Kulturë
Halil Haxhosaj: Halit Alijaj - ''Peizazh bukurie''
E shtune, 16.03.2013, 05:03 PM
ATDHEDASHURIA,
LIRIA DHE LUFTA PËR TË, PEIZAZH ARTISTIK I POEZISË
Halit Alijaj: “Peizazh bukurie”, poezi, botoi “Çlirimi”, Prishtinë, 2005.
NGA HALIL HAXHOSAJ
Halit
Alijaj me shkrime poetike është marrë që kur ishte nxënës, madje i shkollës
fillore, por intensifikimin dhe marrjen më këtë gjini letrare e bëri sa ishte
nxënës i shkollës së mesme, duke rënë në kontakt jo vetëm me poezitë e veprat e
shkrimtarëve tanë të njohur të asaj kohe, por edhe më gjerë, madje edhe të
atyre nga Shqipëria. Kështu, ai tregoi
aftësinë dhe talentin e një krijuesi, jo vetëm të poezisë, por edhe të
pikturës, ngase krahas shkrimit të poezive, pikturoi edhe peizazhe, motive,
madje edhe gjera të tjera interesante të natyrës, portreteve të figurave tona
të historisë kombëtare, por edhe më gjerë.
Duke u
inkuadruar herët në lëvizjen për çlirimin e Kosovës nga falanga e egër
shekullore serbe, ky krijues e ndjeu të nevojshme që përveç aksioneve dhe
formave të tjera të luftës, e zgjodhi edhe kontributin, pse jo edhe luftën me
pendë e brushë për këtë qëllim. Dhe kësaj siç duket ia arriti me sukses, sepse
që në vitet e 80-ta të shekullit të XX-të, shumë poezi i botoi në faqet e
gazetave dhe revistave të kohës, në Kosovë, Maqedoni e më tutje. Këtë e
vërtetojnë edhe datat dhe vendet e shënuara në fund të poezive të botuara në
faqet e veprës së tij të parë poetike me titull “Peizazh bukurie”.
Vargëzimi
i dhënë në këtë vepër dhe në strukturimin e saj poetik përkon me identitetin,
prejardhjen, dashurinë ndaj atdheut, ndaj kësaj bote reale, për të cilën njeriu
fundja ka nevojë kudo qoftë ai. Koncepti ideor i autorit të veprës, është i
ndërthurur me ndriçimin historik të identitetit tonë, i cili mezi qëndroi nëpër
kohë e hapësirë. Mbase, vargëzimi poetik, përkatësisht koncepti diametrik,
subtil e artistik dhe lidhshmëria konceptuale në mes tyre, e cila shkon deri në
spontanitet, e bën këtë poezi paksa specifike, deri diku të angazhuar në
kuptimin e mirë të fjalës, e pse jo edhe të veçantë. Figurat dhe fjalët që
reflektohen në formë mesazhi do ta begatojnë edhe më tej atë, sidomos porosia që
vjen në figura e shprehje të ndryshme, do të nënkuptojnë se etja për çlirim dhe
liri është nevojë emergjente për të gjithë të okupuarit dhe të nënshtruarit me
shekuj nga okupatorë të ndryshëm në këto troje.
Tërë këtë
koncept dhe synim të vetin krijues, autori Halit Alijaj, e koncepton në
strukturimin e veprës së vet nëpër tri koncepte, që janë qerthuj apo cikle
poetike, si: 1. Plagë malesh, 2. Ti poezia ime dhe 3. Jam bir i kësaj
toke, që hapen me poezinë jashtë ciklore e qerthullore “Identikë”, e
cila është çelës edhe i veprës në tërësi ngase për ta fituar lirinë dhe për t’u
çliruar nga okupimi shumëshekullorë secili duhet ta jep kontributin e vet sipas
forcës, diturisë, mundësisë, por edhe profesionit, sepse:
Ti pranë
gurit të mullirit
Me fanar
në duar
Bluan
drithë për popullin
Unë pranë
fletores
Mendime
për popullin
Për të vazhduar më tutje, duke
konstatuar poetikisht:
Sa të
ndryshëm
Sa të
njëjtë
Që jemi
Nëse
lexohet, por edhe analizohet me vëmendje dhe më një përkushtim paksa më të
thellë, shihet se kjo poezi përveç që ka mesazh është edhe një emancipim, i
cili mëton të ketë tezë të caktuar. Kjo nuk është fare e dëmshme, madje as
anakronike, nëse zbresim në kohën edhe hapësirën e caktuar të Kosovës, e cila
lëngonte pas vitit 1981, jo vetëm nën robëri, por edhe nën një trysni të
eliminimit të ndjenjës kombëtare dhe të emancipimit të gjithçka që ishte
shqiptare. Nën këtë rrezik të madh të zhbërjes kombëtare, studentët organizuan
demonstrata kundër pushtuesit shumëshekullor sllav dhe bashkëpunëtorëve të
tyre. Demonstratat e studentëve i përkrahen edhe poetët, shkrimtarët, e
krijuesit shqiptarë me veprat e tyre duke mishëruar me ta vargje, metafora,
figuracion e të tjera. Në këtë frymë janë edhe shumë poezi të kësaj vepre të
autorit Halit Alijaj.
Në
qerthullin e parë “Plagë malesh” të veprës, autori shtrin konceptin mbi
të cilin gjurmon brenda një hallke të errët të historisë, duke kërkuar dritën e
lirisë mbështetur mbi trashëgiminë e shenjtë kombëtare. Mu tash ishte momenti
më kulminant, sepse veç kishin filluar të dridheshin themelet e asaj katrahure
okupuese, andaj duhej që drita e lirisë së atdheut, pra Kosovës, të arrinte
fitoren finale. Poeti, përveç botëkuptimit ideor, në vargëzimin e vet ka
përdorur në situatat dhe rrethana të caktuara edhe tematika përkushtuese, për
Kosovën, Mic Sokolin, Vlorën, flamurin, nënën, kanunin e shumë hallka të tjera
të mbiqenies kombëtare. Koncepti ideor i autorit është i ndërthurur në shumë
sakrifica që kanë shkaktuar plagë, madje edhe plagë malesh, vdekje, por edhe
krenari dhe histori të ndritur kombëtare. Të gjitha këto arrihen mbështetur mbi
krenarinë, luftën por:
Trimi
lindi në male
Gjoksi iu
bë shkëmb
E ia
mbështeti topit
Kohët
ushtuan në grykën e tij
E malet
lëshuan ofshamë krenarie
shprehet autori në këto vargje kushtuar
trimit kombëtar Mic Sokolit në poezinë me titull “Dielli lind”.
Vargëzimi i këtillë shkruan historinë kombëtare, e cila në kohërat kyçe në
luftë për çlirim ishte kushtrimi më zëdhënës dhe më kumbues. Figurat dhe fjalët
që reflektohet në formë mesazhi e begatojnë edhe më tej frymëzimin artistik,
sidomos porosia që vjen me figura të ndryshme do të nënkuptonte se etja për
liri është nevojë emergjente.
Në këto
kohë të trazuara kullat e malet gjithmonë janë hedhur në valle, duke përqafuar
jehun e fitores për ta kremtuar në Ditën e Madhe. Kjo është bërë dhe bëhet edhe
tash, sepse ky komb, i cili është i fortë si shkëmbi në kohëra, u lind, u rrit
në flakë, duke u përkundur në djepin e shpuar së bashku me pavdekësinë e
rritës. Kurorëzimi i tërë kësaj katrahure, përndjekje e gjenocidi ka një fund,
sepse Kosova është burrëreshë dhe nuk jepet. Ajo është drita e syve, belbëzimi,
vaji, malli, por edhe krenaria dhe gëzimi i të gjithëve. Ajo është nënë e madhe
e shndërruar në këngë që kurrë nuk shteron, andaj për të dhe lirinë e saj nuk
duhet të kursehet asgjë, madje as jeta.
Vargëzimi
me timbër të këtillë kushtrimi, mobilizimi, kënge e thirrje për luftë
çlirimtare shihet i kultivuar edhe në vargjet e qerthullit të tretë “Jam bir
i kësaj toke” i veprës “Peizazh bukurie” të autorit Halit Alijaj.
Këtë ai e bën duke pohuar se është bir i kësaj toke dhe ndihet krenar, në
njërën anë, por edhe borxhli për të luftuar për lirinë dhe çlirimin e saj, në
anën tjetër. Bijtë më të mirë të Kosovës nuk kursyen asgjë, madje as jetën
vetëm për ta çliruar atë nga falanga serbe. Ndër ta është i njohur edhe
dëshmori Avadyl jasiqi, rënia e të cilit paraqitet artistikisht në poezinë
akrostik “Atë natë”.Vargëzimi i poezive të këtij qerthulli është i
mbarsur dhe i pasur me figuracion më të pasur dhe më të dendur. Kështu tani
forma e shprehjes artistike ka shtrirje vertikale, e cila duke u bashkëdyzuar
me kënde e anë të tjera shpreh më shumë thellësi dhe begati. Andaj më dendur
këtu dallohen edhe figurat si metafora, simboli, personifikimi, gradacioni e të
tjera. Mbi këto figura ndërtohet dhe shprehet edhe qëllimi i autorit dhe i
vargëzimit të tij. Duke biseduar me lule që të gëzohen për ardhjen e pranverës,
ai kërkon që të gëzohet gjithçka, sepse tashmë erdhi stina e pranverës dhe çdo
gjë ndryshoi. Edhe errësira, robëria, katrahura dhe të gjitha të këqijave iu
ndërroi stina,. Andaj edhe liria është nisur dhe është afër për të mbërritur në
këto troje.
Më thanë
Se toka u
mbush lule gjaku
E tani po
besoj se nesër
Pranvera
do të lulëzojë
(Poezia: “Më thanë”)
Në poezitë
e qerthullit “Ti poezia ime”, autori angazhohet që me anë të vargjeve të
poezisë së tij ta paraqet dhe shpërfaqë tërë qëllimin, synimin dhe angazhimin e
vet prej individi për lirinë e atdheut. Andaj, ai do që vargjet e poezisë së
tij mos të veniten, madje as të mos frikësohen as prej kritikës, sepse misioni
i tyre është i shenjtë, është madhështor dhe është obligues tash në këtë kohë e
hapësirë.
Ç’thua ti
A di
kritiku
Që jeta
jonë në shekuj
Qe e tillë
thotë ai në këto vargje përmbyllëse të
kësaj poezie.
Në gjirin
e disa vargjeve shihet edhe përshkrimi i mërgimit, plagës më të rëndë të
popullit, të shkaktuar nga okupatorët e të gjitha ngjyrave të epokave
historike. Por kjo plagë tashmë është tjetër, është më shëruese dhe më
frytdhënëse.
Në
vargëzimin e poezive të veprës së Halit Aliajt me titull “Peizazh bukurie”
defilojnë edhe tema, motive, mesazhe dhe trajtime të tjera, të cilat kanë
funksion dhe orientim të caktuar e të duhur, duke qëndruar në simbiozë njëri me
tjetrin në qendër me motivin e atdhedashurisë e pasurojnë dhe e ngritin
cilësinë e kësaj vepra të parë me poezi të këtij poeti.
Edhe figuracioni i shtrirë në gjirin e tyre frymon artistikisht, duke u përshtatur me të gjitha ato që i mëton autori. Gjuha dhe strukturimi i veprës qëndrojnë dhe janë në funksion me të arriturat e veprës në tërësi. Edhe pse ky është libri i parë e tij, besoj se, autori, në të ardhmen do të krijojë vepra edhe më të latuara, sepse tani veç është nisur për të marshuar rrugës së ndjeshme të poezisë.