Kulturë
Vangjush Saro: Shënime për një lirik të spikatur
E diele, 17.03.2013, 10:58 PM
Shënime
për një lirik të spikatur
(Duke lexuar dhe ndjerë poezitë e Vangjush Zikos)
Nga Vangjush Saro
Ajo që mund të thuhet me siguri është se për Dhori Qirjazin mjedisi ka qenë pak inkurajues; për fat të keq. Kolonja, një krahinë që dikur kishte pasur aq shumë lavdi, u harrua, bashkë me ata pak intelektualë që kishte prodhuar. Vangjush Ziko, gjithsesi, jetoi në një qytet më të madh dhe jo thjesht “me tradita”, por edhe me një rafsh kulturor të lexueshëm: qyteti i Spiro Kondës, Vangjush Mios dhe Kristo Konos; kishte atje një teatër, ku kishin dirigjuar Piro Mani dhe Mihal Luarasi, më pas Dhimtër Orgocka; shkruanin atje Sotir Andoni, Teodor Laço e Petraq Zoto, më pas Kostaq Duka e Skënder Rusi.
Megjithatë, të më ndjejnë të gjithë bashkëqytetarët e mi, Korça është një emër që heraherës pushtohet nga fanatikët...Mandej, njëlloj vetëkënaqësie dhe aristokratizmi fals e ka larguar atë gjithnjë nga dinamika të tjera, më korente. Mbase nuk mundej ndryshe; pavarësisht se edhe në Tiranë gjithçka ishte e kufizuar, këtu antenat ishin më të larta, shkëmbimet e pakta me botën, lejonin sadopak prishje kufijsh e thithje të një “temjani” tjetër. (Artistik.) Këto, gjithsesi - e them në mënyrën më të çiltër - janë përjetime e përfundime vetiake; që askujt nuk ia imponojmë dhe me të cilat askënd nuk do të duhej të lëndonim. E rëndësishme është të vlerësojmë se duke kapërcyer vitet, Vangjush Ziko diti të lexonte realitetin me mendjen e vet. Asnjëherë nuk e tërhoqi fraza e angazhuar. I qëndroi besnik rafshit ku ndjehej më mirë: lirikës.
Një hop të dukshëm, të paimagjinueshëm, kam parë veçmas në ciklet e tij të shkruara në vitet e fundit; (nëse jo shumë vjersha janë shkruar dikur, por nuk mund të botoheshin). Këto cikle, të botuara në disa gazeta apo edhe në revistat e nderuara “Fjala e lirë” dhe “Zemra Shqiptare”, na kanë përsëritur si të thuash mësimin se gjaku nuk bëhet ujë. Që do të thotë se poeti mbetet poet; kur ai është një profesionist, e shpërfaq këtë në gjithë krijimtarinë e tij, me hope ose jo, duke prodhuar shumë publicitet për veten apo pak, mbase edhe aspak...Por gjithnjë i prirur të bëjë artin e vet. Ashtu si të pakët janë ata që e bëjnë lirikën: “Më hodhi dimri/ duke shkundur retë,/ kristalet e bardha/ mbi thinjët e mia./ Thinjë/ mbi thinjët që pata./ Me ëndrra rinie/ u gdhi nata.” (Thinjët e dimrit)
Ashtu si kam shkruajtur edhe në një tjetër shënim, vjershat e tij vijnë si një këngë lirike e kënduar herët, e ndërprerë, por e kënduar sërish; nganjëherë ato të kujtojnë serenatat korçare, nganjëherë brenga të pathëna, përjetime që janë aq komplekse; gjithnjë dhe gjithçka në emër të një sinqeriteti karakteristik për poetët e mirë. Dhe ashtu si gjithë poetët e mirë, ai nuk e heq asnjëherë nga pamja flugerin e vendlindjes. Në fakt, ne jemi andej nga vijmë. Sado larg atyre rrugëve të shtruara me gurë - që për fat të keq, këto kohët e fundit, nuk më janë dukur aq të pastra e të dëlira si dikur - mendjen e kemi atje. Dhe shpesh na bëhet sikur mëngjesin tjetër do të zgjohemi në shtëpinë e vjetër. Dhe yjet janë ndryshe. Mbase edhe bora. “Pendë të buta mjelme/ më përkëdhelën një çast në shpirt/ dhe u tretën.” (Pendë të buta mjelme) Atje ka mbetur fëminia dhe gjithë koha e shkuar në ëndërr apo në një realitet të dyfishtë; (në realitetin poetik dhe në atë të përpëlitjes së përditshme për të jetuar).
Në shënimin tim në proces “Naivitet, gjetje, talent”, shprehem se fëminia është më shumë se gjysma e krijimtarisë dhe e fatit të çdo krijuesi. Në një pjesë të madhe të veprave më të spikatura, kudo në botë e nëpër kohëra, mund të shikosh përjetimet më të ndjera dhe më “naive” të fëminisë së krijuesve. Disa nga krijimet më të ndjera dhe më të çuditshme të Vangjush Zikos i referohen pikërisht kësaj kohe që...asnjëherë vitet dhe dramat nuk arrijnë ta kallkanosin. Poeti ka një raport të patjetërsueshëm me fëmininë, ai e mban të gjallë atë përmes rikrijimit të përjetimeve. Ato shfaqen dhe yllëzohen vetiu.
Vjersha “Fëminia” e shpreh më së miri këtë gjendje sinqeriteti pa anë e, deri diku, këtë naivitet që të mbërthen e të bën për vete më shumë sesa qindra vargje ku fjala shkon kuturu. Ai vizaton këso: “Yjtë e qiellit/ mbi djep,/ patjetër shikonin.” Më tej: “Purtek' e mënjollës/ më bënte kalorës.” (Kisha kohë pa hasur një asonancë kaq të goditur.) Dhe pastaj, po ai vizion në një tjetër vizatim gjithaq poetik: “Një dorë që njoh,/ mua të lidhurin/ në të thinjurin djep,/ më nanuris,/ mjaltë ëndrrash më jep/ nga hojet e fëmijërisë.” (Zë i dashur) Vështroni se si vërsulen metaforat në një betejë të heshtur për të gjetur sadopak protagonizëm. Është nëna. Është gjyshja. Poeti nuk duhet të japë shpjegime. Poeti nuk jep shpjegime. Ai nuk di të na thotë ku fillon filozofia dhe ku ajo bashkëjeton me artin, në ç’kthesa e labirinthe të shpirtit ravgon, teksa mesazhi kumbon sikur edhe ti ta kishe përjetuar atë çast. Ai të ka përfshirë në mjegullën e vet poetike. Ja ky është arti.
Vangjush Ziko është një poet thellësisht lirik. Dhe lirizmin e tij nuk e shkëmben me asgjë. Ai mund të shkruajë nganjëherë me metrin klasik, por në atë çka ndjen, është një vizatues i përkorë i peizazheve dhe këngëtar i të gjitha kohërave: “Çelën bliret e bulevardit/ Dhe ftuan çiftet në shëtitje./ Që nga kurora e Moravës/ E pashë, flladi me flatra vinte./ E pashë ja, me këta sy/ Si i trazonte lulet e blirit,/ U shkundte çifteve mbi sup/ Ëndrra me ngjyrën e floririt.” (Bliret e bulevardit) Për poetin, dashuria përherë qëndron përmbi kohërat. Është një ndriçim ndryshe. Vitet mund të thinjen, kujtimet asnjëherë. “E mban mend/ kur shëtisnim bashkë të dy/ sikur ishim në një tjetër yll.” (Ato çaste) Sjellja e poetit me këto kryetema të gjinisë lirike, është ajo e vëzhguesit të hollë të jetës, sa edhe e mjeshtrit të gjetjeve shteruese. Por vargu i tij ndehet edhe përtej termave antologjikë, ku jeta merr përmasa të tjera: “Është ora kur mbërijnë/ avionët e largët/ Me rrezet e diellit/ akoma mbi krahët.” (Aeroporti) Ndonjëherë, ritmi i përjetimeve të tij shkon drejt një mirësie dhe harmonie pa fund: “A s' është Bota/ bredh i përbashkët/ ku ne festojmë/ bajram dhe pashkë.”
Vangjush Ziko është një lirik i spikatur, që ka vendin e vet të rëndësishëm në poezinë shqipe dhe që ka sjellë e vazhdon të sjellë kontribut të vyer në krejt hapësirat e kulturës sonë kombëtare.