E premte, 26.04.2024, 05:04 AM (GMT+1)

Mendime

Besnik Lajqi: Në mesin e një familje katolike

E hene, 01.10.2012, 07:57 PM


FËMIJËRIA IME NË MESIN E NJË FAMILJE KATOLIKE SHQIPTARE

Nga Besnik Lajqi

I lindur në mesin e shekullit 19-të, në mesin shqiptarëve myslimanë me prirje të moderuara europiane, ku mbi të gjitha ishte sakrifica e luftës që të mbijetojë shpirti, gjuha, tradita, kultura dhe arti shqiptar nën pushtimin serb. I lindur dhe i rritur në Pejë, deri në moshën 15 vjeçare. Lagjeja e jonë ku ishim në qytet, e quanin Kalaja. Kala e quanin se në kohët e vjetra kishte qenë aty një kala e vjetër. Por me ardhjen e pushtusve osmanë dhe serbë, ajo ishte rrënuar që nga themeli. Brenda në kala kishte qenë garnizoni i ushtrisë turke në atë kohë. Se si u zhduk kjo kala, askush nuk tregon në ndonjë shkrim. Në vitet 60-ta fillon hapja e fabrikave në qytet. Shumë fshatarë nga rethet e Pejës i lëshuan fshatrat që të hyjnë në punë në fabrika, për një jetë më të mirë. Në mesin e tyre ishim edhe ne si familje, si dhe shumë e shumë familje tjera të rrethit të Dukagjinit e më gjerë.

Peja ishte qytet me tolerancë të lakmushme fetare. Banonin shqiptarë muslimanë dhe katolikë. Lagjeja ku banojshim ne, ishin të gjithë shqiptarë muslimanë, të moderuar, të thjeshtë, të afërt e të dashur. Pak më larg ishte një familje shqiptare me fe katolike. Ishte pak larg lagjes sonë, por ata i konsideronim si të lagjës sonë, sepse ishte shtëpia e vetme e një konfesioni të tillë në atë vend. Fëmijtë e tyre ishin në shkollën tonë. Edhe këta ishin të ardhur, diku nga nahija e Gjakovës, për një jetë më të mirë. Ishin thuajse të parët që kishin ardhur në atë vend ku ishte vetëm fushë e lëndinë. Çdo familje që vinte nga rrethet e ndryshme të Kosovës, kjo familje iu dilte në ndihmë. Të zotin e shtëpisë e quanin Vlash. Njeri punëtor, i dashur, krenar me punën e jetën që e bënte me familjen e vet për të mbijetuar me ndershmëri. Një pjesë të jetës së tij e kishte kaluar në Gjermani në atë kohë. E kuptonte jetën e këtij populli të vuajtur me shekuj.

Nuk bënte dallime nga e cila fe apo krahinë kush është. Kishte një familje të lumtur me më shumë se dhjetë anëtarë të familjes. Ne si fëmijë shoqëroheshim përzemërsisht me fëmijtë e tyre. Motrat e mia ishin në një shkollë e klasë me vajzat e tyre. Poashtu edhe unë. Kishin dallim pak nga ne. Sepse, prindërit dhe një nga djemët e tyre punonin në atë kohë në Gjermani dhe kishin dallim në veshje, standard të jetesës. Si çdo fshatar i ardhur në qytet në atë kohë, mbante nga një apo dy bagëti. Lopë, dele apo ndonjë kokë dhi. Thujase e gjithë lagjeja jonë kishte çdo shtëpi nga një kokë bagëti. Bagëtitë i çonim të kullosinin afër kësaj shtëpie. Sepse, aty kishte fusha të mëdha dhe ishte afër Bistrica, siç e quanim ne. Në ato fusha u mblidheshin shumë fëmijë ku luanin lloj lloj lojërash të ndryshme.

Në mesin e atyre fushave ishte kjo shtëpi katolike shqiptare. Ne si fëmijë kur kishim etje apo ndonjë aksident gjatë lojërave u drejtojshim te kjo shtëpi. Gjithëmonë e kishim derën çelë dhe na pritnin me buzëqeshje dhe me këshilla të mira. Kjo shtëpi u bë shtëpia e jonë e dytë. Sepse, në mëngjes kur i çojshim kafshët të kullosin, ishim disa orë aty nëpër ato fusha. Pas shkollës poashtu ishim aty, duke i kullotur kafshët e duke kaluar me gëzim asaj ane. Duke shkuar në kullosa, i mernim edhe kafshët e tyre me veti deri sa vinin fëmijtë e tyre nga shkolla. Ishim bërë si një familje aty. E zoja e shtëpisë nëna Martë gjithmonë na pyeste. „A jeni mirë, a keni hangër bukë e a keni uri?“ Shpesh na dhuronte nga një blluzë që ia kishin prurë nga Gjermania. Shtëpinë e tyre e njihshim si shtëpinë tonë. Ishim bërë pjesë e asaj familje të nderuar. Nuk kishim ndonjë konflikt që ata ishin katolikë e ne muslimanë. Shumica nuk e dinin se cilës fe i takonin. Kur ishte Bajram festë muslimane i zoti i shtëpisë, Vlashi, vinte në shtëpitë tona dhe na uronte festën e Bajramit.

Ishte kënaqësi e veçantë të kishim mysafirë në shtëpinë tonë. Ai kishte një dialekt gegë një të folur malësorçe me një krenari shqiptare. Kur ata i kishin festat e tyre, si Krishtlindjet apo Pashkët, ne shkonim ju uronim këto festa të tyre. Ishte një këndshmëri shpirtërore në atë kohë. Ndodhte një sëmudje, vdekje apo dasmë, të gjithë ishim së bashku. Nuk ka ndodhur të ketë patur ndonjë konflikt ne lagjën tonë me këtë familje, apo këta me ne. Ishim si një familje. Mua me donin shumë, isha si anëtar i kësaj familje. Ishte një humbje e madhe për këtë familje kur iu vdiq një djal i tyre në moshë 20 vjeçare. Një humbje dhe pikëllim edhe për ne si lagje, edhe për këtë familje të mrekullueshme. Uka djali i madh i tyre punonte në Gjermani dhe njëherë më kishte sjellë një bicikletë sportive si dhuratë. Ishte dhurata më e madhe për mua në atë kohë. Nuk më dallonin nga anëtarët e familjes. Nuk kishte në mesin tonë dallim apo urrejtje fetare.

Kishin vuajtur shumë nga Serbia në atë kohë. Ishin familje atdhetare. Kur fillaun demostratat e vitit 1981 në Kosovë, unë u detyrova ta lëshoj Kosovën si 15 vjeçar. Strehimin e gjeta te kjo familje disa ditë. Kur erdh koha që të dal jashtë Kosove, zoja e kësaj shtëpie, nëna Martë, më dha një çantë me ushqim dhe me një sasi parashë për udhëtime jashtë kufinjve të  ish-Jugosllavisë. Nuk i harroj kurrë këshillat e saj se të sillem kur të zbres nga treni. Kjo kishte qenë disa herë në Gjermani me të shoqin dhe e dinte atë rrugë të cilën e kishte bërë disa herë me tren, dhe i njihte mirë gjërat. Kjo familje ka qenë shembull i mirë në mesin tonë. Me ketë shkrim deshta ta falënderoj këtë familje të bekuar, që na ka nderuar dhe respektuar pa dallim krahine apo feje. Ishte kënaqësi që t’i takoj sivjet pas 31 viteve. Ishin po ata që i kamë lanë para 31 vitesh. Të gjithë ishin ata që i pata lënë. Një dallim vërejta: ishin shtuar me nipa e mbesa. U bëftë një qytet prej tyre! Një oazë e harmonisë dhe mirëkuptimit me njerëz të dashur e respektuar, në gjithë qytetin e Pejës. Zoti e bekoftë familjen Maliqaj nga Peja!



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora