Kulturë
Ilir Çumani: Mjerimi në spitale
E hene, 18.03.2013, 09:10 PM
MJERIMI
NË SPITALE DHE MORALI I “SHËRBËTOREVE” TE HIPOKRATIT
Një
situatë alarmante në spitale e ka nxjerrë krejtë të paaftë premtimin politik se gjërat kanë
ndryshuar në mjekësi. Kjo është arsyeja
që autori e shpreh këtë
në artikullin e tij dhe rreshton një sërë argumentesh…
NGA ILIR ÇUMANI*
Mediat spanjolle
janë tmerruar me spitalet shqiptare. Në një reportazh të publikuar nga “20
minutos” thuhet se spitalet në Shqipëri janë si në Luftën e Dytë
Botërore.
Në shkrim thuhet se
më shumë infektohesh në spitale, sesa shërohesh.
Ilaçet mungojnë,
ndërkohë që brenda në ambientet e QSUT – së, mund të gjesh që nga kafet e
deri tek serviset e makinave. Drejtuesit e spitaleve janë partiakë të thekur,
- thuhet në shkrim, - ndërsa korrupsioni është në nivele alarmante.
Në shkrim thuhet se mungojnë qendrat shëndetësore në vend, ndërsa shumë banorë
duhet të ecin kilometra të tërë për të marrë shërbimin parësor. Ndryshe ndodhte
në komunizëm, - thuhet në shkrim, - ku edhe zonat më të thella kishin
shërbim mjekësor dhe ai ishte falas.
Ky ishte komenti që
bënte shtypi spanjoll për gjendjen e mjerueshme të spitaleve tona, por pa hyrë
akoma edhe me thellë në detaje të jetës së përditshme të këtij shërbimi që në
përgjithësi çdo hallexhi do ta pranonte kokëulur varfërinë,
mungesën e ngrohjes dhe të ujit, por asessi nuk do të dëshironte dhe nuk
do të pranonte të përfundonte dyerve të spitaleve tona që janë në pikë të
hallit.
Shumë njërëz nuk
kanë mundësi të vizitohen sepse nuk kanë të ardhura dhe jetojnë në një minimun
jetik të varfërisë, në luftë me mbijtetesën.
Si kudo, edhe
mjekësia është dehumanizuar ca më shumë nga disa sektorë të tjerë publik
dhe privat në këto 22 vjet të tranzicionit të zgjatur pa shkak. Të
dypunësuar në sektorin shtetëror edhe në
atë privat, një pjesë jo e vogël e
mjekëve në marëdhënie okulte dhe bashkëpunim me segmente të caktuara të
sistemit administrativ korruptiv
që tashmë kanë krijuar oligarkinë e tyre në këtë sektor jetik të vendit, janë kthyer në një babëzi kolektive drejtë
një pasurimi galopant dhe pa fre ku mund të thuhet pa frikë se, ata janë
evazionistët më të çuditshëm dhe më të
mëdhenj fiskal duke mos deklaruar fitimet e tyre marramendëse me bekimin e
pushtetit dhe politikës.
Duke patur akses në
marëdhënie dhe punën shtetërore, nën ndikimin e trafikut të influencës të
lidhur në mënyrë nepotike me hierarkinë dhe njerëzit e pushtetit,
qëllimshëm ata e kanë degraduar në mënyrë të shëmtuar shërbimin spitalor publik, për të
begatuar shërbimin spitalor privat, nga
i cili burojnë fitime marramendëse. E gjitha kjo nuk është rastësi.
Përkundrazi!
Gjatë këtyre 22
vjetëve, shpesh herë kemi dëgjuar kinse nëpër
fushata elektorale dhe foltoret e
institucioneve më të larta të shtetit shqiptar oratorë politik që flasin
me pathos për luftën ndaj korrupsionit dhe reformat që duhen të ndërrmeren
në të gjithë sektorin e mjekësisë, por, pakkush e kupton se kjo
është thjeshtë një “lojë”
dhe demagogji e atyre që na
kanë keqqeverisur dhe na keqqeverisin në
mënyrë abuzive.
Arsyeja është fare
e thjeshtë. Oligarkia që ka
mbërthyer në mënyrë kapilare pikat kyçe
të korrupsionit galopant në tërë rrjetin e shërbimit mjekësor, reciprokisht jep edhe merr me politikën në mënyrë të ndërsjelltë. Në këtë kuptim,
kupola e kësaj oligarkie, (që janë militantët partiakë që drejtojnë
hallkat kyçe administrative të sektorit të shëndetësisë në vend), e ka
keqpërdorur dhe e keqpërdorë elitën e
inteligjencës mjekësore si një aset elektoral
për të bërë lobimin në favor të pushtetit politik, të atyre që na
qeverisin në mënyrën më të keqe dhe të
pamerituar.
Nga ana tjetër si shpërblim,
politika me veprimet dhe
mosveprimet e saj, gjithmonë ka ditur të mbyllë
sy e vesh në favor të kastës oligarke që mban peng reformën mjekësore. Pra, e gjitha kjo, është një marëdhënie midis politikës dhe kupolës
oligarkike në interest të këtyre
të fundit dhe në dëm të qytetarëve të
këtij vendi.
Është kjo një nga
shumë arsyet përse korrupsioni masiv në
Shqipëri për më shumë se dy dekada
"noton" në mënyrë skrupuloze dhe të rafinuar në gropën e zezë sociale, nga ku të ardhurat që përfitohen në rrugë të
paligjshme dhe të pandershme, përqëndrohen në pak duar të atyre që konsiderohen sot
“elita e kapitalizuar” e disa profesionistëve arrogantë dhe prepotentë
në marëdhënie me të varfërit dhe shtresat e pambrojtura të shoqërisë.
Ja edhe një arsye
më shumë, përse arkës së së shtetit i mungojnë çdo vit qindra
miliona euro, që, nëse ato do të
mblidheshin me drejtësi duke respektuar barazinë e ligjit, konkurrencën e ndershme të ekonomisë së
tregut të lirë, këto të ardhura të konsiderueshme për buxhetin e shtetit do të
vlenin për të tjera punë
dhe shërbime publike e sociale në favor të përmirësimit të
kushteve dhe cilësisë të jetës së qytetarëve dhe njerëzve në
nevojë.
Nga përvoja e
praktikës botërore
Një mjek i zemrës,
kardiolog, radiolog, patholog, gastrohepatolog, urolog, endokrinolog, pediatër,
hematolog, etj, në vendet e perëndimit nuk mund të planifikoj më shumë se
1 deri në 2 vizita në ditë me pacientët e tij.
Këto konsulta, kontrolle dhe
vizita mjekësore planifikohen nga mjeku specialist më herët, me një
grafik sipas numrit të caktuar të popullatës dhe juridiksionit
territorial që mbulon me këto shërbime.
Arsyeja përse
mjeku specialist në vendet e perëndimit e shpenzon të
gjithë ditën e tij të punës me 1 apo 2 vizita mjekësore, ka
të bëjë me faktin sepse pacienti i tij i nënshtrohet një konsulte
të thellë dhe të gjithëanshme, me procedurë të gjatë e
të detajuar për ekzaminimin e problemit shëndetësor që ai ka, duke mos
përjashtuar edhe konsultat në ekip me mjekë të specialiteteve të
tjera të cilët thërriten në konsultë nëse nevojitet, sipas rastit.
Kurse në Shqipëri,
në klinikat private dhe shtetërore, një pjesë mjekëve që kanë monopolizuar
ekstremisht në pak duar shërbimet në profesionin e tyre duke mos u lënë
as radhën të rinjve që janë specializuar dhe kanë marrë njohuri
edhe më bashkëkohore në shumë universitete prestigjoze të botës, planifikojnë
dhe munden të realizojnë 50 deri në 100 vizita dhe diagnostikime
rutinore në ditë, kundrejtë pagesave shumë të kripura dhe të
papërballueshme nga pacientët e këputur, tarifa të cilat në të shumtën e
rasteve nuk deklarohen prej këtyre mjekëve.
Por, megjithë
kohën e pamjaftueshme fizike të disa mjekëve specialistë të spitaleve
tona publike dhe private për të përballuar në një ditë të vetme me
sforco në një aventurë të paimagjinueshme një numër rekord vizitash apo
ndërhyrje kirurgjikale, madje disa herë tej normës dhe standarteve
që aplikojnë homologët e tyre në vendet fqinjë dhe në përëndim,
pyetja që të lind me të drejtë në këtë rast është: sa rezultat, garanci,
saktësi dhe cilësi kanë këto ekzaminime dhe konsulta, përfshirë dhe
ndërhyrjet kirurgjikale tek pacientët e trajtuar nga këta mjekë?
Për të mos paragjykuar të gjithë atë armatë të
shëndoshë të mjekëve që me punën, integritetin dhe
përkushtimin e tyre profesional, një jetë të tërë kanë dhënë dhe
japin një kontribut të çmuar në mbrojtjen dhe shpëtimin e shumë
jetëve njërëzore, siç janë mjekët e nderuar dhe tepër të
respektuar, Dhimitër Kraja, Ilirjana Ruka, Feçor Agaçe,
Themistokli Sinjari, etj, është vendi të përmend dy episode që nuk e
nderojnë aspak këtë profesion human dhe po aq fisnik. Përkundrazi, e
kompromentojnë dhe e njollosin rëndë atë.
Profesori i
nderuar, duke patur integritetin e tij profesional dhe atë moral,
edhe pse rrogën e kishte mjaft të mirë në këtë vend pune, nuk u bind
dhe nuk i’u nënshtrua disa kërkesave absurde të administratorit,
kërkesa këto që binin ndesh me kodin etik, profesional dhe
parimet humane të mjekut. Pas 6 muaj pune në këtë spital, profesori
u thirr nga administratori i këtij institucioni privat i
cili i kërkonte që të gjithë pacientët që vinin për vizitë
tek ai, të mos i përcillte vetëm me një vizitë, por t’i mbante sa
më gjatë, ti sorollaste pa fund përmes bërjes së vizitave,
konsultave dhe analizave të panevojshme
që kishin si qëllim mbushjen e arkës së administratorit.
Pas këmbëngluljes
së admninistratorit për të arritur marrëveshjen në favor të tij me
mjekun, profesori i nderuar zgjodhi të dorëzonte çelësat e klinikës
së tij për të qenë faqebardhë dhe i qetë me ndërgjegjen, duke mos u bërë pjesë e një krimi të shëmtuar
social. Sot, kur shumë nga kolegët dhe ish – studentët e tij kanë
hapur klinikat private dhe ushtrojnë profesionin e tyre, profesori i
njohur endet në kërkim të një pune ku të mos ketë më telashe dhe
andrralla nga ato që u përmendën më sipër.
Në kontrast me
shembullin e mësipërm, do të përmendja edhe një rast tjetër të ndodhur kohë më
parë me një mjeke mjaft e njohur në spitalin neurologjik të qëndrës
spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Mjekja neurologe ushtronte
profesionin e saj privat në mjediset e spitalit shtetëror. Paradite,
gjatë orarit zyrtar të punës, kjo mjeke kufizonte vizitat
shtetërore, dhe gjatë këtij orari kontaktonte, planifikonte dhe
organizonte vizitat me pacientët e saj pas orës 13.00, kohë që konsiderohej
përmbyllja e orarit të punës me shtetin. Pas këtij orari, vizitat që do
të bënte më tej konsideroheshin vizita dhe konsulta private
dhe radha tek dera e klinikës së saj në godinën shtetërore ku ajo paguhej
nga taksapaguesit shqiptar zgjatej pafund.
Atë ditë shoqëroja
një të njohurin tim, i cili ankohej për një dhimbje të vazhdueshme
të kokës që e bezdiste shpesh dhe e shoqëronte prej javësh. Pas
vizitave me pacientët që kishin qënë në radhë para
nesh, (vizita që nuk zgjatnin më shumë se pesë minuta), erdhi edhe
radha e të njohurit tim. Hymë së bashku dhe mjekja na zgjati dorën me një
buzëqeshje të sforcuar, duke nisur pyetjet me pacientin që ankohej nga dhimbja
e kokës.
Pas një komunikimi
të shkurtër pyetje – përgjigje mes mjekes dhe pacientit, mbretëroi
një heshtje… Pacienti e humbi qetësinë dhe filloi të fliste pa
pushim për problemet e tij në lidhje me shqetësimet që kishte duke e
pyetur mjeken se nga se vinte ky shqetesim!
Pa i ngritur sytë nga tavolina e punës, duke i mbushur një recetë me
barna, përgjigja nën zë e mjekes ishte: Asgjë! Është një dhimbje
banale... Përdorë këto ilaçe dhe
do të vish përsëri për vizitë.
Me recetën e
barnave në dorë, mjekja e drejtoi pacientin tek paradhoma e sekretares së saj
ku ai duhet të paguante shumën prej 3.000 lekë të reja për këtë vizitë. I
hutuar, pacienti nxorri nga xhepat
paratë për të paguar vizitën e mjekes ,
vizitë që nuk zgjati më shumë se tre minuta, duke mos marrë
nga sekretarja as faturën e kësaj pagese të padokumentuar.
Jashtë radha ishte litar. Afro 40 - 50 pacientë të tjerë prisnin vizitën
me mjeken, e cila për ironi të fatit,
sot, është një nga titullaret
kryesore në një nga institucionet më të rëndësishme të
arsimit universitar.
Pra, shihet qartë
se, me sa seriozitet dhe me ç'farë
cilësie punohet në dëm të pacientëve hallexhinj në emër të fitimit…! Në këtë
kuptim, duke analizuar të gjitha këto sjellje e dukuri të pasinqerta dhe aspak
korrekte të marëdhënieve pacient – mjek , duhet thënë
pa frikë se, për disa nga këta mjek, pacientët e gjorë konsiderohen
si individë që domosdoshmërisht duhet të kalojnë në duart e tyre vetëm
për të paguar një grusht me para, por jo si qënie humane që duhen trajtuar me
respekt e dashuri për atë çka ata e vuajnë me shëndetin e tyre.
Këtu respekti dhe
vlera për jetën nuk janë ç’vlerësuar vetëm nga aksidentet e shumta, nga
sjelljet dhe mardhëniet tepër stresante dhe neurotike që në përgjithësi
njerëzit i ndeshin në jetën e përditshme nga hallet dhe problemet e
shumta që ata kanë, por, edhe nga arroganca e keqpërdorimi i pushtetit politik,
monopolizimi i pushtetit admnistrativ
dhe profesional që sapo përmendëm më lart.
Pikësëpari, vlera e
jetës së njeriut në Shqipëri është ç'vlerësuar në mënyrën më banale nga
ata që në të vërtetë duhet ti japin kuptimin e vërtetë
dhe dimensionin real jetës, nga ata mjekë të pandërgjegjshëm dhe
aspak human që në emër të moralit të parasë përdhosin dhe mohojnë
vlerat universale të humanizmit.
Ja përse spitalet
tona publike edhe pas 22 vjetësh nuk po e marrin veten dhe kanë degraduar në
një mjerim të thellë social nga këta hipokritë dhe matrapazë socialë pa
zemër dhe pa shpirt, të maskuar nën petkun e bluzës së
bardhë të HIPOKRATIT.
Është koha për një
zgjim të madh qytetar në mbrojtje të vlerave dhe jetës, ashtu siç ndodh
kudo në botën e qytetëruar demokratike, për të mos lejuar më tej
makutërinë e disa sharlatanëve të tillë që kanë në dorë jetën e njeriut dhe që
marrin dita ditës nëpër këmbë DINJITETIN NJERËZOR....
*Autori është Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë