E premte, 26.04.2024, 01:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Fillim vjeshte

E diele, 21.10.2012, 11:49 AM


Daniel Gàzulli
 
FILLIM VJESHTE

Rruga që ka mbetë shkurtohet përditë.
Rrugë e parrugë, pa një stacion ku të ndalesh.

Vështroj përreth:
gjithçka asht e begatë – në natyrën e sendeve
e të gjallesave të pafjalë,
që nuk dinë ç’asht smira, shpifja, krenaria fallso.
Ndalem e vështroj se si vesa
rrëshqet në zemër të lules
jo për ta freskue,
po prush jete me i dhanë.

Vjeshta shtegton me mue
në një heshtje reshë të bardha,
që kalërojnë gëzueshëm.
Me duket sikur ndjej ende në ajër
cicërimat e dallendysheve, që vallzonin të lehta,
në rrathë eliptikë,
deri pak kohë ma parë.
Po jo, janë akorde gjethesh,
që ndoshta për herë të fundit
puthen njeni me tjetrin, kur fryn era;
janë gjethe të verdhë, të murrmë,
si trishtimi i vajzës, që mbet moll’ e pakafshueme.

Ec dhe kujtoj stinët e nxehta,
kur u iknim hijeve,
se donim të na përvëlonte dielli,
dhe shpërfillës ndaj një morali falls
e fshatarak,
si dhambët e verdhë prej porcelani
të drejtoreshës në pension
të Bankës Tregtare,
bashkë me trupin
i dhuronim njeni tjetrit qetësinë e shpirtit.

Fillim vjeshte.
Ernat fryejnë nga të katër horizontet.
Po unë s’kërkoj strehë:
të vazhdoj rrugëtimin due, pa u ndalë ma stacionesh,
e të ngjiz përsëri andërra të shkujdesuna,
si në mbramjen mbas dehjes.

PARKU I SHKRONJAVE

Mos na prishni Parkun e Shkronjave me fjalë të shtremta,
si urrejtja, shpifja, smira,
me kronika rozë e të zeza:
Parku i Shkronjave asht qiellor,
ai duhet të ketë vetëm dritë, dritë!
Mos na i prishni lulet e a-së, të o-së,
ka trimijë vjet që i mbjellim me dashuni.
Në Parkun e Shkronjave vetëm lule duhet të ketë.

Unë hy lehtë, në maje të gishtave,
buzëgaz,
se edhe buzeqeshjen lulet duan
në Parkun e Shkronajve,
hy nga të gjitha anët;
i lirë asht ai, pa mure rrethuese,
pa roje të zymta me vështrime qortuese,
por, ju lutem, kur të hyni,
mos hidhni mbeturina.

Dikur këtu
erdhën barbarët e mbollën ferra,
po më nandëqindetetë
ferrat i zhgulem, i dogjem përgjithmonë
e mbollem lule ilire përsëri,
se ruejtë i kishin romakë e lashtë shkronjat tona,
si thotë Plini*,
e shkronja latine i quejten.

Larg nga Parku i Shkrojave fjalët e shtremta,
po na thani lulet.
Këtu lisa të drejtë dhe lule shumëngjyrëshe duhet të rriten,
të lame në dritë qiellore.

*Plini: «Naturalis Historia », vëllimin VII: «Ilirët kanë krijue të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyne e morën prej ilirëve »



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora