Kulturë
Demir Krasniqi: Kategoritë e mysafirëve në familjet shqiptare gjatë periudhës sllavo-komuniste
E hene, 18.03.2013, 07:58 PM
Nga
tradita jonë:
KATEGORITË
E MYSAFIRËVE NË FAMILJET SHQIPTARE
GJATË PERIUDHËS SLLAVO – KOMUNISTE
Shkruan: Demir KRASNIQI
Gjatë
periudhës së sundimit sllavo – komunist , familjet shqiptare edhe pse nuk ishin
në gjendje aq të lakmueshme ekonomike , bujaria dhe mikpritja e tyre
tradicionale nuk shkëputej asnjëherë .
Duke e
shfrytëzuar deri në maksimum këtë traditë, bujari dhe mikpritje të familjeve
shqiptare , mysafirët e kategorive të ndryshme nuk pushonin asnjëherë duke
shkuar derë me derë si mysafirë , madje pa kurrfarë ftesash , as
paralajmërimesh !
Shkuarjet
e këtilla të mysafirëllëkut , derë më derë , mik pas mikut dhe shok pas shokut,
jo rrallë herë i vinte në pozita shumë të vështira mikpritësit dhe familjarët,
të cilët mund të ziheshin të pa përgatitur , të pa artikuj ushqimorë, madje
ndonjëherë edhe pa bukë të mjaftueshme !
Në këto
raste, shpeshherë mund të ndodhte që zonjat e shtëpisë – magjetoret dhe baçicat
, të zihen në ofsajd dhe të detyrohen që
të gatuajnë bukë e ushqime edhe në orët e vona të mbrëmjes, apo edhe në orët e
pasmesnatës !
Mysafirët e familjeve shqiptare gjatë periudhës sllavo – komuniste ndaheshin në tri kategori kryesore :
1.
Mysafirët barkaçokë
2.
Mysafirët spiunë dhe
3. Mysafirët dilenxhinj
1. Mysafirët barkaçokë
Në kategorinë
e mysafirëve barkaçokë , bënin pjesë të afërmit, kushërinjtë, kojshia , rrethi
i gjerë familjarë dhe rrethi i gjerë miqësor .
Mysafirëllëku
i grupeve të kësaj kategorie , kishte të bënte me vizita spontane , festa të
ndryshme fetare, shtetërore, ceremoni të ndryshme, syneti, fejesa, martesa,
sparime, përhajrime , shkuarje- ardhjet nga kurbeti, shkuarje – ardhjet nga
ushtria , ndejat e ndryshme dimërore, shkuarje –ardhje e mysafirëve nga vendet
më të largëta etj. etj.
Qëllimet
kryesore të kësaj kategorie të mysafirëve , ishin shfrytëzimet e rasteve që të
ushqehen me ushqimet më të përzgjedhura , të shërbehen me pije të ndryshme
freskuese dhe ato të nxehta dhe specialitete tjera të ndryshme nga tradita jonë
.
Mysafirët e kësaj kategorie , madje rrinin me ditë e me javë tek njëri –tjetri , por nuk ishin të rralla as rastet kur mysafirët në shenjë nderimi e respekti merreshin radhazi edhe nga rrethi më i gjerë familjarë , qoftë në bujtje , qoftë në darka , apo dreka .
2. Mysafirët spiunë
Në
kategorinë e dytë të mysafirëve nëpër familjet shqiptare , bënin pjesë
kryesisht spiunët, bashkëpunëtorët e UDB-së, UDB-ashët, milicët, shumarët
(pylltarët), odborrnikët (këshilltarët) e katundit , njerëzit e sigurimit,
zyrtarët e pushtetit , mësuesit, hoxhallarët, deri tek njerëzit me pozitat më
të larta shtetërore .
Mysafirët
e kësaj kategorie , shkonin nëpër familjet shqiptare për të ngrënë, për të pirë
dhe për të përgjuar çdo gjë që po ndodhte në atë familje, duke përgjuar se
çfarë njerëzish po sillen në atë familje, çfarë po bisedohet dhe planifikohet
në atë familje , me kënd kanë shoqëri dhe miqësi ajo familje, çfarë luhet e
këndohet në atë familje dhe verifikimi i tyre për posedim të ndonjë armëmbajtje
pa leje !
Të gjitha këto hulumtime, përgjime dhe verifikime incizoheshin, fotografoheshin dhe shënoheshin nëpër procesverbalet interne të spiunëve dhe bashkëpunëtorëve besnikë të sigurimit dhe pushtetit sllavo – komunist, për çka më vonë do të ndëshkoheshin në mënyrat dhe metodat më brutale, barbare e kriminale .
3. Mysafirët dilenxhinj
Kategorinë
e tretë të mysafirëve e përbënin kryesisht dilenxhinjtë , njerëzit me moral dhe
karakter të ulët , ku përfshiheshin kryesisht rrethi shoqëror, kolegët e punës
dhe mysafirët zyrtarë , ku nuk përjashtoheshin as mysafirët zyrtarë serbë, me
të cilët përziheshin familjet , konsumoheshin ushqimet më të përsosura , pemë e
perime, por mbi të gjitha, konsumoheshin pijet alkoolike .
Kjo
kategori e mysafirëve shkonte nëpër familjet shqiptare me të vetmin qëllim: që
t’ ua shohë gratë, nuset dhe vajzat shqiptare, të cilat atë kohë kryesisht
qëndronin të mbyllura brenda katër mureve të shtëpisë, shumë pak prej tyre
shkolloheshin dhe shumë pak prej tyre ishin të punësuara në vendet publike
shoqërore .
Femrat
shqiptare nuk lejoheshin që të shkojnë nëpër lokale hoteliere, kafene ,
vikende, pikniqe , ekskursione , për çka edhe kontaktet me to ishin të pa
mundura !
Andaj,
qëllimi i kësaj kategorie të mysafirëve fund krye ishte që të njihen më për së
afërmi me botën femërore të familjeve të ndryshme , me shpresë se duke u afruar
më afër njëri –tjetrit , duke lidhur miqësi me njëri – tjetrin , më në fund do
të vjen edhe deri tek realizimi i kontakteve seksuale me ato femra !
Metodat
më perfide të kësaj kategorie të mysafirëve ishin rastet kur familjet të cilat
nuk kishin asnjë lidhje tjetër të mundshme për hyrje – dalje në mes veti ,
lidhnin kumbari , përmes të cilave krijoheshin mundësitë ideale për kontaktet e
pa penguara familjare, sidomos me botën femërore .
Këto
kumbari lidheshin kryekëput me ato familje të cilat posedonin potencial të
fortë të gjinisë së bukur femërore .Përveç lidhjes së kumbarive në mes të
familjeve shqiptare, nuk mungonin as lidhjet e kumbarive mes familjeve
shqiptaro – serbe, të cilat përveç arritjeve të kontakteve të pa penguara
seksuale, shërbenin edhe për realizimin e shumë qëllimeve të tjera !
Kumbareshat
, madje , merreshin edhe në të parnë nga dy javë ditë, krahas me bijat e
shtëpisë !
Përveç
lidhjeve të kumbarive në mes të familjeve të ndryshme , praktikohej edhe një
metodë tjetër më perfide, si që ishte “Vëllazërimi”(Pobratimllëku) , apo “Pirja
e gjakut” me njëri – tjetrin !
Pirja e gjakut në emër të “Vëllazërimit” , apo
“Pobratimllëkut”, me ndonjë anëtarë të familjes tjetër, bëhej duke ia shpuar
gishtin njëri – tjetrit dhe duke ia pirë gjakun njëri – tjetrit !
Pas këtij
akti, çdo dilemë dhe dyshim rreth mirëbesimit në mes të dy familjeve të
vëllazëruara , do të zhdukej dhe pastaj
kontaktet “ndërvëllazërore” do të vazhdonin pa pengesa në çdo lëmi të
jetës !
“Vëllazërimi”
(Pobratimllëku) në mes të dy familjeve , përveç që praktikohej në mes të
familjeve shqiptare , ai praktikohej edhe në mes të familjeve shqiptaro –
serbe, shqiptaro – turke, shqiptaro- boshnjake, madje edhe në mes të familjeve
shqiptaro – rome!
Me
ndryshimin e sistemit komunist dhe me ardhjen e demokracisë, në familjet
shqiptare filloi të ndryshojë çdo gjë .
Femrat
shqiptare iu rrekën shkollimit, emancipimit dhe inkuadrimit të barabartë me
meshkujt në sistemin shoqëror . Ato ma nuk mbyllen nëpër shtëpi, nuk presin
mysafirë të asnjë kategorie, qofshin ata barkaçokë, spiunë, apo dilenxhinj !
Gratë e
demokracisë, më nuk janë të robëruara që të gatuajnë e shërbejnë kohë pas kohe
për mysafirët badihavxhinjë dhe barkaçokë !
Mysafirët
spiunë, ma nuk kanë se çka të kërkojnë
nëpër familjet shqiptare, nga se ma nuk kanë se para kujt të spiunojnë, sepse
sundimtarët serbë u larguan nga Kosova, kurse para ndërkombëtarëve nuk mund të
spiunojnë pa e ditur mirë gjuhën angleze, sepse aty do të kërkohej me çdo kusht
ndonjë përkthyes zyrtarë shqiptarë, i cili pastaj do të tregonte se kush po
spiunon !
Kategoria
e mysafirëve dilenxhinj , nuk ka ma se çka të kërkojë nëpër familjet shqiptare,
sepse tash mund t’ i shoh femrat nëpër shkolla, fabrika, zyra ,institucione,
ministri, lokale hoteliere, vikende turistike...pa asnjë problem !
Në anën
tjetër, në sistemin demokratik properëndimor , femrat mbrohen kategorikisht nga
dhuna familjare dhe martesat e dhunshme !
Pra, këto
ishin vetëm disa nga arsyet kryesore për të cilat sot shumica e njerëzve pyesin
me habi:
-Vallë, çka u bë me neve, që pas përfundimit të luftës së vitit 1999, shumë pak mysafirë po shkojnë tek njëri – tjetri?!