e kënd Kosovës ngrihen,

Buste për heronjtë,

Më mirë do qe , ata të ishin gjallë.

Por ,liria,

S`është përrallë…

 

CAQE TË THYERA

 

Qan çatia nga shiu dhe në dhomë,

Sjell një ëndërrim,

Nga joshja e shiut të plakur,

Në ëndrrat që s`kanë mbarim.

 

Mbi tjegulla shiu troket butë,

Ngulshëm e me bindje,

Duke shkundur caqe të thyera,

Dashurishë në ikje…

 

MORA UDHË E IKA LARG

 

Mora udhën e ika larg,

Ç `lashë pas e di,

Babanë dhe nënën në prag,

Me dorën mbi sy.

Tani s`më përcjell kush ashtu,

As tek dera dalin,

Më bëhet se babai e nëna,

Gjithnjë tek pragu mardhin…

 

ZOGJTË SHTEGTARË

 

Zogjtë shtegtarë shtegtojnë,

Arrative të çmendura,

Hapësirat e pamata pikëzojnë,

Në mijëra dëshira.

 

Shkëlqim i dritës së pa fre,

I zhduk në ëndrra mizore,

Thurur lirshëm e pa nge,

Në të largëtat brerore.

 

Nositi i Lasgushit,

Rri në sejcilin nga ta,

Siç rri druri afër prushit,

I gatshëm për zjarr hata.

 

AFSHI I NXEHTË I VERËS

 

Afshi i nxehtë i verës,

Më zbrujti damarët,

Për kujtimet e ngrira,

Po më merr të qarët.

 

Se s`mund ti shkrij kurrë,

Për t`i kthyer në jetë,

Edhe sikur kjo verë,

Të ish dyfish e nxehtë.

 

NË QYTETIN E RINISË

 

Në qytetin e rinisë ku isha,

Ca rrugë zbrisnin kodrave të trishta.

 

Midis komisariatit e komiteteve,

Shetisnin të drojtur njerëzit netëve.

 

Dhe e dashurisë një pëshpërimë,

Afishohej me ulërimë.

 

Çuditem si pata kujdes,

Atë ta fsheh, ta mbaj sekret.

Midis komisariatit e komiteteve,

E ruaja mos plagosej netëve.

 

Megjithatë sa bukur ka qenë,

Ndoshta, ndaj qëndroi në këmbë.

 

POETI

 

Asnjëherë s`kam thurur vargje për vete,

E mbase kurrë s`do thur,

Poetët digjen për të tjerët,

T`i ngrohin ata më shumë.

 

Si zjarri që s`e ngroh vetveten,

Si dielli po aq,

Marrosen për të tjerët poetët,

Dëshirash përvëluese në varg.

 

Dëshira lavdie dhe ëndërrimi,

Për bukurinë e plagosur të jetës,

Dhe në këmbë i mban trishtimi,

Këta vetëflijues të hershëm.

 

GRUAJA VIOLINË

 

Si violinë ngjan kjo grua

Pa larguar harkun e dëshirës,

Zëra gjithnjë e thirrin rrugës,

Përmes ngacmimeve e cmirës.

 

Diellin e rrugëve mban në flokë,

Pasqyrën e pamjeve përmes,

Niset ajo tek fjala që thotë,

Se dashuria u ndez.

 

Dhe ikën shpejt prej zhgënjimit,

ku ka ndezje diçka fiket,

Duke pritur një hark të thyer,

Drejt së panjohurës seç i iket..

 

PELIN

 

Pelin i jetës së hazdisur,

Nëpër rrugë asqë ndihet,

Harbohen çastet ku është nisur,

Thikë e fatit të mprihet.

 

Vrushullon ajri dehës,

Në unazë flakësh tej,

E kjo e harbon më tepër,

Pelinin që kush se vëren.

+++

Një çerdhe zogu në degë,

Gjithnjë më tregon,

Një zemër nëpër erë,

Që fshan e rënkon.

Një zemër të boshatisur,

Që ngrohu ëndrra,

Tani në degë të ditëve,

Pëlcet në brenga.

 

Gjersa era ta shpërndajë,

Në ujra, hapësira,

Duke lënë pas

Vetëm pamje të mira.

 

URA

 

Një urë dikush hodhi,

Të kalojnë në hark të saj,

Ata që njëri tjetrin deshën,

E mbetën të ndarë pa faj.

 

Dhe kur u bashkuan ata,

Harruan ç`rrodhi në lumë,

Lotët e maleve në vjeshtë,

Numëruar aq shumë.

 

Harruan kush ndërtoi urën,

Dhe ikën më tutje të qetë,

Pa parë trungjet që shuan,

Flakë vetëtimash me rrëmet.

 

Për ta kish rëndësi të ecnin ,

Kush ndërtonte në ia vlente,

Lotët e maleve derdheshin ,

Margaritarë në dete.

 

Për ç`lanë pas pa e ditur,

Për çfarë duhej ditur vërtet,

Ura si krah i ngritur,

Dashurinë përshëndet…

+++

S`të dua për çaste që merr me vete,

E mua më lë bosh.

Për gjithë hapësirat inerte,

Jashtë qenies sime.

 

Po ç`kam që për ty,

Bie në ëndërrime?.

+++

Kjo kohë e Shqipërisë,

Gjithnjë shpështillet,

Në një muzikë të ndërprerë,

Shekujsh.

Që u luajt,

Nga dhëmbët kërcëllues, të uriturve,

Në luftë.

 

FUSHA

 

Dielli i veshi fushat me flori,

Barin me vesë, shtëpitë e shpërndara,

Shelgu vari kokën me përtesë,

Mbi ëndrrat e thara.

 

Tani shkoj fushës e dua të kap,

Një përmasë që më mungon,

Ajo pamje pas pamjesh shpërhap,

Në një delir të ngrohtë.

 

Fusha bujare shtrin trupin,

Aq mrekullisht ,në pafundësi,

Dielli shtrydh floririn e gënjeshtrës,

Në vrap të kohës që nuk ndihet.

 

Dhe s`kam kujt t`ia tregoj brengën,

Në këtë fushë që thith gjithçka,

Brenda saj kërkoj shenjën,

E një pikë vese që u tha.

 

KODRA KRISTALI

 

Si dallgë e heshtur që përplaset,

Në breg të kujtesë së zhdukur,

Një brengë e heshtur shtyn kafazin,

Në gjoksin e bukur.

 

Asnjë fillesë nuk e thotë,

Çfarë brenda teje vlon,

Veç dallga godet fort,

E, gjoksin sikur shkallmon.

 

Ai pasqyron gjithë hir,

Lakuriqësinë e vet në të trishtë,

Dhe dallgët e brendshme kanë ngrirë,

Kodra kristalesh të kuptimtë.

 

+++

Nga largësi e viteve shikoj,

Kohën e shkuar, e mendoj,

Sesi diçka më mbajti të huaj,

Ndaj asaj që u gatua tjetërsoj.

Kur renda të jap,

Gjithë të mirën për tjetrin,

Ai e mori me një vrap,

Atë që më takonte për vete.

Kështu mbeta duarbosh,

Duke pritur shpërblimin,

E tjetri një fjalë s`e thosh,

Mbuloi gjithçka me harrimin.

Një vetëpengesë më kujtoi ,

Mos veproja më kështu,

Se i ligu të çon gjer tek kroi,

Dhe s`të jep ujë…

 

NË SHTËPINË E PRINDËRVE

 

Në shtëpinë e prindërve gjithnjë,

Ndrit veçanërisht një mall,

Si limfë e heshtur ,pa bërë zë,

Vërtitet në ajër.

 

Tani veç heshtja ka mbuluar,

Portretin e tyre në pafundësi,

Dhe koha trondit gurët,

Supe rënduar nën çati.

 

Ti veç kujtimin s`mund ta zbrapsësh,

Që të mbërthen në gjoks,

Dhe hapat e tyre nëpër shkallë,

Që hijezohen ngrohtë.

 

Gjersa kulmi i çatisë,

Të bjerë nga triumf i heshtur,

E tymi në oxhak të shfryjë hidhur,

Për hijen e tyre të etur.

 

LYPSI

 

Një lypës bërtet me zë të lartë,

Sikur të jetë i ushqyer,

Gurmaz i mëngjesit thith pareshtur,

Zëra dhe pluhur të hirtë.

 

Me zërin e tij të lartë,

Sikur don të na bindë,

Se zbritën në tokë pa afat,

Hyjnitë.

 

Ulëret lypës i fuqishëm,

Po zoti në tokë nuk zbret.

Dhe mua më merr të qarët,

Kur zotin në tokë nuk e zbresin,

As fetarët…

 

GROTESK

 

Seç janë ca njerëz që u ngjajnë,

Ca veteranëve të dikurshëm,

Vite e vite gjermanin shanë,

Pa hedhur një pushkë.

 

Sot ata nuk ndihen më,

Ua morën në kthesë disidentët,

Nëse ndërrohet  kjo epokë,

S`dihet  ç`del një rracë tjetër…

 

SYRI I DITES

 

Si  çdo njeri dita ik,

Kujtimin pas na lë,

N ë ndjesi na stërpik,

çfarë s`arritëm në të.

 

Valë e saj hedh tutje,

Një vel nëpër  ëndrra,

Në të nesërmen shurdhe,

Me dritën e saj brenda.

 

Dhe pas lë veç trishtim,

Trishtimin e asaj që u fik,

Si sytë e mbyllur të njeriut,

Drejt përjetësisë kur ik…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora