Kulturë
Sami Islami: Dimri i vitit 1983
E diele, 17.03.2013, 06:07 PM
DIMRI I
VJETIT 1983
Tregim
(Sipas një ngjarje të vërtetë)
Nga Sami ISLAMI
Ato ditë
qenë ditë të bukura vjeshtore. Koha me diell
më shumë të lente përshtypjen e një pranvere. Ishte fundi i tetorit. Ishte caktuar dita, kur Hana
do të martohej. Dhe vërtetë , kjo kohë ishte si e porositur për t’i bërë
ceremonitë e tilla por,
sigurisht, edhe për punët vjeshtore.
Me
fillimin e javës së re,
të hënën,
nisi të ndryshojë pak moti. Nisi të
frynte një erë nga veriu, e cila sikur po paralajmëronte të reshura të
shumëpritura pas një kohe shumë të gjatë
pa asnjë pikë shiu. Po shi nuk ra deri
aty kah muzgu, sikur edhe vetë natyra
kishte dashur t’i “lejonte” dasmorët t’i kryenin të gjitha ceremonitë e dasmës
para se të ndryshonte moti.
Dhe, atë
natë, duke e pritur shiun, i cili e lagu
tokën vetëm sa për të thënë, si për
çudi, nisën fluskat e para të borës! Dhe
bora që nisi të binte në mbrëmje
vazhdoi deri në mëngjes! Në mëngjes
natyra kishte marrë një pamje tamam
dimërore. Eh, si është kjo klimë kështu
në Dardani, dje ishte verë, sot dimër! Bile në popull nuk përmendet, pothuaj fare as pranvera as vjeshta! Në popull njihen vetëm këto dy
stinë, mu për këto ndryshime radikale që
mund të ndodhin në këto treva!
Kjo borë
e hershme i habiti të gjithë. Sidomos
bujqit, të cilët kishin edhe shumë punë për të bërë para dimrit. Kjo borë nuk ishte shenjë e mirë! Megjithatë askush
nuk e mori me aq seriozitet këtë mot. Të gjithë mendonin se bora do të shkrihej
shpejt dhe njerëzit do të vazhdonin me
punët e vjeshtës , ku kishin ngecur para
se t’i zinte kjo borë tinzare…
Habia u
shtua, kur edhe të nesërmen bora nuk u
ndal fare! Ajo vazhdonte të binte, me ndërprerje të shkurtëra
edhe në ditët në vazhdim. S’u ndal gjatë gjithë javës!… Pas një jave
bora arriti trashësinë rreth pesëdhjetë
centimetra! Disa fshatra malore pothuaj
se u bllokuan, po rrugët u bënë të vështira për qarkullim edhe në rrafsh,
sidomos ato të rendit të dytë dhe të
tretë.
Sipas
traditës, pas një jave martese dikush nga familja e nuses duhej të shkonte për ta marrë
bijën në gjini, por duke e parë se koha
po bëhej shumë e vështirë dhe bora nuk po pushonte ende, vëllazërit e Hanës , e panë më të
arsyeshme që të prisnin edhe ndonjë ditë , sa të “çelej” pak koha dhe do të shkonin, qoftë edhe për një, dy
a tri ditë më vonë. U bë ç’u bë! Këtë askush s’e kishte marrë me mend se do të ndodhte! “Kohës dhe armikut kurrë mos i beso”
u kujtohej atyre një fjalë e urtë popullore.
Parashikimi se moti do të
hapej pas disa ditësh nuk doli aspak i saktë, sepse bora nuk u ndal as me fillimin e javës së dytë..
Trashësia e borës tani arriti rreth një
metër! Komunikacioni rrugor pothuaj u
bllokua! Shkollat u mbyllën! Në viset malore po paraqitej nevoja për t’u shpallur gjendje e jashtëzakonshme, por e
cila nuk u shpall kurrë! Kishte raste që njerëzit edhe kishin vdekur nga
pamundësia për t’i sjellë te mjeku në qytet. Një rast i tillë kishte ndodhur mu
në malësi ku kishte shku Hana nuse! Në rrugët magjistrale dhe ato ndërurbane
komunikacioni po zhvillohej me shumë vështirësi!
-Hë,
çfarë po bëjmë?- i pyeti Dema vëllazërit e tjerë. Nuk shkuam pas javës së parë, kur koha ishte
pak më e mirë, e tash që janë bllokuar krejt rrugët?
- S’kemi
çfarë të bëjmë!- thanë njëzëri..- Nuk kemi si të nisemi nëpër këtë kohë! A po e
shihni se njerëzit edhe po vdesin rrugëve! Sigurisht, të shpresojmë, se moti do të hapet shpejt , kismet, dhe
shkojmë-thanë dhe u mbyll kjo bisedë.
As java e
tretë nuk solli asnjë përmirësim të motit. Kësaj here dimri i hershëm sikur
kishe “vendosur” ta çonte punën e vet
deri në fund! Sikur donte t’u thoshte njerëzve se unë di t’ju befasoj
edhe kështu! Dhe vërtetë bora vazhdonte
të binte edhe më tej. Trashësia e borës tani arriti në një metër e gjysmë! Në viset e izoluara
filluan të angazhoheshin edhe helikopterë për t’u dalë në ndihmë fshatarëve si
në ushqime, poashtu edhe në mjekime.Trafiku pothuaj se u bllokua fare!
Qarkullimi i automjeteve u bë i pamundshëm. Automjetet e vogla nuk
dukeshin fare në rrugë. Po edhe sikur të
dilnin ato nuk mund të shiheshin nga orteqet e mëdha të borës në dy krahët e
rrugës! Në rrugë mund të shihje aty-këtu ndonjë kamion për mirëmbajtje rrugësh
ose ndonjë autobus, të paisur me zinxhirë!
Situata
po acarohej edhe më shumë pas javës së tretë.
Asnjëri nga familjarët e Hanës nuk
dinin çfarë të thoshin, sepse edhe ajo shpresë e vogël për ndalimin e
borës ishte shuar. Rrugët që çonin për
në malësi ishin të bllokuara prej më shumë se dy javësh dhe, praktikisht, as që mund të bëhej fjalë për një hapje të
tyre për komunikacion… Të gjithë ishin të vetëdijshëm se Hana do të ishte
mërzitur së tepërmi, sepse nuk kishte ndodhur, deri atëherë, që dikush të kishte shku nuse dhe të mos ishte kthyer në gjini, pas një apo
dy javësh! Po tani këto punë i “drejtonte” natyra! Ajo çfarë mund të bënin
vëllazërit e saj ishte të uronin që ajo
të ishte mirë, se të tjerat do të bëhen edhe më mirë. Bora ende vazhdonte të binte, trashësia e së
cilës, tani kah fundi i javës së katërt
kishte mbërri afër dy metrash! As
pleqtë më të vjetër nuk e kishin mbajtur në mend një gjë të tillë! Një muaj
bora pa u ndalur fare! Tani për pastrimin e borës, sidomos nga rrugët kryesore,
se për të tjerat as që bëhej fjalë,
ishte angazhuar ushtria, me disa makina pastruese të borës shumë të sofistikuara. Ato kishin aso lloj
mekanizmash, të ngjashëm me kombajnat shirëse të grurit. E merrnin borën nga
rruga dhe, nëpërmes disa turbinave gjigante e hedhnin disa metra
larg trasesë , duke e “prerë” borën vertikalisht dhe duke krijuar
“korridore bore” në rrugë! Nga
trashësia e borës, përveç automjeteve të rënda nuk dukej asgjë në trasetë
rrugore! Rruga i gjasonte një kanali gjarpërues!
Atë ditë
kur u mbush pikërisht një muaj nga dita
kur Hana kishte shkuar nuse, dhe duke e parë se bora s’e kishte “ndër mend” të ndalej, Dema kishte vendosur të shkonte te motra në
malësi, për ta marrë atë në gjini. Vëllazërit e tjerë u habitën me ketë vendim, por kur e panë se ai kishte marrë
vendim të prerë, nuk e ngucën. Zema, njëri nga vëllazërit, nuk deshi ta lente Demën të merrte vetëm këtë rrugë!
Iu bashkua edhe ai. Dhe të dy vëllazërit e morën një nga autobusët e rrallë, që kishin
nisur të qarkullonin, pas pastrimit të rrugëve nga makineria ushtarake. Ishin të vetëdijshëm se do të duhej të kalonin edhe kilometra të tërë
në këmbë në terrenet malore, të bllokluara prej javësh! U nisën pa ditur se
çfarë mund t’u ndodhte rrugës. Qëllimi ishte më i fortë se rrethanat e
udhëtimit!
Autobusi
u mbush plot me udhëtarë. Po ecte
ngadalë në mes të dy “mureve” të
borës! Nga të dy anët nuk mund të shihje asgjë tjetër përveç murit të pambarim
bore i prerë vertikalisht! Kishe përshtypjen se
autobusi, edhe po të “donte” ta devijonte rrugën s’kishte ku të shkonte
, pos të ndeshej në murin e borës! Ishte ky një përjetim i çuditshëm! Kurrë
s’kishin pasur rastin të udhëtonin në këso kushtesh! Anash nga dritarja e autobusit nuk
shihje gjë tjetër pos bardhësisë së
paskaj dhe murit të borës të pafund! Në
vendet ku ishte stacioni rruga ishte pak
më e zgjëruar. Kishe përshtypjen , poashtu, se po të mos e njihje pak a shumë
relievin e Dardanisë, nuk besoj se do të dije se ku është ky apo ai vend! Ky
apo ai stacion! Nga ngarkesa e madhe, edhe autobusi dukej sikur “rënkonte “! Qetësinë brenda e prishte vetëm
zhurma e motorit. Për një çast këtë qetësi e theu zëri i kondukterit, i cili tha:
-Kush
është për malësi duhet të zbres këtu!
Dhe pasi
zbritën Dema dhe Zema bashkë me nja dy udhëtarë të tjerë, autobusi vazhdoi
rrugën, kurse të katër udhëtarët u nisën shpatit përpjetë. Tani ata vetë do të duhej të çanin rrugën, e cila
vëtëm sa dukej se dikush kishte kaluar aty pari shumë kohë më parë. Dhe
bora, për çudi edhe më tej binte.
Prej ku i
la autobusi e deri te shtëpia e motrës
së tyre nuk kishte më shumë se nja katër – pesë kilometra, po ky rrugëtim zgjati katër orë e sa! Vetëm pak para mbëmjes arritën në
malësi. Po si do ta gjenin, tani shtëpinë e motrës, në këtë kohë të keqe rrugë e pa rrugë, që nganjëherë edhe
vetë vendasit mund ta ngatërronin! Këtu
bora kishte arritur pothuaj barabar me muret e oborreve!
Nuk shihje lëvizje njerëzish!
Fundja kush do të dilte jashtë në këtë
kiamet, siç kishin dalë ata? .
Dhe
vërtetë fshati dukej tamam i
paralizuar! E vetmja gjë që të jepte të
kuptoje se kishte jetë në fshat ishin oxhaqet
e shtëpive që në atë buzëmbrëmje nxirrnin tym vazhdimisht. Edhe oxhaku i
shtëpisë, ku ishte martuar motra e tyre
tymoste.
U afruan
te dera e oborrit, e cila , për çudi ishte gjysëm e hapur. Dema e thirri nja
dy- tri herë në emër dhëndrin, po asnjë përgjegje. U futën brenda
në oborr. Te hyrja anësore, aty nga u futën, ishte një kasolle e qenit, po qen brenda nuk panë. Vazhduan të
thërrisnin edhe kur u futën në oborr, por
asnjë zë njeriu nuk u përgjigj! Çudi, as qeni nuk u ndi i gjallë (edhe pse më vonë kishin kuptuar se kishte
qenë në kolibe)! Si duket, i shkreti, nga të ftohtit kishte vendos ta
“bojkotonte” mbrojtjen e shtëpisë!
Oborri i dhëndrit iu duk edhe më i madh se ç’ ishte në të vërtetë! Edhe
rruga nga dera anësore e deri te dera e shtëpisë iu duk shumë e gjatë (në
malësi zakonisht dyert e oborrit janë bukur larg shtëpisë),
sa nga dëshira për ta takuar
motrën pas një muaji, sa nga nga një dozë frike, se mos po i binte në “mend “
qenit se dy njerëz të huaj kishin hyrë në oborr, pa përcjellje nga i zoti i
shtëpisë dhe do t’i priste miqtë , në
mënyrë jo bash “miqësore”!
Me këto
mendime në kokë Dema dhe Zema u gjenden mu në prag të shtëpisë së
dhëndrit. Dema hoqi kapelën dhe e shkundi nga bora, po Remës, nga që nuk kishte
kapelë, flokët iu kishin lagur dhe bora
mbi kokë vazhdonte t’i krijonte një si strehë para ballit, të skuqur nga bora
dhe të ftohtit.
Dema
trokiti lehtas dy-tri herë në derë, po
prapë, me gjasë, nuk dëgjoi kush. Pastaj trokiti më fort. Tani u dëgjua se dikush lëvizi
nga brenda në korridor. Dera u hap dhe në derë doli dhëndri. Ai mbeti për pak çaste si i shtanguar, pa folur
asnjë fjalë, sikur u befasua që i pa miqtë në derë në atë kohë të pa kohë!
Ishte diçka e papritshme në të vërtetë!
U përshëndetën dhe ende pa u futur brenda u dëgjua zëri i nënës së dhëndrit:
-Kush
është në këtë kohë, o bir?
-Dy
vëllazërit e Hanës , oj nanë! Hana posa e dëgjoi këtë lajm, pa thënë
asnjë
fjalë vrapoi tek dera. Me lotë rrëke i mori të dy vëllazërit ngrykë
përnjëherësh. Ajo nuk mund të fliste, se një lëmsh malli ia kishte zënë grykën!
Ajo i shtërngonte vëllazërit sa mundte dhe qante. Dhe s’kishte faj e shkreta !
Ajo, më shumë se askush tjetër ia kishte pa sherrin kësaj bore të pabesë, e
cila kishte bërë që ajo të “humbte”,
sikur në përralla pas shtatë detesh e pas shtatë kodrash! Dhe prapë si në
përrallë, apo si në ëndërr po i vinin
vëllazërit për ta marrë nëpër atë mot të jashtëzakonshëm, që e kishte
paralizuar çdo gjë, por jo edhe dëshirën
e vëllazërve për ta sjellë motrën në gjini.
***
Dhe , të
nesërmen ,pikërisht pas një muaji e dy ditësh,
dielli u duk prapë. Bora
pushoi, por nuk u shkri
deri në pranverë! Ky qe edhe dimri më i gjatë dhe më i vështirë në
Dardani!